Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Rrozhani: Riciklimi i mashtrimit

Arben Rrozhani, Sekretar për PR i Partisë ZGJIDHJA

Partia Demokratike publikoi të hënën një projekt të ri për të bashkuar partitë e tjera të spektrit opozitar, që janë ende të lëkundura për marrëdhëniet e mëtejshme me selinë blu, pavarësisht se janë në koalicion me të.

Në një dokument të prezantuar mbrëmjen e 11 shkurtit, PD shprehej se ishte vendosur dalja në një koalicion të bashkuar opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend dhe rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është formimi i një Qeverie Tranzitore, me mandat të posaçëm për përgatitjen e zgjedhjeve, realizimin e Reformës Zgjedhore, ndjekjen dhe zbatimin e saj.

Teksti është shumë i ngjashëm me atë të rreth dy viteve më parë. Më 25 shkurt 2017, ndërsa protesta e opozitës, te ‘Çadrën e lirisë’ së ngritur poshtë zyrës së kryeministrit Rama, hynte në ditën e tetë, Lulzim Basha shprehej i vendosur se nuk do të kishte zgjedhje me qeverinë PS-LSI. “Nuk ka e nuk ka për të patur zgjedhje fasadë në këtë vend. PD dhe opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund vendimit qytetar, zgjedhje për të kaluar radhën, fasadë, me këtë kryeministër, me këtë qeveri nuk ka për të pasur”.

Basha shprehej i vendosur edhe për përmbysje totale të sistemit bipartizan PS-PD, i cili, sidomos pas marrëveshjes së 21 prillit 2008, farkëtoi sundimin e dy partive në vend. “Misioni ynë përfundon vetëm kur të kemi varrosur republikën e vjetër e të kemi vendosur republikën e re të qytetarëve shqiptarë. Nuk do të ketë më kompromis me të drejtat themelore të qytetarëve, nuk do të lejojmë pazare të ndyra politike mes partive politike në shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Unë jam këtu për t’u premtuar se kjo nuk do të ndodhë më. Se interesat e kësaj lëvizje popullore, kombëtare, demokratike, janë mbi interesat e çdo partie politike, përfshi PD, përfshi Lulzim Bashën sepse janë interesat tuaja, të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Le t’u kujtojmë këtë mëngjes të 8-të të përballjes tonë popullore se ne nuk tërhiqemi. Rama largohu dhe hapi rrugë një qeverie për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Se çfarë ndodhi më pas është një histori e turpshme. Lulzim Basha pranoi ftesën e Edi Ramës, bashkë u mbyllën disa orë mesnatën e 17-19 majit 2017 dhe firmosën një marrëveshje e cila ende nuk është bërë publike. Rama pranoi të ketë në selinë e kryeministrisë një zv.kryeministre që nuk pyetej për asgjë dhe disa ministra teknikë të PD-së, ndërsa zgjedhjet u fiksuan më 25 qershor, duke mos përmbushur asnjë kusht, asnjë kriter, pa reformuar asgjë. ‘Republika e re’ kishte kapitulluar pa lindur. Ajo që ndodhi pastaj është historia e blerjes së zgjedhjeve parlamentare me para të pista, krimi dhe droge, presionesh, blerje masive dhe trafikim votash, nga Tirana te cepi më i largët e vendit dhe votat i numëëruan dhe i ndanë mes tyre komisionerët e tri partive.

Sot, pak ditë përpara protestës së 16 shkurtit, Lulzim Basha kujtohet të analizojë atë që ndodhi, duke ia lënë peshën e fajit vetëm qeverisë që vodhi votat për të mbajtur pushtetin, por nuk ndjen asnjë peshë faji pse tradhëtoi ‘Republikën e re’, duke e këmbyer atë me një marrëveshje okulte mesnatën e 17-18 majit 2017.

Sot ai kërkon sërish përkrahje popullore duke premtuar si dy vite më parë. Nuk po e gjen atë edhe pse po barit nëpër Shqipëri për të ndezur zjarrin e protestës që PD dhe PS e shuan ndër vite. Pa kërkuar ndjesë për krimet elektorale të të shkuarës dhe ato që PD bën bashkë me PS-në.

Pak ditë më parë Basha u kërkonte llogari në Vlorë të huajve, miq të Shqipërisë, pse duan me ngulm një kod të ri zgjedhor për vendin, përpara zgjedhjeve të radhës dhe si përmbushje e kushttit kryesor për të hapur negociatat me BE-në në qershor. Ai e justifikonte kodin aktual si shumë të mire dhe akuzonte Ramën se nuk e njeh asnjë ligj, përfshirë atë zgjedhor.

ZGJIDHJA, shumë partitë të tjera, shoqata dhe përfaqësues të inteligjencës së vendit, të angazhuara për zgjedhje të lira dhe të barabarta, e kanë thënë me kohë se e keqja e vendit vjen nga mbajtja e votës së shqiptarëve në duart e PS-PD. Ato, së bashku me dy parti të tjera, duan të jenë administratoret e vetme të çdo procesi zgjedhor në Shqipëri, të kenë nën kontroll Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe komisionet e votimit, duke i përdorur komisionerët si grabitës votash. Si në asnjë vend tjetër të botës, komisionerët e tyre do të numërojnë sërish votat e dhëna për të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Rezultati dihet se si do të jetë: PS, PD dhe LSI, me njerëzit e tyre, do të çapëlejnë votat e të gjitha partive të tjera dhe do t’i ndajnv mes tyre. Në fund OSBE/ODIHR-i me raportet e tyre paraprake dhe përfundimtare, do të nënvizojnë se ‘pati probleme’, por edhe do të shtojnë se ‘zgjedhjet ishin një hap përpara’.

Nëse Basha do ta kishte seriozisht largimin e Ramës nga pushteti me atë që deklaronte dje ‘për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme’, lëvizja e parë është mosnjohja e Kodit aktual Zgjedhor dhe angazhimi për të mos u futur në zgjedhje që administrohen politikisht prej partive. Ai duhet ta refuzojë ndarjen e anëtarëve të KZAZ-ve mes PS, PD dhe LSI si dhe shortin e 2 marsit për anëtarin e 7; të refuzojë paratë e buxhetit të shtetit që ndau dje KQZ-ja për partitë politike dhe të ‘ngrijë’ opsionin e hyrjes në zgjedhje, derisa sa vendi të ketë një Kod të ri Zgjedhor që garanton zgjedhje të lira dhe të barabarta për të gjithë aktorët politikë.

ZGJIDHJA apelon se, pa rikthimin e lirive politike të shqiptarëve dhe më pas të lirive ekonomike, premtimet e radhës së Bashës për “Republikën e re’, janë avaz i vjetër, zhurma e të cilit ndihet po njësoj si në qershor 2017, kur pushteti u mbajt me vota të blera dhe të trafikuara.

Please follow and like us: