Edlira Gjoni: Mos lironi vrasësit!
“Kthehu pak me ngadalë pas. Shihe njeriun që po pi pafe ngjitur me ne. E njeh”? – pyeti me ankth kolegia me të cilën po shijoja diellin e parë të pranverës, disa vite më parë.
U ktheva me sa lezet apo ngadalësi mund të lejonte suspansa apo kurioziteti teksa shihja me ngulm vështrimin e ngrirë të mikeshës sime.
Personi ngjitur, që shijonte më shumë se ne diellin e pranverës, që shtriqej në karrige e ngërdheshej me gjithë qënien e tij, ishte vrasësi i bashkëshortes së vet, 10 muaj më parë.
E njihja nga lajmet, nga urrejtja që pata krijuar për qëndrimin e tij fodull para gjykatës, para kamerave, para drejtësisë. Pata shkruar e qeshë indinjuar për vrasjen gjakftohtë që i mori jetën bashkëshortes së tij të re, në mes të Tiranës dhe për lirimin e tij me marifetet proceduriale.
10 muaj më pas, ajo me siguri kishte filluar dekompozimin nën tokë. Kurse ai pinte kafe në karriget ngjitur me ne.
U pështjellova keq. Ndjeva për herë të parë një përzierje të shokimit, tradhtisë, rrënimit, frikës.
Po pse të kisha unë frikë nga një njeri që nuk e kishte vrasjen me mua?! Pse lirimi i tij sfidoi sigurinë time?
U ngritëm të dyja fytyrë-pataksur. Kaq pak vleka jeta e një gruaje?
…
Për vite me radhë më ka mbajtur peng lirimi i vrasësit dhe prania e mbartësit të vdekjes në kafene. Deri sa këto ditë, ngërdheshja e kërcënimit të sigurisë nuk erdhi nga vrasësi i një bashkëshorteje, por nga ekzekutuesi i katër njerëzve që ishin në detyrë për të garantuar sigurinë tonë.
Si mundet të ketë gjykim të shkurtuar vrasësi i sigurisë? Si mund të dalë pa lagur nga ky sistem një njeri që shkundi nga themelet kuptimin e fjalës “siguri” në këtë vend?
A do vijë të na ulet në kafenenë ngjitur vrasësi i policisë, apo do ulet në parlament të bëjë ligjet për sigurinë tonë?
Në çmendinën tonë rozë, shefi i pavionit na thotë vazhdimisht: “Ju qenë lehni, karvani im do shkojë përpara”.
Karvanët e tij e të kundërshtarit politik janë plot me vrasës, përdhunues, drogmenë, hajdutë, manipulatorë, shfarosës gjakftohtë.
Ecin përpara, sepse shefi i çmendinës nuk di të dalë anash, të shohë c’bëhet e të marrë situatën në dorë.
Jeni ndjerë ndonjëherë të keqardhur në çmendinën tonë të izoluar nga civilizimi e drejtësia? Unë ndjej vetëm frikë!
Çmendina jonë rozë nuk është më për t’u keqardhur, por për t’u trembur deri në palcë! #Moslironivrasësit.