Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Stop dhunës mbi bluzat e bardha!

Pas bërjes publike të rastit të ushtrimit të dhunës ndaj mjekut infeksionist në ambientet e punës dhe protestës së kolegëve të tij, para Drejtorisë së QSUT, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të partisë ZGJIDHJA, zotit Koço Kokëdhima. Kokëdhima dënon aktin e ushtrimit të dhunës mbi mjekët dhe thekson se kjo nuk është hera e parë që bluzat e bardha bien pre e dhunës në Shqipëri, të cilët janë edhe të detyruar të punojnë në kushte skandaloze. “Ky nuk është rasti i parë që bluzat e bardha shqiptare, të cilat punojnë në kushte skandaloze dhe me pagesa qesharake, dhunohen e goditen brenda ambienteve të punës. Është e disata herë, që mjekët në gjithë vendin i kërkojnë ministrisë së Shëndetësisë që t`u sigurojë ambient pune të sigurt dhe të qetë. Kjo është më e pakta që shteti mund të bëjë për këta njerëz, që detyrohen të punojnë në kushte kur të sëmurët shtrohen edhe nëpër korridore, kur mungojnë edhe medikamente bazë dhe mbi të gjitha me një personel të kufizuar në maksimum”,-shkruan Kokëdhima.

Koço Kokëdhima, Kryetar i Partisë ZGJIDHJA: Stop dhunës mbi bluzat e bardha

Ishin të dhimbshme pamjet që u transmetuan dje, përpara Drejtorisë së QSUT-së. Mjekët, për pak minuta, protestonin me pankarta në duar. Një individ i papërgjegjshëm kishte guxuar që të dhunonte një kolegun e tyre, në krye të detyrës.

Ky nuk është rasti i parë që bluzat e bardha shqiptare, të cilat punojnë në kushte skandaloze dhe me pagesa qesharake, dhunohen e goditen brenda ambienteve të punës. Është e disata herë, që mjekët në gjithë vendin i kërkojnë ministrisë së Shëndetësisë që t`u sigurojë ambient pune të sigurt dhe të qetë. Kjo është më e pakta që shteti mund të bëjë për këta njerëz, që detyrohen të punojnë në kushte kur të sëmurët shtrohen edhe nëpër korridore, kur mungojnë edhe medikamente bazë dhe mbi të gjitha me një personel të kufizuar në maksimum. Në të gjithë botën perëndimore misioni i mjekut është i nderuar dhe i respektuar.

“ZGJIDHJA” e kupton stresin e qytetarëve kur kanë një të afërm të sëmurë, që kërkon shërbim të shpejtë dhe cilësor nëpër këto spitale që ka vendi ynë, por ngritja e dorës mbi bluzat e bardha është e paimagjinueshme dhe e patolerueshme, për çfarëdo arsye.

Ne i bëjmë thirrje ministrisë së Shëndetësisë dhe administratës së spitaleve në të gjithë vendin, që të ndërhyjnë urgjentisht për sigurimin e kushteve normale për mjekët, duke rishikuar masat e sigurisë nëpër spitale. Nga ana tjetër, ashtu siç e parashikon Kodi Penal, për dhunën e ushtruar për shkak të detyrës, raste si ky i fundit, të marrin dënimin maksimal nga gjykatat.

Vendi ynë është në një situatë emergjente, për sa i përket mjekëve dhe infermierëve. Të pavlerësuar nga të gjitha qeveritë që vijnë dhe ikin, si dhe të detyruar nga kushtet mizerabël të punës dhe rrezikshmëria në kryerjen e misionit të tyre human, ata po largohen në shumicë jashtë vendit.

Ka ardhur koha që mjekët, këta heronj që shpëtojnë jetë, të vendosen në piedestalin që u takon. Vendi ynë ka nevojë për politika që të gaarantojnë ngritjen e një mjekësie moderne, profesionale, të arritshme nga të gjithë qytetarët, të sigurtë dhe të nderuar.

#ZGJIDHJA me mjekët#Stop dhunës mbi bluzat e bardha

Please follow and like us: