Albspirit

Media/News/Publishing

Tentativë për të dëmtuar protestën duke e joshur? Caslli-ministres: Takohemi te sheshi!

Elona Caslli, një nga aktivistet e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar ka marrë së fundmi një ofertë joshëse për të qenë këshilltare e ministrës së Kulturës. Pasi e ka refuzuar, Caslli i bën me dije Elva Margaritit, nëpërmjet një njoftimi publik, se e pret të takohet në sheshin e Teatrit Kombëtar. “Duke qenë se përmes një mediumi njerëzor, më përcollët konsideratën tuaj të lartë znj. ministre dhe më ftuat të isha këshilltarja juaj në Ministrinë e Kulturës, e quaj të dobishme që t’iu ftoj në sheshin e Teatrit Kombëtar, ku unë, gjendem çdo mbrëmje. Mediumi njerëzor, nënvizoi faktin se ju i çmoni “zërat kundër” dhe jeni e hapur për bashkëpunim kurdo dhe kudo. Nëse përkushtimi juaj ndaj kulturës dhe artit shqiptar është i përveçëm, atëherë ju ftoj në sheshin e Teatrit Kombëtar në orën 18:30 çdo mbrëmje. Aty do të keni rastin të takoheni me artistë, të cilët me punën e tyre e kanë identifikuar Shqipërinë në kontekst europian. Artistë, të cilët përfaqësojnë hartën kulturore të Shqipërisë në Europë. Jam e bindur se një bisedë e gjatë me ta, do të kthjellonte vizionin dhe misionin tuaj. Ju falenderoj paraprakisht për vëmendjen dhe vlerësimin. Nuk mund t’i përgjigjem pozitivisht ftesës suaj, pasi unë besoj, se këshilla më e mirë për artin buron vetëm nga Sheshi i Teatrit Kombëtar”, i shkruan Caslli. Protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga grabitja që i ka bërë Edi Rama ka zgjatur më shumë se 1 vit. Edhe më herët kryebashkiaku i Tiranës ka tentuar të përçajë artistët gjatë qëndresës së tyre.

Please follow and like us: