Territore apo treg në këmbim të njohjes?! Kjo është çështja!
Enver Bytyçi
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u pozicionua dje rreth idesë së Vuçiq, Ramës dhe Thaçit për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Sipas akademikëve, ndarja e vendit është një projekt i vjetër i Beogradit dhe shumë i dëmshëm për Kosovën. Ndërsa sot kreu i kësaj Akademie, Nexhat Daci, përgenjështroi se deklarata e shpallur dje është firmosur prej tij. Hulumtova në internet për të gjetur një kryetar të dytë të ndonjë akademie të shkencave në botë, që predikon dhënien e territoreve të vendit të tij një vendi tjetër fqinjë, por më kot. Kurrkund në botë nuk ndodh kjo, ashtu siç nuk ndodh që kreu i një shteti të punojë për tjetërsimin e territorit të vendit të vet. Megjithatë nuk dua të ndalem në këtë. Ajo me të cilën publiku shqiptar është përballur këto dy muajt e fundit ka të bëjë me dy skema të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës e Serbisë si dhe keqinterpretimin e mbështetjes amerikane. Në Kosovë ka tashmë dy rryma politike, të cilat elaborojnë dy skema të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb.
Rryma e parë është ajo që kryesohet nga Hashim Thaçi e mbështetet nga Nexhat Daci. Sipas kësaj rryme në dialogun me Serbinë duhet zbatuar skema “Territore në këmbim të njohjes”. Kjo rrymë politike proserbe ka shpallur në publik idenë mashtruese, sipas së cilës “Kush është kundër kësaj skeme, është kundër SHBA-ve”! Dhe duke qenë pengesë taksa e qeverisë Haradinaj për mallrat serbe, kjo kategori politikanësh të marrë peng propogandojnë se “Haradinaj është kundër SHBA-ve, meqenëse ai nuk pranon të heqë ose të pezullojë taksën”!
Ndërkaq sot ambasadorja amerikane në NATO Kay Bailey Hutchison, foli ndryshe. Ajo tha se çështja e taksës është çështje në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deklaratë e një prej autoriteteve diplomatike më të spikatur të Amerikës përgënjeshtron gënjeshtrat e Thaçit dhe të tijëve se “Amerika dhe Presidenti Trump na qenkan për heqjen e taksës dhe ndryshimin e kufijve”. Ndërsa sot u dha edhe një dëshmi tjetër pro kësaj teze. Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeu i bëri thirrje Europës që të bashkohet për të përballuar kërcënimin rus dhe kinez. Dhe nëse Departamenti i Shtetit Amerikan i përmbahet kësaj formule të ndalimit të influencës ruse në Europë, atëherë është e sigurt se SHBA-të nuk mbështesin ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, sepse ky ndryshim ka e do të ketë ndikim të kundërt. Kësisoj ngrehina e gënjeshtrave dhe mashtrimit e ngritur nga Rama e Thaçi bie!
Rënia e ngrehinës së mashtrimit të autorëve dhe aktorëve të faljes së territorit të Kosovës – Serbisë avantazhon skemën e zgjuar të Ramush Haradinajt: “Treg në vend të njohjes”! Sipas kryeministrit, Kosova mund të japë treg, por jo edhe territore në këmbim të njohjes nga Serbia. Kësaj formule i shërben kërkesa që “Serbia ta njohë Kosovën e kjo e fundit të heqë taksën ndaj saj”!
Por pavarësisht kësaj, Hashim Thaçi, Edi Rama, Nexhat Daci dhe dacër të tjerë të joshur ose të kërcënuar nga Beogradi vazhdojnë me këmbëngulje spekullimet e manipulimet për heqjen ose pezullimin e kësaj takse, me qëllim që gjatë periudhës së pezullimit dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, të mund të nënshkruajnë marrëveshjen në dobi të krijimit të Serbisë së Madhe!
Spekullimi me amerikanët vazhdon të mbetet pjesë e arritjes së qëllimeve serbo-ruse për Kosovën. Në fakt Vuçiq është në pozicion shumë të vështirë. Ai nuk mori mbështetje publike nga Vladimir Putin për Kosovën. Ndërkaq opozita proteston vazhdimisht kundër arrogancës së tij në qeverisje. Atij i duhet një aksion politik domethënës në dialogun me Kosovën, me qëllim që të rikthejë pozitat e humbura në elektoratin e tij. Këtë shans përpiqet t’ia japë Thaçi dhe Rama, megjithëse dhe këta gjenden tashmë të tronditur në pozicionet që kanë. Rama është i rrethuar nga jashtë dhe nga brenda.
Thaçi është i kapur dhe shpejt do të bëhet objekt sulmi nga ana e opozitës së Kosovës. Nëse Kosova thellon konfliktin politik për shkak të skemës së Thaçit për të dhënë territore në këmbim të njohjes nga Serbia, atëherë ajo mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Vënia dhe heqja e taksës është atribut i qeverisë. Haradinaj nuk dëshiron që ta heqë atë. Madje ai është i vendosur për të përballuar presionin e stisur të Hashim Thaçit. Megjithatë Haradinajt i duhet edhe më tej të përballojë sulmet, intrigat dhe kurthet e Hashim Thaçit. Këto kurthe e intriga mund të vijnë për shembull nga bashkëpunimi i presidentit me Lidhjen Demokratike. Sot Abdullah Hoti është shprehur për pjesmarrjen e partisë së tij në këtë qeverisje. Kjo do të thotë që Thaçi punon për të krijuar një mazhorancë tjetër pa shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nëse do të ndodhin zgjedhjet e reja, partia e Thaçit do të shkonte në vendin e katërt pas Vetëvendosjes, AAK-së dhe LDK-së. Për këtë arësye Thaçi është në kërkim të një formule tjetër. Por ajo parti politike që ia jep këtë shans Hashim Thaçit është e destinuar të shuhet njësoj si Partia Demokratike e Kosovës. Këtë do ta dëshmojnë zgjedhjet e reja, kurdo që ato mund të bëhen.
Ndryshimi ose përpjekjet për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe heqja e taksës nga një kryeministër tjetër, veç Haradinajt, do të jetë bumerang politik për partitë që do të punojnë për projektin serb të Ramës e Thaçit me moton “Territore në këmbim të njohjes”! Fitorja do t’i takojë skemës së Haradinajt të përkrahur nga Albin Kurti “Treg në këmbim të njohjes”!
Tirane, me 12.02.2019.