Biserko: Të hiqet dorë nga ideja për ndryshim kufijsh
Prishtinë, 13 shkurt 2019 – Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka kërkuar që të hiqet dorë nga ideja për ndryshim të kufijve.
Në konferencën për media, të mbajtur të martën, ku është prezantuar raporti me temën: “Komuniteti serb në Kosovë: Jeta e ngrirë, në konflikt të ngrirë”, Biserko ka deklaruar se kjo ide paraqet rrezik për konflikt në Ballkan.
“Të hiqet dorë nga negociatat për ndryshim të kufijve, të pranohet realiteti i Kosovës dhe konform marrëveshjes së nënshkruar të fillojë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën si shtet i pavarur. Kjo është mënyra e vetme që në rajon të shmanget një rrezik që po u kërcënohet edhe Serbisë, dhe të gjithë të tjerëve. Duhet t’i qasemi integrimit të komunitetit serb, jo vetëm në atë aspektin politik, por edhe ekonomik dhe shoqëror, për përmirësimin e jetës dhe cilësisë së jetës shoqërore”, ka deklaruar Biserko, transmeton Koha Ditore.
Ajo ka thënë se komuniteti serb në Kosovë jeton në kushte të vështira dhe se nuk kanë mbështetje nga Beogradi dhe se serbëve në Kosovë u mungon edhe mbështetja nga Prishtina.
Biserko ka thënë se sfidë për serbët që jetojnë në Kosovë mbetet pranimi i identitetit kosovar dhe ka shtuar se serbët në Kosovë janë ekonomikisht të varur nga Serbia.
Ajo ka theksuar se është me rëndësi që Prishtina, përkatësisht komuniteti shqiptar, ta zhvillojë dialogun me serbët që jetojnë në Kosovë.