Albspirit

Media/News/Publishing

Irani në qendër të Samitit të Varshavës

Konferenca ministrore mbi Lindjen e Mesme, e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit së bashku me Ministrinë e Jashtme polake, do të mbahet më 13 dhe 14 shkurt. Konferenca do të fokusohet mbi Iranin si burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në rajon. Pritet të marrin pjesë delegacione të rangut të lartë nga disa dhjetëra vende.

Regjimi  në Teheran reagoi ashpër ndaj kësaj konference, duke thirrur Ambasadorin polak e duke bërë thirrje publike për anullimin e saj, megjithëse dështoi në këtë qëllim. Regjimi ka frikë se komuniteti ndërkombëtar po arrin në një konsensus për faktin që është e kotë t’i mbështesësh shpresat tek ky regjim dhe se duhet ta dëgjojnë zërin e popullit iranian për ndryshim dhe të përkrahin alternativën ndaj këtij regjimi.

Një numër i madh iranianësh që mbështesin Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) do të zhvillojnë një tubim në ditën e parë të konferencës, për t’i dhënë zë dëshirës së popullit iranian, si dhe për të treguar mbështetjen e tyre për NCRI-në e udhëhequr nga Maryam Rajavi, si alternativa demokratike ndaj regjimit të mullahëve.

Në tubim do të marrin pjesë edhe kryebashkiaku Rudy Giuliani, ish-Kryeministri algjerian Sid Ahmed Ghozali, ish-Senatori amerikan Robert Torricelli dhe disa anëtarë polakë të Parlamentit dhe të Senatit. Ata do të mbajnë një konferencë për shtyp përpara tubimit.

 

Regjimi dhe sjellja e tij destruktive ka qenë me kohë një çështje shqetësuese. Ky regjim ka kryer shkelje sistematike të të drejtave të njeriut brenda vendit, si dhe ka eksportuar terrorizmin dhe luftën në rajon përmes proksive të tij dhe mbështetjes për diktaturën e Assad-it në Siri.

Gjatë vitit të shkuar, pasi nuk mundi t’i ndalonte protestat e vazhdueshme anti-regjim brenda vendit, regjimi është mbështetur gjithnjë e më shumë në veprimtari terroriste kundër opozitës së tij kryesore, organizata MEK dhe koalicioni demokratik NCRI.

Rrjeti i MEK ka luajtur një rol të madh në kryengritje dhe në ruajtjen e ritmit të veprimtarive anti-regjim. Gjatë 2018-ës, MEK formoi Njësi Rezistence në të gjithë vendin. Këto njësi kanë qenë shumë aktive në ruajtjen e ritmit të protestave, në shkrimin e sloganeve mbi mure, si dhe në djegien e posterave të mëdhenj të Khamenei-t, liderit Suprem të regjimit.

Zyrtarët e regjimit dhe media e kontrolluar prej shtetit fajësojnë MEK-un për veprimtaritë e rrjetit të saj dhe Njësive të Rezistencës. Gjatë protestave të 2018-ës, janë arrestuar mbi 10,000 njerëz, duke përfshirë shumë aktivistë të MEK. Sipas medias shtetërore, disa nga aktivistët e MEK janë dënuar me disa vite burg për pjesëmarrjen në protesta ose për shkrimin e sloganeve nëpër mure.

MEK, dhe rrjeti i saj brenda vendit, mbetet makthi i regjimit të mullahëve. Regjimi është i përfshirë në fushata masive propagande dhe keqinformimi për t’iu kundërvënë rritjes së popullaritetit të MEK brenda vendit.

Iranianët që do të mblidhen në Varshavë do t’i bëjnë thirrje konferencës dhe delegatëve që t’i dënojnë fuqishëm shkeljet e vazhdueshme të të drejtave njerëzore në Iran, që të ndërmarrin një politikë të rreptë ndaj regjimit, të marrin masa praktike kundër regjimit për terrorizmin e tij jashtë Iranit, dhe ta njohin të drejtën e popullit iranian për ta përmbysur diktaturën fetare që sundon vendin e tyre. Ata do të deklarojnë gjithashtu mbështetjen e tyre për planin me dhjetë pika të Maryam Rajavi-t për një republikë të lirë të bazuar në ndarjen e fesë nga shteti, barazinë gjinore dhe një Iran jo-bërthamor.

Please follow and like us: