Luc Vidal: Territoret e shpirtit të Luan Ramës
(Në vend të parathënies)
I dashur Luan,
Libri yt «Territoret e shpirtit» është një mënyrë për të vazhduar fillin e ndërprerë të bashkëpunimin tonë të vjetër. Më 2001, unë botova librin tënd dy-gjuhësh «Mbulomëni me një copëz qiell», mbi dramën e emigrantëve dhe të mërgimeve. Më 1999 librin tënd me ese «Udha e gjatë në tunelin e Platonit», mbi artistët dhe pushtetin gjatë epokës totalitare në vendin tënd gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.
Ashpërsisë së botës ti i përgjigjesh përmes bukurisë së poezisë dhe fjalës profetike. Ti e bën poetin një profet. Eshtë vallë ai një zëdhënës i Zotit, i Hyjnive të Olimpit apo një Zot? Ai u jep mundësi njerëzve të kundrojnë të bukurën dhe t’i ulë në gjunjët e tij siç bëri dhe Rembo. Një dhunti prrallore. Fjalët e poetit sigurojnë ndjesinë mbrojtëse dhe çlirojnë frikat. Homazhi yt për Hygonë, përmes poezisë e tregon këtë.
Vdekja e një poeti pikëtakon ndonjëherë shpirtin e popullit. Shpirti është pikërisht fryma, frymëmarrja, principi jetësor ku përjetohen forcat shpirtërore, të qenësishme dhe transhendente siç është fjala poezi (nga greqishtja e vjetër «poesis») që do të thotë të bësh, të krijosh. Qartësia që ti na transmeton, ajo plagë më e afërta e diellit, siç shkruante René Char, i afron botës mundësi për të shëruar shpirtrat tanë të plagosur.
Më pëlqen libri yt me ato bredhje lirike ku batica e fjalëve krijon ndjesi të mrekullueshme dhe yje vëllazërore. Më pëlqejnë në veçanti disa nga poezitë e tua dhe ja cilat: «Poetët vdesin si zogjtë» (që digjen gjithnjë, me sy të hapur e të lagësht), «Shenja pikësimi» (me vargjet që shkojnë si kalorës… mbi letrën e shenjtë), «Njëqind dashuritë e Pablo Nerudës» (që pushton trupin tënd dhe të botës), «Kënga e fundit e Robert Desnos» (i cili priste agun…).
Libri yt është një këngë dashurie për tu dashur nga publiku dhe një libër mjaft intim. Ai është i përshkuar nga poezia franceze dhe poezia e botës, nga zënkat e mëritë e njerëzve, nga tragjeditë dhe luftrat shkatërruese, nga e përditshmja, qytetet (veçanërisht Parisi), nga vështirësitë që përballon vendi yt, Shqipëria.
Unë nuk e di nëse një poezi mund të pengojë luftën, por ta përcjellësh poezinë në shkolla, koncerte, media, festivale, kafene dhe në rrugë, ajo mund të kontribuojë për paqen e botës dhe veçanërisht paqen e brendshme të njeriut. Forca e fjalës që ka në vetvete poezia, nëse ajo frymëzon politikanët dhe njeriun e përditshëm, ajo mund të krijojë ndjenjën e sinqeritetit dhe nevojën për të kërkuar harmoninë në vetvete. Poeti është një shtegtues fjalësh.
Erazmi modern që ti dëshiron për të nisur një «revolucion» humanist, është i mundshëm midis nesh, në këto territore shpirti ku ti shtegton me kaq durim. Nëse Erazmi shkroi «Elozh çmendurisë», ti në fund të fundit shkruan elozhin e poezisë, atë të së tashmes dhe profecinë e të ardhmes, të mirëqënies për vendin tënd dhe botën…