Prof. Idriz Ajeti: Origjina ilire e gjuhës shqipe
Në Kongresin e nëntë të Lidhjes Komuniste të Serbisë, të mbajtur në Beograd në vitin 1982, në të cilin mori pjesë, Idriz Ajeti lexoi një paraqitje në lidhje me disa probleme të gjuhës letrare shqipe, me historinë e kësaj kombësie, mbi tekstet e botuara në Enciklopedinë Jugosllave, që bënin fjalë mbi tekstet e letërsisë dhe kulturën e shqiptarëve në Jugosllavi. Pas pak ditësh, në adresë të profesor Ajetit erdhën kërcënime me letra anonime. Letra ishte dërguar nga Zagrebi, me gjasë për të fshehur gjurmët. Letra ka këtë përmbajtje:
Jeta e përbashkët me shekuj e popujve tanë në territorin e Siujdhesës së Ballkanit, gërshetimi i kulturave të tyre, ndërthurja e gjuhëve, përthyerja e kulturave të popullsive antike në kulturën autentike të popujve tanë të sotëm, krijoi dhe formësoi, mund të thuhet, një veçori të përbashkët në kulturën e tyre, përkime dhe përgjasime në gjuhën e tyre, kështu që mund të flitet për një tip ballkanik të kulturës, për një lidhje gjuhësore ballkanike.
Meqë e kemi më të afërt këtë problematikë të themi nja dy fjalë për njësinë gjuhësore ballkanike. Është fare i pranueshëm mendimi sipas të cilit kjo njësi gjuhësore ka mundur të krijohet vetëm në një hapësirë të kufizuar, gjë që i shkoi për shtati krijimit të kategorive të reja gjuhësore në disa gjuhë ballkanike: në greqishten, në rumanishten, në shqipen, në maqedonishten, në bullgarishten, pjesërisht në serbokroatishten dhe në sllovenishten. Ajo që karakterizon njësinë gjuhësore të disa popujve ballkanikë është i ashtuquajturi analitizëm: zhdukja e rasave, dyfishimi i përemrave, krahasimi analitik, dyfishimi i objektit, zëvendësimi i paskajores me lidhore, paraqitja e nyjës në të gjitha gjuhët e lidhjes gjuhësore ballkanike, shprehja e futurit me «do», përzierja e shprehjeve për qëndrim dhe lëvizje.
Ky analitizëm gjuhësor, siç thamë, ka mundur të krijohet në një hapësirë të kufizuar të Siujdhesës Ballkanike, pikërisht për shkak të përzierjeve të gjera dhe të shumanshme mbimesatare. «Konsiderohet kryesisht se njerëzit, që i kanë mësuar gjuhët e fqinjëve të tyre vetëm sipërfaqësisht, aq sa kanë pasur nevojë për t’i zgjidhur çështjet praktike, kanë folur në mënyrë analitike, sepse analiticiteti është veçori e çdo polinguizmi të papërsosur. Njeriu, që gjuhën e huaj nuk e njeh mirë e e flet me guxim, të folurit e tij e rrudh në një numër të vogël kategorish duke mos mbajtur parasysh finesat dhe ngarkesat e asaj gjuhe të huaj». Gjuhëtari i njohur serb Pavle Iviç këtë fenomen e përkufizoi kështu: «Kontaktet e afërta shpesh kanë për pasojë thjeshtësimin e sistemit. Nëse kryqëzohen një sistem më i ndërliqshëm me një sistem të thjeshtë rezultati anon nga tipi më i thjeshtë… edhe në rastet kur kryqëzohen dy sisteme të ndërliqshme të ndryshme, janë gjasat që përfundimi të jetë më i thjeshtë seç janë këto dy sisteme». Dr. Irena Grickat lidhur me këtë thotë: «Lidhur me këtë nuk do harruar se folësit të cilët i kanë afruar në këtë mënyrë sistemet e tyre në rastin tonë kanë qenë në radhë të parë blegtorë të lashtë dhe bujq, pastaj tregtarë mesjetarë, zanatçinj, bredhës e të tjera, e të tillët nuk çajnë kokën për normat e gjuhës, siç brengoset njeriu i arsimuar» (I. Grickat, Studije iz istorije srpskohrvatskog jezika, 53).
Jam i vetëdijshëm se ky shqyrtim i përimtuar dhe kjo tendencë për ta shpjeguar lidhjen e përmendur gjuhësore ballkanike, për shumëkënd në këtë tubim do të duket i pazakonshëm, ndoshta i tepërt, por mendoja se këtu hetohet një shumësi temash të cilat, përveç interesimit shkencor, përmbajnë në vete edhe dimensionin edukativ, të cilin eksperti s’mund ta lërë anash kurrë. Njohja reciproke e gjeneratës sonë të re me këtë gjendje të gjërave, qoftë edhe në një segment të sistemit tonë arsimor dhe të sistemit të përgjithshëm të të gjitha profileve, i ndihmon detyrimisht afrimit të bartësve të gjuhëve të ndryshme, ç’gjë anojnë të arrijnë edhe shkollat tona.
Në studimin e kulturës së popullsive të Ballkanit të lashtë rrugët metodologjike duan përsosur vazhdimisht, sepse kemi të bëjmë me një botë të zhdukur në një përmbysje katastrofale. Për këtë arsye vazhdimësia e popujve të sotëm ballkanikë nuk është dhe nuk mund të jetë diçka që kuptohet vetvetiu. Ajo do kuptuar vetëm si problem, e jo si fakt i fortë kështu që vazhdimisht do zhvilluar. Prandaj studimi i së kaluarës dhe i kulturës lilire, për shembull, nuk është, siç ka mundur të mendohej ndonjëherë, vetëm çështje e një rrethi të ngushtë ekspertësh, ilirologësh; e kaluara dhe kultura e ilirëve është pjesë përbërëse e historive kombëtare të kroatëve, të malazezëve, të sllovenëve, pjesërisht të serbëve, dhe, kuptohet, mbi të gjitha të shqiptarëve, për të cilët sot mund të thuhet se edhe shkencërish të shtë vërtetuar prejardhja e tyre e drejtpërdrejtë nga ilirët e lashtë – thotë profesor dr. Aleksandar Stipçeviq në librin e tij Iliri (Ilirët) të botuar në vitin 1974, në Zagreb.
Lidhur me këtë edhe profesor dr. Radosllav Katiçiçi thotë sa vijon: «Në saje të kontributit të gjuhësisë bashkëkohëse krahasimtare, përkatësisht të ballkanistikës, në radhë të parë, shohim se lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe edhe te gjuhëtarët e shquar shpesh ka pasur përfundime të nxitura. Kjo shkencë, siç dihet, ka dëshmuar se argumentimi kundër prejardhjes ilire të gjuhës shqipe përmes të cilit mendohej se mund të vihej në dyshim mundësia e interpretimit të marrëdhënieve gjuhësore, nuk mund t’i qëndrojë shqyrtimit sado pak kritik që do të bëhej në dritën e të dhënave përkatëse.
Nuk ka arsye të bindshme gjuhësore që do të na bënin ta hedhim poshtë prejardhjen ilire të gjuhës shqipe. Kjo, natyrisht nuk do të thotë se të gjitha argumentet kundër kësaj prejardhjeje janë të parëndësishme dhe se kjo çështje nuk nxjerr probleme të tjera. Madje edhe vetë hedhja poshtë e këtyre argumenteve ka qenë e dobishme për historinë e gjuhës shqipe dhe për gjithë linguistikën ballkanike. Por, meqë as alternativa tjetër, domethënë prejardhja trakase, nuk mund të dëshmohet me kritere gjuhësore ajo atëherë ka shumë më pak gjasë sakohë që alternativa ilire të mos hidhet poshtë me argumente të forta, sepse i gjithë territori gjuhësor i shqipes është pjesë e territorit të dikurshëm të Ilirisë, së paku në bazë të asaj që ka arritur të njohë shkenca deri sot. Kjo gjë në linguistikën bashkëkohëse ballkanike ka marrë vend shumë të rëndësishëm, me të u vunë bazat e mira metodologjike për çdo shqyrtim të prejardhjes së gjuhës shqipe për arsye të pozitës gjeografike dhe sakohë që të mos ketë dëshmi të kundërta, prejardhja ilire e gjuhës shqipe mbetet më e bindshmja».
Shkrime pa mbështetje për probleme të ndieshme- Pas përpjekjes për kontrarevolucion në Kosovë, shtypi, duke u munduar që të ndihmojë në zbulimin e armikut dhe të japë kontributin e vet në kapërcimin e gjendjes së vështirë, vuri në dyshim saktësinë e disa qëndrimeve në tekstet për shqiptarët në Enciklopedinë e Jugosllavisë. Gazeta e përditshme Politika më 6 qershor 1981 botoi shkrimin në të cilin autori i tij, duke kritikuar pjesën mbi gjuhën, thotë se indikatorëve të gjuhës në të u është dhënë rëndësi joadekuate. Duke lexuar tekstin mbi gjuhën autori i shkrimit në fjalë mendon se është jologjike, e panatyrshme dhe më në fund e pashpjegueshme që disa toponime antike të kenë mundur të formësohen në gjuhën shqipe. Pranoj se është shumë vështirë të hysh në diskutim lidhur me këto probleme linguistike me një joekspert për të cilin gjuhësia ballkanike dhe albanologjia janë fushë shkencore plotësisht e panjohur.
Në studimin e historisë së gjuhës shqipe ka një paradoks e ky është: nga një anë kemi një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, nga ana tjetër monumentet e tij të para gjuhësore dalin shumë vonë, vetëm në shekullin XV, ndërsa libri i parë i botuar në shekullin XVI. Kur të kihet e gjithë kjo parasysh, është fare e kuptueshme se në hulumtimin e problemeve të historisë së gjuhës shqipe provat duan kërkuar edhe në faktorë ekstralinguistikë: në toponomastikën e asaj pjese të Ballkanit Jugor në të cilën jetonin paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, mos gjindet në të ndonjë dromcë leksikore, ose ndonjë veçori fonetike, e cila do të dëshmonte dhe vërtetonte një shkallë diçka më të hershme në zhvillimin e kësaj gjuhe, periudhë për të cilën nuk ka gati asfarë dëshmie. Lidhur me vërejtjet e një historiani tonë të njohur duhet të them se problemeve gjuhësore lidhur me tekstin shqiptarët dhe marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare, në Enciklopedinë Jugosllave u qaset ekskluzivisht nga aspekti historik, duke mos provuar të shohë rrugën specifike të zhvillimit të historisë së gjuhës shqipe. Në vërejtjet e tij lidhur me tekstin mbi gjuhën, ky historian, natyrisht, ndalet në çështje krejtësisht të dorës së dytë, asesi thelbësore. Në tekst, përveç të tjerash, flitet për lëvizjen e ndieshme dhe për fiksimin mekanik të theksit qysh në kohë romake, për çka ai historian bën vërejtje duke pyetur me habi: «Si është e mundur të flitet për gjuhën shqipe qysh në kohën romake, kur gjuha është shenjues etnik i popullit, ndërsa në kohën romake nuk kanë mundur të formohen si etnos, si popull asfarë shqiptarësh». E si do të quhej, pyesim ne, gjuha me siguri e gjallë në kohën romake, në të cilën pikërisht në këtë kohë hyn një fond aq i madh fjalësh të latinishtes lindore, a të romanitetit ballkanik, nëse nuk e pagëzojmë disi? Si do të studiohet
elementi gjuhësor indoevropian, përkatësisht lashtogrek, pastaj sllav në këtë gjuhë të paqenë? Po të ndjekim këtë logjikë arrijmë te absurdi se, nëse burimet historike greke apo latine nuk e përmendin, nuk paska ekzistuar bashkësia etnike që e përdorte këtë gjuhë. E nëse ky historian mendon se është shkencërisht e saktë se kjo gjuhë e periudhës romake, që në shekullin XI e këndej do të ketë të drejtë ta ketë emrin shqipe – duhet të quhet ilirishte, atëherë ai a priori merr anën e prejardhjes së saj ilire.
Teksteve të përmendura, pra, edhe atij mbi gjuhën, mund t’u bëhen edhe vërejtje të ndryshme, për shembull tezat mbi prejardhjen e gjuhës shqipe duhet të gjejnë vend në çdo tekst mbi gjuhën dhe prejardhjen e saj.
Çdo trajtim i gjenezës së gjuhës shqipe është njëherësh edhe shqyrtimi i njerës nga çështjet qendrore të gjuhësisë ballkanike, elementet e së cilës studiohen pa ndërprerë ka më shumë se një shekull, e megjithate ende nuk është arritur të pajtohen shkencëtarët. Kjo ëshët në radhë të parë çështje shkencore dhe zgjidhja e saj pritet vetëm nga shkenca. Ndërhyrja në këtë çështje e të tjerëve, të painformuarve, vetëm mund ta ngatërrojë të gjithë çështjen, ashtu siç ndodhi me çështjen e gjenezës së gjuhës shqipe dhe me shumë probleme të tjera nga fusha e historisë së këtij populli.
Pas tentimit për kontrarevolucion të nacionalistëve shqiptarë në Kosovë, edhe shtypi edhe publicistika nisën të merren me çështjen e krijimit të gjuhës letrare shqipe. Večernje novosti me 1 e 2 korrik 1981 botuan shkrimin mbi krijimin e gjuhës letrare të shqiptarëve, ku manipulojnë formimin e saj, duke mistifikuar këtë çështje deri në përmasa të përbindshme dhe duke mashtruar në këtë mënyrë lexuesit dhe opinionin, ashtu sikur gjoja kjo gjuhë na qenka imponuar neve shumicës së shqiptarëve, se ajo na qenka variant toskë, e tjera.
Vendosjen e gjuhës letrare e pranoi në mënyrë plebishitare gjithë kombësia shqiptare në Jugosllavi dhe ajo e mëson dhe kultivon atë me dashuri si mjet të pazëvendësueshëm në emancipimin dhe afirmimin kulturor të të gjitha vlerave të saj materiale dhe shpirtërore. Prandaj shkrimin në Veçernje novosti të 1 e 2 korrikut 1982 ajo e priti me indinjatë si shkrim që fyen këtë kombësi, atë që është e shenjtë për çdo popull – gjuhën, formimin e së cilës autori i shkrimit në fjalë e quan lojë.
Studimi i trashëgimisë kulturore – e drejtë e çdo populli Shqipja letrare e sotme nuk është toskërishte. Ajo paraqet një sintezë në bazën letrare të së cilës janë ndërtuar elemente si të variantit toskë ashtu edhe të variantit letrar tjetër. Në strukturën e saj janë integruar shumë veçori dialektore të dy variantëve letrare që kishte gjuha shqipe. Sipas disa përllogaritjeve raporti midis këtyre elementeve dialektore të ndërtuara në strukturën e shqipes letrare sillet rreth 13:8, domethënë 13 elemente të toskërishtes letrare dhe 8 të gegërishtes letrare. Pra, struktura e gjuhës letrare shqipe e sotme nuk është shkrirje mekanike e varianteve letrare, po një sintezë e re organike e kësaj gjuhe – e krijuar në një proces zhvillimi historik. Ajo është rezultat i natyrshëm i më shumë se njëqind vjetë të përpjekjeve të dashamirëve, të punonjësve të kulturës dhe të ekspertëve të vendit dhe të huaj, parimi themelor i të cilëve është karakteri konvergjent i elementeve gjuhësore të varianteve letrare të gjuhës shqipe.
Kontributi i ekspertëve dhe i shumë punonjësve të tjerë të kulturës nga radhët e shqiptarëve në Jugosllavi në ngritjen e kësaj gjuhe është evident, e kjo shihet nga marrëveshjet e shumta të ekspertëve dhe punonjësve të kulturës nga viti 1952, 1957, 1963 dhe 1968 kur pavarësisht por në mënyrë plebishitare u vendos që gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi të jetë gjuha letrare që sotështë në përdorim. Zgjidhjen e drejtë të shqipes letrare e bëri të mundshme klima e favorshme në jgithëbashkësinë tonë socialiste vetëqeverisëse, në të cilën vlerësimit të trashëgimisë kkulturore të çdo populli dhe kombësie i kushtohet kujdes i nevojshëm. Mbi këtë bazë i kushtohet kujdes dhe gjuhës si mjet themelor i komunikimit masiv.
Të rrëmbyer më shumë nga entuziazmi se ç’lejonin kushtet e krijuara atëherë (është fare e qartë se këto kushte nuk ishte e mundshme të krijoheshin brenda ditës), ata pak ekspertë, inteligjencia kulturore e teknike i hynë punës dhe qysh në vitet gjashtëdhjetë filloi të shtrihet rrjeti i institucioneve të shkollimit të lartë, kështu që në fillim të viteve shtatëdhjetë themelohet Universiteti i Prishtinës. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të punës ai u ndihmua me gjithë zemër dhe pa kursim nga ekspertët e universiteteve të tjera të Jugosllavisë dhe kështu shënoi një përparim të dukshëm në krijimin e kuadrit të nevojshëm të ekspertëve për ekonominë dhe superstrukturën kosovare. Mungesa e traditës dhe shpejtimi që të kapërcehen shekujt lanë dhe kanë lënë gjurmë të ndieshme në formimin e inteligjencies humanitare dhe të kuadrit në fushat e shkencave shoqërore. Eksperti i ri i papërvojë, por pretencioz, që nuk e ka mësuar filologjinë lashtogreke, latine dhe lashtosllave e ka vështirë t’ia dalë në krye me sukses punimit të një teme nga fusha e toponimisë historike. Pa njohjen e qytetërimit të lashtë ballkanik është e dyshimtë çdo përpjekje për të ndriçuar qytetërimet e përmendura të Ballkanit të vjetër. Për një ekspert të tillë bëhen gjedhe shumë pseudoshkencëtarë të dyshimtë të cilëve u mungojnë rrugët e qëndrueshme shkencore dhe baza ideologjike, kështu që ai nuk është në gjendje të dallojë shkencëtarin e vërtetë nga pseudoshkencëtari.
Studimi i trashëgimisë kulturore të një populli ka për qëllim që pëveç të tjerash, të dëshmojë vetëmohimet e tij të mëdha dhe qëndresën në mbrojtjen e të drejtave vitale dhe themelore për një jetë të denjë, njerëzore në trevat e tij të gjëra ku jeton me shekuj. Kjo është e nevojshme para së gjithash për ngritjen e vetëdijes së popullit, sidomos të brezit të ri.
Nëse sot ia hyjmë studimit objektiv, për shembull, të Lidhjes së Prizrenit, në asnjë mënyrë nuk mund të aktualizohen kërkesat dhe programi i saj i dikurshëm (të drejtat të cilat kombësia shqiptare – ta përmendim vetëm këtë, i fitoi dhe i gëzon sot në gjithbashkësinë jugosllave, i kapërcejnë kërkesat e tilla thelbësisht, jo formalisht, me qindra herë në
raport me ato që ofron te Lidhja).
Për shkak të rëndësisë që ka, çdo komb dhe kombësi e gjithëmbashkësisë sonë socialiste do ta studiojjë kulturën e vet dhe trashëgiminë kulturore. Por, meqë kjo trashëgimi kulturore është shumë komplekse, e ndërliqshme, ndërthurur, hulumtimi i saj, për shkaka të mungesës së dëshmive historike dhe të burimeve të shkruara, do të bëhet në kushte dhe rrethana shumë të vështira.
Gjatë studimit të ngjarjeve historike dhe historisë së çdo populli tonë në tërësi duhet të kemi kujdes për fillet metodologjike në mënyrë që historia e kombësisë të vështrohet në lidhje me histoirnë e vendit. Kjo, por me fjalë të tjera, domethënë se çdo histori e një populli patjetër përmban edhe komponentën e historisë së trojeve. Deri vonë kishte paragjykime në rrugët e studimit të historisë nacionale. Historia borgjeze kishte qëndrim mohues ndaj elementit të trashëguar të botës antike. Një numër historianësh deri vonë në studimet e tyre niseshin nga Mesjeta për të arritur në ditët e sotme. Lagjja tjetër, duke parë gjenezën e popullit të vet në kohë antike në këto hapësira ballkanike, merrej vetëm e vetëm me botën antike dhe me epokën e saj.
Për fat të keq edhe sot e gjithë ditën aty-këtu ka mbetur gjallë një fill drejtimi i tillë në hulumtimin e trashëgimisë kulturore, sepse si mund të shpjegohet ndryshe zhagitja e punëve në zbulimin e një lokaliteti mesjetar te Prizreni? Apo si mund të arsyetohet insistimi i pakuptueshëm që, përkundër ndalesave ligjore në një vend zbulimi arkeologjik te Peja nga periudha ilire, të ngrihet fabrika e re e baterive?
Nëse studimit të trashëgimisë kulturore i afrohemi nga pozita shkencore marksiste, atëherë rezultatet e këtij hetimi do të jenë të suksesshme, e kjo do të na ndihmojë shumë në ngritjen e vetëdijes mbi gjithëbashkësinë e kombeve dhe të kombësive tona. Nëse elementet e përbashkësisë i hetojmë thellë në të kaluarën në jetën e përbashkët dhe në krijimin e tyre, kjo vetëdije ndihmon njohjen reciproke dhe e forcon vetëdijen për nevojën e jetës dhe të punës në përbashkësi.
Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga prof. Idriz Ajeti, për të cilën ai mori kërcënime anonime – me një letër në fund të së cilës kërcënuesit shënuan edhe katër shkronja cirilike «CCCC».