Eva Kushova: Shoqëria jonë i vret gratë
Shqiptarët bëhen të ndjeshëm vetëm kur vritet një grua, por shoqëria jonë i dhunon ato çdo ditë. Dje, krahas lajmit të gruas së vrarë, më zuri syri një lajm për Grida Dumën. Komentet ishin denigruese dhe fyese ndaj saj në maksimum. S’ka rëndësi lajmi, pozitiv apo negativ, sharjet personale nuk rreshtin…Një tjetër rast që më ka mbetur në mendje, ka qenë studentja e La Sapienzes, që sot ka një fermë dhish në veri. Zonja foli në parlament mes lotëve, duke guxuar t’u thoshte deputetëve që fshati i saj s’ka rrugë, s’ka kushte, etj., por shoqëria shpërtheu duke e quajtur patetike, idiote, qaramane. Ajo mund të ishte frymëzim për shumë gra rurale, por jo, ja shtypën kokën, dhe ajo heshti, duke u mbyllur me dhitë e saj. Nëse sulmohen e denigrohen ato pak gra që guxojnë, ku do e marrin frymëzimin dhe vetëbesimin gratë që dhunohen çdo ditë?