Kuvendi i Shqiperisë voton unanimisht për anëtarësimin në NATO të Maqedonisë së Veriut
Në Shqipëri parlamenti miratoi në unanimitet ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Nato, në një seancë ku nuk munguan sërish tensioned dhe incidentet. Deputeti demokrat Edi Paloka, sulmoi kryeministrin Edi Rama duke i hedhur atij bojë në fytyrë dhe në trup. Reagimi i deputetit Paloka erdhi pasi kryeministri e cilësoi kryetarin e opozitës Lulzim Basha “një fëmijë që nuk di se ç’flet”, pas fjalimit të tij që nisi me çështjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Nato dhe përfundoi me akuza ndaj qeverisë për lidhje të saj me krimin.
Në seancën e sotme ishte i pranishëm dhe kryetari i parlamentit maqedonas Talat Xhaferri. “Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut është një vlerë e shtuar në progresin e rajonit për zhvillim paqe e stabilitet”, tha në fjalën e tij në hapje të seancës kryetari i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.
Kryeministri Edi Rama foli për “një moment i cili përkon përkon me një kohë të artë të marrëdhënieve ndëretnike mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut”. Duke folur për lidhjet mes dy vendeve, kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur dhe aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmë në Maqedoninë e Veriut. “Numri tronditës i viktimave dhe i të plagosurve në aksidentin tragjik, për koincidencë më së shumti shqiptarë, na e bën sot edhe emocionalisht shumë më të prekshme afërsinë e lidhjes sonë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo lidhje tërësisht e veçantë historike e politike gjen mishërim dhe në aktin tërësisht historik dhe politik të votimit të sotëm unanim të Kuvendit të Shqipërisë”.
Kryeministri vuri theksin në rolin e veçantë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. “Pa shqiptarët s’do të kishte Maqedoni të Veriut. Nëse sot, situata në Maqedoninë e Veriut është më e mirë se asnjëherë tjetër në aspektin e marrëdhënieve politike ndëretnike, kjo i dedikohet në radhë të parë rolit konstruktiv të lidershipit politik shqiptar në atë vend, si dhe padiskutim lidershipit vizionar dhe kurajoz të Kryeministrit Zoran Zaev, të cilin gjej rastin ta përshëndes solemnisht nga kjo seancë për arritjen historike të anëtarësimit në NATO dhe ta përgëzoj edhe njëherë për dorën e shtrirë të vëllazërisë në drejtim të shqiptarëve”.
Nga ana e tij zoti Xhaferri, i cili mori fjalën menjëherë pas votimit të Protokollit të anëtarësimit në Nato të Maqedonisë së Veriut, deklaroi se ky akt reflekton sipas tij “miqësinë e vërtetë dhe mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë. Marrëdhëniet tona janë të ndërvarura nga miqësia dhe lidhjet farefisnore”, u shpreh ai, duke shtuar se shpresonte “që deri në fund të këtij viti apo deri në fillim të vitit tjetër, Protokolli i anëtarësimit në Nato, do të ratifikohet dhe nga të gjitha parlamentet kombëtare të vendeve anëtare, duke bërë që Maqedonia e Veriut tëjetë anëtari i 30-të”.
Por përpara se parlamenti të votonte, nuk munguan dhe këtë herë momentet e tensionit. Pas fjalës së kreut të opozitës, e cila nisi me mbështetjen ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Nato, dhe rëndësinë që ajo ka për rajonin por dhe për faktorin shqiptar në Ballkan, dhe përfundoi e mbushur hur me akuza ndaj qeverisë, reagoi kryeministri Rama. Ai i kërkoi ndjesë zotit Xhaferri për “këtë shkelje të kodit të mikpritjes”, duke deklaruar se “fëmija që sapo foli, jo vetëm nuk i mendon ato që thotë, po thjesht nuk di se çfarë thotë”. Menjëherë pas kësaj, deputeti Paloka u çua nga vendi dhe ju drejtua kryeministrit duke derdhur ndaj tij një shiringë me bojë, e cila ra në fytyrën dhe trupin e kryeministrit. Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi kërkoi nxjerrjen nga salla të zotit Paloka dhe seanca u ndërpre për disa minuta. Në përfundim të saj, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, tha se do të propozonte shkarkimin e zotit Paloka nga funksioni i nënkryetarit të Parlamentit./voa/