Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Xhaferri: KUJTIME NGA QYTETI NË UDHËKRYQ

Fotografia e Ylli Xhaferri

Përsiatje

Dje më erdhi kjo foto. Ma postonte një shoqja ime e vjetër, me të cilin kishim qenë bashkëstudentë në fakultetin e Filologjisë në vitet ‘70. Fotoja flet shumë, për të dhe për mua ngaqë më zgjoi fëmijërinë, të pafjeturën tonë të përhershme. Në të është ati i saj i mirë, mësuesi im i klasës së katërt, Hasan Cankja, të cilin ne e thërrisnim atëherë me respekt dhe dashuri “zotni…Zotni Hasani”. Jam dhe unë fillorist me klasën time…Ai, djali i shtrirë në krahun e majtë të fotos… E mbaja mend këtë foto, atë shkrepje të herëshme mbetur si një vetëtimë inkandeshente në kujtesë që nga gjysma e dytë e shekullit që lamë pas. Prandaj kur m’u shfaq më zgjoi kujtime të shumta për brezin tim, shkollën në përgjithësi, familjen, anët sociale dhe politike të qytetit tonë të vogël, pse jo edhe kohës së shkuar me mungesa ulëritëse në numër të madh, ku si “Fatosa” që ishim duhej të shfaqeshim kurdoherë të lumtur…

Kjo foto është shkrepur pas provimit të fillores që zhvillohej në klasë të katërt, (tip provim shteti) sapo kishim mbaruar hartimin…Mësuesi ynë i mirë, Hasan Cankja, na mblodhi në lulishten në krah të shkollës fillore. Pas ishte Komiteti Ekzekutiv, një godinë e vjetër me një hije të rëndë nga dera e së cilës dukej sikur frynte e shfrynte bulçitë një i ftohtë akullimë, diku më tej Posta e Policisë që gjimnazistët, sipas modeleve të letërsisë ruse e quanin strofulla e mundimeve, ku shtëllunga trëndafilash të kuq dhe të verdhë nuk na grishnin kurrë për t’i këputur, pse jo, më keq e përdreq akoma, na dukeshin si lulet e qoftëlargut. Foton e bëmë m’u aty ku ishin kotecët në të cilët mësuesi i pasionuar i botanikës, Ndriçim Gani, mbante lepujt, shumë lepuj, kurse mësuesi i fiskulturës, Aleko Gjoni, kishte ngritur fushën e basketbollit dhe volejbollit, ku Spiro Shkurti, drejtori i shkollës, Tahir Belshaku, nëndrejtori i saj, Lefter Zisi, Agron Golemi, Nasho Loli, Panajot Tablo, etj, luanin me pasion, duke u bërë një shkollë e madhe për nxënësit dhe rininë qytetase…Pikërisht, aty na rregulloi siç dhe duket në foto. Ishte mesditë qershori dhe dielli ishte në zenit…Kjo foto dëshmon veshjen tonë të thjeshtë, varfërinë e tejskajshme…

Por, nuk mund të rri pa e përshkruar qendrën e vogël të qytetit, ku ngrihej pingul një shtyllë elektrike me disa drita të qërruara…Aty, talleshim ne kishte lidhur gomarin vetë Nastradini…Sheshin e vogël e përmesonte një përrua, i cili kur egërsohej bëhej i frikshëm…Pikërisht në udhëkryqin e rrugëve që përvijonin edhe kahet e horizonteve si të qe një busull gjigande natyrore, përroi dyzohej, një rremb thellonte shtratin djathtas për të marrë arratinë anës së fushës së sportit përdrejtë Shkumbinit, ndërsa tjetri gurgullonte drejt, krah fabrikës së sapunit për t’u derdhur fushëtirës së paanë, ku ishin disa caracë nën hijen e të cilëve pushonim pasditeve…Në krah të sheshit, në vektorin që shkonte kah lumi i Shkumbinit, ishte hoteli, posta, restoranti, dyqani i xha Aqifit, Kinemaja Verore dhe një dykatëshe me shkallë druri, kati i dytë i së cilës përdorej për zyra…

Vektori verior, ose rruga për te Sharra dhe Stacioni i Trenit niste me berberët, një furrë buke, një librari të varfër, dyqani i bugaçeve, një fruta-perime dhe asgjë më…Rrugët e qytetit tim nuk mund t’i shihje kurrë pa njerëz që vraponin…Vraponin sapo zbritnin nga treni, vraponin nga rruga që vinte prej Dy Çesmeve, ngaqë treni ndalonte tek motopompa për të furnizuar avulloret me ujë…Vrapim ngado…Turravrap drejtë sportelit të ngushtë të agjencisë për të blerë bileta autobuzi…Sheshi i pashtruar gumëzhinte nga njerëzit, mjegullohej nga tymrat e makinave…Në të, nën hijen e një konstrukti betoni, depoja e tharë e ujit që nga koha e Zogut, ngriheshin edhe magazinat e xha Berit, ku shitej vajguri, gëlqere, dru, etj…Aty të krijohej bindja se vërtetë ishe në Kullën e Babelit. Të gjitha llojet e targave të makinave të qyteteve të jugut i gjeje aty: VL, SR, PR, TE, FR, LU, GJI…Të gjithë dialektet dhe të folurat krahinore…Të gjitha veshjet popullore…

Kjo foto m’i solli në mend të gjitha. Më solli në mend Nënë Gjylen, një plakë të mirë, e cila vdiq duke pastruar dritaret e shkollës…M’u kujtoi shkollën e vjetër me bodrumin poshtë saj, që për ne, kur ishim në klasë të pare, qe kthyer në një makth të vërtetë…M’u kujtuan ekskursionet që bëheshin diku në një ullishtë tek Shimtë…M’u kujtua edhe Festa e Vitit të Ri, s’e mbaj mend e cilit vit, por si Plaku i Vitit të Ri ishte veshur maturanti, Blerim Çela…Festa u zhvillua në sheshin para kinemasë së qytetit, ku një shatërvan i vogël mes ekualipteve gjigandë ngrihej mes një piste vallëzimi, që na e zbukuronte jetën e varfër në qytetin periferik…

Por, kjo foto më solli në mend klasën time, shokët dhe shoqet…Për fat të keq jo të gjithë mund t’i emërtoj…Cilido që gjen vetveten le ta bëjë me dije…

Please follow and like us: