Avdulla Kënaçi: DËSHMITARI
Kushtuar besimtarëve bektashinj
Tregim
Qysh në mëngjes, në fshatin malor K. kishte nisur bora e parë. Madje atë vit ishte vonuar shumë. Rënduar nga pesha e atij qyrku të bardhë, degët e holla të pemëve ishin përkulur gati gjer në tokë. Strehët e shtëpive gjatë natës kishin varur gjerdanë akulli. Gjthçka ishte zbardhur. Rrugët e fshatit duhet t’i gjeje me hamëndje, madje duhet të orientoheshe sipas hunjve të gjerdheve. Xhaxho Ziguri hyri me tërsëllimë duke sjellë brenda dhomës një vrushkull të ftohtë ajri. Me kurrizin e dorës shkundi borën që i ishte ngjitur pas opingave dhe mbi pallton e leshtë. Duke iu marrë fryma, tha:
-Pikë e zezë, është ngjallur Xhemali, e kanë caktuar këshilltar të kryetarit të kooperativës. E kanë dërguar ata nga Tirana, na mori lumi, gruaaa…
-Ç’është kështu, o burrë ziu, si nuk na u nda ky lugat, edhe këtu erdhi e na gjeti?! O Zot, ç’të kemi bërë që po na poftis këtë gjarpër, sikur kemi prishur kishë e xhami. Pse po na zë me gurë ngado që vemi e shkojmë? – i tha ajo më shumë duke iu ankuar atij lart në qiell se sa të shoqit, Zigurit që sapo ishte kthyer nga mulliri.
Çudi, Xhemali, koçixoxisti, ishte kthyer në fshat pas nëntëmbëdhjetë vjetësh, pikërisht në kohën kur moshatarët e tij gati e kishin harruar, madje edhe vetë Ziguri e kishte nxjerrë nga kujtesa megjithëse kishte pasur të bëjë me të në periudhën e burgut. Xhemali kishte qenë kryetar i Degës së Punëve të Brendshme kur atë e arrestuan. Katër vjet pas Luftës, u bë një rivlerësim i ri për gradat në ushtri. Ziguri ishte adjutant i kapiten Mirte Hysit, heroit të Luftës së Dytë Botërore. Ishte habi e madhe se si ai, kapiteni, një luftëtar me nam u mënjanua nga rivlerësimi. Jo vetëm kaq, por ai u arrestua me akuzën si spiun i agjenturës greke. Adjutant Ziguri gati sa nuk luajti menç. Çfarë po ndodhte me shefin e tij? Këtu nisi edhe kalvari i vuajtjeve të tij, ashtu, pa bërë asnjë faj.
Rrufe në qiell të kthjellët. E arrestuan edhe atë, por nuk e akuzuan për spiun. E futën në një qeli me beton nga të tri anët dhe dyshemeja shtruar me çimento. Dy herë në ditë e pyesnin se çfarë bisedonte kapiteni me Janin, pronarin e kafenesë ku ata shkonin çdo mëngjes. E njëjta akuzë u bë edhe për mjekun e regjimentit, shokun e ngushtë të kapiten Mirtes. Ziguri konsiderohej personi më i afërt i të dy oficerëve. Ai duhet të ishte dëshmitari kyç në proces. Çfarë flitej për jugosllavët, çfarë opinioni shprehnin ata për komandën dhe në mënyrë specifike çfarë flitej për Partinë? Këto ishin pyetjet që i bëheshin atij në hetuesi. Gjithnjë ai pohonte të njëjtat gjëra; asnjëherë nuk kishte dëgjuar biseda të tilla. Dhe nuk gënjente. Hetuesit ndërrohshin, por Ziguri me secilin prej tyre jepte të njëjtat përgjigje.
“Shkundeni, shkundeni mirë, e njoh që nga fëmijëria çfarë kokë mushke është ai!”, i porosiste vazhdimisht prokurorët kryetari i Degës, Xhemali. Fiks pas katër javësh, ai erdhi vetë për vizitë në qeli. Kishte veshur një xhaketë të zezë kostumi të përdorur dhe pantallona ushtrake angleze që sipas tij shkonin me çizmet. Kokën e shogët e kishte mbuluar me një kapele alla Lenin e cila e tregonte më të shkurtër nga ç’ishte në të vërtetë. Mbante në dorë një shufër të hollë thane me të cilën herë pas here fshikullonte çizmet ushtarake. Zigurit iu ndez një shkëndijë shprese: do të kishte drejtësi, në fund të fundit gjaku nuk bëhet ujë. Ata ishin rritur së bashku. Xhemali, ishte shok fëmijërie dhe bashkëfshatar i tij, pavarësisht që ai e njihte si mizor dhe të vrazhdë. Xhemali ishte një makineri e kurdisur në zinxhirin e urdhërave nga lart. Nuk linte rast pa manifestuar zellin e tij të përkorë në zbatim të porosive si ato që vinin nga lart me shkrim, por edhe ato që mbërrinin përmes një telefonate. Edhe pse nuk kishte arsim më shumë se sa bashkëfshatari i tij, ai ishte person me pozitë, ishte emëruar kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, një post goxha i besuar dhe i lartë për atë kohë.
-Zigur, – i tha Xhemali gjoja duke i dhënë koifidencë – të kam njeriun tim, po na rrëfeve, unë do të liroj menjëherë prej këtu. Do të shpëtoj nga vuajtjet. Ti di shumë gjëra për shefin tënd. Ne nuk duam të na i thuash të tëra, por duam vetëm ato që kanë të bëjnë me ushtrinë. Po na dalin sekrete që pak njerëz i dijnë. Po ta tregoj në mirëbesim si timin që të kam. Ta dish ti, ne kemi sytë dhe veshët tanë matanë kufirit, në Greqi. Njerëz që punojnë për ne. Ata na informojnë se të keqen e kemi brenda, tek oficerët e shtabit të regjimentit. Foleja e spiunazhit është Jani, aty ku ju pini kafe çdo mëngjes. Prej tij kemi marrë informata të rëndësishme. Ai u shërben sillogjeve të Vorio Epirit. Kam frikë se mos të ka hedhur edhe ty në thes, sepse dy oficerët po se po. Ruaju se mos të merr me vete. Ta them këtë nga që të dua të mirën.
-Turp të të vijë, rrezil, si flet kështu për Mirten, por edhe për mua?! Atij edhe me flori t’ia shtrojë rrugën greku, kurrë nuk tradhëton. Këtë e di si buka që ha. E sa për mua, po të më doje të mirën nuk do më lije në këtë qeli të qelbur që bie erë myk, – iu përgjigj ai duke ngritur zërin i indinjuar. I hodhi sytë me urrejtje e përçmim. Ziente përbrenda nga inati, por ç’mund të bënte me duar të lidhura?!
-E ke veten në dorë, ti po mbron një oficer të shitur, je i verbër, je qorrollepsur pas famës së kapitenit. Mendohu, kujto familjen tënde, – i tha kryetari i Degës duke dalë i zemëruar nga qelia. Pastaj u dëgjuan disa fshikullima shufrash mbi lëkurën e çizmeve të cilat u tretën në fund të korridorit.
Të nesërmen, pas marrjes në hetuesi, Zigurin e xhveshën nga mesi e lart dhe i futën duart në dy unaza hekuri që vareshin në tavan. Këmbët nuk i preknin në tokë. Kjo ishte “e mira” që i bëri bashkëfshatari i tij, Xhemali. E lanë ashtu për 24 orë rresht gjersa i ra të fiktë. E përmendën duke i përplasur një tas me ujë të ftohtë në fytyrë. Nëpërmjet torturave ata donin që ai të dorëzohej, pastaj të shpifte, të gënjente, të dilte dëshmitar i rremë kundër kapitenit. Por edhe pasi u përmend, nuk kishte çfarë të tregonte. Por as nuk mund të gënjente. Toka po i shembej nën këmbë. Si të bënte, si të vepronte?! Iu kujtua Teqeja e Zallit dhe mësimet e Baba Selimit. Ai ishte muhib. Nuk i shqiteshin nga mendja porostë: “Rruga jonë është e hapur dhe e drejtë, është rruga e mirësisë dhe e drejtësisë…Ne ecim në rrugën që në njërën anë janë lulet e urtësisë dhe në anën tjetër lulet e së vërtetës”. U kap pas këtyre mësimeve bektashiane dhe i lindi në shpirt një forcë e habitshme. Mori guxim. Nuk i dhembnin më plagët e trupit. Jetonte vetëm me ujë dhe fare pak supë. Lutej, lutej papushim të vinte ora e së vërtetës, ora e drejtësisë. Ai goxha djalë, gati dy metra i gjatë, u bë kockë e lëkurë, aq sa nuk mund të njihej më. Shikonte duart e tij dhe lëkura e tyre ishte holluar aq shumë sa dalloheshin rrjetat e damarëve blu. Tek ndihma e Xhemalit nuk shpresonte më. Shoku i fëmijërisë nuk kishte ndryshuar, kishte mbetur po i njëjti shpirtkazëm. Njeri me dy fytyra, ashtu siç kishte qenë gjithnjë, sarkastik, demoniak, shpirtlig… Lumturinë e tij e ngrinte mbi vuajtjet dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Prej asaj monstre mund të priteshin vetëm vuajte. Thoshnin se ai festonte e bëhej shend e verë kur nga qelitë vinin ulurima dhe zëra të lebetitur për shkak të torturave çnjerëzore. Ziguri e mbante mend që kur ai ishte fëmijë në fshat dhe vraponte pas pulave klloçka. U rrëmbente zogjtë e vegjël duke i shtrydhur në grusht gjersa ata jepnin shpirt. Ai nuk përmbahej nga gëzimi duke u treguar shokëve zogjtë e ngordhur, me kokë të varur sikur luteshin të mos vazhdonte më tej ajo kasaphanë. Kur u rrit edhe ca, në adoleshencë, shpiku një marifet tjetër. Mbështillej në një batanie të zezë dhe rrokullisej drejt qenve më të egër të fshatit të cilët ishin të lidhur në kolibe. Ata lehnin, skërmiteshin, kafshonin drurët dhe zinxhirin me të cilin ishin lidhur. Tërboheshin nga marazi që ishin të karfosur me zinxhir të trashë, lidhur likësht pas trungjeve të pemëve. Të pamundur të mbroheshin nga ajo “kafshë” e panjohur. Me gjithë fuqinë dhe egërsinë e tyre, nuk mund t’i bënin gjë atij lëmshi të zi që u afrohej centimetër pas centimetri. Xhemali, brenda batanies së zezë, vazhdonte kështu deri sa qenit i ndodhte një gjë e pa dëgjuar deri atëherë; nga inati apo frika, plaste në vend, ngordhte. Qeni i kopesë për atë fshat blegtoral është kafsha shtëpijake më e dashur, më e rëndësishme, më e vlerësuar. T’i vrasësh qenin e stanit një labi është njëlloj sikur e ke prekur në nder. Nuk thoshin kot se qeni është stoli dhe krenari e kopesë së deleve, nafaka e shtëpisë. Xhemali i godiste kështu bashkëfshatarët e tij lebër në pikën e tyre më të dobët. Kur e kuptuan se pse po i gjenin qentë të ngordhur në zinxhir, disa burra u mblodhën tok dhe vendosën ta ndëshkonin fshaçe, shumë rëndë, por ai e mori vesh “komplotin” dhe ia mbathi herët në mëngjes. I la bashkëfshatarët e tij me hunj në duar. Iku për të mos u kthyer më. Kishte filluar lufta çlirimtare antifashiste dhe Xhemali vullnetarisht doli partizan. Vërtetë u largua fizikisht, por mbrapa la një valë të tmerrshme urrejtjeje. Kontakti i tij i parë me bashkëfshatarët ishte ky hetim, ky proces politik, akuzë për tradhëti ndaj kapitenit Mirte Hysi dhe shokut të tij të ngushtë, mjekut të regjimentit. Mendoi se Ziguri, ky besimtar i mirë, ky njeri i butë e i leshtë, ishte rruga më e mundëshme për të arritur tek kapiteni, lavdia e të cilit i bënte hije, aq më keq kur atij i këndoheshin këngë dhe i thureshin legjenda, ndërsa Xhemalin e mbanin mend si vrasës qensh. Sa për luftë ai nuk ishte shquar në asnjë betejë. Bashkëfshatarët e tij as ia llogaritnin fare sakrificën sikundër bënim me të tjerët.
***
Dyzetë ditë ditë nën tortura, por adjutant Ziguri përsëriste po të njëjtat fjalë, po të njëjtat përgjigje. E pyesnin në mesnatë, afër mëngjesit, në drekë, në darkë, kur t’u tekej. Ai shtrëngonte dhëmbët dhe vetëm lutej me durim e shpresë. Lutej dhe shpresonte gjersa brenda qelisë së tij u shfaq një roje tjetër. Për çudi ai e zbriti nga unazat. Dukej që ishte njeri i mirë dhe i dhembsur. I dha qumësht të ngrohtë me zor dhe e detyroi të hajë. “Edhe babai im është muhib i Teqesë së Zallit”, i tha ai fare me zë të ulët. “Unë të besoj se ti thua të vërtetën, veç unë do të bëj sikur të rrah me kopan dhe ti duhet të bërtasësh”.
-As këtë nuk e bëj dot, – i tha Ziguri me pikëllim – zbato urdhërat që të kanë dhënë. Në më do të mirën, më thuaj çfarë bëhet me kapiten Mirten, kam dy muaj këtu dhe nuk di çfarë ndodh aty jashtë?
-Ai nuk është këtu, në këto qeli, është i izoluar në bodrumet e komandës. Nuk ka firmosur se është spiun, por doktori, miku i tij po. Ai nuk u rezistoi dot “marifeteve” tona. Sa për kapiten Mirten…Shef Xhemali i theu këmbët me kazmë nga frika se mos arratisej, – iu përgjigj duke pasur besim se nuk do ta denonconte për atë informacion që i dha.
-I poshtri, shpirtqeni! O Zot, ti që i sheh të gjitha, si e duron këtë satrap, këtë qoftëlarg?! Si e ke lënë të gjallë?! Si nuk e mori lufta?! – tha nëpër dhëmbë dhe ngriti sytë lart për andej nga ku mund të ishte qielli, por dritë qielli nuk dukej gjëkundi.
Lajmi se kapiteni ishte gjallë, e qetësoi, i dha kurajë. “Doktori nuk i ka duruar dot torturat, paska firmosur”, mendoi “kjo nuk është gjë e mirë”. Ai ishte i bindur se asnjëri prej tyre nuk ishte spiun. I njihte mirë të dy dhe vinte duart në zjarr se ata kurrën e kurrës nuk mund të viheshin nën një shërbim të huaj, aq më keq të grekut. Kishin luftuar për atdhe dhe nuk mund të punonin në të njëjtën kohë kundër atdheut. Pas ca, po nga i njëjti roje mësoi se Jani, pronari i lokalit ku dy oficerët pinin kafe, kishte deklaruar se hynte e dilte ilegalisht në Greqi dhe ishte një spiun i vjetër i asfalisë greke. Gjyqi ushtarak nuk zgjati shumë, ishte me dyer të mbyllura dhe me procedura të shkurtuara. Të dy oficerët u pushkatuan, ndërsa për Ziguin vazhdonte hetuesia. Ishte e qartë që ai nuk kishte për të folë, as dëshironte të bashkëpunonte, por gjyqtarëve u duheshin prova të forta për ta dënuar. Dy oficerët e pushkatuar nuk e kishin implikuar emrin e tij. Megjithatë prokuroria ia zgjati hetimet (lexo torturat), por ai vazhdimisht betohej për Teqenë e Zallit se thoshte gjithnjë të vërtetën. Rezistonte heroikisht dhe lutej dy herë në ditë si muhib i devotshëm. Besonte vetëm tek Zoti, tek askush tjetër. Shpresonte tek e vërteta. Zoti i solli një roje me babain bektashi që e ndihmonte për të mbajtur shpirtin gjallë e kjo tregonte se Zoti nuk e kishte braktisur. Roja i binte me kopan dyshekut prej kashte dy herë në ditë duke rënkuar me qëllim që ta dëgjonin në qelitë e tjera se “edhe ai ishte duke e kryer detyrën”. Pa kaluar shumë ditë nga pushkatimi i oficerëve, nëpër qelitë e të burgosuve mbërriti lajmi se kryetarin e degës së punëve të brendëshme, Xhemalin, e shkarkuan me ceremoni si koçixoxist të thekur, ekstremist dhe servil i Ministrit. Mirëpo ai u justifikua se çdo hap e kishte hedhur sipas urdhërave të Ministrit të Punëve të Brendshëm, Koci Xoxe, për të cilin ai e dinte se ishte besnik i Partisë e jo tradhëtar në shërbim të jugosllavëve. Bëri autokritikë se u tregua “sylesh” dhe nuk e diktoi dot se qëllimi i kupolës në atë Ministri ishte “të vërtetonin” se regjimenti i Delvinës kishte “tradhëtarë”, agjentë të grekut. Me këtë pretekst në Jug të Republikës duheshin dislokuar dy divizione me ushtarë jugosllavë për t’i bërë ballë ushtrisë greke që “po bëhej gati të pushtonte Shqipërinë”. Ishte një sajim. Edhe akuza ndaj dy oficerëve ishte po ashtu një sajim i sigurimit. Lufta çlirimtare dhe gjaku i dy oficerëve, shkoi kot, për dhjamë qeni. Partia nuk bënte kurrë “mia culpa” (autokritikë). Pas këtyre ngjarjeve adjutant Ziguri u lirua menjëherë nga qelia si i pafajshëm, madje u përgëzua për qëndrimin e tij burrërror. Bashkëfshatarët e tij, të indinjuar, e këshilluan ta hidhte në gjyq Xhemalin për torturat që kishte hequr në qeli, por ai u tha:
-Dënimin e tij ia kam lënë në dorë Zotit. Vuftë dorë mbi të e shokët e tij Baba Aliu!
Një tjetër fakt interesant qarkulloi ato ditë për Xhemalin: para pushkatimit prokurori e pyeti kapiten Mirte Hysin për fjalët e fundit, për amanetin.
-Po kam, – kishte thënë Mirtja – këtu kam bashkëfshatarin tim, Xhemalin. Afrohu Xhemal të ta them në vesh amanetin.
Xhemali u afrua dhe zgjati veshin në drejtim të të dënuarit.
-Afrohu dhe më shiko në sy Xhemal, meriton ti të të lërë dikush amanet?! Kurrë! Asnjë! – i tha duke ngritur zërin si në një betejë – Në vendin tim duhet të ishte sot ky kërmësirë! Ky çpëlak është spiuni i vërtetë, ky është tradhëtari! – dhe e pështyu brenda kokërdhokëve të syrit me sa fuqi që pati.
***
E gjithë familja e xhaxho Zigurit i shmangej takimit me Xhemalin. Të katër fëmijët, herë bashkë e herë veç, jepinin të parët alarmin: “Mos shkoni nga Lera se bën shëtitje Xhemali, mos u ktheni nga shkolla se për aty është nisur Xhemali, mos dilni nga Zalli se aty do gjeni Xhemalin…”. Ishte njësoj sikur të thoshje ja ku është Djalli apo murtaja!
Një muaj pas ardhjes së tij në fshat, u bë goditja e parë. Familja e xhaxho Zigurit, sipas urdhërit të kryetarit, duhet të shkonte e gjitha e të banonte familjarisht në katin e dytë të mullirit sepse dhoma e kooperativës ku ishin strehuar, do të bëhej maternitet për të lindur gratë e fshatit. Asnjë nuk duhet të shkonte në qytet. Ishte kjo një nga këshillat këmbëngulëse të Xhemalit, megjihëse fshati nuk kishte mami. Mulliri ishte një orë larg nga qendra dhe fshehur thellë në përrua. Tre fëmijët e Zigurit që ndiqnin shkollën, edhe në shi e në borë, duhet të bënin atë rrugë të mallkuar, dhuratë nga Xhemali. Pa llogaritur këtu stresin nga zhurma e mullirit, natë, ditë, pa pushim.
Ziguri dhe familja e tij nuk kishin shumë kohë që ishin kthyer në fshat. Pas çmobilizimit vullnetar nga ushtria, ai u sistemua në një ofiçinë mekanike të qytetit të Përmetit. E zgjodhi vetë atë vend nga që përmetarët janë njerëz të butë e të mirë, i nderojnë jabanxhijtë dhe i trajtojnë si të barabartë. Nuk kishte gabuar: aty familja u shtua edhe me tre fëmijë të tjerë. E shoqja punonte si rrobaqepse në një ndërmarrje shtetërore. Këshilli i qytetit i kishte strehuar në një apartament të ri dhe ata vazhdonin jetën normale si gjithë të tjerët. Ziguri njihej si besimtar, por kjo nuk u prishte punë përmetarëve, përkundrazi, e nderonin më shumë kur merrnin vesh se ai ishte muhib. Dikush kishte hapur fjalë se ai shëronte epileptikët. Në të vërtetë nuk bënte gjë tjetër veçse i ftonte ata të luteshin së bashku. Disa prej tyre kishin përmirësim. Të sëmurët mbërrininin edhe nga krahinat e tjera. Dikush sillte edhe ndonjë peshqesh, por Ziguri askujt nuk i kishte vënë apo kërkuar ndonjë detyrim material. Atë shërbim e bënte falas, i bindur tek Zoti se po bënte sevap, po ndihmonte, lehtësonte shpirtërisht një njeri, gëzonte një familje, cilado qoftë ajo. Ishte e habitshme se pas atyre lutjeve, krizat e të sëmurëve epileptikë rralloheshin apo zhdukeshin fare. Në fund, në se epilepsia përsëritej, i porosiste të shkonin me një kurban në Teqenë e Baba Tomorrit. Kjo ra në sy të policisë lokale dhe kur filloi fushata kundër fesë dhe zakoneve prapanike, familjen e xhaxho Zigurit e zuri “kalemi” për qarkullim. Mirëpo ish shtëpia e tyre në fshat, pas kaq vjetësh e braktisur, ishte rrëzuar për tokë. Kështu ata u strehuan në aneksin e ambulancës së fshatit N. dhe pikërisht në dhomën që ishte projektuar për maternitet. Nuk protestuan, as u ankuan, por iu nënshtruan fatit. Lajmi i mbërritjes së Xhemalit pas tyre, ishte bomba e vërtetë që i tronditi të gjithë. Të rriturit e familjes, e shoqja dhe djali i madh, kujtuan muajt e tmerrshëm të hetuesisë dhe kthimin e “trarit të shtëpisë” pas tre muajsh torturash kur ai mezi mbahej më këmbë, aq shumë ishte tretur e dobësuar pas atyre “marifeteve” çnjerëzore të Xhemalit me kompani. Mos o Zot, njësoj si në kampet naziste që torturonin hebrejtë e pafajshëm. Dhe ja tani ku xhelati erdhi e i gjeti edhe këtu në mes të maleve. Po si u ngjall kështu ky njeri!? A nuk u godit me rrënjë e degë komploti i ish ministrit të brendshëm? Ç’deshi këtu pas nëntëmbëdhjetë vjetësh? Disa thonin se ai erdhi të hetojë se kush ia vuri zjarrin stallës së lopëve të kooperativës. Të shkretat kafshë, u poqën të gjalla, asnjë nuk shpëtoi. “Ne njësoj jemi, si me lopë, si pa lopë, qumështi i tyre përfundonte në qytet. Asnjë pikë për fshatin!”, thoshnin gratë kooperativiste. Me mbërritjen e Xhemalit, askush nuk i zuri më në gojë lopët, sikur nuk kishin ekzistuar kurrë. Madje kooperativistët nën zë porositnin njëri-tjetrin:
-Kujdes me qentë, nuk e shihni si lehin kur kalon Xhemali?
-Çudi, moj korbë, këta janë brez i ri qensh, si e diktojnë që Xhemali i urren kaq shumë?! Tërbohen sa e nuhatin që afrohet! Ment këpusin zinxhirin. Apo e kanë trashëgim nga të parët e tyre?!
-Lëri shakatë, motër, nuk e sheh që ai mban revole pas bythës? Do na farojë qentë e do na hyjë ujku në fshat! Do na shqyejë ujku të gjallë. Nuk e sheh si nxin si fund kusie?!
-E çfarë të keqe i kemi bërë ne atij?
-Nuk ka nevojë t’i bësh keq, ai vetë nuk duron dot pa u bërë keq të tjerëve.
Po afronte pranvera dhe xhaxho Ziguri, xhaxho e thërriste tërë fshati, nuk i kishte punët aq keq. Kishte blerë një dhi race dhe fëmijët sa ktheheshin nga shkolla, herë njëri e herë tjetri, kullosnin atë bagëti ferishte dhe ajo nuk ua kursente qumështin. Mulliri nisi të bluajë më shpejt kur xhaxhua vetë i ndërroi dy gurët prej stërralli të bluarjes dhe i zëvëndësoi me të rinj. Pastaj shtoi fuqinë e lopatave rrotulluese duke mbledhur disa rrjedhje uji përgjatë kanalit që priste tërthorazi faqes së kodrinës. Mirëpo ishte e thënë të mos gëzonte djersën e tij. Me propozim të Xhemalit, afër mullirit, do ngrihej një kotec i madh pulash për të cilat do të kujdesej vetë familja e millonait.
-Po çfarë lidhje ka mulliri me pulat, ku është parë e dëgjuar që millonai i fshatit të ruajë pulat e kooperativës?! – u ankua Ziguri në kryesi.
-Dakord, – iu përgjigj kryetari – as unë isha i kësaj ideje, por ishte propozimi i Xhemalit. Duhet t’ia marrim parasysh këshillat. Ai për këtë punë paguhet.
-Po pse more, shoku kryetar, hazreti Lenin është Xhemali që nxjerr xhevahire nga goja dhe çdo marrëzi që thotë ai t’i merret parasysh?!
-Atë e di Partia, – e mbyllte gjithnjë bisedën kryetari.
Më në fund, pas ca lëkundjesh, kryetari u bind. Kishte edhe ai ca dyshime ndaj këshillëtarit të dërguar pako-postale nga Tirana. U la që ky problem të hidhej edhe njëherë për shqyrtim në kryesi të kooperativës ku të merrte pjesë edhe vetë Ziguri. Pas disa ditësh u mblodhën të gjithë anëtarët e kryesisë, si rrallëherë. Fjalën e mori i pari Xhemali duke qëlluar drejtpërdrejtë:
-Ti, shoku millona kundërshton një urdhër të kryesisë se ke hallin e dhisë tënde mallteze.
-Ç’lidhje ka dhija ime me pulat, o shoku Xhemal?!
-Se ato kokrrat e misrit, apo grurit që bien përdhe nuk do t’i hajë më dhija jote mallteze, por pulat e kooperativës, – u përgjigj ai me sarkazëm e ligësi.
-Gjithë jetën për djallëzira të ka punuar fiqiri, o shoku Xhemal. Dhija ka aq shumë gjethe rrotull sa nuk i shkon mendja për misër. Më thoni kush e ka parë dhinë time brenda mullirit? – pyeti ai i indinjuar. U bë heshtje, asnjë nuk foli, pastaj ai vazhdoi:
-Ti vjen nga radhët e ushtrisë e as ke haber nga punët e blegtorisë e të bujqësisë. Tani na jep këshilla. Më gjej një shembull nga kooperativat e tjera ku millonai merret edhe me pulat, edhe me miellin, bukën e fshatarëve?! Nuk mjafton që unë rri njëzetë e katër orë në mulli?! – foli i indinjuar dhe i prekur në sedër. Xhemalin e sëmboi në pikën e tij më të dobët, mungesën e përvojës me punët e fshatit, madje i kujtoi edhe ushtrinë ku atë e kishin shkarkuar e xhveshur me ceremoni. E gjithë kryesia e mbështeti, por kryetari propozoi një rrugë të mesme: Koteci të ishte ca larg mullirit dhe nga haku i drithit që mbahej për bluarje, një pjesë të përdorej për ushqimin e pulave. Për ato të kujdesej e shoqja e Zigurit dhe për shërbimin të paguhej me ditë-pune. “Dobiç ky kryetari, edhe mua, edhe Xhemalit na e bëri qejfin”, medoi xhaxhua duke dalë i pikëlluar nga zyrat e kryesisë. Nuk i pëlqeu fare ajo ideja që pulat të afroheshin afër mullirit. Mirëpo e shoqja e priti me gëzim lajmin që edhe ajo do të ishte e dobishme me këtë ndërmarrje të re, do merrte plot 30 ditë-pune në muaj. Helbete, edhe ndonjë vezë për fëmijët do të mbetej. Se mos Xhemali do të ruante e përgjonte pas pulave!
-Po çfarë thua, moj grua, është mall i botës, është punë me telash. Është pyll, ka kunadhe, ka dhelpra rrotull. Vështirë t’i ruash.
-E mor burrë, po dhelpra hyn edhe në fshat, ka racionin e vet edhe ajo e uruar, po pse të mos i mbajmë rrethuar me tel, ne do t’i ushqejmë me drithëra nga të mullirit, nuk do t’i lëmë të marrin brigjet e shushallat.
-Grua xhani, nuk ke propkopi nga propozimi i Xhemalit, ai i ka bërë mirë llogaritë. Do të na futë në telash. I vrasim sytë, do të na shohë keq. As ujë mos shko të pish në burimin ku ka shkuar ai! Atë e njoh më mirë se sa këtë pallton që kam dy vjet që e mbaj mbi supe, – i tha së shoqes duke trazuar i menduar prushin në vatër.
***
Xhaxho Zigurit nuk i pëlqeu fare koteci i madh i pulave që ndërtoi marangozi i kooperativës, ishte i pasigurtë. E shkatërroi atë ngrehinë dhe e nisi nga e para. E çvendosi nga bregorja ku e rrihnin erërat e veriut dhe e mbështeti pas kodrës, mbi mulli. Dërrasat i lidhi më dendur dhe trarët i ngriti si nja dy pëllëmbë nga toka. Gjithë hangarin e vogël e mbuloi me llamarinë dhe pastaj e rrethoi me rrjetë teli të cilën e futi njëzet centrimetra në tokë. Kolonia e pulave nisi me një dyzinë zogjsh të vegjël të cilët ishin të kënaqur me ushqimin, misër apo grurë të bluar trashë. Dhelprat i vinin rrotull kotecit gjithë natën, por nuk gjenin dot asnjë të çarë. “Sidoqoftë, na duhet një qen, është ndryshe kur këtu dëgjohet një e lehur!”, tha xhaxho Ziguri. Dhe kishte të drejtë, dhelprat pozicionoheshin diku më lart e nuk guxonin t’i afroheshin kotecit. Dhija mallteze që thuhej se kjo racë e kishte origjinën nga ishulli i Maltës, polli dy kecër; mashkull dhe femër. U bë edhe më e dashur për fëmijët të cilët ia sillnin ushqimet gjer afër turirit, mjafton që ajo të prodhonte qumësht për ata dhe dy kecat e saj. Në një prej ditëve, fëmijëve u erdhi keq që dhia rrinte gjithë ditën e lidhur dhe pa pyetur prindërit, e lëshuan në liri të plotë për të kullotur rrëzë kodrës. Pasi kulloti, nuk kaloi ca dhe dhija nisi të shkumbëzojë nga goja. Lajmëruan xhaxhon, por ishte vonë. Bagëtia kishte ndeshur në kilikazë, është një bar që rritet në hije, pas shkrirjes së borës del nga toka si një kalem i verdhë, i bukur, tërheqës. Kafshët e uritura joshen pas saj, por kilikaza e bukur është një bar i helmur. Fëmijët e qanin Barxhën, kështu e thërrisnin, me lotë e pikëllim sikur të ishte njeri. Ziguri deshi ta therë për të mos i shkuar mishi dëm, por fëmijët, duke qarë me lebeti, e ndaluan dhe ai nuk ua prishi. Ata i thanë se nuk mund ta hanin mishin e saj, u vinte keq. Xhaxho Zigurit iu desh që ta varrosë dhinë sikur të ishte njeri. Por ajo u la dy kecër të bukur. Ishin ngushëllim për humbjen e saj. Pas një dite fëmijët kishin parë se dikush e kishte zbuluar varrin e dhisë së tyre mallteze. Ziguri u habit. Si ishte e mundur?! Ai e kishte varrosur thellë. Shkoi për ta parë. Balta ishte hedhur vetëm nga njëra anë. Barku i dhisë ishte çarë dhe jashtë i kishte dalë stomaku. Dukeshin kilikazat akoma të patretura dhe një tufë gjithe përralli. Stomaku ishte çarë në dy vende. Ishin të çara thike, kurrësesi dhëmbë kafshe të egër. Kush mund ta kishte bërë? Ai njeri që ka marrë mundimin të çvarrosë një dhi, ka dashur të mësojë shkakun ngase ajo ka ngordhur. Kush ishte i interesuar? Askush në fshat, përveç Xhemalit. O Zot, ai vazhdon ta ndjekë si një hije! Ja deri ku ka arritur. Ka dyshuar mos dhija mallteze ka ngodhur nga ushqimi tej mase me drithërat e kooperativës. I duhej të kapte një fakt, një argument më shumë kundër armikut të tij të vjetër. Zigurit iu kujtua proverbi i lashtë: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron”. Këtë dyshim vendosi të mos ia tregojë as gruas dhe as fëmijëve.
Erdhi vjeshta dhe zogjtë e vegjël ishin rritur, ishin kthyer në pula; vinin të plotë e të shëndetshëm. Kryetari ishte i kënaqur dhe kishte thënë se nga pranvera kotecin mund ta zmadhonin, madje mund të bënin edhe një seminar në mulli ku punën dhe përkushtimin e familjes së xhaxho Zigurit mund ta përgjithësonin si shembull pozitiv.
Erdhi vjeshta. Ra bora e parë dhe të nesërmen u panë shumë gjurmë dhelpërash rrotull kotecit. Duhej bërë ndonjë përforcim. Kjo kafshë dinake me siguri do të gjente ndonjë mënyrë se si mund të hynte në kotec. Pas çdo nate, rrotull, gjurmët e kafshëve vinin duke u shtuar. Mund të ishin bashkuar edhe kunadhet. Njësoj, edhe ato ishin të uritura. Aty nga mesnata pulat kakaritnin të alarmuara. Një dhelpër kishte hapur me thonj një tunel poshtë rrjetës së telit dhe kishte depërtuar brenda kotecit duke shqyer derën. Katër pula ishin zhdukur dhe një e pestë përpëlitej në dhëmbët e saj. “Uria bën të pamundurën!”, mendoi xhaxho Ziguri duke e mbyllur me një gur të madh tunelin që dhelprat e kishin çarë me thonj…Duhej lajmëruar kryetari i koperativës, mendoi ai. Dhe ashtu bëri.
-Të shtojmë edhe ndonjë qen? – i propozoi kryetari i shqetësuar. Nuk i vinte keq për pulat, por po i digjej shansi për seminarin shembullor në rang rrethi.
-Ashtu do të bëjmë, ma dërgo! Do t’i lidh me zinxhir të gjatë që t’i vijnë rrotull kotecit, – i tha Ziguri kryetarit.
Kjo mesele nuk kaloi aq lehtë në kryesi. Xhemali kishte hedhur idenë se pulat i hante vetë Karafili. Ishte kjo një akuzë. Kur koteci u sulmua edhe nën vigjilencën e dy qenve, dy anëtarë kryesie mendonin njësoj si Xhemali. U vendos që millonai të jepte llogari në kryesi. Aty të jepte shpjegime se si edhe me dy qen-roje, përsëri pulat e kooperativës pakësoheshin. U bë debat i nxehtë që vazhdoi me orë. Kishte pro dhe kundër.
-Na sill një dëshmitar ku të vërtetojë se pulat i ha dhelpra dhe jo ti Zigur me fëmijët e tu? – i tha Xhemali duke i numuruar rrokje për rrokje fjalët sikur të ishin kokrra plumbi. Pa iu dridhur as zëri e as qerpiku.
-Po, do ta gjej, do t’ua sjell dëshmitarin, – tha i vendosur xhaxho Ziguri duke nxjerrë shkëndija nga sytë – megjithëse u paralajmërova qysh në fillim se vendosja e pulave afër mullirit ishte një ide e keqe, në mos djallëzore.
Xhemali bëri sikur nuk i dëgjoi këto fjalët e fundit, por vështrimet e tërë anëtarëve të kryesisë e detyruan këshillëtarin të flasë.
-Na kërkove qen shtesë dhe qentë t’i dhamë, shoku Zigur, atëherë si shpjegohet që koteci pakësohet?! – pyeti ai me habi duke pritur ta përkrahin edhe të tjerët.
-Ah, unë jam bari i vjetër dhe i njoh mirë zakonet e qenve. Të mos i biem shumë në qafë këtij hallexhiu. Edhe qentë flenë, i zë gjumi. Pikërisht dhelpra këtë moment gjuan. Ajo është më dinake se sa ata. Është fakt se qentë, kur kanë kakaritur pulat, janë zgjuar dhe dhelprat janë larguar duar bosh, por ndonjera ka avulluar, është grabitur, kështu e shpjegoj unë, – foli njëri prej anëtarëve të kryesisë, përgjegjësi i ndërzimit artificial.
-E pse ta zgjatim, ne i kërkuam dëshmitar, – tha kryetari – dhe ai premtoi ta sjellë dëshmitarin. E mbyllim me kaq. Jemi në pritje të dëshmitarit.
Pas disa ditësh, mullixhiu i mirë Zigur, lajmëroi kryetarin e kooperativës të mblidhte kryesinë se do të sillte jo një dëshmitar, por dy. U habit kryetari; çfarë lloj dëshmitarësh ishin ata që do ta mbronin dhe do ta shpëtonin nga Xhemali?! Megjithatë e mblodhi kryesinë pas një dite. Kishin ardhur të gjithë dhe prisnin dëshmitarët. Ja ku u duk xhaxho Ziguri me dy arka-çarqe druri në duar. Në secilën arkë ishte nga një dhelpër.
-Ja dëshmitarët, shihni, pyetni, këto m’i kanë ngënë pulat e jo fëmijët e mi, -tha ai duke vështruar secilin me radhë. Xhemali uli sytë përdhe dhe bënte gjasme sikur shihte çizmet e tij të bëra gjithë baltë. Të tjerët ia dhanë të qeshurit.
-Shih si janë majmur me pulat tona. Nuk ka dëshmitarë më të besueshëm, apo jo Xhemal?! – tha anëtari i kryesisë që në mbledhjen e parë kishte mbrojtur qentë.
-Mendoj se je i çliruar nga akuza, xhaxho Zigur, – tha kryetari – bëj si të bësh deri në prill kur të bëhet seminari, ndoshta i përdor përsëri këto marifete, këto lloj çarqesh që zenë dhelprat, pastaj shohim e bëjmë, Edhe mund t’i heqim andej pulat.
“Është e dyta herë që më shpëton ky qerrata, po sa të jem gallë nuk i ndahem, do ta kap se nuk bën…Mos vallë jam plakur?!”, mendoi për vete Xhemali duke kafshuar thonjtë me dhëmbë. Një valë vreri iu ngjit lart, deri në grykë.
***
Historia e dëshmitarit u përhap si rrufe anëmbanë fshatit, por edhe më tej, në gjithë krahinën. Kudo flitej për mbledhjen e krysisë së kooperativës dhe dëshmitarët, dhelprat e xhaxho Zigurit në çark. Kjo histori zbriti gjer në qytet duke iu bashkuar shumë ngjarjeve qesharake të atij fshati. Shpesh, kur nuk i jepej zgjidhje ndonjë problemi, një i tretë shtonte: “Prisni, nuk ka ardhur dëshmitari…”. Një nga bejtexhijtë që nuk deshi të indentifikohej thuri vargjet: “Nashti që erdhi Xhemali/ Na u shtua kapitali/ Po na mungon dëshimtari…”. Disa herë Xhemali kishte dëgjuar emrin e tij nëpër biseda si në klub, dasma e davete, por asnjë nuk i afrohej ta informonte se çfarë flitej konkretisht rreth tij. Në përgjithësi ky fshat vuante për informatorë, një nga arësyet që Ziguri nuk binte në çark. “Kush i kishte djegur lopët? Ishte një dosje e hapur. Asnjë nuk tregonte dhe as kishte për të treguar. Bëra gabim që dola vullnetar!”, mendoi Xhemali duke e parë veten të tepërt në atë mjedis malor. Kishin rrjedhur shumë ujra dhe disa djem të fshatit, specialistë bujqësie, kishin mbaruar shkollën e lartë. Po, po, ishte i tepërt. Dhe vendosi të nisej qysh atë natë, pa njoftuar, pa i dhënë lamtumirën askujt. Në përgjithësi ai qarkullonte më shumë natën, në errësirë se sa ditën për diell. Mbushi revolverin, e futi në xhepin e brendshëm dhe u nis për rrugë. Bora që kishte rënë para pak ditësh kishte ngrirë e llamburiste nën dritën e hënës. Mbi të mund të ecej lirisht. Në qiell kishte pak re që rrëshqisnin në qiell me ngut. Hëna përgjysmë, herë dukej e herë zhdukej përmes reve. Asnjë nga qentë nuk lehu kur ai përshkoi fshatin mes përmes. Interesant, ishte e para herë që ata nuk lehnin, sikur ta dinin se ai do të largohej përgjithmonë. Së largu dëgjohej oshtima e mullirit që ende bluante drithëra.
Doli nga fshati dhe mori rrugën që çan përmes fushave. Poshtë çizmeve të tij ushtarake dukej sikur bora përtypej, më saktë sikur çizmet kafshonin borën. Ja tek u duk një dhelpër bishtgjatë e cila ndali në vend dhe po e shihte me habi. Ai deshi të nxirrte revolen e ta qëllonte, por kafsha sikur ta kishte kuptuar, u zhduk pas një shkëmbi të mbuluar me borë të ngrirë dhe ai vazhdoi rrugën më tej. Drita nga qielli gjithnjë e më shumë po zvogëlohej dhe atij i duhej ta gjente rrugën me hamendje. Pastaj qielli u nxi krejt dhe në ajër, para hundës së tij, nisën të lodronin fluruza bore. Po afrohej furtunë, por atij edhe pak i duhej që të futej në grykën e ngushtë midis dy maleve ku nuk frynte erë. Ja dhe ca e po arrinte. Fluruzat e borës u bënë të padurueshme. Të kthehej?! Do tallej i gjithë fshati me të. Kushedi çfarë kënge tjetër do të sajonin. Atyre mendja u punonte vetëm për bejte. Gjeti kurajë dhe eci përpara. Pastaj ngeci. Nuk bënte dot përpara me asnjë hap. Iu mor fryma. Fluruzat vërshonin nga të gjitha anët, me shpejtësi dhe pa mëshirë. Në një moment iu kthyen të gjitha sikundër të ishin grerëza të bardha. E kafshonin ngado, pa mëshirë. Nuk kishte as dru e sa gur ku mund të mbështetej. U ul galiç. Priti pak, por ndjeu të ftohtë. Më mirë të lëvzte, të ecte përpara. Ngritur më këmbë nuk mund të çante. U zvarrit, por nuk bëri dot asnjë metër rrugë. Iu ftohën gjunjët. Shyqyr që kishte marrë çizmet ushtarake. Ja edhe pak dhe do të futej në grykën e ngushtë ku nuk do ta rrihte tufani. Nga cila anë binte Gryka? E ngatërroi. Bora nuk pushonte për asnjë çast. Vendasit e dinë se në këto raste duhet të mbështetesh pas një peme, apo rrëzë një guri dhe duhet të lëvizësh në vend që të mos ftohesh, të qarkullojë gjaku, por ai nuk e dinte, ose më mirë të themi e kishte harruar. I dha kurajo vetes dhe bëri edhe një hap. I shkoi ndërmend të zbulonte shtresën e re të borës me duar dhe ashtu bëri. Pa dy gjurmë. Vuri re drejtimin e tyre. Ishte në të kundërt. I pa me kujdes. Ishin gjurmët e çizmeve të tij. I njohu. Ndërroi drejtimin. Ecte dhe zbulonte me duar gjurmët e tij. Më në fund arriti aty ku ishte kthyer. Vendosi të mos ndërronte drejtim. Eci edhe pak. Fluruzat vazhdonin sulmin dhe gati po e verbonin. Gishtërinjtë e këmbëve nuk po i ndjente. Po e pushtonte gjumi. Ndjehej si nën narkozë. Ishte momenti kur xhaxho Ziguri falej në mulli dhe thoshte: “E gjeç nga Perëndia, ndihmomë, o Baba Ali”!
***
Të nesërmen mbasdite, kur qielli ishte qelq, dy bashkëfshatarë që ktheheshin nga qyteti, sa dolën nga Gryka, panë diçka të zezë në anë të rrugës. Ishte një dorashkë. Njeri prej tyre zgjati dorën për ta marrë, po ajo nuk shkulej, nuk shqepej. Ishte vazhdim i një krahu njeriu. Ata zbuluan borën me shkop dhe njohën fytyrën e zbehtë e të ngrirë të Xhemalit. Në dorën tjetër kishte revolverin. Karikatorja ishte plot me fishekë.
-Mos është përleshur me dikë?! – dyshoi njëri prej tyre.
-Jo, ka dashur të japë alarm, ka dashur ndihmë, por nuk ka mundur ta shkrepë, i shkreti… – tha i dyti.
-Mos ka dashur të vrasë veten? – hamendësoi i pari.
-Jo, ç’ne, ai e ka kuptuar që ka qenë i vdekur, pa shpresë. Ka dashur t’i kërkojë ndihmë fshatit, – tha i dyti.
-Ka qenë vetëm pesë hapa larg Grykës, i shkreti…Ne nuk mund ta kthejmë në fshat, duhet të lajmërojmë degën e punëve të brendëshme në qytet. Për ata ka punuar. Ky nuk është yni, është i atyre. Ata e dinë çfarë ishte ky njeri dhe përse e kanë dërguar këtu, në këto male, – arsyetoi i pari.
-Ke të drejtë, – i tha i dyti.
***
Erdhi pranvera dhe bora shkriu. Askush nuk e kujtoi më Xhemalin. Sikur nuk kishte qenë kurrë në fshatin N. Mirëpo pikërisht tek vendi ku kishte dhënë shpirt këshillëtari i deleguar nga Tirana, u gjet një bllok shënimesh. Në shumë faqe shquhej përgjysmë emri i xhaxho Zigurit, por shkronjat ishin shuar dhe nuk merrej vesh çfarë ishte zogafsur aty. Me sa duket atë bllok, i zoti vetë, e ka zhytur thellë në borë për ta zhdukur. Nuk ka dashur ta lexojë askush.
Toronto, 15 shkurt 2019.