Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Akuzat e Ramës dhe protesta e nesërme

 

Sot Edi Rama akuzon publikisht Berishën dhe familjen e tij si persona non grata në shtetet e bashkuara. Akuzon opozitarizmin për masakrimin e vendit dhe ankohet publikisht se po ndreq gabimet e qeverisjes së mëparshme. Sot Edi Rama publikon foto nga meremetimi i një qendre shëndetësore diku në Durrës, pa harruar të ankohet për paraardhësit etj.

Sot Edi Rama ka organizuar një batalion webesh me përpjekjen për t’i dhënë protestës së nesërme fytyrën e një gogoli, 97-te, a një tjetër Gërdeci. Sot ai dhe sejmenët e tij ofrojnë me gërma të mëdha numrin anonimat 112, policinë e fryrë nga udhëzimet e selive të rilindjes mavi. Madje tentavitat arrijnë deri tek dyert e ambasadave. Një model tashmë bajat se çfarë këshillon përshembull ambasada amerikane e Tiranës për qytetarët e saj. Duke e ditur fare mirë se 95% e shqiptarëve e adhurojnë ikjen.

Sot Edi Rama shpërndan video kundër protestë…, një lloj karantine qeveritare kjo e tipit Maduro në Venezuelë, se çfarë planifikojnë të bëjnë opozitarët, thuthuqët, rrugaçët, çeçenet, antikombëtarët etj. Fjalori ai atij sojit që mendon se me metoda të bulizmit mund të jetë magjepës dhe superior hollywoodi.

Sot Edi Rama po përgatit një miting anti protestë mbi ”arritjet” e tij si lungo maret a zona të tjera relaksi ku të vriten sa më mirë vlonjatët e lodhur nga droga, gomonet, lufta e karteleve dhe zhdukja e kufomave. Në Vlorën që sot është totalisht një vazhdë e kulturës kamorriale të qyteteve të jugut të Italisë. Sot Edi Rama ka filluar publikisht fushatën elektorale të qershorit, shkon në ato bashki opozitare dhe fyen publikisht kryetarët aktualë, duke kërcënuar qytetarët aty se nuk ndreqen po nuk votuan kandidatin e tij. Sot ky, ka një Shqipëri të tërë, me numër të trefishuar mëkatesh mbi kokë.
Por kurrë nuk dha llogari vetë, për aleancat e errëta me krimin dhe drogën. Kurrë nuk i kërkoi falje shqiptarëve për kaçatorrët a mushkonjat urbane që ngecnin sa në Divjakë e sa në Lezhë. Përkundrazi kërkoi publikisht që shqiptarët t’i kërkojnë falje esnafëve të kësaj bote, esnafër të cilët ai i bëri deri ministra e kryetarë kuvendi. Kurrë nuk u dha llogari shqiptarëve për prurjet në parlament, të elementit kriminal, të pistolerëve a bandave që vodhën e i blen shqiptarët e rrethinave me para kesh, duke dërrmuar shpirtin e demokracisë. Kurrë nuk dha llogari për këto fakte të publikuara tashmë me pamje, e që gjënden kudo, mjaft të kërkosh në internet. Por i përmblodhi të gjitha në një terminologji diktati si kazan, kadri, thu-thu, rrumpallë, më ha atë që s’thuhet, etj.
A kanë arsye nesër opozitarizmi të protestojë?
Pa diskutim që po. Madje jo vetëm ata, por gjithë shqiptarët. Dhe lum ata shqiptarë që e kuptojnë. Dhe dhëntë Zoti qofshin më të shumtë në numër se ata që adhurojnë praktikat me 3p (partneritetin publik privat). Dhe që u rëndohet fakti se 85% e territorit social shqiptar, sot është një konçesionar me fatura të kripura, fakt që do ta mbaj Shqipërinë një vend ku edhe ata që nuk kanë lindur do jenë adhurues të ikjes drejt perëndimit dhe lindjes së mesme.
Pa llogaritur këtu konçesionet peng, si teatri, bota artistike përçudnuar, sepse është fakt që komuniteti artistik është i përçarë. Dhe nuk ka si ndodh ndryshe kur shikon një figurë teatri a kinemaje, që edhe pse ka kapur të gjitha majat, prapë lakmon ngjitjen përmes makinerisë propogandë të Edi Ramës a rilindjes së tij. Nuk ka se si shpjegohet fakti që deri shkrimtarë me emër angazhohen të suportojnë emra për poste ministrash etj. Një rënie kombëtare që me të drejtë shqiptarët jashtë territorit të shtetit amë ndihen të fyer kur flaket boja në parlament, kur Tirana dhe Prishtina nuk bisedojnë, por i shqyejnë sytë njëra-tjetrës me dosjet e sigurimit dhe pseudonimet e tyre. Por duhet protestuar edhe për një opozitë më efikase, e cila nuk ofron sfida, nuk ofron parimin e së të drejtës së të të zgjedhurit. Nuk ofron sfida të mëdha deri djegje mandatesh, nuk hapet. Ka mijra arsye për të protestuar, ndaj protestoni për vendin tuaj, për të ardhmen tuaj jo për karriken e njëri apo tjetrit. Bëni mirë që me protesta të kufizoni sa më shumë mandatet e shefave. Sepse sa më pak do u vjedhin. Sa më gjatë ata rrinë në pushtet, jo vetëm që ju vjedhin, por ta dini…, ju kanë dënuar me burgim të tipit të përjetshëm.

Please follow and like us: