Koço Kokëdhima: Kosova vendosi vijat e kuqe
Për herë të parë kryeministri Edi Rama pranon se po punon për ndarjen e Kosovës. “Çfarë po diskutojmë ne me Greqinë sot? Kufirin. Çfarë diskutoi Kosova me Malin e Zi që u bë gjithë ajo që u bë? Kufirin. Si nuk do diskutohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë? Do diskutohet që ç’ke me atë punë. Do bëhet edhe në këtë rast ai procesi i demarkacionit”, ka deklaruar kryeministri Rama.
Ashtu siç ka katranosur marrëveshjen e detit me Greqinë, kërkon të bëjë edhe me Kosovën. Ai ka heshtur prej shumë kohësh, megjithëse në prapaskenë ndihmonte idenë e hedhur nga Vuçiç për t’i dhënë Serbisë veriun e Kosovës. Dalja hapur e tij në këtë rrafsh ku diskutohet integriteti kombëtar, kërkon të neutralizojë fitoren e forcave që mbrojnë tërësinë e Kosovës. Këto ditë të presionit të madh ndërkombëtar, për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë, Kryeministri Ramush Haradinaj, si një patriot i sprovuar, mbajti barrën e rëndë, për aq momente të vyera, sa duheshin për të vendosur pikat dhe presjet në platformën e ekipit të dialogut me Serbinë. Tashmë, mund të lexohen qartë dy fjali me vijë të kuqe në platformën e bisedimeve. Është Platformë për dialogun me Serbinë, të cilën e ka përgatitur ekipi negociator dhe që sot iu dërgua Kuvendit.
Së pari, në këtë dokument precizohet se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet të ketë njohje nga Serbia, të shfuqizohet Rezulota 1244 e OKB-së, si dhe të krijohet një tribunal për krimet e Serbisë në Kosovë. Çdo marrëveshje me Serbinë duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj. Kështu thuhet në Platformën që u hartua, me këmbënguljen e Haradinajt dhe atdhetarëve të tjerë në Prishtinë. Rama kërkon të fitojë mbështetje për vete, jo për Kosovën! Haradinaj mund të përfitonte politikisht për vete dhe partinë e tij, nëse pranonte menjëherë propozimet e diplomatëve të huaj për të hequr tarifat doganore mbi mallrat e origjinës serbe, por nuk e bëri. Për të është Kosova e para, jo pushteti i tij. Zyrtarët amerikanë indirekt kanë shprehur mirëkuptim për këmbënguljen e kryeministrit të Kosovës. Mbështetja e SHBA u bë e qartë nga ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison, tre ditë më parë. Ajo tha se SHBA e mbështet fuqimisht ushtrinë e Kosovës, ndërsa taksën e quajti një çështje bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë.
Së dyti, në këtë platformë të bekuar është vënë edhe një kusht, që Kosova të përfshihet në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Përpara se të ulet në tryezën në Bruksel, ajo do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës. Këto dy vija të kuqe nuk do të hiqeshin, po të mos ishte vendosur taksa për mallrat ndaj Serbisë. Kjo taksë, tani edhe mund të hiqet, nëse raporti i forcave ndërkombëtare dhe të brendshme nuk është në favor të kryeministrit Ramush Haradinaj, por vijat e kuqe nuk fshihen më, sepse do të miratohen nga Kuvendi i Kosovës dhe janë detyrim ligjor për këdo që do të ulet përballë serbëve. Këto vija të kuqe janë edhe për Edi Ramën dhe këdo tjetër që mbështet planet për ndarjen e Kosovës.
Tashmë, Haradinaj dhe forcat patriotike që mbrojnë tërësinë teritoriale të Kosovës mund të luftojnë me qetësi. Partia ZGJIDHJA ofron mbështetje morale dhe inkurajon të gjithë faktorët që kanë mundësi të ndihmojnë e lobojnë në SHBA, Berlin, Paris dhe Bruksel në favor të Kosovës.
ZGJIDHJA përshëndet hartuesit e platformës së bisedimeve dhe i nxit ata që ta miratojnë atë sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës për t’i prerë rrugën atyre që atdheun e vënë në lojë për interesat politike personale.