Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Anastasios N. Goudas, mjek, filozof, politikan, shkrimtar, ‘Plutarku i ri’ i Greqisë


Anastasios N. GOUDAS, 1816-1882.

 

Prologu

 

Mbreti Othon e pyeti Dr. Anastas GUDHËN* rrëmbimthi:

– Nga jeni?

Mjeku Anastas, pa mbaruar mirë pyetjen Mbreti Othon, iu përgjigj:

– Nga Epiri.              

Mbreti shtoi:  Është i çuditshëm fakti, që, të gjithë ju  kërkoni të vendoseni në Athinë dhe nuk shkoni në vendlindjen tuaj…

Dhe takimi mbaroi…

Anastas GUDHA u largua “me hidhërimin, që iu grumbullua brenda vetes”

…Mbreti Othon, “duke dëshiruar të poshtërojë epiriotin e pabindur”, i transmetoi lajmin se, duhej që, mjeku Anastas t’i paraqiste kërkesë për falje dhe pas kësaj, jo vetëm që do ta falte, por do t’i jepte edhe postin e lirë pas vdekjes së Prof. Lefkia në Nosologjinë e Përgjithshme…

(*GUODAS, në gjuhën shqipe, shqipërohet GUDHA. Anastas N.GUDHA është kushëri i luftëtarit epirot Vasil GUDHA, sekretar personal i Marko Boçarit).

***                                         

Vitet e para të jetës

Në Grameno, te “vendi me bukurinë e papërshkrueshme dhe ajrin e pastër, në veriperëndim të Janinës, që brumos bijë të dashur dhe me shpirt të madh”, lindi më 1816 Anastas N. GUDHA                

Babai i tij Nikola GUDHA, bënte pjesë në familjen e madhe dhe të fuqishme të kohës, e cila gëzonte mbështetjen e Ali Pashës dhe të djalit të tij, Myftarit, që ishte pronar i fshatit. Nëna e tij ishte Janulla. Ajo u morr peng, pas pushtimit të Prevezës nga ushtarët e Ali Pashës më 1798 dhe u rrit nga gruaja e Myftarit.

Në një pjesë të JETËVE Anastasi shkruan: “Të gjithë burrat (me përjashtim të disa francezëve që shpëtuan) Aliu i therri, ndërsa gratë i shiti si robe në tregjet publike. Një ndër to ishte nëna ime e nderuar, Janulla, e cila u shit në moshë të brishtë tek një nga gratë e Myftarit, të thirrur Beratase. Ajo, meqenëse nuk kishte fëmijë, e rriti vogëlushen si vajzën e vet dhe nuk ia ndërroi fenë dhe kur u rrit e martoi me babanë tim, Nikola…”.

Në moshën 4-5 vjeçare Anastasi pati fatkeqësinë të humbasë nënën. Sikur të mos mjaftonte kjo, pasoi dhe shkatërrimi i Gramenokoriove nga turqit (27/7/1821). Familja e madhe GUDHA u largua nga fshati Grameno në drejtim të Sulit.                      

Mikpritja suliote!

Këtë periudhë të mërgimit dhe bashkëjetesën me suliotët, Anastasi e përshkruan tek libri “JETËT”:

“Pas shpalljes së Revolucionit rrëmbeu armët dhe Epiri i pafat. Pothuajse 300 familje nga rrethinat e Janinës, nga Gramenokoriotët që kishin ngritur krye nuk mundnin më të bashkëjetonin me turqit. Fillimisht u nisën drejt Korfuzit, por u dëbuan andej çnjerëzisht nga anglezët dhe gjetën strehë në Suli. Suliotët, edhe pse ishin në gjendje të vështirë, i pritën ngrohtësisht, pasi dhe ata e kishin provuar vuajtjen e mërgimit. Suliotët u jepnin familjeve tona pjesë nga trofetë, të gjithë nga ato mbaheshin gjallë në atë periudhë. Familja e shumënumërt e babait tim u strehua në shtëpinë e Llambro Gusit, babait të togerit të policisë, që është gjallë sot, Joanit. Patëm fatkeqësinë, bashkë me tre motrat e mia, të humbisnim nënën para një viti. Jetime dhe nga nëna dhe nga babai ishin dhe dy kushërirat tona të para. Kjo familje mikpritëse suliote bëri gjithçka për të na lehtësuar dhimbjen e mërgimit dhe të humbjes së prindërve. Gratë heroina suliote lanin në fillim rrobat tona dhe gatuanin për ne e më pas për vete, ndërsa burrat, në këshilla dhe në beteja, i konsideronin vëllezër babain dhe xhaxhallarët e mi. Njërin prej tyre, Vasilin, heroi Marko Boçari e caktoi sekretar të tij. Babait tim suliotët i caktuan mbrojtjen e Kiafës, që të mos detyrohej të largohej në beteja dhe të ishte pranë fëmijëve të tij jetimë…”.

Gjatë kësaj periudhe të qëndrimit në Suli, nga fundi i përplasjeve të suliotëve me turqit (viti 1822), Anastasi për pak u vra, kur një predhë shpërtheu në vendin e tyre të banimit. Ai e tregon ngjarjen duke shkruar biografinë e Perenos: Gjatë shpërthimit të tmerrshëm, që ndodhi natën, një hallë e jona mbeti e vdekur, por nuk vdiq atë moment. Unë, 6 vjeç isha atëherë, u varrosa i gjallë nga dherat, por më nxorri në kohë bamirësi Perenos. Pasi nuk dhanë rezultat përpjekjet “e buta” për të më përmendur, Perenos më solli në jetë me shpulla të forta, që nuk do t’i harroj kurrë. Anësitë e copëtuara të kushërirës sime, i lidhi me aq mjeshtëri sa do ta kishte zili dhe profesori më i vjetër i kirurgjisë. Por ishte e kotë, se pas disa orësh vajza e pafatshme dha shpirt…”.

Pak më vonë, para marrëveshjes së turqve me suliotët (28/7/1822) dhe pas një vendimi të palëve luftuese, familjeve të strehuara në Suli iu lejua, që të ktheheshin në tokat e tyre.            

Anastasi u kthye bashkë me familjen në fshat. Gjendja ishte e vështirë. Revolta e Gramenokoriove, në të cilën kishin kryetar Gudhajt, solli rrënimin ekonomik të familjes. Nga ky rrënim ajo nuk do të dilte më kurrë dhe mjerimi do të rëndonte mbi ëndrrat dhe ambiciet e mëpasme të gramenjotit të ri.

***

Nxënës në Janinë      

Mësimet e para Anastasi i mori në shkollën e fshatit, të cilën “Gramenjotët dijedashës” e rindërtuan pas shkatërrimit gjatë revoltës. Anastasi citon: “Sa u stabilizuan përsëri në shtëpitë e tyre, gramenjotët dijedashës, edhe pse ishin në gjendje të mjerueshme, nxituan të përfitonin nga mençuria e bashkëfshatarit të tyre Krana, duke i caktuar atij dhënien e mësimit të gjuhës greke në fshatin e vogël, që tani numëronte 60 familje. Priftit nga Gjirokastra, Krisanthos, i caktuan lëndët e tjera. Në këtë komunitet të vogël nuk kishte nxënës, që kërkonin mësime të zgjeruara, prandaj, të dy mësuesit u përqëndruan për të na dhënë dijet e përgjithshme. Kështu mësuam edhe ne shkrim e këndim…”.

Kështu, në shkollën e vogël të fshatit Anastasi mori njohuritë e para, kryesisht nga Krisanthos gjirokastriti, pasi Kranai në vitin 1822 u transferua në shkollën e Zicës, ku punoi deri më 1826. Dy vjet më vonë, me përpjekjet e dhespotit Venedhiktos dhe me sponsorizimet e vëllezërve Zosimiadhi, do të rinovohet shkolla e vjetër Balanea në Janinë me emrin “Shkolla e përgjithshme greke” me drejtor të parë Kranain.

Në këtë shkollë (, më pas, u quajt Zosimea), në vitin 1830 erdhi si nxënës dhe Anastas GUDHA, ashtu, siç duket nga një dëftesë e arshivuar në biografinë e Kranait: “Rendën nga gjithë Epiri, Shqipëria, Maqedonia nxënës pa eksperiencë për t’u ndriçuar, siç na tregon vetë Kranai, i cili zotëronte shumë kultura: Greken e Lashtë, Latinen, Francezen, Italianen, Gjermanen dhe ishte i vetëshkolluar. Ai, që në fillim i ndau nxënësit në dy grupe, në klasën e ulët, ku studioheshin gramatika dhe shkrimtarët e rinj grekë dhe në të lartën ku studiohesh Plutarku dhe Tuqididi, sipas një metode të hartuar nga vetë ai. Me dyndjen e madhe të nxënësve u detyrua të krijojë 4 klasa. Vetë ai jepte mësim në klasat e larta, jepte Latinisht, Italisht dhe Frëngjisht. Ishte përkrahës i flaktë i Koraiut dhe  disa herë e tepronte duke na qortuar se nuk e përdornim sa duhej gjuhën “popullore”. Ishte i dashuruar, siç prononcohej, me Plutarkun. Në klasën tonë na mësonte jetët e Aleksandrit, Çezarit, Ajisilaos, Pompeut, Ermenit, Dhimostenit dhe Ciceronit. Më pas na detyronte të studionim vetë me kujdes shkrimet e Plutarkut dhe të krahasonim vjetët e këtyre personazheve si të ishim kritikë të vërtetë. Nga kjo performancë e jona varej dhe nota në provimet përfundimtare…”.

Në shkollën Zosimea Anastasi mori njohuritë e para për poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj grekë si dhe mësoi gramatikë, sintaksë, latinisht, italisht, frëngjisht,  filozofi dhe matematikë.

Anastas GUDHA nuk ishte i kënaqur nga ato që përfitoi në shkollë. Këtë e shpjegonte me kushtet e vështira të jetesës dhe hallet familjare, tashmë, gojët për të ushqyer ishin dyfishuar (babai i tij u martua sërish). Në një pjesë të JETËVE Anastasi shkruan: “Pasi u shkatërruam plotësisht gjatë Revolucionit nga pasuria familjare, vetëm pak dije munda të marr në Atdhe…”.

Se si zhvillohej mësimdhënia dhe jetesa në Zosimea atëherë, ai na e tregon vetë në një pikë tjetër: “Në Janinë atëherë nuk kishte as hotele, as menca, as familje që mikprisnin nxënësit, siç ka sot në Athinë. Brenda shkollës janiniotët kishin ndërtuar disa dhomëza të vogla të mjerueshme, të cilave u mungonin dhe orenditë bazë. Në këto dhoma dyndeshin 3–4 nxënës që nuk kishin njerëz në Janinë. Për ushqimin mendonim vetë me çfarë na sillnin nga fshatrat: fasule, thjerrëza, djathë, ullinj, këto ishin ushqimet tona të përditshme. Vetëm ndonjëherë, për raste festash, bëheshim 3-4 nxënës dhe gatuanim pak mish në ndonjë furrë ose në dhomat që kishin orenditë për këtë punë. Krevatet, karriget, tavolinat duhet t’i siguronin prindërit. Aty gjenim vetëm një rrogoz kashte me ndonjë copë leshi për t’u mbuluar. Jetesa e nxënësve atëherë ishte shumë e vështirë…”.

Në këto kushte të vështira, në vitin 1835 Anastas GUDHA përfundoi “Shkollën e përgjithshme greke të Zosimesë” dhe mori diplomën e mëposhtme, të shkruar dhe të nënshkruar nga vetë Kranai: “Vërtetoj me këtë dokument se Anastas GUDHA në pesëvjeçarin e fundit studioi në këtë shkollë dhe i ndoqi mësimet me disiplinë dhe pasion. Këtu ndoqi mësimet e Greqishtes, Latinishtes, Italishtes, Frëngjishtes si dhe shkencat e tjera me mësuesit e tjerë. U shqua për sjellje shembullore. I lëshohet ky dokument si vërtetim. Janinë, 15 Qershor 1835. Mësuesi i Shkollës Zosimea, J. Kranas”.

Menjëherë, pas diplomimit, në moshën 19-vjeçare dhe konkretisht në Shtator të vitit 1835, Anastasi filloi punë si mësues filloreje në Kalambaka. Ai shkruan tek JETËT: “Qëndrova për afro një vit si mësues në zona që kishin njohuri më pak se unë…”. Por, ai kërkonte më shumë. Gjithashtu dhe të ardhurat e tij ishin minimale. Kështu shprehet vetë në një letër (20.9.1939) drejtuar bashkëfshatarit të tij Asopios në Korfuz: “Kam dashur me kohë të kërkoj mbështetjen tuaj me njohjet që keni në njerëz intelektualë, por nuk më është dhënë mundësia. Sapo mbarova studimet në shkollën e të ndjerit Krana, në vitin 1835 u detyrova të filloja punë si mësues në Kalambaka të Thesalisë. Duke parë se ky profesion nuk më mbushte dhe shëndeti im nuk më lejonte, e ndërpreva dhe u ktheva në fshat. Edhe pse shëndetlig, vendosa të nisem në Athinë për të studiuar Mjekësi…”.

***

Student në Universitetin e Athinës, në degën Mjekësi

Anastasi, sa mori vesh për hapjen e Universitetit Othonian** në Athinë (1837), u nis menjëherë në  fillim të vitit 1838 për të studiuar: me ekonomi shumë të dobët erdha këtu të mësoj shkencë me 130 dhrahmi në xhep…”.  Nga një shkrim i gazetës “Eon” (28-29/7/1843), me rastin e marrjes së titullit shkencor mësojmë diçka më shumë për studimet e tij universitare: “Në 1838 GUDHA erdhi në Athinë për të studiuar. Edhe pse kishte diplomën e Gjimnazit të Janinës, para se të fillonte studimet iu desh të jepte provime hyrëse… Suksesi në to e mbushi me energji, që tejkalonin mungesën e gjendjes ekonomike…”. 

Anastas N. GUDHA filloi studimet në Mjekësi. “Ai u mbështet financiarisht nga Zosimiadhët, madje dhe nga vetë profesorët e tij dhe gjatë dy viteve të fundit ai i përfundoi studimet me notën shkëlqyeshëm dhe arriti të përfundojë Fakultetin…”. Por, dhe vetë Anastasi, në një pjesë të JETËVE, na jep informata për hyrjen në Universitet: “Dikur kemi qenë të pasur, por u shkatërruam ekonomikisht gjatë Revolucionit. I mbarova studimet e mesme në Janinë në mes të mjerimit. Shkova për të punuar si mësues në Kalambaka, por më digjte dëshira për Mjekësinë. Sapo mësova për hapjen e Universitetit, renda në Athinë për të përmbushur këtë dëshirë timen. Pasi kalova provimet, hyra ndër të parët në Mjekësi, por isha i rrënuar ekonomikisht. Kështu, një ditë shkova tek Jenadhios dhe, në mes të lotëve, iu luta të më rekomandonte tek Zosimiadhët, ose të më ndihmonte për të marrë bursë. – E pamundur të të ndihmoj të mbarosh Mjekësinë – më tha Jenadhios. – Rregjistrohu në Teologji ose Filozofi dhe të premtoj se do t’i financoj të gjitha shpenzimet.Në asnjë nga këto! – iu përgjigj Anastasi. – Tashmë kam filluar Mjekësinë”.

(**“Universiteti Othonian”, u hap më  3 Maj 1837 në  Athinë  dhe mbajti emrin e mbretit Othon. Në vitin 1911 universiteti u quajt “Universiteti Kapodistria” në homazh të Ioannis Kapodistrias).

Anastas N. GUDHA përfundoi studimet në mjekësi në një periudhë trevjeçare. Aty mori: “…vërtetimin e mëposhtëm me vlerë diplome, që konsiderohej si fillim i fryteve të Universitetit të ri grek: Z. Anastas GUDHA nga Janina, pas ndjekjes së rregullt të ciklit mësimor trevjeçar në Fakultetin e Mjekësisë, u ekzaminua me shkrim dhe me gojë në të gjitha lëndët mjekësore si dhe në Kimi dhe Botanikë dhe u vlerësua me notën Shkëlqyeshëm. Kështu, i jepet ky vërtetim derisa të marrë diplomën zyrtare të mjekut. Megjithatë, është i detyruar të paraqesë një studim pranë Fakultetit të Mjekësisë që të mbrojë funksionin e mjekut publik. Athinë, 3 Korrik 1841. Dekan i Mjekësisë Anast. J. Nefkias, I. Vuros profesor i Patologjisë, N. Kantis profesor i Farmakologjisë dhe Gjinekologjisë, I. N. Livadhitis profesor i Higjienës, Ioan Olimpios profesor i Kirurgjisë, A. Pallis profesor i Mjekësisë Ligjore, Itraimber profesor i Kirurgjisë Klinike”. (Anastas N. GUDHA e mori vërtetimin e përfundimit të shkollës, por “si pasojë e mungesës së organizimit të Fakultetit, nuk e zotëroi diplomën zyrtare”.

Gazeta “Eon” e Athinës, duke e publikuar të plotë (16/7/1841) çertifikatën e mësipërme të Anastas N. GUDHËS, i këshillon të gjithë Epiriotët të ndjekin shembullin e GUDHËS e të dërgojnë fëmijët e tyre në Athinë.

***

Dr. Anastas N. GUDHA

Pas marrjes së vërtetimit të mësipërm, Anastasi u emërua mjek ushtarak, por dha dorëheqjen pothuajse menjëherë, për të filluar punë në Sektorin prodhues të sheqerit, që sapo ishte hapur nga francezët. Aty mbrojti dhe disertacionin me temën “Studim mbi sëmundshmërinë rurale në Qenurios” shkruar dhe botuar nga kandidati për titull shkencor Anastas N. GUDHA, nga Janina e Epirit, Athinë 1843, shtypshkronja E. Antoniadhi. Këtë temë e mbajti i pari nga të gjithë studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe u vlerësua shkëlqyeshëm: “Nën kujdesin dhe mbështetjen e Mbretit të Greqisë Othon, Rektorit të Universitetit të Athinës Mihail Apostolodhi, profesor i Teologjisë, Ioani Vutos, profesor i Kirurgjisë dhe i Sëmundjeve të Brendshme, u pranua Studimi i Anastas Nikola GUDHËS nga Janina, i cili fiton të drejta të plota akademike…”. Para dy vitesh, në bazë të  Rregullores në fuqi të Universitetit, u pajis me një vërtetim të thjeshtë, por, me miratimin e ligjit të ri, ai paraqiti disertacionin dhe u emërua unanimisht “doktor” në Mjekësi me rezultatin shkëlqyeshëm.

Anastas  GUDHA ishte studenti i parë, i cili “guxoi të punonte si ndihmës në spitalin kirurgjik të Athinës”, pranë kirurgut Joani Olimpios, në varrimin e të cilit ai tha: “Për 32 vjet kam patur nderin të shoqëroj Olimpion në shumë operacione dhe nuk kam parë asnjëherë duart e tij të bekuara të presin keq, qoftë edhe një milimetër…”.

Në vitin (1844) Dr. Anastasi u emërua “mjek bashkiak në Alqidha”. Po në këtë vit plasi epidemia e kolerës në Skiatho. Qeveria kërkonte me dëshpërim mjekë për të përballuar situatën “dhe kur të gjithë thuajse nxirrnin justifikime, Anastas GUDHA u nis vetëm në drejtim të ishullit”. Ai vetë shkruan: “Më kujtohet se kur Prefekt ishte Meletopulos, u nisa për në Skiatho kur u shfaq për herë të parë kolera në Greqi. Prefekti u zotua të marrë të gjitha masat për dërgimin tonë dhe të medikamenteve në kohën e duhur. Duke na përcjellë me mallëngjim, më tha të shporrim këtë armik nga vendi, ashtu si bënë etërit tanë me turqit. Kur u kthyem, i paraqitëm një listë shpenzimesh shtesë, afro 400 dhrahmi. Por ne, si pa përvojë, nuk i kishim ruajtur faturat.           

– Çuditem, – tha Meletopulos, – si shpenzuat kaq pak për tre muaj në izolim, por meqenëse këto nuk mund t’jua jap për shkak të procedurave, do t’ju shpërblej ndryshe”.                 

Dhe kështu ndodhi. Pa kaluar shumë kohë, me rekomandimin e Rezer-it (mjeku i mbretit Othon) dhe me shpenzimet e Prefekturës u nisëm për në Paris për të plotësuar studimet tona, sidomos për kolerën…”.

Anastas GUDHA niset për studime në Paris, i dërguar nga Qeveria. Në kryeqytetin francez (banonte afër kopshtit të Luksenburgut). Aty ndoqi, për afër dy vjet, ku mori mësime nga profesorë të shquar, si Trusso dhe Skomel, (këtij të fundit i kishte përkthyer Patologjinë e përgjithshme më 1848). Pas studimeve shkoi në Gjermani dhe Itali “për perfeksionim shkencor”. Më pas u kthye në Athinë, duke kaluar nga Vjena.

Pas kthimit të tij në Athinë, ai banonte në një banesë të vjetër në rrugën Ermu. Gazeta “Eon” shkruan (13.12.1850): “Mjeku Anastas GUDHA, i cili dy vitet e fundit ishte në Paris për të perfeksionuar shkencën e tij mjekësore, në rrugën e së cilës hyri me shumë pasion dhe dashuri para 7 vitesh, kaloi dhe nga Gjermania dhe Italia dhe në fund erdhi të banojë në rrugën Ermu nr.3. Lajmëron publikun se, për të Hënë, të Mërkurë dhe të Premte, nga ora 11 deri pasdreke pret vizita falas. Është e tepërt të lavdërojmë shpirtin bamirës të mjekut, kur për këtë gjë flasin vetë faktet. Në vendin ku banon grumbullohen shumë të varfër dhe të papunë për të përfituar nga shërbimi falas që u ofron GUDHA. Ata shprehen se kjo është bamirësia më e madhe që mund të bëhet dhe një shërbim madhor ndaj komunitetit.” Dhe përfundon: “Duke bashkuar pasionin me dijet shkencore GUDHA e fillon rrugën e tij profesionale me premisat më të mira dhe nuk mund të anashkalojmë shërbimin, që kryen ndaj bashkëqytetarëve tanë në nevojë…”.

Që nga kjo periudhë e më pas Anastas GUDHA bëhet i njohur në Athinë si një mjek i zoti, i cili njohuritë e tij shkencore i vuri në shërbim të komunitetit. Atëherë dolën në pah cilësitë e rralla të personalitetit dhe forca e madhe e shpirtit të tij.

Në vitin 1853 emërohet mjek bashkie në Athinë, por jep dorëheqjen pak më vonë. Si mjek Bashkie: “shkonte shtëpi më shtëpi te pacientët dhe mbante ditar të hollësishëm për gjendjen, mjekimin apo hospitalizimin e tyre. Një kopje të shënimeve, bashkë me raporte të hollësishme për shëndetin publik, ia kalonte Kryetarit të Bashkisë…”.

Në vitin 1854 shpërtheu në Athinë epidemia e kolerës (kolera u soll nga marinarët francezë të ardhur nga Marseja në Pire). Mbreti Othon cakton kryemjekun e tij të dytë Vuros, të menaxhonte situatën. Mjekun tjetër, Rezerin, e mbajti në pallat për të qenë në gadishmëri, që t’i shërbente në çdo rast. Mjeku Vuros, kur mësoi për zgjerimin e epidemisë, u izolua në banesën e tij, pa lejuar njeri ta takonte. Situata po bëhej kritike.

Anastas GUDHA tregoi edhe një herë vlerat e tij humane. Ai shkoi vullnetar në Pire për të ofruar shërbimin e tij dhe e kreu detyrën: “me vetëmohim, pa marrë asnjë shpërblim, me përjashtim të satisfaksionit moral…”. Për arsye të mosmarrjes së masave të koordinuara, kolera në Athinë “shënoi shpërthim të madh…”. Pak më vonë, Anastas GUDHA do të publikojë një studim ku përpiqej të shpjegonte “arsyet e këtij shpërthimi”. Në studim kritikohej dhe kryetari i Higjienës, kryemjeku i Mbretit (Vuros), për qëndrimin, që mbajti. Vuros i irrituar: “lëshoi kundër autorit të shkrimit ( Anastas Gudhës) sulme dhe përndjekje me mekanizma qeveritare, derisa e detyroi atë të quhej kryengritës…”. (Armiqësia me z. Vuros, profesor në Universitet, kryemjek personal i Othonit dhe kryetar i Këshillit të Mjekëve kishte filluar që në vitet studentore.)… Atëhere, Anastas N.GUDHA dhe disa studentë të tjerë mbrojtën të drejtën e tyre, duke u kundërvënë të plotfuqishmit Vuros. Si rrjedhim, pritën shigjetat e tij të hidhura”. 

Anastas Gudha nuk u mjaftua vetëm në ushtrimin e mjekësisë, por ndërmorri një sërë botimesh dhe studimesh për përparimin e shkencës dhe të komunitetit.

  1. Traktat i Patologjisë Praktike” nga Kristofor V. Ofeland, kryemjek i Shkëlqesisë së Tij, Mbretit të Bavarisë dhe profesor i Universitetit të Berlinit. Përkthim nga frëngjishtja i Anastas N. GUDHËS, Doktor i Shkencave Mjekësore, Athinë 1846, shtypshkronja e Emanuil Antoniadhi. Kjo vepër u ribotua më 1857, “me sqarime mbi zbulimet e reja në fushën mjekësore me shpenzime të K. Varvalit”, në shtypshkronjën e A. Garbolës.
  2. “Elemente të Patologjisë së Përgjithshme” nga A. Skomelit, përkthyer nga frëngjishtja nga Anastas N. GUDHA, Doktor i Shkencave Mjekësore, botuar në Athinë në shtypshkronjën e Nikol. Filadhelfos, 1848. Gjithashtu, vetë autori dhe profesori i tij i mëvonshëm në Paris, A. Skomel, pasi mori veprën në dorë, i shprehu falënderimet e tij përkthyesit: “Je suis tres touche de choix honnorable qui vous avec fait de mon ouvrage pour le traduire dans votre langue et le maitre a la porte les eleves et des medecins grees..” “Jam shumë i prekur nga zgjedhja honorifike që ju i keni bërë veprës sime për ta përkthyer në gjuhën tuaj dhe për ta vënë në duart e nxënësve dhe mjekëve të diplomuar grekë”.       

Nga viti 1853 deri më 1859 ai botoi në Athinë revistën cilësore shkencore “Bleta Mjekësore”, e cila ishte e përmuajshme, “përbëhet nga 3 fletë tipografike, ka prerje të madhe dhe qarkullon ditët e para të çdo muaji“. Atje ai boton tema të karakterit mjekësor, dietologjik, por edhe çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin e shoqërisë në tërësi. Në këtë mënyrë: “Revista nuk duhet të cilësohet, siç thotë vetë ai në botimin e parë, e vlefshme vetëm për mjekun dhe e pakuptueshme nga të tjerët, por, në përgjithësi, ajo i drejtohet njerëzimit në nevojë…”. Pjesa më e madhe e 3500 faqeve, në total, janë shkruar nga dora e tij dhe përfshijnë studime, artikuj, shënime, etj si: “Shënime për Ethet hemorragjike në Greqi, mbi Erizipelën, mbi mjekimet specifike të Kolerës, mbi indikimet dhe përdorimin e drejtë të llixhave, mbi përshtatjen e terminologjisë së vjetër mjekësore, për burimet termale në Klintho, për varrin e Hipokratit, mbi vaksinimet, gjimnastika, studim mbi klimën e Athinës dhe ndikimin në shëndet, mbi shërimin e thjeshtë dhe të shpejtë të hemorragjive, etj.”.

Për këtë botim të GUDHËS gazeta “Pandora” e Athinës, në një artikull të kohës, shkruan: “Me kënaqësi të madhe shohim botuesin e palodhur të ‘Bletës…’ të vazhdojë me pasion veprën e tij, jo për interesat e tij personale, por në shërbim të komunitetit. Duke marrë parasysh se sa të shumtë në numër janë studentët që ndjekin Mjekësinë në Universitetin tonë dhe sa të rralla janë tekstet që u vijnë në ndihmë, mendojmë se z.GUDHA plotëson denjësisht boshllëkun që ka brezi i ri, por edhe mjekët e provincës, që kryejnë shërbime të rëndësishme, por që u mungon totalisht një literaturë e tillë ‘ushqimi shkencor’. Ai përpiqet të pasqyrojë njohuritë e tyre për të mos humbur kontaktin me arritjet e fundit shkencore të Evropës dhe përdorimin e tyre praktik. Kjo revistë e lavdërueshme u ofron atyre mundësinë të shkruajnë mendimet dhe eksperiencën e tyre për sëmundjet endemike, por edhe për çfarëdo tjetër që ka lidhje me shkencën…”.

E njëjta revistë, në një numër të mëvonshëm, i rikthehet “Bletës Mjekësore”, duke marrë shkas nga vlerësimi që i bëri asaj z. Asmodheos Latur në gazetën shkencore të Parisit “Union Medicale” “Unioni Mjekësor”, i cili shkruan: “Përgëzojmë bashkëqytetarin tonë për vlerësimin që mori jashtë vendit për punën e tij të mundimshme. Këtu shtojmë me përzemërsi dhe lëvdatat tona, sepse e dimë se në këtë proces, që ka shpenzime të mëdha, ai nuk morri asnjë ndihmë ose mbështetje nga Qeveria, përveçse 50 dhrahmi, duke i mbuluar vetë kostot e botimit…”. Gjithashtu, gazeta “Merimna” (11.6.1858) shkruan: “Përjetimet e mjekut z. GUDHA, të akumuluara prej vitesh, i dorëzohen publikut nëpërmjet Bletës. Shkrimet e saj meritojnë çdo rekomandim dhe kanë marrë miratimin dhe përgëzimet e shkencëtarëve të Evropës, siç dëshmojnë letrat e shumta që kanë mbërritur në zyrën e botuesit, disa prej tyre janë publikuar dhe disa jo. Mendojmë se, nuk do ta teprojmë në qoftë se themi se ‘Bleta Mjekësore’ është nga veprat e pakta që nderojnë Atdheun tonë dhe që u japin ndihmë të vyer kolegëve të z. GUDHA dhe publikut të gjerë. Në faqet e ‘Bletës Mjekësore’ lexojmë me kënaqësi shumë studime me të cilat z. GUDHA përpiqet të çrrënjosë nga mendja e njerëzve të thjeshtë shumë bestytni që tregoheshin shkatërruese për shëndetin dhe të luftojë sharlatanët, që tregojnë shkencën e Asklepit në dëm të gjësë më të çmuar, të njeriut. Kështu pra, ‘Bleta Mjekësore’ është një vepër, që ia vlen të mbështetet dhe, miqtë e progresit si dhe grekët jashtë vendit, duhet të kontribuojnë në të …”.       

3. “Studim mbi klimën e Athinës dhe ndikimin e saj në shëndetin, sipas zonave” nga A. N. GUDHA mjek. Botuar në V.6 të “Bletës Mjekësore”. Athinë, shtypshkronja e K. Antoniadhi.

Për një artikull të tij me titull “Mbi mrekullitë e Greqisë”, që e botoi tek “Bleta Mjekësore”(v. 3, f. 557-64), ku kritikonte Ministrin e Arsimit, Kristopulos, për gabimet e tij historike, si dhe për artikuj të tjerë tek gazeta “Minitoras” dhe tek “Revu des societe’s savantes”, ku flitej për “ngjarjet në shoqatën mjekësore”, GUDHA u denoncua me motivin se në revistën shkencore ka shkruar “artikuj politikë. Gjyqi u mbajt në Gjykatën e rrethit të Athinës më 19.11.1857 dhe gjatë tij: “ligjvënësi, z. Spiropulos dhe i akuzuari me argumentet e tyre logjike shkaktuan përshtypje të forta tek gjyqtarët dhe të pranishmit, duke vërtetuar se shkenca mund të mbrojë të drejtat e saj dhe ndaj politikës, pa interferuar në hallkat politike… pas një mbledhjeje të shkurtër gjyqi e shpalli të akuzuarin të pafajshëm dhe dhënia e vendimit shkaktoi një çlirim në sallë…”.

Në të njëjtin vit Dr. GUDHA, fal punës së tij shkencore në mjekësi njihet si “bashkëpunëtor i Shoqatës Mjekësore Perandorake në Stamboll”. Letra “lavdëruese”,  me të cilën sekretari i përgjithshëm i kësaj Shoqate (Narandis) i shpallte vendimin mjekut dhe gazetarit Anastas GUDHA të “Bletës Mjekësore”, ku citohet: “Shoqata mendon se kontributi juaj është i paçmuar për veprën tuaj, d.m.th për përparimin e mjekësisë në Lindje. I nderuar z. koleg. Konsiderojeni këtë post si shprehje e vullnetit të Shoqatës për të vlerësuar drejt aftësistë tuaja dhe pranoni konsideratat e  mia të larta personale”.

Më 27.12.1858 Dr.GUDHA merr një tjetër letër: “Grekdashësi i nderuar, z. A.Olexofi, Ambasador i Shkëlqesisë së tij, Perandorit të të gjithë rusëve, më deklaroi se Shkëlqesia e tij, Perandori, vendosi të shpërblejë veprat e mia shkencore dhe filologjike me medaljen e Shën Stanislaut…”.

***

Politikani

Arsyet, të cilat e shtynë Dr. Anastas N. GUDHA në politikë, i shkruan vetë: “asnjëherë nuk e desha dhe, duke qenë i sinqertë, nuk jam krijuar për të”. Por, ato nuk qëndrojnë vetëm tek incidenti për çështjen e kolerës me mjekun Vuros, mjekun personal te mbretit Othon. Ai, që më parë kishte marrë impulse negative nga qarqet mbretërore, të cilët shikonin tek ai një konkurrent potencial dhe që do t’i pengonte në të ardhmen në ambiciet e tyre.

Incidenti gjatë takimit të parë me mbretin Othon***.

Anastas GUDHA, pasi mori çmimin për përkthimet e veprave të Skomelit dhe Ofelandit, pati ftesë takimi nga mbreti Othon. Dr. Anastasi librat e tij i ambalazhoi me kujdes dhe titujt e librave i punoi me ar dhe, me kënaqësi, ia çoi mbretit Othon për dhuratë. Mbreti Othon e pranoi dhuratën, sigurisht, por ishte shumë paragjykues kundrejt GUDHËS.

Mbreti Othon e pyeti GUDHËN rrëmbimthi: “Nga jeni?”

Anastas GUDHA, pa mbaruar mirë pyetjen Othoni, iu përgjigj: “Nga Epiri”.                  

Mbreti shtoi: “Është i çuditshëm fakti, që të gjithë ju  kërkoni të vendoseni në Athinë dhe nuk shkoni në vendlindjet tuaja…”.                                                                                      

Dhe takimi mbaroi… GUDHA u largua i trishtuar dhe i zhgënjyer “me hidhërimin, që iu grumbullua brenda vetes”.

 

Pak nga konteksti historik i kohës

*** Mbreti i Greqisë Othon

Në 27 shtator të 1831 Joanis Kapodistria vritet në një nga rrugët kryesore të Nafplios. Vendi zhytet në një cikël të ri luftrash civile. Shumë shpejt bëhet e qartë se, përpjekjet e kryeqeveritarit të parë grek për formimi e një shteti të ri, të fuqishëm e të pavarur do të bien në humnerë. Grekët nuk mund të qeverisin vendin e tyre. Të ngulitur në periudhën e perandorisë osmane, ata nuk mund të shohin përpara. Përpiqen të mbajnë privilegjet, që gëzonin deri tani dhe i kundërvihen çdo përpjekje për të formuar një shtet të ri drejtësie. Por, qeveritë europiane i kanë marrë vendimet e tyre në lidhje me të ardhmen e vendit. E vetmja zgjidhje është të gjejnë një udhëheqës dhe një ideologji, që të bashkojë grekët. Ka ardhur ora të formojnë mbretërinë e Greqisë.

Ludvig (Ludovik) i parë, monarku i Bavarisë e adhuronte Greqinë e lashtë. Një ndër planet e Ludovikut është ta kthejë Mynihun në Athinën e Bavarisë. Në shkollat e mini –shtetit, mësimi i greqishtes së lashtë është i detyrueshëm. Deri në 1830 Bavaria është bërë zemra e grekofilisë dhe Mynihu ngjan më shumë me një qytet grek, se sa vetë Athina. Piktorë bavarezë, të shtyrë nga Ludoviku, udhëtojnë në Greqi, frymëzohen nga e kaluara klasike dhe e pasqyrojnë atë sipas prirjeve romantike të kohës. Njërit prej piktorëve, Peter fon Hes, Ludoviku do t’i ngarkonte një detyrë më të veçantë. Të pasqyronte heronjtë e 1821,  janë deri më sot pikturat më të njohura të kryengritjes greke.

Otto, Princi i Bavarisë, ishte djali i dytë i mbretit Ludovik të Bavarisë. Otto u shpall mbreti i parë modern i Greqisë në vitin 1832 nën Konventën e Londrës dhe Greqia u bë një mbretëri e re, e pavarur, nën mbrojtën e Fuqive të Mëdha (Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Perandoria Ruse).  Ai hipi në fronin mbretëror të sapo krijuar të Greqisë, kur ishte akoma në moshë minorene, pa mbushur mirë moshën 18 vjeçare. Otto erdhi në Greqi së bashku me 3.500 ushtarë dhe 3 këshilltarë nga Bavaria. Kur arriti moshën madhore Otto hoqi këshillin dhe sundoi si një monark absolut. Kur Otto u shpall mbret ai u premtoi Fuqive të Mëdha se, nuk do ndërmerrte veprime armiqësore ndaj Perandorisë Otomane. Fuqitë e mëdha këmbëngulën që, titulli i tij të ishte “Mbret i Greqisë” dhe jo “Mbret i Grekëve”, sepse kjo e fundit do të përfshinte dhe miliona grekë, që ishin ende nën sundimin turk. Ai u përshtat menjëherë në këtë shtet, duke veshur kostumin kombëtar grek dhe duke e helenizuar emrin e tij në “Othon”.

Politika e Greqisë në këtë epokë bazohej në marrëdhëniet, që kishte ajo me Fuqitë e Mëdha dhe, aftësia e Ottos, për të ruajtur mbështetjen e fuqive të mëdha, ishte çelësi i qëndrimit të tij në pushtet. Sundimi i Ottos zakonisht ndahet në tre periudha: Vitet e Regjimit: 1832-1835, Vitet e Monarkisë Absolute: 1835-1843 dhe Vitet e Monarkisë Kushtetuese:1843-1862. Von Armansperg ishte presidenti i Këshillit privat të mbretit dhe përfaqësuesi i parë (Kryeministër) i qeverisë së re Greke. Pjesëtarët e tjerë të këshillit ishin Karl von Abel dhe Georg Ludwig von Maurer me të cilin von Armansperg kishte shpesh përplasje. Pasi mbreti arriti moshën madhore në vitin 1835 von Armansperg u emërua si Sekretar.

Mbretëria e Bashkuar dhe Banka Rothschild, të cilat i jepnin hua Greqisë, këmbëngulën për rreptësi financiare nga ana e Armansperg. Së shpejti, grekët nisën të paguanin më shumë taksa, sesa në zgjedhën turke. Grekët tani kishin ndërruar një tirani të urryer Otomane, me një qeveri burokratike, të cilën e përçmonin. Otto, duke qenë një Katolik Roman, shihej si heretik nga shumica e grekëve. Heronj dhe drejtues të Revolucionit Grek si Gjenerali Theodoros Kolokotronis dhe Yiannis Makriyiannis, të cilët kundërshtonin sundimin Bavarez u akuzuan për tradhëti, u futën në burg dhe u dënuan me vdekje. Por, ata u falën më pas nën presionin e popullit, ndërsa gjykatësit grekë, të cilët i bënë ballë presionit bavarez refuzuan të firmosnin dënimet me vdekje, duke u përshëndetur nga populli si heronj.

Pas një viti Otto e lëvizi kryeqytetin nga Nafplion në Athinë. Në atë kohë Greqia kishte një popullsi prej 4.000-5.000 personash, të vendosur kryesisht në zonën, që sot njihet si Plaka në Athinë. Athina u zgjodh si kryeqyteti i Greqisë për arsye kulturore dhe sentimentale, jo sepse ishte një qytet i madh. Detyra e tij e parë si mbret ishte të bënte një studim te detajuar arkeologjik dhe tipografik të Athinës. Ai caktoi Gustav Eduard Schaubert dhe Stamatios Kleanthis për ta përmbushur këtë detyrë. Rrugë dhe lagje të Athinës marrin emra filozofësh të lashtë, emra heronjsh dhe dramaturgësh antikë. Çdo gjë, që kujton Greqinë e lashtë, bëhet simbol i shtetit të ri. Athina, u krijua një qytet modern dhe u ngritën ndërtesa publike. Trashëgimitë më të mira të kësaj kohe janë: Universiteti i Athinës (1837), Universiteti Politeknik i Athinës (1837), Kopshtet Kombëtare të Athinës (1840), Biblioteka Kombëtare e Greqisë (1842), Pallati i Vjetër Mbretëror (tani parlamenti, 1843), Ndërtesa e vjetër Parlamentare (1858). U ndërtuan shkolla dhe spitalet në të gjitha territoret nën sundimin grek.

Gjatë qeverisjes së tij, Mbreti Otto e gjeti veten përballë një sërë problemesh periodike si: mosmbështetja nga populli grek, pasiguria financiare dhe problemet me kishën. Partitë greke në kohën Othoniane ishin të bazuara në dy faktorë: në aktivitet politike të përfaqësuesve diplomatikë të Fuqive të mëdha dhe përshtatja e figurave politike greke me këto përfaqësi diplomatike. Makinacionet politike të Fuqive të Mëdha ishin personifikuar me tre të dërguar në Athinë: Francezi Theobald Piscatory, Rusi Gabriel Catacazy dhe Anglezi Edmund Lyons. Ata informonin vendet e tyre mbi aktivitetet e grekëve, duke i shërbyer njëkohësisht si këshilltarë partive aleate greke. Këshilltarët e tij, Armansperg dhe Rundhart përdorën një politikë shtypëse ndaj manastireve. Kjo i shkaktoi shumë pakënaqësi hierarkisë së kishës. Sipas traditës, që zë fill që nga epoka Bizantine, mbreti quhej prej Kishës si pjesë e drejtuesve të saj. Mbreti Otto nuk pëlqehej nga Kisha Ortodokse dhe nga populli prej faktit se ai ishte Katolik Roman. Toleranca ndaj feve të tjera gjeti mbështetje në disa Parti Angleze dhe nga të tjerë të edukuar në Perëndim, duke e quajtur këtë si simbol të progresit të Greqisë drejt të qenit një shtet liberal Evropian. Në fund, pushteti mbi Kishën dhe edukimin iu la në dorë Rusisë, ndërsa mbreti mbajti të drejtën e vetos mbi zgjedhjen e peshkopëve. Kjo u bë për balancë dhe për të shmangur diskreditimin e Greqisë në sytë e Evropës Perëndimore si një shoqëri e prapambetur dhe intolerante nga ana fetare. Edhe pse Mbreti Otto u përpoq të funksiononte si një monarki absolute, dhe, si ka shkruajtur Thomas Fallant: “ai nuk ishte mjaftueshëm i pamëshirshëm sa për tu pasur frikë, as i mëshirshëm sa për tu dashur, por, dhe as kompetent i mjaftueshme për tu respektuar”.

Në vitin 1843 pakënaqësia popullore kishte arritur përmasat e një krize dhe kishte kërkesa për një Kushtetutë. Si fillim Otto refuzoi të miratonte një Kushtetutë, por, sapo trupat ushtarake gjermane u tërhoqën nga mbretëria, një revolt popullore nisi. Në 3 shtator 1843, këmbësoria e drejtuar nga Kolonel Dimitris Kallergis dhe kapiteni i respektuar revolucionar dhe ish presidenti i Këshillit të  Qytetit të Athinës, Gjenerali Yiannis Makriyiannis u mblodhën në sheshin përballë Pallatit të Athinës. Me ta u bashkua popullsia e kryeqytetit. U kërkua që, në Këshill të kishte përfaqësi greke, të formohej një Asamble Kombëtare dhe që mbreti Otto të falënderonte personalisht drejtuesit e kryengritjes. Tani, që trupat ushtarake gjermane ishin larguar, mbreti Otto ishte i detyruar të pranonte kërkesat e turmës. Sheshi, ku u mblodhën revoltuesit  mori emrin Sheshi i kushtetës për të kujtuar ngjarjen e shtator 1843. Prestigji i mbretit, i cili bazohej kryesisht mbi mbështetjen e Fuqive të mëdha, por sidomos të Britanisë, po binte…

Në 1836-37 Otto vizitoi Gjermaninë dhe u martua me bukuroshen e talentuar 17 vjeçare, Duchess Amalia of Oldenburg. Martesa nuk u zhvillua në Greqi, por në Oldenburg në 22 nëntor 1836.  Nga martesa nuk dolën trashëgimtarë dhe mbretëresha u bë jopopullore, duke ndërhyrë dhe në punët e qeverisë. Në vitin 1861, një student i quajtur Aristeidis Dosios u përpoq të vriste Mbretëreshën Amalia. Otto nuk ishte besnik ndaj gruas së tij dhe kishte një lidhje me Jane Digby, një grua famëkeqe, të cilën i ati i tij e kishte pasur më parë si dashnore. Otto adoptoi një djalë të quajtur Manoli Tangas, cili vinte nga Sarakatsani. Djali u soll në Athinë dhe vazhdoi të qëndronte aty edhe pas migrimit të Ottos në vitin 1862. Gjatë një vizite në Peloponez në vitin 1862 një grusht i ri shteti nisi dhe kësaj here u formua një qeveri provizore dhe u thërrit Konventa kombëtare. Ambasadorët e Fuqive të Mëdha i kërkuan Mbretit Otto të mos bënte rezistencë. Mbreti dhe mbretëresha u strehuan në një luftëanije angleze dhe u kthyen në Bavari në të njëjtën mënyrë, që kishin ardhur në Greqi. Pas vdekjes së tij, në vitin 1867, duke qënë se, Mbreti Otto nuk kishte pasardhës të ligjshëm, froni mbretëror i Greqisë kaloi tek vëllai më i madh, Princi Luitpold. Pas vdekjes së Luitpold-it, duke qenë se Mbreti Ludvig III hoqi dorë nga e drejta e fronit të Greqisë, në krye erdhi djali i tij i dytë Princi Leopold.

***

Anastas N. GUDHA do të vazhdojë me publikimet e tij kundër politikës së Othonit, të cilat ishin arsyet e peripecive të tij të mëparshme.

Anastas N. GUDHA në vitin 1858 shkruan: “Kur shumë familje vuanin nga të këqijat e pushtimit (nënkupton trupat aleate, Maj 1854- Shkurt 1857), nga uria dhe plaçkitjet, Othoni, i nxitur nga ‘“besnikët’ e tij, festoi ‘me ekzibicionizëm dhe luks’ 25–vjetorin e ardhjes së tij në Greqi. 300 shtylla kartoni, imitime të shtyllave të Korinthit të lashtë, u ngritën rrëzë Parthenonit, si dhe u ngritën flamuj dhe zbukurime me beze të panumërta. Me hidhërim dëgjuam një prej arkeologëve të përkushtuar të thotë se, lufta e grekëve solli vetëm shkatërrim, ndërsa,  ato që gëzojmë sot, i kemi vetëm nga kujdesi i Othonit. Pra, ky shpenzim është i justifikuar…”!?

Këto shpenzime të fondeve publike në shfaqje dhe me ballo të shtrenjta dhe fjalët e mësipërme të servilit të oborrit e shtynë Anastas GUDHËN të shkruajë dhe të botojë nën inicialet A. B. “Kujin e Suliotit”, “poemë në trajtë rapsodie, me vargje rimuese, duke ironizuar keqqeverisjen dhe duke himnuar sakrificat e luftës”. Kjo poemë, “produkt i një fantazie të ushqyer nga dëshpërimi”, lindi tek studentët e Athinës idenë e mosmbajtjes së kapeleve të huaja, por, “kapele kashte të thjeshta të prodhuara në Sifno, mbi të cilat kishte një kordele pambuku me ngjyrat kombëtare…”. “Kuji i Suliotit” u bë shkak për protestat studentore “të kapeleve”, siç u quajtën, më 10-11.5.1859.

Ky veprim i studentëve, që synonte t’i jepte një mësim thjeshtësie Pallatit, i ngjalli mbretit Othon dyshim se, po ziente një revoltë kundër tij. I shtyrë nga këshilltari i tij, ai vendosi ta shtypë revoltën patjetër. Të rinjtë u keqtrajtuan publikisht nga policët dhe kapelet e tyre u shkatërruan. Ky, i ashtuquajtur nga obortarët “skandal i kapeleve”, 10. 5. 1859, mori përmasa të mëdha dhe, që atëherë shtypi antimonarkik filloi sulme të forta dhe të hapura kundër mbretit Othon.

Me largimin e trupave pushtuese (15.2.1857) u shfaqën në skenën politike njerëz të rinj, si A. Kumundhuros, Th. Zaimis etj, të cilët kishin ide demokratike dhe tendenca antimonarkike.

Në krye të kësaj lëvizjeje ishin studentët e Universitetit.                                           

Më 11 gusht 1860 GUDHA publikon në gazetën e tij “Pavarësia” një artikull me titull “Greqia” dhe nëntitull “Ndjenja e përgjithshme e gjendjes sonë”. Ky artikull i panënshkruar u konsiderua si aludues ndaj Mbretit. Në artikull citohej:

“Përgjegjës për gjendjen e sotme të mjeruar të vendit nuk janë grekët, që kohë pas kohe kanë qenë në pushtet, sepse ata lindën nga lufta dhe me forcat e tyre krijuan trupa dhe flotë të fortë, që me operacionet e tyre luftarake ndaj turqve ngjallën simpatinë e  fuqive të mëdha evropiane, duke fituar respektin e tyre. Nuk duhet të konsiderohen përgjegjës grekët, sepse ata u detyruan të emigrojnë në Mesë dhe, aty ku shkuan kanë kapur pozicione të rëndësishme… Ata që mbetën, të cilët u përpoqën të bëjnë diçka, u ndeshën me pengesa të vazhdueshme, u shtypën dhe nuk i lanë të punojnë… Ata, të cilët patën poste publike, si ministra, apo nëpunës, ose u shkatërruan, ose humbën dinjitetin, duke rënë viktima të komploteve të ulta… Shumica e tyre nuk ishin njerëz rastësorë, por ajka e kombit grek…Por atëherë, në qoftë se i thoshin Karaiskaqit p.sh. që të bëhej ministër, ose Xhavellës që të bëhej kryeministër, apo një mjeku që të bëhej ministër i ushtrisë, të gjithë do ta quanin këtë të çmendur, apo armik kryesor të tyre. Por, çuditërisht, pas fitores, edhe pse ka qenë Kryeministër një emër i njohur, Ministra Arsimi emëroheshin injorantë të pashkolluar dhe Ministra të Flotës njerëz që nuk e dinin ku ishte deti. Kështu, pra, samarxhiun e vinin të rregullonte orën, orëndreqësin të bënte këpucë, këpucarin të qepte rroba…Këto gjëra, nënkuptohet, që bëheshin në kundërshtim me vullnetin grek. Në radhë të parë, se Kryeministrat nuk i zgjidhnin dot ministrat e tyre, siç ndodh në vendet e tjera, ata u imponoheshin. Në radhë të dytë, është e pamundur të mendojmë se këta burra ishin të kënaqur, duke pasur ministra dhe nëpunës të lartë njerëz krejt të pavlerë, fundërina të shoqërisë… Është e pamundur të mendojmë se këta burra bënë kaq zgjedhje të gabuara, sepse kjo është e barasvlefshme me tradhëti ndaj Atdheut… Por në periudhat kryesore të Kryeministrave të famshëm kanë ndodhur të zezat më të mëdha në shoqërinë tonë…”.

Dhe përmend ndër të tjera veprën e Kapodistrias ndaj këtyre burrave, i cili: “Ruajti nderin dhe krenarinë e kombit, ruajti ushtri dhe flotë, fitoi beteja, ndërtoi institucione publike, duke pasur tre-katër milionë dhrami të ardhura, ndërsa tani me 23 milionë dhrami të ardhura, s’kemi as ushtri, as flotë…Gjatë luftës dhe qeverisjes së Kapodistries, emri i Grekut ishte i respektuar kudo në botë, ndërsa tani është i barasvlefshëm me kusar apo hajdut. Gjatë luftës vlerësohej nderi dhe dënohej ligësia, ndërsa sot është krejt e kundërta…Gjatë luftës emri i Austrisë ishte më i urryer se ai i Turqisë, ndërsa sot për Austrinë sakrifikojmë gjithçka. Gjatë luftës shpirtrat e të rinjve digjeshin për Atdheun dhe për lirinë…Sot quhen si rrugaçë ata që nuk janë të fjetur, ata që nuk servilosen dhe që ruajnë dinjitetin e tyre. Por, për fat të mirë, këto ka kohë që janë kuptuar nga populli dhe ne jemi vetëm zëri i shpirtit të shoqërisë kundër shkaktarëve të kësaj gjendjeje, të cilët të gjithë i quajnë me një fjalë “Sistemi, armiku më i egër i Greqisë; sipas popullit, ai që e ka dëmtuar atë më shumë se cilido armik i jashtëm apo i brendshëm është –Sistemi -… Kjo frymë, gjithçka për të huajt dhe asgjë për Greqinë, po helmon prej kohësh vendin dhe për këtë ka shumë shembuj “shpërbërja e manastireve dhe shitja në ankand e vendeve të shenjta, dënimi me vdekje i Kolokotronit dhe Plaputës dhe burgosja e të gjithë atyre që çliruan kombin dhe e mbështetën Fronin, mënjanimi i njerëzve më me vlerë të vendit dhe transferimi i tyre “Në thërrimet e Bavarisë”, përçarja e popullit, shfrytëzimi banal i Idesë së Madhe, poshtërimi i heronjve të luftës dhe quajtja e tyre hajdutë. Kjo gjë e varrosi të gjallë Matrijanin; tek shihte që armiqtë e kombit administronin pasurinë e tij, shto shpifjet, falsifikimet dhe “kaq gjëra kundër tij pa e rimarrë veten, duke kërkuar nga shoqëria ta kuptojnë drejt”. Dhe përfundon: “Këto po ndodhin sot dhe jemi në dijeni të gjithë. Nuk duam të vazhdojmë kështu. Duam të shërohemi”.

Në burgun e Garbolas

Dhjetë ditë pas botimit gazeta u konfiskua dhe Anastas Gudha u burgos, duke u konsideruar si autor i shkrimit. Lajmin e arrestimit e publikuan të gjitha gazetat e Athinës. Menjëherë, një ditë pas 23. 8. 1860, gazeta “Avji” shkruan: “Dje pasdreke u bë një kryekontroll në shtëpinë e mjekut, z. A.GUDHA, dhe më pas u mor në pyetje dhe u çua në paraburgim në burgun e Garbolas, i akuzuar se në numrin e Gushtit të “Pavarësisë” ofendoi tërthorazi figurën e shenjtë të Mbretit. Burgosja e tij shkaktoi dhimbje në opinionin publik dhe na vjen keq që pushteti zgjodhi si viktimë një burrë të ndershëm, larg këtyre veprimeve. Gazeta ka si kryeredaktor E. Livanjon dhe jo atë, që policia e rrëmbeu nga familja e tij dhe e mbajti në burg. Duke pasur parasysh moralin e gjyqtarëve, nuk dyshojmë se gjyqi do t’i japë pafajësinë…”.

Tri ditë më pas “Eon” publikon gjithashtu lajmin: “Mjeku, z. A. GUDHA u arrestua të dielën në darkë (21.8.1860), u paraburgos sipas urdhrit të hetuesisë për keqpërdorim të shtypit, sepse tërthorazi ofendoi figurën e Mbretit. Artikulli i botuar tek “Pavarësia” (11.8.1860), e konfiskuar para disa ditësh, u konsiderua se kishte për autor GUDHËN. Për këtë po zhvillohen hetime dhe ai, rrjedhimisht, u paraburgos”. Në vazhdim, gazeta kritikon pushtetin për përndjekjen ndaj shtypit dhe mënyrën e arrestimit të mjekut Anastas GUDHA, që të bën të mendosh: “…se ka dalë vendim për shkatërrimin e shtypit, aty ku shpata bavareze nuk mundi të thyente…”.                  

Tre muaj pas arrestimit të tij, më 17 nëntor, Anastas GUDHA doli para gjyqit. Ishte një gjyq parodi, pasi u përjashtuan nga trupi gjykues të gjithë anëtarët e shkolluar “që ishin në gjendje të kuptonin dhe të gjykonin artikuj gazete” dhe u emëruan të tjerë “nëpunës publikë dhe servilë”. Ata bënë gjithçka që GUDHA të dënohej patjetër “si kundërshtar i Mbretit”.

Mbreti Othon, “duke dëshiruar të poshtërojë epiriotin e pabindur”, i transmetoi se, duhej, që ai t’i paraqiste kërkesë për falje dhe, pas kësaj, jo vetëm që do ta falte, por do t’i jepte edhe postin e lirë pas vdekjes së Prof. Lefkia në Nosologjinë e Përgjithshme. Mbreti Othon kish premtuar: “pasi të dënohet, t’ia fal dënimin”.                                                   

Anastas GUDHA u dënua me një vit burgim dhe 100 dhrahmi gjobë edhe pse, juria e rekomandoi për falje edhe pas kërkesave të qytetarëve të Athinës dhe Pireut, Othoni nuk u lëkund, por dhe  GUDHA nuk u tërhoq, siç shkruan vetë më vonë: “Meqenëse nuk mund të ulesha në atë nivel, jo vetëm të poshtërohesha, por as që të pranoja që unë kisha  gabuar, duke patur bindjen se shkrimet synonin vetëm në parandalimin e vuajtjeve…”. I dënuari, Dr. Anastasi e kreu të plotë dënimin.

Gjyqi i Anastas GUDHËS u komentua gjerësisht nga grekët e Greqisë së lirë. Vet ai shkruan një artikull nga burgu i Garbolës, që u botua tek “Eon” më 26.11.1861.

“I nderuar z. koleg  i “Eon”!

Disa nga bashkëkombësit tanë jashtë shtetit më kritikuan, ndoshta sepse, duke qenë shkencëtar dhe autor veprash shkencore, si dhe pronar tokash, u përzieva në politikë dhe për këtë gjendem në burg. Për të sqaruar pozicionim tim, ju lutem, pranoni të publikoni të mëposhtmet: Isha unë ai që mbrojta i pari disertacionin në Universitetin Grek, i pari ndër ata që studiuan aty, që ndjeu nevojën të përmbushë detyrën e shenjtë, duke bërë të gjitha përpjekjet për kultivimin e shkencës. Dhe për këtë publikova, siç dihet, tetë vëllime me materiale të pastra shkencore. Disa nga këto vepra u ribotuan dhe morën çmimin e parë nga Këshilli Akademik. Pas kërkesës së këtij Këshilli, të përsëritur tre herë, Parlamenti vendosi të më japë nga buxheti 1000 dhrahmi në vit për publikimin e “Bletës Mjekësore”. Qeveria e pranoi vendimin, por nuk e zbatoi. Gjatë shpërthimit të parë të kolerës në Greqi, në Skiathos, u dërgova atje nga Qeveria për të ndihmuar të prekurit dhe për të kufizuar të keqen. Pas kryerjes së detyrës, shkëlqesia e tij, Mbreti, më shprehu publikisht mirënjohjen mbretërore për veprën time humane dhe shkencore. Gjatë shpërthimit të dytë të kolerës në Pire dhe Athinë shkova për të shërbyer vullnetar, duke rrezikuar shëndetin, pa u fshehur në shtëpinë time, siç bënë të tjerët. Por u ofendova  thellësisht. Mjeku ( Vuros), që u arratis në Aleksandri, kur u kthye pas pushimit të kolerës, u emërua profesor në Universitet, pa pasur aftësitë e nevojshme, pa provime dhe pa arsye. Mjeku që u mbyll në shtëpi, duke braktisur krejtësisht shoqërinë e goditur nga kolera, pa pikë etike mjekësore, vari në qafë një medalje të madhe për punën e tij rezultative në sëmundjet infektive dhe epidemike (!).

Të gjithë mjekët e tjerë, që shërbyen në atë kohë kundër kolerës, u shpërblyen materialisht dhe moralisht. Vetëm mua, në momentin kur shumë gazeta evropiane përkthenin dhe publikonin me lëvdata artikuj nga “Bleta Mjekësore”, vetëm mua, përsëris dhe përsëris, kryemjeku i Mbretit, z. Vuros, më përndoqi atëherë publikisht përpara Kryeministrit, duke e siguruar atë, se, shkruaj artikuj tek “Bleta Mjekësore” që çnderojnë Kombin. Në këtë periudhë, Shkëlqesia e tij, Perandori i Rusisë, më nderoi me medalje të çmuar për veprat e mia shkencore dhe letrare. Përgjegjësi i Bibliotekës së Mbretit, z. Filipos Joanu, më lajmëroi me një letër dekurajuese ndalimin e abonimit vjetor prej 70 dhrahmi nga buxheti i shtetit për “Bletën Mjekësore”. Njëkohësisht u botuan dhe shkresa zyrtare, në të cilat urdhërohej ndalimi i “Bletës Mjekësore”.

Këto të gjitha më detyruan, para shumë kohësh, të tërhiqesha në jetën time private, në jetën prej fermeri. Por, siç duket, edhe këtu do të duhej të pija deri në fund gotën e hidhërimeve. Sipas ligjeve të shtetit, çdo makineri bujqësore e sjellë nga jashtë nuk paguan doganë. Duke e ditur këtë, solla nga Marseja një makineri të çmuar, me anë të së cilës ktheva në tokë pjellore njëqind dynym tokë të shkretë përreth Athinës. Ish-ministri i Ekonomisë më kërcënoi me burg që të paguaja për të doganë të shumëfishuar prej 15%.

Ky represion i padrejtë, më shtyu në politikë, ku publikova anonim disa artikuj për të tërhequr vendimin e Ragavinonit. Kritikova qëndrimin jokombëtar të Qeverisë. Ndërsa në thelb protestoja për fajësimin e padrejtë të grekëve për situatën e krijuar dhe si shembull përmenda grekët e ndritur jashtë vendit. Armiqtë e mi, për t’më shkatërruar, madje, në periudhën e të korrave në tokat e mia, e konsideruan këtë protestë patriotike si fyerje të tërthortë ndaj Mbretit… Me konsiderata të larta Anastas N. GUDHA, Redaktor i “Bletës Mjekësore”.

Ndërkohë, Anastas GUDHA, për shkak të përndjekjeve të vazhdueshme ndaj “Bletës Mjekësore” nga një pjesë e organeve qeveritare, ndërpreu botimin e saj si dhe ushtrimin e profesionit të tij: “u tërhoqa në jetën private, dhe jetën ta kaloja në fermë”. Pra, u mor me kultivimin e pronave të shumta të tij  përreth kryeqytetit (prona nga ana e gruas së tij Orsa****).

(****Orsa quhej gruaja e Anastas GUDHËS. Orsa ishte nga familja  Haxhinikolau – Stomaqi. Ajo ishte vajzë e vetme dhe mbesë e Paleologo Venizelos. GUDHA u martua me të pasi u kthye nga Parisi (1850) dhe patën 7 fëmijë. Kur Anastasi ishte në burg, mjeku personal i mbretit, Dr. Rezeri iu drejtua Orsas që ta bindëte Anastasin, që t’i kërkonte të falur mbretit dhe mbreti do ta nxirrte Anastasin nga burgu. Orsa,  reagoi jo vetëm me karakter ndaj kërkesës së  Rezerit, por i qëndroi të shoqit në krah gjatë gjithë peripecisë së tij. GUDHA shkruan: “Edhe pse në burg ndalohej materiali për të shkruar, bashkëshortja ime ma siguronte gjithmonë dhe shkroi një broshurë nën udhëzimet e mia, të cilën e botoi anonime në Zaqintho. Broshura kishte titull ‘Gjendja kritike në Lindje dhe sidomos në Greqi’. Broshura u shtyp në shumë kopje dhe njërën prej tyre ia dërgoi Mbretit në një zarf…”.)

Më pas, Anastasi u aktivizua në qarqet antiqeveritare, edhe pse ishte tashmë 43 vjeç, duke botuar vazhdimisht, siç thotë vetë: “artikuj patriotikë për parandalimin e rreziqeve që i kanoseshin vendit nga Froni…Duke u inspiruar vetë nga parimet e Rilindjes Franceze dhe duke luftuar për forcimin e lirive individuale dhe të Demokracisë, ai përbënte opozitën jashtëparlamentare. Ishte ambienti i kryengritjeve popullore dhe i komploteve ushtarake, që çuan në Revolucionin e datës 11.10.1862 dhe në rrëzimin e mbretit Othon”.

Në këtë lëvizje demokratike, të njohur si “Rinia”, përveç të rinjve, që në shumicën dërrmuese vinin nga Universiteti, bënin pjesë dhe burra të pjekur, me influencë, si shkencëtarë, oficerë të vegjël, gazetarë, nëpunës etj.

Artikuj

“Gjendja e sotme e Lindjes dhe sidomos e Greqisë”, Zaqintho, nga shtypshkronja “Avji”, 1861 (32 faqe, autor A.GUDHA). Kjo broshurë kundër Othonit qarkulloi anonime në Zaqintho kur GUDHA ishte në burg. Për botimin e saj u kujdes librashitësi nga Athina N. Nakis që “shkoi atje për këtë qëllim”. Në radhët e kësaj broshure autori shpalos të gjithë mllefin dhe urrejtjen e tij kundër Othonit.

“Editorial për Greqinë “, Broshurë me 66 faqe, anonime. Botuar më 15.5.1862 në Zaqintho. Ajo fillon: “Marrim përsipër të shpalosim përpara Qeverive të interesuara dhe popujve të ndritur të Evropës gjendjen e vërtetë të Atdheut tonë dhe shkaqet e vërteta të revoltave të Nafplios dhe pjesës tjetër të Greqisë…”.

“Kërkesë drejtuar fuqive mbrojtëse të Greqisë dhe gjithë botës së civilizuar”. Korfuz 1862, Broshurë me 32 faqe e shkruar në greqisht dhe frëngjisht e nënshkruar, në emër të emigrantëve politikë në Zmirni nga mjeku A. N. GUDHA.

“Kërkesë e dytë drejtuar Fuqive mbrojtëse të Greqisë dhe gjithë botës së civilizuar”, Korfuz 1862. Ajo fillon me frazën: “Ç’ishte Greqia para Revolucionit, ç’u bë gjatë tij, ç’është sot dhe si do të ishte në qoftë se qeverisej mirë”. Më pas paraqet thënie të shkrimtarëve të mëdhenj evropianë për Greqinë dhe shpalos mendimet e tij. Në total broshura ka 48 faqe në greqisht dhe veç në frëngjisht dhe është nënshkruar nga GUDHA.

“Kërkesë e tretë drejtuar Fuqive mbojtëse të Greqisë dhe gjithë botës së civilizuar”, Korfuz 1862. Broshura doli me 28 faqe dhe ishte me përmbajtje totalisht anti Othon, si dy të parat. Në fund të saj thuhet: “Demoni i keq i Lindjes është Othoni dhe bashkëshortja e tij, e denjë për të. Le të largohen sa më shpejt këta të dy që të qetësohet populli dhe të lulëzojë Lindja…”. Botimi në frëngjisht me 31 faqe u botua në Paris, më 1862 nga E.Dentu, Librair – Editeur.

“Sugjerime për Shkëlqesinë e tij, Mbretin e ardhshëm të Greqisë” nga mjeku A. N. GUDHA. Athinë, shtypshkronja P.D.Sakellaris, 1863”. Broshura kishte 38 faqe në greqisht. Në fillim kishte thirrje për Mbretin, përshkruan karakteristikat kryesore të fronit dhe të popullit grek. U përkthye menjëherë në frëngjisht nga K. SUCO dhe qarkulloi me gjithë përkthimin “dy muaj para zgjedhjes së Xhorxhit si Mbret i Grekëve”.

Më 1864, GUDHA riboton “Bletën e Athinës”, revistë e përmuajshme, e përbërë nga 3 fletë tipografike të formatit të madh, njëlloj si “Bleta Mjekësore”. “Bleta e Athinës” u botua për dy vjet (1864-65) dhe në total arrin pothuaj 1000 faqe të shkruara. Në vitin e parë, ndër shkrimet më të rëndësishme, përmendim: “Kërkime mbi shkaqet e mosshtimit të popullsisë në vendet e Lindjes. Mbi përdorimin nën lëkurë të Kininës për trajtimin e Etheve rrekurente. Për korporatat. Mbi edukimin fizik dhe moral të fëmijve në popujt e Lindjes. Mbi transformimin e ujit në pasuri… Mbi shoqëritë agrare. Mbi terapinë me rrush. Mbi fitimin e të ardhurave nga pambuku. Mbi pyjet dhe rrugët.” Vitin e dytë boton: “Mbi cilësinë e jetës dhe shëndetin nga këndvështrimi ekonomik. Mbi pasuritë e pashfrytëzuara në Greqi. Mbi shoqatën detare të Siros. Mbi kolerën. Mbi Ethet dhe terapinë e tyre me ekstrate të kininës, “Mbi kolerën, studime 1, 2 dhe 3 drejtuar Akademisë Mjekësore të Parisit, në greqisht dhe frëngjisht. Athinë 1865”.

Editorial mbi trajtimin adekuat të kolerës dhe etheve rrekurente” u botua dhe në frëngjisht. Ky studim i drejtohet Presidentit të Shoqatës Mjekësore të Athinës dhe Presidentit të Akademisë Mjekësore Perandorake të Parisit. “Memoire sur un traitement le plus convenable contre les fievres intermittentes et la cholere – morbus”, par le Dr. A. N. GOUDAS. Redacteur de l’Abeille d’Athenes, chevalier de la legion de ST. Stanislas. Athenes 1865”(“Kujtesë mbi një trajtim më të përshtashëm të Etheve dhe Kolerës” nga Dr. GUDHA. Redaktor i Bletës së Athinës, Kavalier i Legjionit të Shën Stanislas. Athinë 1865”).

Në faqen 2 të editorialit shkruan: “Fillova punën si mjek para 22 vjetësh në vendin ku kanë përhapje endemike ethet rrekurente në të gjitha format, edhe ato më atipiket. Studijova dhe kolerën në katër epidemi vdekjeprurëse, (në Skiatho, në Paris nën drejtimin e profesorëve Chomel, Trousseau, Benilau, Zobert- Dezambelle, në Pire dhe në Athinë, e cila ishte më vdekjepruresja). Arrita të botoja vërejtjet e mia, të cilat tërhoqën vëmendjen e mjekëve seriozë. Studimet e mia mbi Ethet u përkthyen dhe u botuan me komente pozitive në Shoqatën Mjekësore të Parisit dhe në Gazetën mjekësore të përjavshme të Parisit si dhe në botime të tjera shkencore të Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë. Studimet e mia mbi kolerën u përkthyen fjalë për fjalë dhe u botuan nga Shoqata Mjekësore e Berlinit më 23 Gusht 1865. Me këtë botim kolegu gjerman pati mirësinë të shtojë: – vërejtjet e mjekut z. GUDHA kanë seriozitet dhe etikë profesionale të zhveshura nga britmat ordinere, që lëshojnë shumë nga ne për të imponuar zbulimet tona”.

 

                                                                  ***

Filozof, shkrimtar

Anastas GUDHA nuk ishte vetëm mjek i shkëlqyer, i ashpër ndaj rregjimit të mbretit Othon, por edhe një filozof, humanist e shkrimtar i palodhur. Ai ishte ndër Epiriotët me krijimtarinë më të madhe të shek.XIX.

Është periudha, kur gjithë shkrimtarët dhe intelektualët grekë merren me problemin e vazhdimësisë së kombit grek, që u hap nga gjermani Falmerajer me teorinë e tij, i cili pretendon se grekët e rinj nuk kishin lidhje me të lashtët. (Në kohën kur mbretëria e Greqisë mundohet të mëkëmbet një historian bavarez, Falmerajeri, sjell në tavolinë një teori të re me qëllime dhe pikpamje të cilat drejtohen kundër monarkisë së vendit të tij. Qëllimi i tij ishte që të poshtërojë filogrekët e pamasë të monarkisë së vendit të tij. Falmerajeri petendon se grekët e sotëm si racë nuk kanë asnjë lidhje me grekët e lashtë. Falmerajeri solli në skenë historinë e  ndërmjetshme nga periudha e sundimit romak në Greqinë e lashtë deri te pushtimet sllave të shek të 6-të, dhe arritjen e shqiptarëve në Veri në shek e 14-të…

Në këtë periudhë Anastas N. GUDHA boton një broshurë politike “Lindja dhe Perëndimi nga sytë e një lindori, 1866-1867”, e cila qarkulloi anonime, e përkthyer në anglisht dhe frëngjisht, në Londër, Mançester, Athinë. Përmbajtja e saj u quajt “interesante”.                                              

Anastas N. Gudha, fal erudicionit e kulturës së tij të përgjithshme, patriotizmit e ndjeshmërisë së lartë sociale, pas kthimit nga Stambolli më 1868 do t’i përkushtohet tërësisht “JETËVE PARALELE”  për rilindjen e Greqisë nga burrat e shquar”. Vepër shumë e rendësishme me të cilën do të lidhet emri i tij, duke fituar mirënjohjen e historianëve dhe të të gjithë grekërve. Bashkëkohësit e quajtën “Plutarku***** i  ri i Greqisë”.

( ******Plutarku është historian dhe filozof grek, moralist i shquar dhe një nga njerëzit më të ditur të kohës së tij. Lindi në Herone të Beotisë në vitin 46 e. s dhe vdiq rreth vitit 120. Studioi dhe u edukua në Athinë në frymën e shkollës filozofike të Platonit. Plutarku një pjesë të madhe të kohës ia kushtoi studimeve. Janë ruajtur rreth 50 biografi të njerëzve të shquar të kohës antike greko-romake të titulluara “Vitae parallelae”, “Jetët paralele”).

Që tani e mbrapa, e gjithë energjia dhe shpirtmadhësia e Epiriotit të madh, do të shkonin ekskluzivisht për  veprën madhështore JETËT PARALELE”.  Në total ato shtriheshin në mbi 4000 faqe. Sipas veprës me të njëjtin titull të Plutarkut, vetë Anastasi e shpjegon: “… jo për ekzibicionizëm bosh, por për shkak të respektit të madh që kemi për Plutarkun e madh…”.

Kështu, nisi udhëtimi dhe shkrimi i JETËVE PARALELE.      

Gjatë shkrimit të veprës, GUDHA, me shpenzimet e veta, ndërmerr udhëtime brenda dhe jashtë Greqisë, në Turqi, në vëndet përgjatë Danubit, Rusi, Evropë Perëndimore, Egjipt etj, Ai vizitonte vëndet nga kishin kaluar heronjtë, biografonte dhe takonte të gjithë ata, që mund ta ndihmonin me të dhëna të vlefshme për të mbledhur informata të dorës së parë, dëshmive verbale dhe të shkruara direkt nga burimi. Për të parë me sytë e tij vendet ku jetuan të biografuarit, apo ato ku u zhvilluan ngjarjet historike të përshkruara. GUDHA e kishte zakon që kur mbaronte një nga vëllimet, e dorëzonte dorëshkrimin “tek kritikët kompetentë dhe tek miqtë personalë”, ose “tek njerëzit e afërm të personazheve të librit, të cilëve u kishte shkruar biografinë”, p.sh kur shkruante biografinë e Othonit, i kërkoi Mbretëreshës Amalia: “të justifikonte me dokumente ose verbalisht veprimet e bashkëshortit të saj”.

Në 1869 erdhi në dritë Vëllimi i Parë i veprës. Titulli i saj: Jetët paralele të burrave, që u shquan gjatë rilindjes së Greqisë”, nga Anastas N. GUDHA, Dr. i Shkencave Mjekësore, Kalorës i Legjionit të Shën Stanislaut, anëtar i Shoqatave të ndryshme shkencore.

Vëllimi i Dytë (1870) i dedikohet Mbretit Xhorxh (Mbreti Xhorxh I i Greqisë e gjeti pallatin mbretëror rrëmujë, pas ikjes me nxitim të Mbretit Oto. Ai filloi rregullimin dhe rinovimin e ndërtesës 40 vjeçare. Ai, gjithashtu, bëri të pamundurën të tregonte se, nuk influencohej shumë nga këshilltarët e tij danezë, duke përzënë dhe xhaxhain e tij. Shënim i autorit).  Pas parathënies së autorit dhe disa shkrimeve mbi arsimin në Greqi, përmban jetët e E. Vulgaris, N. Theotaqi, Adham Korai, Rigas Fereu, Theofil Kairi, Samuil Kugioti, La. Fotiadhi, Ko. Kuma, Ath. Psalidha, I. Jenadhiu, I. Nerulu dhe Apostol Arsaqi.

Vëllimi i Tretë (1870) i dedikohet Zapa: “Mik i nderuar dhe patriot i dashur, me kontributin e të cilit u shtyp libri”. Më pas përmban jetët e bamirësve kombëtarë: Zosmiadhëve, Risaridhëve, Zoi Kapllanit, Dh. Platigjeni, K. Ipliksi, I. Varvaqi, S. Dhumba, I. Stavru, Dh. Galanu, P. Treandafilidhi, N. Sturnari dhe E. Zapa.

Vëllimi i Katërt (1871) i dedikohet Ioanis Karamanga: “I cili u aktivizua në mënyrë të fuqishme për të mbrojtur interesat e helenizimit”. Ai përmban letrën dedikuese, parathëniet për rritje të mirëqenies dhe përhapje të kulturës, mendimet dashamirëse për veprat e kaluara dhe jetët e I. Sina, A. Vernadhaqi, I. Haxhikosta, Dh. Boma, M. Tosica, dhe vëllezërit e tij, Q. Kumbari, Kunduriotët, Botasevëve, Anargjirerëve dhe Topazëve.

Vëllimi i Pestë (1872), autori ia dedikon Princit Aleks. Dh. Muruzi dhe jetët e Skufa, Cakalou, Ksanthu, Agnastopulu, Seqeri, Leventi, Ppaftesa, Vlasopulu, Paparigopulu, Anagnostava, Perevu, Papadhiamantopulu dhe Olimbiu.

Vëllimi i Gjashtë (1874), pas parathënies, përmban jetët e Ipsilandeve, Maraziteve, I.Vulgaris, Mavromihaleve, Sucidheve, Mavrokordhateve, Koletit, Th. Negrit, Th Thanakari, V.Rufu, Zaimëve, A.Nucu dhe P.Krevata.

Vëllimi i Shtatë (1875) përmban pas parathënies jetët e politikanëve Kapodhistria, Mbretit Othon, me shtojcë: “Shënime, të cilat detyrohemi t’i paraqesim vetëm për t’u rrëfyer publikisht ndaj shpifjeve të bëra ndaj nesh dhe veprës sonë nga ish-Ministri i Arsimit Vlasopulos”, Metaksave, Trikupit, Delianëve, Notarave, Sisinive, Valtinove, Lidhorikove, Athineove, I. Panu dhe L. Logotheti.

Vëllimi i Tetë (1876), pas parathënies, që flet për ngjarjet në Suli dhe në Mani, përmban jetët e heronjve të tokës: Grigoraqëve, Boçarëve, Kolokotronëve, Andhrucëve, Petmezave, Xhavelëve, Panurjave, Dhivanjotëve, Xhaxhipetrat, Meletolopulu, Traqeve, Trapaqeve, Thanasi Dhjakos dhe Thanasi Karpenisiotit. Me botimin e Vëllimit të Tetë (Mars 1876): “Më të rëndësishmit, siç thotë, nga të gjitha ato që ka botuar… që u botua totalisht me shpenzimet e autorit“, botimi i mëtejshëm i veprës ndaloi, edhe pse kishte marrë premtime nga shumë njerëz.

Vepra të pa përfunduara.

Veprës i duheshin edhe katër vëllime për t’u përfunduar. Siç përmend vetë autori: Vëllimi i Nëntë ishte gati për t’u shtypur dhe përmbante katër biografi të heronjve të lindur në Greqinë e lirë, katër nga Kreta dhe katër të lindur në provincat greke nën sundimin turk”. Ai kishte materiale të grumbulluara edhe për 12 biografi të heronjve të detit për në Vëllimin e Nëntë dhe 24 biografi të tjera të heronjve të shumtë të tokës për në Vëllimin e Dhjetë dhe të Njëmbëdhjetë. Të Dymbëdhjetin ia dedikonte grekdashësve, që siç thotë vetë: “Edhe jetët e atyre, që kontribuan pa shumë zhurmë edhe nga poste të vogla.

Epilogu

Vepra e  Anastas N.. GUDHA, nuk ishte vetëm në shenjë mirënjohjeje për heronjtë e 1821-it, por edhe një vepër dashurie për grekët e rinj, duke u përpjekur t’u japë atyre shembuj për t’u ndjekur.

1869 ai boton Vëllimin e Parë të veprës dhe deri në vitin 1876 vazhdon ritmikisht një vëllim në vit, duke botuar edhe 7 të tjerë. Veprën e fundit, të tetën e boton “me shpenzimet e tij”, pasi kërkesat e tij për financim, drejtuar Qeverisë, Bashkive dhe shoqatave nuk dhanë rezultat. Në të njëjtën periudhë kishte gati për botim vëllimin e nëntë me 14-16 biografi, si dhe materiale të grumbulluara për tre të tjerë dhe për përfundimin e veprës së tij. Por kjo punë e mundimshme, rezultat i të cilës ishte shkrimi dhe botimi i 8 vëllimeve, ndaloi tashmë, sepse, siç thotë vetë: Në parathënien e vëllimit të 6-të “Jetët paralele” shkruan: “Harxhova djersën që kisha derdhur për 30 vjet, duke ushtruar profesionin e mjekut. Sigurisht, gjendja jonë e tanishme, pas 30 vjet punë, nuk është aq e admirueshme, sa të nxisim dhe të tjerët të ndërmarrin vepra të tilla edhe më të perfeksionuara. Nga dita në ditë rrezikojmë të pllakosemi nga shtëpia e rrënuar e bashkëshortes, duke mos i lënë familjes as shpenzimet e varrimit. Por ngushëllohemi se, përveç 7 fëmijëve dhe bashkëshortes sime Orsa, nuk dëmtuam asnjeri, asnjëherë nuk morëm rrogën e pamerituar dhe nuk cënuam njeri edhe pse u përpoqën të na cënonin.Në qoftë se ne s’do të jemi më, gruaja dhe fëmijët do të ndiejnë hidhërim vetëm se nuk arritëm t’i botojmë veprat tona edhe më të vyera për Atdheun. Ne, duke ndërprerë këtu veprën e mundimshme letrare, ndiejmë pikëllim vetëm për një gjë, se nuk kemi mundësi për përfundimin e veprës, si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike edhe pse disa mendojnë të kundërtën. Për përfundimin e veprës nga dikush më i aftë, i afrojmë me kënaqësi materialet e grumbulluara falas si dhe do t’i përpunojmë ato pa pagesë, mjafton vetëm të mos vuajnë për bukë, gjatë kryerjes së kësaj pune…

Meqenëse vepra u botua pjesërisht me shpenzime publike, Ligjvënësit e Parlamentit na kritikuan sepse ndërmorëm këto udhëtime të gjata dhe të kushtueshme. Sipas tyre, duhet të studionim vetëm në biblioteka. Por harrojnë se, nuk mund t’i  perceptojmë në bibliotekë vendet e betejave në Pilo, apo në Peta, p.sh, në qoftë se nuk i shihnim ato me sytë tanë. Nuk mund të gjenim dokumentet e pabotuara dhe të njihnim traditat dhe moralin, në qoftë se nuk i përjetonim ato. Sigurisht, nuk e anashkalojmë bibliotekën ku studiuam material voluminoz dhe nxorrëm shumë referenca…”.                     

Vetë Anastas N.GUDHA, në një letër dërguar stafit të shkollës Zosimea, aty ku mori edukimin dhe formimin e tij të parë arsimor e kulturor, u shkruan: “Pasi të keni lexuar me kujdes ato, që përfshihen në këtë vëllim, në qoftë se bindeni se promovojnë vlerat për atdheun tonë të dashur, përpiquni të bindni Konsullin e nderuar, që të ndihmojë në shpërndarjen e veprës në të gjithë Epirin, tokën nënë të shumë heronjve. Porositni mësuesit, që të nxisin nxënësit që, gjatë orës së mësimit dhe jashtë saj, të lexojnë dhe të studiojnë “JETËT PARALELE”. Përpiquni që të lexohen edhe në tokën e Suliotëve, por  edhe në Zagori, Himarë e kudo në Epir, atje ku ka shkolla dhe dinë shkrim e këndim… Në qoftë se do të  studiohen që në mosha të vogla, i brumosin fëmijët me ideale të larta, që në të ardhmen ta bëjnë Epirin të ndritur dhe të lavdishëm”. Karakteristike janë dhe fjalët e shkrimtares së famshme të kohës Dora D’Istria, e cila nga Gjeneva (8.9.1869) i shkruan autorit: “Vendimi juaj për të shkruar historinë e heronjve të Revolucionit Grek ishte aq i suksesshëm, sa nuk gjej fjalë për të shprehur patriotizmin tuaj…”.

Anastas N. GUDHA vdiq në Athinë, natën e 24-25 shkurtit 1882, në moshën 66 vjeçare. Vepra e Dr. Anastas N, GUDHA sot, zë një vend të rendësishëm në tekstin e Historisë së Mjekësisë për studentët e Mjekësisë-Greqi dhe më tej…

——–

Referencat

1.Luftëtarët e Epirit të viti 1821 Vasil dhe Stavro GUDHA dhe mjeku filozof Anastas GUDHA (Jeta dhe vepra e tyre) i autorit Stefanos Betis. Botuar në greqisht, Patra 1985.

2.Wikipedia.

3.ACADEMY OF SCIENCES OF ALBANIA SECTION OF SOCIAL AND ALBANOLOGICAL SCIENCES. STUDIA ALBANICA Year LIX 2022 – 1.

Liman Varoshi, Mustafa Kadzadej, THE BATTLE OF FUSHË-KOSOVA AS A PROLOGUE TO THE ORGANIZED ANTI-OTTOMAN PAN-BALKAN RESISTANCE IN LEF NOSI’S COLLECTION. “…Në këtë kontekst, e konsiderojmë të udhës t’i referohemi profesor Aleks Budës, i cili kur trajton marrëdhëniet shqiptaro-greke nën frymën e iluminizmit, sjell një përcaktim shumë domethënës të A.Gudha ( Anastasios N Goudas ) se, “popujt e Ballkanit do të arrijnë lirinë e tyre, vetëm, kur veprojnë duke u mbështetur në forcat e veta për të drejtat dhe interesat e tyre; kur zhduket çdo lloj tepsi: panhelenizmi, pansllavizmi, panrumunizmi, panmuhamedanizmi, etj. Theksojmë se një përcaktim të tillë profetik A. Gudha e bëri qysh në vitin 1877, në veprën me titull “Ballkani i popullit ballkanik”… Është e natyrshme të mendohet se ky përcaktim mund të jetë rezultat i drejtpërdrejtë i njohurive dhe përvojës që, ai (A.Gudha) ka fituar si rezultat i kërkimeve të kryera në shumë pjesë të hapësirës ballkanike. Duke ndjekur këtë linjë arsyetimi, ne pohojmë se Ballkani do t’i përkasë ballkanasve, vetëm atëherë kur ata të heqin edhe gjurmën më të vogël të shovinizmit dhe të funksionojnë si një bashkësi identitetesh. Prandaj, vendosmëria e Gudhës tingëllon profetike, sepse ruan koherencën dhe frymën bashkëkohore…”.

Shkurt, 2019.

Please follow and like us: