Armando Meta: Rishfaqet ‘goma rezervë’ për kapërcimin e krizës politike
Pak ditë më parë LSI ka artikuluar në mënyrë të drejtpërdrejtë se Pandeli Majko duhet të jetë kryeministri i një qeverie tranzitore që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Sipas PD- LSI, zgjedhjet e parakohshme dhe ato lokale duhet të zhvillohen në një ditë nga qeveria tranzitore e Majkos.
Kërkesa për ndërrimin e Ramës me Majkon nga selitë e opozitës nuk përbën diçka të re. Emri i Majkos u lakua edhe gjatë periudhës së çadrës së PD, edhe gjatë periudhës kur PD- LSI u bënë bashkë kundër vettingut dhe donin të rrëzonin qeverinë Rama, duke artikuluar Majkon ose Meidanin si kryeministër të një qeverie tranzitore, që do të miratonte Reformën në Drejtësi dhe më pas do çonte vendin në zgjedhje.
As më shumë dhe as më pak është një kërkesë që vjen pas 21 viteve, në referencë të një përpjekje të dështuar të PD, sipas prokurorisë për “grusht shteti me 14 shtator 1998”, ku Majko u bë kryeministër ndërsa Ilir Meta zv/kryeministër, pas dorëheqjes së Fatos Nanos. Duket se kërkesa e opozitës për Majkon merr në vlerësim rikthimin e kësaj skeme të dyshes, Meta- Majko, tashmë me Metën President.
Duke e analizuar këtë skemë, lehtësisht arrin në përfundimin se futja e emrit të Majkos në lojë është më shumë për diversion brenda PS, duke pasur parasysh faktin se në jo pak raste ka pasur fërkime mes Ramës dhe Majkos, fërkime të cilat kulmuan në rastin e shembjes së Teatrit, ku Majko u deklarua qartë se ishte kundër. Ai madje artikuloi se do të jepte dorëheqje nga posti si ministër. Por këto fërkime mes Ramës dhe Majkos duket se mbetën thjeshtë qëndrime për një çështje të caktuar dhe jo burim konfliktesh për skemën qeverisëse në përgjithësi.
Opozita po përpiqet të thellojë këtë plasaritje të sipërfaqshme duke mikluar Majkon me ‘dhuratën’ që të jetë kryeministër tranzitor. Natyrisht që ka non sense në veprimet e opozitës dhe në artikulimet e saj duke filluar që nga përpjekja për të funksionuar si zyrë kuadri për mazhorancën se kë duhet të vejë ajo kryeministër e kë jo, se çfarë duhet të bëjë mazhoranca nën diktatatin e pakicës, se si mazhoranca duhet t’ia dorëzojë opozitës pushtetin në tavolinë duke bashkëqeverisur dhe, për më tepër, duke bërë të pavlefshme votën popullore që përcakton qartë se kush qeveris dhe kush rri në opozitë.
Skema bajate e 21 viteve më pas që hedh opozita në tavolinë, duke marr shkas nga realitet e hidhura për shqiptarët, më shumë tregon për vjetërsinë e opozitës, se sa të një opozite të mijëvjeçarit të ri.
Delegjitimimi i votës nuk bëhet nga rruga. Këtë e di shumë mirë si Basha, si Meta, si Berisha, si kryemadhi. Kryeministrin mazhorancës s’ja përcakton dot kurrë opozita. Pushteti nuk merret as dhurohet në tavolinë apo nga rruga. Këtë e ka të qartë kuarteti që drejton opozitën. Për këtë s’i ndihmon dot as Majko, pavarsisht se opozita do që ta përdorë si ‘goma e shpëtimit’. Majko është 21 vite më i madh se vjeshta tragjike e 1998. Opozita nuk e rrëzon dot Ramën. Ai rrëzohet si kryeministër ose me mocion, ose e shkarkon PS. Emërimet e kryeministrave nga selitë e opozitës, bëjnë qesharake vetë opozitën./Javanews/