Albspirit

Media/News/Publishing

Deutsche Welle: Protestë masive e opozitës për rënien e qeverisë Rama

Sot në Tiranë zhvillohet një protestë e madhe e opozitës kundër qeverisë Rama, të cilën opozita e akuzon për korrupsion e lidhje me krimin. Policia e Shtetit gjendet në gatishmëri të lartë për shmangien e dhunës.

Protesta e organizuar nga opozita që pritet të zhvillohet sot të shtunën paradite (16.02.2019) në Tiranë ka ngritur gadishmërinë e policisë për të shmangur incidente potenciale të dhunës, trazirat dhe destabilitetin. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një deklaratë zyrtare të publikuar në prag të protestës informon të gjitha palët dhe qytetarët se citoj ”Policia e Shtetit ka informacione që persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike”.

Në deklaratë policia e shtetit u bën thirrje organizatorëve, të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë dhe personat me rekorde të rënda kriminale si edhe të gjithë qytetarëve, që nuk kanë lidhje me protestën, “të evitojnë qëndrimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet protesta.

OSBE – dhuna nuk është rruga më e shkurtër për të marrë pushtetin

Prania e OSBE-së në Tiranë, në deklaratën e saj në prag të zhvillimit të protestës së opozitës tërheq vëmendjen e organizatorëve, qytetarëve dhe gjithë palëve të përfshira se “aspiratat e të gjithë qytetarëve shqiptarë kërkojnë një diskurs politik të pjekur dhe konstruktiv; trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër për të ardhur në pushtet. Shqipëria ka parë boll dhunë politike në të shkuarën.”

Policia në gatishmëri gjatë protestave në janar 2018

OSBE sjell në vëmendje dëmin që mund t’i shkaktohet Shqipërisë nga kthimi pas kohën e protestave me akte dhune, duke patur parasysh precedentet e protestave të opozitave: opozitës së djathtë në vitin 1998 dhe asaj të majtë në vitin 2011, ku u vranë 4 protestues të parmatosur nga qeveria e djathtë e asaj kohe. “Shqipëria futet në një periudhë katërmujore vendimtare, kur të gjitha përpjekjet dhe energjitë duhet t’i kushtohen organizimit të zgjedhjeve vendore, të cilat janë një provë e vërtetë për demokracinë” thekson deklarata e OSBE-së.

Kërkesat e opozitës

Kërkesa kryesore e protestës së organizuar nga opozita është largimi i kryeministrit Rama, formimi i një qeverie kalimtare me akademikë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita e akuzon kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij, se është e lidhur me krimin dhe ka fituar mandatin e dytë qeverisës, në sajë të vjedhjes së votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, bazuar në përgjimet e publikuara telefonike të Prokurorisë.

Mes garantimit të së drejtës së protestës e shmangies së dhunës

Policia e shtetit synon të garantojë ushtrimin e së drejtës së qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi të shmangë degjenerimin e protestës në dhunë, trazira dhe destabilitet. Për këtë qëllim nuk u është dhënë leja organizatorëve, të përfshijnë në mjediset ku do të zhvillohet protesta edhe rrugën” Ismail Qemali” ku ndodhet Radio-Televizioni Publik, përfaqësi diplomatike dhe institucione shtetërore. Hyrja në Kryeministri , në strehën e të cilës është vendosur vepra ”Maqeque” e artistit të njohur francez Philippe Parreno, është mbuluar dhe izoluar.

Policia e Shtetit ka dhënë leje për zhvillimin e protestës në bulevardin

”Dëshmorët e Kombit” që historikisht është përdorur për protesta dhe ka hapësirë për pjesëmarrje masive të qytetarëve protestues. Sipas të dhënave të sapopublikuara nga PD, protestues nga gjithë vendi janë nisur të shtunën paradite drejt Tiranës, me mjete publike, private, autobusë dhe furgonë.

Lulzim Basha, lideri i Partisë Demokratike, organizatores kryesore të protestës ka reaguar pas vendimit të policisë. Ai e konsideron mosdhënien e lejes për të protestuar në rrugën ku ndodhet RTV Publik “si një përgjegjësi që do të bjerë mbi qeverinë Rama, për pengesën që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar”. Ndërkohë Kryeministri Rama do të jetë në Vlorë gjatë zhvillimit të protestës në takim me qytetarë në kuadër të takimeve që kreu i qeverisë së Tiranës zhvillon për bashkëqeverisjen me qytetarët.

Please follow and like us: