Kokëdhima, kryeministri që i duhet Shqipërisë
Arben Rrozhani
Ndërsa përgatiten për protestën e 16 shkurtit, PD dhe LSI, përveç largimit me (pa) hir të kryeministrit Rama, kanë shprehur edhe zgjidhjen afatshkurtër që, sipas tyre, do të çonte drejt qetësimit të gjakrave dhe përgatitjes së vendit për zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të barabarta. “Deus ex machina” është pagëzuar me emrin Pandeli Majko. Ish-kryeministri i 20 viteve të shkuara është parë si figurë e gjithëpranuar dhe që garantoka siguri dhe ndershmëri për të gjitha palët. Nuk është e para herë që Majko rikthehet si ‘kamerdare’ shpëtimi për vendin, kur ai futet në kriza të thella politike. Atij i atribuohet me të madhe qeverisja në vitin 1999, kohë kur Shqipëria u bë strehë për rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës që u detyruan të largohen me dhunë nga trojet e tyre prej ushtrisë dhe milicisë serbe. Nga marsi deri në qershor Shqipëria, por edhe Maqedonia, u bënë strehë për qindra mijëra familje që lanë pas gjithçka. Majko ishte kryeministër, por Shqipëria në atë kohë ishte e ‘pushtuar’ nga forcat e NATO-s, prej nga niseshin edhe ‘Apach’-ët që sulmonin objektivat serbe në Kosovë dhe në Serbi. Ata qindra mijëra të larguar nga Kosova gjetën strehë për mbi 100 ditë në shtëpitë e qindra mijëra familjeve shqiptare që hapën dyert si asnjëherë edhe pse ishin rrënuar nga kriza e rënies së piramidave mashtruese dy vite më parë. Një pjesë e vogël e tyre qëndroi nëpër kampe të hapura që menaxhoheshin nga agjencitë e OKB-së dhe roli i qeverisë ‘Majko’ ishte inekzistent. Me ish-kryeministrin, lidhet taksa ‘Majko’, që iu vu shqiptarëve që dilnin nga Rinasi, në emër të ndërtimit të rrugës së Kombit. Nuk dihet ku përfunduan miliona dollarë që iu morën me pahir shqiptarëve, por më pas rruga u bë copë-copë nga “Berisha” me paratë e buxhetit të shtetit, që llogaritet në 1.2 miliardë euro. Përse rikthehet Majko si kandidat-kryeministër në periudha tranzitore? Motivi është shumë i thjeshtë. Ai përfaqëson një figurë të të majtës tradicionale të paimplikuar në afera korruptive dhe që s’ka mbrapa klane dhe lobe. Ai nuk të prish asnjë punë nëse i lë në mirëbesim diçka. Ndaj atij ia lënë në ‘përdorim’ qeverinë klanet që kacafyten mes njëri-tjetrit. Kështu ndodhi në periudhën shtator 1998- tetor 1999, kur kishte nisur beteja e klaneve në PS të përfaqësuara nga kryeministri Fatos Nano që dha dorëheqjen pas grushtit të shtetit më 14 shtator 1998, presidenti Rexhep Meidani dhe Ilir Meta, atëherë kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Po kështu ndodhi me Majkon edhe në periudhën shkurt-korrik 2002, kur Ilir Meta u detyrua të jepte dorëheqjen si kryeministër, pasi Nano nisi fushatën për “katharsis”, duke rimarrë drejtimin e PS-së. Dhe ashtu siç ia lanë, ashtu ia morën qeverinë Majkos. Ishte një kryeministër që as bëri reforma, as punë, por ishte thjesht një mbikqyrës të qenies së Ekzekutivit, për aq pak muaj sa ia lënë ‘çelësat’ e kryeministrisë. Çfarë është sot Pandeli Majko? Prej 6 vitesh është thjesht një deputet dhe prej shtatorit 2017 është Ministër i Diasporës, një ministri pa portofol dhe pa peshë. Emri i tij ka dalë këto kohë në skenë vetëm kur refuzoi të votonte vjet si shumica e majtë për prishjen e Teatrit Kombëtar, duke treguar integritet moral. Por këtë s’po e tregon tani, kur ministria që ai drejton bëhet pjesë e spektaklit të mashtrimeve të Ramës me diasporën duke organizuar samite dhe pranon që 67 milionë lekë të taksapaguesve të bëhen rrush e kumbulla për dy ditë aktivitetesh boshe të parashikuara më 28 shkurt-2 mars në Tiranë dhe Lezhë, me mbëmje gala, skenografira, banderola dhe flamuj, edhe pse Majko vjen nga e majta e dhimbsur dhe solidare që s’mund të pranojë lumenjtë e milionave që shkojnë rrëke te ca individë kur më shumë se gjysma e popullsisë llogarit bukën e gojës. Majko është një socialist i kapur nga Rilindja. Ai nuk ka thënë një fjalë për shkatërrimin e PS-së, zhdukjes së memories së saj historike dhe politike, mbytjes së mendimit ndryshe, kthimit të saj në një çetë dhe shndërrimit të deputetëve të saj në “kartona’, siç shprehej pak ditë më parë, Fatmir Xhafaj. Ndaj kostumi i kryeministrit do t’i rrinte shumë ngushtë ish-socialistit, që sot jep mbështetje publike për një qeveri që s’ka më lidhje me popullin dhe për një bashki, ku kanë vlerë vetëm klientët e kullave, por jo banorët e Tiranës. Rithimi i tij u duhet klaneve të politikës së vjetër për të kapërcyer këtë periudhë diskreditimi që u bëri protesta e dlirë, e sinqertë, jopolitike dhe antikonformiste e studentëve që tronditën nga themelet establishmentin e vjetër. Shqipëria e sotme nuk ka nevojë për një kryeministër që mban për ca muaj ‘çelësat e kashtës’ të kryeministrisë. Ajo ka nevojë për një kryeministër reformator, qoftë edhe të përkohshëm, që të hapë tregun politik dhe më pas edhe atë ekonomik të vendit. Pa modesti, mund ta them, nisur nganjohja dhe përvoja, një figurë e tillë është Koço Kokëdhima. Biznesmen i orëve të para, botues i suksesshëm, deputet i popullit për 30 muaj dhe më pas kryetar i partisë ZGJIDHJA, Kokëdhima i përket asaj të majte që nuk i tradhëtoi asnjeherë interesat e saj, të shkuarën dhe të tashmen, nevojën që ajo të modernizohet dhe si e tillë të jetë shembull për të lënë pas tranzicionin e stërzgjatur të Shqipërisë, si askund tjetër. Nuk është sekret që partitë e vjetra nuk e duan dhe bënë çmos për ta ‘vrarë’ politikisht . Dhe janë ‘politikisht korrektë’ që ta urrejnë. Ai nisi çmontimin e skemës së tyre të funksionimit si parti familjare dhe tribale. Duke hapur Partinë Socialiste në Vlorë në vitet 2015-2016, Kokëdhima tregoi se çfarë energjish mund të përfshihen në politikë nëse partitë hapen për elektoratin, për të rinjtë, të arsimuarit dhe të ndershmit. Realizimi i saj u futi tmerrin hierarkëve të PS-së dhe pse jo edhe të PD-së dhe LSI-së që ngjajnë me njëra-tjetrën nga drejtimi vertikal, familjar dhe tribal, duke mos lënë askënd pa leje në sinoret e tyre dhe duke mos ndarë asnjë pushtet. Tezat e partisë që ai drejton, partitë e vjetra i vjedhin si plagjaturat e doktoraturave. Me to u bënë takimet dhe tubimet për ‘Republikën e re’, për rikthimin e republikës së rënë nga marrëveshja Berisha-Rama më 21 prill 2008; reforma zgjedhore si e para që duhet bërë për çlirimin e tregut politik dhe ekonomik të vendit; slogani se “Shqipëria bëhet, ti je zgjidhja’, që i kundërvihen planit ogurzi të partive të vjetra për të përzënë nga vendi pjesën më vitale dhe më kundërshtuese të rregjimeve autokratike; primaret në parti, duke lejuar garën e brendshme, ku të garojnë njerëzit më të mirë dhe më të aftë; ndalimi i prishjeve abuzive, me dhunë dhe dëmshpërblimi i plotë për ndërtimet pa leje nga ana e qeverive, siç po mbështet prej 3 muajsh PD protestën e Astirit; shndërrimi i biznesit kriminal të kanabisit në ekonomi shtetërore si në shumë vende të tjera të botës; anulimi i koncesioneve grabitqare dhe turpëruese të qeverive me klientët e tyre; subvencionimi i bujqësisë nga shteti të paktën sa vendet fqinje; krijimi i një modeli ekonomik që konkuron vendet fqinje në thithjen e investimeve të huaja, jetike për zhvillimin e Shqipërisë; deri te politika e jashtme siç është shpallja e partneritetit stretegjik vetëm me SHBA dhe BE-në si destinacion të vetëm të vendit; ringritjen e Shqipërisë dhe të Kosovës si një treg i përbashkët ekonomik; negociimet në pozita të barabarta me Greqinë për ndarjen e hapësirës detare dhe të kufirit tokësor dhe heqjen e Ligjit të Luftës nga parlamenti grek dhe fuqizimin e zërit të Shqipërisë në botë si një vend që garanton siguri dhe stabilitet. Rreth dy vite më parë, Kokëdhima shprehej se nëse bëhet kryeministër do t’i shndërrojë në vepra ëndrrat dhe iluzionet. “Unë dua të bëhem kryeministri juaj në të arthmen e afërt për të kryer ato vepra që sot ju duken ëndrra dhe iluzione, por që nesër do të jenë realitet po të udhëhiqemi nga treshja e vlerave kardinale: ndershmëria, atdhedashuria dhe profesionalizmi’. Cilësi që figurat e djegura dhe implikuara të partive të vjetra kanë treguar se i kanë lënë me kohë pas, si pengje të të shkuarës. Dhe që s’mund të vlejnë as për kryeministra të përkohshëm dhe aq më tepër për mandate të plotë.