Kozeta Zavalani: Kur shpallej pavarësia e Kosovës
Reportazh
Mëngjesi i shkurtit ishte i ftohtë, me qiell të pastër, si mendimet dhe shpirti i çdo shqiptari, që priste shpalljen e pavarësisë së Kosovës. E kishim pritur aq shumë këtë ditë, sa na dukej si ëndërr. Ishim një grup grash intelektuale, krijuese e artiste, që udhëtuam drejt Kosovës. Furgonin na e solli nga Vlora kryetare e Fondacionit Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaski” gazetarja Zenepe Luka, sikur të donte që të kishte vazhdimësinë e 1912-tës edhe pavarësia e Kosovës. Në krye u vendosën Artistet e Merituara kryesuar nga më e moshuara Besa Imami dhe më pas Esma Agolli e Roza Anagnosti, që vijuan me Artistet e Popullit e Nderi i Kombit Tinka Kurti e Margatita Xhepa, pasuar nga ish zëvendës kryetare e Kuvendit Makbule Çeço, Doktore e Shkencave Afërdita Stefani, Mjeshtre e Madhe Edit Mihali, etj. Dhe në fund isha ulur unë, që vëzhgoja e mbaja shënime për gjithçka. Gëzimi ndriste në fytyrat tona, pasuar me vargjet nga kënga që dilte nga kasetofoni i makinës: “Vallja kosovare më mori me vete/ Si një fluturim mbi fusha male e dete/ Shaminë e qëndisim me ëndrra të bardha/ Të lodrojë Prishtina, Vlora e Tirana…”.
Janë pikërisht këto qytete, ku më tepër se kudo ndihej festimi i Pavarësisë, që simbolizon fundin e një torture të gjatë, heroike e të përgjakshme për Kosovën.
Ndërsa lemë në të djathtë malin e Gjallicës të mbuluar nga bora, hyjmë në Kukës dhe ndalojmë në restorantin me të njëjtin emër të malit “Gjallica”, ku takojmë gazetarin e vjetër Zylfi Tola. Ai ka qënë shefi i Zenepes, kur filloi detyrën e parë si gazetare në këtë zonë, 35 vjet përpara, ndaj edhe nuk e refuzuam të trokisnim gotat me të, duke u ngrohur me rakinë e kumbullës, që zona e quan “shlivovicë”.
Rruga ishte e gjatë dhe e vështirë. Dolëm në një qafë mali, ku para syve na u hap si një ekran i gjerë, horizonti i pamatë; hapësirë e mrekullueshme, larmi peisazhesh natyrorë që mund ta përshkojë vetëm fluturimi i shqiponjave. Kalojmë lugina, pyje, maja malesh, qafa e përsëri pyje e tek tuk shtëpi banimi. Udhëtimi në borë dhe akull është i ndërlikuar, por jemi optimiste se së shpejti do të përfundojë autostrada e re dhe më shpësh do udhëtojmë.
Në mbrëmje mbërritëm në Prishtinë, e cila na priti me vellon e bardhë të borës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse Kosova ka dasmën e saj, ndaj duhej të vishte fustanin e bardhë nusëror të borës. Nata shkëlqente pasi kur ka borë në tokë, të gjitha ato kristale të vogla shpërndajnë e reflektojnë më shumë dritë në qiell dhe retë janë gjithashtu të bardha. Tek shihja pamjen e bukur të kryeqendrës së Kosovës, që lartohej madhërishëm para syve të mi, më dukej sikur rrëshqisja në një ujëvarrë, ndaj nga zemra më dolën vargjet:
Mirëmbrëma të dashur bashkatdhetarë!
Ju, që nëpërmjet Radio Tiranës
zërin ma keni ndjekur për vite me rradhë!
Së bashku me borën i gëzohemi Lirisë,
Që si dritë mes nesh sot ka ardhë!…
Kudo ndihej atmosfera festive; të gjitha lokalet e banesat të stolisura me flamuj e simbole kombëtare, po kështu edhe veturat, që shëtisin nëpër rrugët e ngarkuara me brohoritje e muzikë. Veçanërisht kjo atmosferë festive ndihej në shtëpinë e heroinës Flora Brovina, simbolit të qëndresës së gruas shqiptare. Ajo banon tek “Kodra e Diellit” ndaj edhe vetë rrezaton si diell, fjalëmbël e fytyrë qeshur, sikur rrezaton mirësi e shumë dashuri.Një grua fisnike, shtatlartë, me ballin e gjerë e të hijshëm, me flokët si të argjendtë.
– Mirëse ardhët! Do të qëndroni këtu tek unë, të gjitha, sepse dua t’ju kem sa më pranë në këtë festë të madhe. Festa është kur e ndan me të tjerë dhe unë sot e ndjeva këtë, qysh me ardhjen tuaj.- thotë Flora, që kishte dalë të na priste buzagaz, së toku me bashkëshortin, një burrë fisnik, që ka kontribuar për këtë ditë. Pasi na gostiti, Flora u ul përballë nesh dhe filloi të na tregonte për momente të vështira e të gëzueshme të jetës së saj. Kujtoi ditën kur e arrestuan pa asnjë arsye, qëndresën në burgjet e Sërbisë, deri në momentin kur u takuam së bashku, pasi doli nga burgu. Edhe atë natë e kemi gdhirë në shtëpinë e saj duke biseduar, derisa zbardhi mëngjesi.
Takohemi edhe me djemtë; Uranikun dhe Yllin, madje edhe me vogëlushin Orik, që e ka bërë Florën gjyshe të lumtur. Pastaj me buzëqeshjen karakteristike qëndrim serioz e të lumtur, ajo flet si deputete e Kuvendit të Kosovës:
– Pavarësia na gjen në një moment të mirë të pajtimit kombëtar dhe partive me njëra tjetrën, gjë që ndikon mjaft mirë tek masat e popullit, që me padurim e kanë pritur këtë ditë. Mbi të gjitha ne gratë që përfaqësohemi prej 36 vetash në Kuvend, kemi relacione mjaft të mira me njëra-tjetrën, pavarësisht nga spektri i partive që përfaqësojmë. Shpallja e pavarësisë shënon fundin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe ne na duhet shumë punë për hartimin e kushtetutës së qeverisë se re të Kosovës. Për këtë dua të bashkëpunojmë edhe me gratë e Shqipërisë, për ruajtjen e gjuhës së pastër shqipe dhe vlerave të traditës shqiptare. Më pëlqen shumë etnografia,ndaj duhet të ripërtërijmë vlerat e veshjeve popullore, p.sh. Kosova ka 22 lloje veshjesh të grave, që u përkasin krahinave të ndryshme, për të cilat duhet punuar bashkërisht, sepse përbejnë artin popullor, që ka vlera të pavdekshme…Pastaj diskutuam deri vonë për mundësitë konkrete të ndihmës ndaj qendrës së fëmijëve që ajo drejton, grave të traumatizuara nga lufta, atyre të papuna, etj…Ndërkohë në celular i vinin urime të shumta nga gratë në vende të ndryshme të botës.
Në mëngjes kishin ardhur për të festuar me ne në Prishtinë edhe miqtë nga Mitrovica; Esmaja e Fatmiri, të cilët janë strehuar në shtëpinë e Zenepes në Vlorë. Dhe jo pak por plot 21 vetë, që nga babai i Fatmirit, që është nipi i Isa Boletinit, vëllezërve e motrës së bashku me fëmijët e tyre, deri tek Arbëresha e porsalindur. Unë kisha dëshirë që të shkonim edhe në Mitrovicë, por nuk shkuam për shkak të protestave të serbëve që jetojnë aty, ndaj dëgjoja me vëmendje gjithçka prej gojës së tyre.
– Jetojmë matanë urës Ibër, në kufi me serbët, ndaj edhe nuk festuam siç duhej, për të mos provokuar serbët, por ata gjithsesi nuk mbetën pa bërë protesta. Le të bëjnë, por pavarësisë nuk kanë çfarë ti bëjnë. Ajo u krye tani. – thonë ata me një krenari të ligjshme, që u ndrit në fytyra. – Të shpresojmë që qeveria e re do të punojë më tepër, për të ndihmuar banorët në nevojë, sepse qeveria serbe investon shumë për të blerë shtëpitë e djegura të shqiptarëve me çmime shumë të shtrenjta, me qëllim që të kenë zotërim sa më të madh të trojeve në Mitrovicë. E kjo nuk është e mirë dhe ka përmbysur gjendjen e banorëve tanë. Ka familje që para lufte as bukë nuk kanë pasur, e tani kanë vila me gjithë të mirat deri edhe pishina në katin e pestë dhe shumë të tjerë, që kanë pasur gjithçka, sot nuk kanë as bukë të hanë,ndaj duhen ndihmuar…
Me sjelljen e tyre ata kanë bërë miq të shumtë nëpër botë, si priftin Herman De Wulf në Lokerer të Belgjikës, që i ka ndihmuar shumë gjatë emigrimit 15 mujor. Madje ai dhe familja e tij i ka uruar edhe për festën e pavarësisë së Kosovës. Ndaj të gjitha së bashku ia marrim këngës: “Erdhi dita e pavarësisë”.- O tokë e mbjellë me plumba, o burra shekujve rënë për liri, zgjohuni e gëzoni bashkë me ne, Atdheu i shqipeve gëzon… Sot ka festë Kosova, gëzim i madh në zemrat tona!
***
Hoteli “Grand” në zemër të Prishtinës ishte kthyer në qendrën ndërkombëtarë të medias, ku ishin akomoduar qindra gazetarë nga vendi dhe bota. Me vështirësi, duke çarë turmën e njerëzve u ngjita në katin e dytë, bëra akreditimin me median e ndoqa konferencat e shtypit. Zëdhënësi Veton Elshani njoftoi se, nuk ka pasur asnjë incident nga festimet e banorëve të ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës në Prishtinë…Një polifoni labe ndihet jashtë nga një grup i madh, që kanë ardhur enkas për të përshëndetur, të ndjekur nga turma njerëzish, që brohorasin pa pyetur për acarin e ftohtë… Në orën 15.00 filloi séanca e jashtëzakonëshme, që u kurorëzua me firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë të shoqëruar nga emocione, thirrje e brohoritje festive nga të gjithë të pranishmit…
Në sallën e medias u njohëm me vizionin e ri të flamurit të shtetit të ri të Kosovës, dhe firmosjen e deklaratës së pavarësisë, ndoqëm edhe konferencën për shtyp të presidentit Fatmir Sejdiu, kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili theksoi: “Është një përgjegjësi, e cila iu është garantuar Qeverive, që nga momenti kur njerëzit filluan të marrin frymë lirshëm. Është përgjegjësia jonë që pas pavarësisë, ta bëjmë jetën e qytetarëve tanë shumë më të mirë se më parë”.
U takova me mjaft kolegë të mediave shqiptare, madje dukej sikur të gjithë janë këtu në qendrën e medias në Prishtinë. Rudina Xhunga, gazetarja që përfaqëson femrën model në median profesioniste, ka ardhur shumë herë në Kosovë, por si ndihet në këtë ditë të veçantë? – e pyes dhe ajo më përgjigjet:.
– Është një ditë dhe një gëzim i veçantë, sa nuk po arrij ta besoj akoma. Jam si e tulatur por gëzohem që të gjithë festojnë. E kam dashur pa e njohur Kosovën, pastaj e njoha dhe kam qenë pjesë modeste, për të ardhur tek kjo ëndërr. Tani që erdhi dita e kjo ëndërr u bë realitet, nuk po mendoj më, mos bashkohem me grupin e cinikëve skeptikë, por të gëzoj me gjithë të gëzuarit dhe kaq mjafton, apo jo?!
Përsëri bashkohem me gratë e shquara nga Shqipëria, për të marrë përshtypjet e tyre nga ky moment i veçantë. Ato ishin vërtet të emocionuara. Disa prej tyre kishin provuar edhe tortën e pavarësisë, që u ishte dukur me shijen më të ëmbël në botë.
Roza Anagnosti-Artiste e merituar – Porsa shijova tortën madhështore dhe jam jashtëzakonisht e emocionuar dhe e gëzuar, që jam në Prishtinë në këtë ditë të madhërishme. Kujtoj sot ato gra të mrekullueshme, që krijuan shkollën e parë shqipe dhe unë jam e lumtur, qe kam marrë pjesë në filmin “Mësonjtorja”, ku kam interpretuar rolin e mësuese Dafinës. Vetëm gëzim kam sot e urime të gjithëve.
Margarita Xhepa-Artiste e Popullit- Nderi i Kombit – Fjalët e mia janë shumë pak për të treguar gëzimin e madh të mirëpritur, që vjen nga thellësia e viteve dhe e zemrës sime. Një ëndërr e bukur që i ka udhëhequr vazhdimisht shqiptarët, që i kanë dhënë shumë botës të cilët na ka shumë borxhe ne dhe ky është një borxh i vogël, që po u japin shqiptarëve. Jam shumë e lumtur, që këtë gëzim po e marr këtu në Prishtinë, mes shqiptarëve të një gjuhe, të një gjaku, të një flamuri e të një bese.
Tinka Kurti-Artiste e Popullit, Nderi i Kombit, e mbështjellë më një flamur, thotë -Është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe unë nuk e kam menduar, se do të jetoj, për të parë këtë ditë të mbarë e të mrekullueshme. Dua të përshëndes shqiptarët kudo ku janë, në të gjithë botën, në këtë ditë me borë të bardhë, që është simbol i bardhësisë, paqes e mirësisë.
Esma Agolli, Artiste e Merituar: – Jam jashtëzakonisht e lumtur, që kam ardhur sot në Prishtinë, për të festuar pavarësinë e shumëpritur të Kosovës. Kemi derdhur shumë gjak për këtë ditë dhe shumë trimëri e lot për këtë tokë martire. Sot është vërtet një mot i ftohtë, por dielli i lirisë e pavarësisë, që ka shpërthyer në zemrat e gjithë shqiptarëve, do të shkrijnë njëherë e përgjithmonë dimrin e stërgjatë.
Besa Imami, Artiste e Merituar: – Unë jam nga Gjakova, dhe kam gëzim të dyfishtë. Me thënë të drejtën, po më mbysim lotët nga gëzimi që kam në zemër, sepse kur u nisa nga Tirana për të ardhur këtu, të afërmit e mi më thanë: ”Shko tek vorret e prindërve dhe u thuaj: -Çohuni o të dashur, që keni vdekur prej dorës gjakatare të sërbit, të shihni shpalljen e pavarësisë së Kosovës së bukur.” Megjithëse e sëmurë, u çova dhe erdha, ngritur prej zërit të brendshëm të shpirtit tim dhe prej varreve të të parëve të mi në Gjakovë e në Shqipëri. Dhe jam e lumtur, që këtu është me punë si gazetar edhe djali im, Artur Zheji, që shpalos mendimet, idetë e zërin e tij, sepse janë qindra vite luftë e përpjekje për këtë ditë dhe bota duhet ta mësojë. E gëzofshim të gjithë pavarësinë.
Për Prof. Dr.Afërdita Stefani është hera e parë që ka shkelur në Prishtinë dhe ka ardhur me këmbë të mbarë, si ndiheni?
– Ashtu si çdo shqiptar që jeton momentin historik të pavarësisë. Një epokë e re për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, që do të sjellë mbarësi. Jam me fat, sepse po e shijoj me gjithë shpirt pavarësinë e Kosovës, e cila do të lerë mbrapa historinë e përgjakur dhe do të sjellë mbarësi.
Mjeshtre e Madhe Edit Mihali: -Dua të them se unë në Kosovë kam qenë për herë të parë menjëherë pas çlirimit të saj, me një koncert në kinoteatrin e Prishtinës. Me që atëherë vija për herë të parë, emocionet kanë qenë të jashtëza-konshme,sepse për herë të parë vija përballë një spektatori artdashës dhe të dëshiruar,për të dëgjuar atmosferën që vinte nga Shqipëria. Sot kam fatin të jem në ditën e pavarësisë dhe më mungon aftësia e të shprehurit të asaj që, unë ndjej kaq shumë në këtë ditë të madhe. Akoma më duket si ëndërr. Ajo sakrificë e familjes Jashari apo Haradinaj nuk shkoi kot, sepse ishte shpresa për gëzimin që provojmë sot.
Makbule Çeço – ish deputete: – Ishte një ëndërr e kahershme, pasi unë në Kosovë kam ardhur që në 1999-tën dhe kemi bërë takimin e parë me autoritet shqiptare të ngritura pas çlirimit të Kosovës. Situata e sotme është pak e ngjashme, me përjashtim të veçorisë që ëndrra e 1912-tës, u realizua më 2008. Ky eveniment është pika kulminante e realizimit të ëndrrës së popullit shqiptar dhe të nënave e gruas shqiptare, që në parlamentin kosovar përfaqësohet me 36gra intelektuale, që do ti japin zhvillim Kosovës, prej të cilave duhet të marrim shembull edhe ne. Jemi krenare që, ne kemi bujtur në shtëpinë e simbolit të gruas shqiptare Flora Brovina, që tashmë edhe me të tjera politikane, pas pavarësisë do të rrezatojnë edhe më tepër, për të mirën e përparimin e kombit.
* * *
Me mikrofon në dorë dëshiroj të bëj sa më shumë intervista. I drejtohem njërit prej antarëve të qeverisë Fatmir Lima, që thotë: – Tani shteti i ri i Kosovës do të ketë probleme të reja për të zgjidhur.Është fillimi i qeverisjes së vendit dhe përgatitjes së tij drejt integrimit evropian.
Pranë meje afrohen edhe plot të tjerë, që me fytyra të gëzuara dëshirojnë të shprehen, si Isa Goga nga Istogu i Pejës.
– Jam ish i burgosur politik, sot qytetar i lirë me bashkëshorten nga mbishkodra, nga Kemlendi. I kam kaluar të gjithë kalvarin e vuajtjeve në burgje e internime, por sot jam i lirë e i fal të gjithë, sepse kështu më ka mësuar At Zef Pëllumbi, që e kam pas bashkëvuajtës. Jam shumë i emocionuar sepse këtu sot është Vlora e 1912 dhe unë e dua Shqipërinë e dua Kosovën,.Po ju, si ju quajnë, moj bijë?
– Kozetë, më quajnë. – i them dhe ai vazhdon me vargje:”Moj Kozetë, moj motra e vogël, më e mira në Tiranë e Prishtinë. Ti je rrit me vllazër e motra, gjithë gëzimet ti pastë votra! Unë xhaxhi Isë i Kosovës, ty moj motër si lulja e mollës, të uroj gëzuar pavarësinë e Kosovës, Përshëndes Shqipërinë, Kosovën, diasporën në të gjithë botën.
– Begzad Avdiu e Muharem Xhemajli jemi ne – Vijmë nga Bujanofci nga pjesa e Kosovës lindore, për të marrë pjësë në këtë dasëm të madhë, në këtë manifestim madhështor, që sjell një epokë e kapitull të ri në historinë tonë kombëtare. Besojmë se një ditë do të bëjmë edhe bashkimin kombëtar të të gjitha trojeve tona shqiptare.
– Unë jam Sadri Hadërgjonaj gazetar e themelues i emosioneve të RT Sarajeve. Kam filmuar e kam shkruar për ata që kanë manifestuar në këtë shesh, për të sjellë këtë ditë dhe ua kam përcjellë botës, për ta mësuar se kush jemi ne. Jemi mirënjohës për të gjithë ata që na mbështetën nëpër botë dhe dashtë Zoti të hyjmë edhe në familjen e madhe evropiane, se e meritojmë!
Poeti Pandeli Koçi – Është si 1912 për Kosovën, të cilën e kemi ëndërruar prej kohësh. Kam ardhur shpesh në Kosovë por kjo ditë është e papërshkrueshme, kur shëh këto flamuj të kuq, që prej vitesh janë valëvitur krenarë në zemrat e shqiptarëve, që janë masakruar nga shovinistët sërb. Do kthehemi në Tiranë me një gëzim të madh, për tu a shpërndarë të gjithëve.
Prof.Dr. Skënder Kodra, kryetar i Akademisë shqiptaro-amerikane:- Jam i sigurt në përkrahjen botërore, ndaj më vjen keq për Koshtunicën e popullin e mencur sërb, që nuk e kuptojnë politikën homogjene sërbe. Duhej që ata të na uronin për shtetin e ri të Kosovës. Jam i gëzuar për urimet e kryeministrit të Shqipërisë, sepse e kam mik personal, që kur kam punuar në spitalet e Tiranës dhe e përshëndës. Dua të theksoj se bota nuk duhet të ketë frikë nga shqiptarët, por ti përkrahë ata.
– Ismet Krasniqi – Kemi ardh nga SHBA-ja për këtë ditë të madhe të pavarësisë që I takonte prej kohësh shqiptarëve dhe këtë emocion e optimizëm do tua përcjell bashkatdhetarëve tanë, me besimin për një jetë më të mirë.
***
Në kthim ndalojmë në Prizren, ku takohemi me një prej firmëtarëve të pergamenit të Pavarësisë. Një flamur kombëtar i përmasave të mëdha, i quajtur “Flamuri i Pavarësisë”, në gjatësi prej 3 kilometrash shpalosej me rastin e festës së madhe në Prizren. që është simbolikë e luftës heroike të trimit legjendar Adem Jashari. Ky flamur mbahej nga 1878 marshues, që simbolizojnë vitin e mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit na priti përgjegjësi Parim Kosova, i cili na njohu me njerin prej firmëtarëve të Dokumentit të Pavarësisë, deputetin e Kuvendit te Kosovës Zafir Berisha, që thotë: -Jam i gëzuar që përfaqësoj njërin prej nënëshkruesve të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Sipas alfabetit jam nga fundi në renditje dhe meqë nuk kishte vend në fletë, kam firmosur në një vend të veçantë në krye. Kam qenë me zemër në Prizren, pasi i përkas gjeneratës që u sakrifikua për Kosovën e lirë e të pavarur. I përkas familjes me tre vëllezër në burg e unë i përjashtuar nga shkolla e Kosova. Jam kthyer nga Frankfurti me thirrjen e Adem Jasharit dhe jam mobilizuar me forcat e UCK-së, duke kontribuar për shpëtimin e Prizrenit. Si kryengritës rebel tre vjet ka vzhduar protestat për vendosjen e bustit të komandantit Xhevat Berisha në qendër të Prizrenit, i cili u realizua vetëm me ndërhyrjen e UNMIK-ut. Edhe ne vendosëm lule para bustit të tij madje dikush na fotografoi…Aty erdhi e me takoi edhe miku nga Krusha Sahit Osmani, i cili donte që të qëndronim atë natë mysafirë tek ai, por ne këmbëngulëm për tu kthyer. Pastaj Kryetari Berisha na shoqëroi 5 km në dalje të Prizrenit, deri në Vlashnjë, që është toponimi i tretë më i vjetër në botë. Ai na gostiti me specialitete të zonës në lokalin “Kështjella”. Megjithëse nuk është arkitekt gjithçka e ka projektuar vetë.
– Nga shpirti jam tradicional – thotë ai – dhe mendoj se, para se të bësh politikë, duhet të kesh garanci ekonomike, ndaj fillimisht iu futa biznesit privat e pastaj politikës. Me djem të tillë energjikë, të guximshëm dhe të pasur financiarisht e shpirtërisht, do të ecë përpara Kosova, jo si disa nga deputetet tanë që i hyjnë politikës, për tu pasuruar…
***
Moti ishte ngrohur, ashtu si zemrat e buzëqeshjet tona. Në pikën kufitare të Morinës, na pritën dy policë që shtrënguan duart me ne, duke na uruar pavarësinë. Për herë të parë kaluam kufirin pa asnjë vonesë. Rrugës nuk kemi parë kurrë kaq shumë flamuj të kuq, që valëviteshin krenarë nga ndërtesa e rrugë të ndryshme. Ne po ktheheshim fitimtare, pasi Kosova ishte shpallur shteti më i ri në botë, i pavarur dhe demokratik dhe ishte njohur nga mjaft shtete në botë, kryesuar nga miku më i madh, SHBA. Në Tiranë ndahemi me njëra-tjetrën, duke përsëritur parullat që ishin vendosur gjithandej në Prishtinë: ”Bacë, u kry!” Na takojnë dhe na urojnë, shumë na kanë zili, pasi jo kushdo ishte prezent me ne aty në Prishtinë, në atë ditë historike, që nuk do të harrohet kurrë, sepse u bë realitet ëndrra 100 vjeçare e shqiptarëve, që sakrifikuan shumë për të, ndaj këto momente le të mbeten të gdhendura edhe në reportazhin tim.