Ilir ÇUMANI: Paradoksi i një mbrojtjeje të paautorizuar…!
Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda i kishte dhënë Dritan Dajtit dënimin me burgim të përjetshëm.
Në të njëjtën kohë, ajo kishte pranuar edhe kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, duke i dhënë shansin për të kryer vetëm 25 vjet burg për vrasjen e katërfishtë të oficerëve të Policisë së Shtetit.
Pas shumë proceseve gjyqësore të tejzgjatura, të shoqëruara edhe me përpjekje nga i pandehuri me arratisje spektakolare, ndaj tij u mor një dënim me burgim të përjetshëm. Mirëpo, Gjykata e Lartë, për shkelje të procedurës gjyqësore, e kthehu çështjen sërish në Shkallën e Parë, ku gjatë rigjykimit, ai sërish u gjet fajtor për vrasjen e 4 efektivëve të Policisë së Shtetit. Me këtë rast, Gjykata e Apelit, duke marrë parasysh gjykimin e shkurtuar, i uli 1/ 3 e dënimit duke e kthyer në 25 vjet burg.
Trupa gjykuese që dha këtë vendim, nuk i përkiste Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ata që dhanë këtë vendim janë gjyqtarë të Gjykatave të Apelit në rrethe, sepse të gjithë gjyqtarët e tjerë që kishin gjykuar çështjen e tij kishin marrë pjesë të paktën njëherë në seancat që drejtonin në gjykim të Dajtit, ndërkohë që ky i fundit, herë pas here kishte kërkuar përjashtimin e tyre.
Duhet thënë se ky është i vetmi rast që një Gjykatë e Krimeve të Rënda në Shqipëri nuk dënon me burgim përjetë personin që e gjen fajtor për vrasjen e katërfishtë të efektivëve të Policisë së Shtetit, konkretisht për vrasjen e oficerëve të policisë: Altin Dizdari, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari, në vitin 2009. Dritan Dajti, edhe pse u përball në Gjykatë para togave të zeza, i pambrojtur në asnjë rast të vetëm nga përfaqësuesi ligjor, edhe pse refuzoi kategorikisht mbrojtjen me avokatë që shteti ia vuri në dispozicion, ai sërish ndjehej i sigurt, qëndrestar dhe sfidues.
Ai diti të mbrohej i vetëm në betejën e tij ligjore, duke ia dalë mbanë. Ia doli mrekullisht, mbase edhe i këshilluar, duke luajtur mirë taktikisht dhe duke u mbrojtur prej atyre që në fakt duhet ta ndëshkonin në mënyrën më shembullore, si një shpagim drejtësie për përmasat e një krimi monstruoz të kryer prej tij ditën me diell. Me ndryshimin e vendimit nga burgim të përjetshëm në atë me 25 vjet heqje lirie, duket si një paradoks fakti që, në mungesë të mbrojtjes ligjore të refuzuar nga Dajti, Gjykata është vënë në një rol të dyfishtë; edhe në rolin e gjykuesit, edhe në rolin e “avokatit” të munguar në proces, duke “marrë përsipër tagrin e një mbrojtësi ligjor të paautorizuar” nga ligji, i cili solli si pasojë edhe zbutjen e dënimit.
Në gjykimin tim, kjo ka ndodhur për shkak të një inercie të vazhdueshme mbi praktikën se si janë trajtuar që në të kaluarën dhe deri tani këto çështje kaq sensitive, mbështetur mbi bazën e një metodologjie dhe tipologjie të kamufluar dhe qartësisht korruptive, duke shfrytëzuar në mënyrë të pandershme ato boshllëqe dhe hapësira ligjore që ka ligji. Kësaj i bashkëngjitet edhe ajo pjesë e frikshme dhe kriminale e togave të zeza, e marrë peng jo vetëm nga krimi ordiner dhe ai institucional, por më së shumti, i inspiruar dhe i frymëzuar çdo ditë edhe nga krimi politik, duke sfiduar në mënyrën më ekstreme shtetin me teknikat më të sofistikuara, mafioze e korruptive antishtet. Përballë një skeme mafioze të mirëstrukturuar, e cila ka funksionuar në mënyrë kaq perfekte në afro tre dekadat e fundit, është e kuptueshme se “skanerit” motak të vetingut do t’i shpëtojnë edhe për ca kohë raste si kjo e çështjes “Dajti”.
Ndërkohë, është e para herë në historinë e periudhës së 28 viteve të fundit, që Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë një hap serioz dhe shumë pozitiv, duke aplikuar një standard dhe tipologji ndryshe nga herë të tjera në sferën e hetimit kundër korrupsionit pasiv dhe aktiv brenda sistemit të drejtësisë. Kjo Prokurori autorizoi me një mandat Policinë e Shtetit që të ushtrojë kontroll në banesat e tre gjyqtarëve që gjykuan rastin e Dritan Dajtit, të cilët, duke marrë shkak nga gjykimi i shkurtuar për rastin në fjalë, e konvertuan vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, nga vendim me burg të përjetshëm në vendim me 25 vjet heqje lirie.
Nuk po ndalemi te pasojat tepër të rënda që sjell një vendim i tillë për imazhin e një vendi anëtar i NATO-s dhe që aspiron të bëhet pjesë e BEsë. As për faktin se kemi të bëjmë me një fyerje të hapur ndaj kujtimit të viktimave të rënë në krye të detyrës. As për sfidën dhe karshillëkun që këto palo gjykata, me vendime të tilla monstruoze inspirojnë, kurajojnë dhe frymëzojnë krimin dhe kriminelët përballë institucioneve shtetërore dhe ligjit. Nga ana tjetër, dekurajojnë edhe strukturat e Policisë së Shtetit. Gjithsesi, edhe pse nuk është zbardhur ende arsyetimi i këtij vendimi, i cili do t’i shërbejë hetimit për t’u njohur me argumentet që trupa gjyqësore ka dhënë për të legjitimuar këtë vendim, një gjë është tepër pozitive e shpresëdhënëse.
Sot, janë dhanë sinjalet e para dhe të qarta që na kujtojnë se tashmë po vjen koha që të thyhet “miti” i të paprekshmëve dhe të shembet status qua-ja që ka mbajtur dhe mban peng sistemin e drejtësisë, për të hapur një faqe të re në funksionimin e shtetit ligjor, sipas parimit: Të gjithë të barabartë para ligjit. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, ngase tentakulat e krimit të organizuar në këto afro tre dekadat e fundit në vendin tonë, kanë një prapavijë dhe infrastrukturë ende të sofistikuar. Për këtë arsye, kjo e bën edhe më të vështirë të gjithë përpjekjen dhe luftën pa kompromis që Policia e Shtetit dhe institucionet ligjzbatuese e ndeshin ditaditës në përballjen frontale me krimin dhe korrupsionin. Por, unë do të ndalem në një moment që lidhet me lajmin që u dha këto ditë nga media, lajm i cili ka të bëjë me faktin e operacionit të kryer nga Policia e Shtetit në bashkërendim me Forcat Speciale.
Në zbatim të mandatit të nxjerrë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ata kanë ushtruar kontroll të befasishëm në banesat e gjyqtarëve për dyshime të arsyeshme ndaj tyre, për korrupsion pasiv dhe aktiv, i cili lidhet me vendimin që ata kanë dhënë për Dritan Dajtin, duke e shpëtuar nga dënimi me burgim të përjetshëm. Operacioni u zhvillua njëkohësisht në banesat e gjyqtarëve të Apelit të Vlorës, S.D dhe P.A, si dhe në atë të A.N, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkodër, por me banim në Lezhë. Sipas burimeve të lajmit, është bërë e ditur se gjatë ushtrimit të kontrollit në banesën e gjyqtarit S.D në kryeqytet, u gjetën rreth 17 mijë euro dhe municione të armëve luftarake, për të cilat ai duhet të japë shpjegime mbi mënyrën se si i ka siguruar.
Gjyqtari S.D u shoqërua në Polici nga avokati i tij F.N dhe një oficer i Policisë Gjyqësore për të dhënë më shumë detaje mbi ato që u zbuluan në shtëpinë e tij të dytë. Gjatë një interviste për median, avokati i klientit-gjyqtar që iu gjend shuma e parave në banesë, u justifikua se ato para ishin të djalit të gjyqtarit, i cili merrej edhe me një aktivitet privat. Në fakt, deri këtu, logjika e pranon mbrojtjen që avokati i bën klientit të tij (gjyqtar). Sigurisht, pasi të jenë kryer verifikimet dhe hetimi të shtrihet edhe më tej, deri tek aktiviteti privat i të birit të gjyqtarit, nëse vërtet ai i justifikon këto të ardhura në hapësirë dhe në kohë, në përputhje me aktivitetin dhe me të ardhurat që ka.
Nga ana tjetër, kur gazetarja vazhdon dhe e pyet më tej avokatin se si e shpjegon faktin që gjatë kontrollit që u bë në banesën e këtij gjyqtari, bashkë me shumën e parave u gjendën edhe municion luftarake (krehër me fishekë), përgjigja ishte “spektakolare…”. I gjendur në befasi nga kjo pyetje, avokati u përtyp pak dhe aty për aty, pasi e koncentroi përgjigjen e tij, tha: “klienti im ka patuar një armë me leje. Kur doli ligji për dorëzimin e armëve, ai e dorëzoi, por harroi se kishte edhe fishekët…(!!!)”. Kjo përgjigje, jo vetëm që nuk e bën të besueshme mbrojtjen e klientit-gjyqtar, por e komprometon dhe e rëndon edhe më shumë situatën në të cilën ai ndodhet, duke i dhënë një indicie edhe më të fortë trupës së Prokurorisë për të thelluar edhe më tej hetimin e ndërmarrë prej saj.
Bazuar jo vetëm në dyshimet e arsyeshme për korrupsionin pasiv dhe aktiv për shkak të vendimit të marrë, por edhe për veprën tjetër penale, atë të mbajtjes pa leje të municioneve të armëve të zjarrit. Të përdorësh një argument të tillë, me synimin për të nxjerrë nga situata e paligjshmërisë njeriun që e njeh më mirë se askush tjetër ligjin, (gjyqtarin), i cili, çdo ditë përballet dhe gjykon paligjshmërinë e atyre që gjykohen në pallatin e drejtësisë në emër të ligjit, është një mision i vështirë, gati i pamundur. Një avokati, që në fund të fundit përdor çdo mjet për të lehtësuar klientin e tij, mund t’i lejohet që një argument të tillë ta përdorë si alibi, por për çdo ekspert dhe specialist të fushës së drejtësisë dhe të jurisprudencës, është e papranueshme si nga pikëpamja etike e morale, ashtu edhe nga pikëpamja profesionale. Në fakt, asnjë mendje e nivelit poshtë mesatar, asnjë student i vitit të parë që studion për drejtësi nuk do ta pranonte logjikën infantile të kësaj mbrojtjeje me këtë lloj argumenti.
Përjashto rastin, nëse do të kishim të bënim me një gjyqtar që në të tjera rrethana do mund të vuante nga “humbja e kujtesës”. Kjo vërtetë do ta bënte atë vulnerabël përballë fakteve dhe pasojave ligjore që sjell rasti flagrant i mbajtjes pa leje në shtëpi i municioneve të armëve të zjarrit. E nëse kjo alibi do të merrej si argument për t’i shpëtuar për një çast ligjit, nga ana tjetër, do të kishim të bënim me një tjetër situatë të paprecedentë. Do të kishim të bënim me një gjyqtar që në kushtet e “shterimit të kujtesës”, mban në mënyrë të papërshtatshme dhe të papajtueshme me detyrën një funksion publik shumë delikat, sepse gjykon dhe merr çdo ditë vendime që sjellin pasoja të rënda në dhënien e drejtësisë.
Në të kundërt, kjo e ngarkon me përgjegjësi të plotë këtë gjyqtar, sepse ai ka qenë dhe është i vetëdijshëm për pasojat ligjore dhe penale që rrjedhin nga ky veprim i paligjshëm. Në të dyja rastet, përmes një gjykimi të pandershëm dhe një mbrojtjeje të paautorizuar nga Gjykata, përfshihen brenda një “loje” dy aktorë në një proces gjykimi. Njëri që gjykohet për një krim të shumëfishtë dhe një tjetër që gjykon krimin e bërë. Ky i dyti, edhe pse është njeri i ligjit, është i kapur në paligjshmëri, (me municione të armëve të zjarrit pa leje). Në këto rrethana, jemi përballë një paradoksi në kërkim të një drejtësie të kapur…!/panorama/