Ilir Levonja: Dy fjalë atyre që u thyejnë dyert natën
Eshtë në stilin tonë sovjetik, kinez e turk kjo mësymja natën… arrestimet. Por as mos çani kokën. Një nga ato vandalizmat shtetërore, e asaj makinerie të kalbëzuar që nuk ka se çfarë t’i bëj samarit i bie kafshës, gomarit siç themi ne. Se po të ishin ndryshe, po të kishin shtet, nuk do na gërrvërrnin me ankesa kurvash për 21 janarin mbi fajtorët etj. Nuk kanë guxuar të thyejnë derën e kurrkujt deri sot, edhe pse kanë në pushtet që nga 2013-ta. Vetëm gërrëvërren dhe as e çojnë nëpërmend të thyejnë ndonjë derë. Janë kafshata të pa kapërdishme ata për të cilët vetëm akuzojnë. Madje është një shpifësirë kur flasin për dhunë në rastin e djeshëm. Sidomos kur transmetojnë deklaratat e ambasadave…, përshembull atë të Francës. Kur vet kjo e fundit ka gati 6 muaj që vuan nga presioni ”vandal” i jelekverdhëve, një lëvizje që po merr forma të qarta të një force të re politike. Më 21 janar ata nxorrën Taulantin, Sajmon në krye. I vunë zjarrin makinave të civilëve që kishin parkuar diku rastësisht dhe nuk dëmshpërblyen kurrë. Po nuk harruan të shpërblejnë Taulantin, nuk harruan as Sajmon. Tao taon e tyre që del e ankohet për dhunë e vandalizma. Çuan edhe jetë njerëzish dëm, si e si të bëjnë propogandë karafilash në bulevard. Dje demokratët nuk nxorrën taulanta a sajmira të provokonin, dolët organikisht ju. Madje kishte të tillë midis që hapën krahët për të mbrojtur forcat e rendit. Megjithatë dyert tuaja janë të lehta për t’u thyer, pasmesnate, sikur keni çuar dëm gjysmën e vendit. Një makineri e tërë me provokime dhune që një ditë më parë. Shërbime, deklarata, etj. Veç se kësaj here nuk qullosën gjë. U mungoj për dreq edhe ajo rubrika e famshme e fotove nga qielli. Dje nuk guxuan të nxirrnin foto. I bënin me plan shtrirje ato të Ramës atje në Vlorë. Popull i ulur në karrike…, sukses ë? Jo aspak, një nga ato hilet butaforike. Madje mjerë ai vend që ka një kryeministër të tillë, i cili deklaron vulëhumbur protestuesit në Tiranë dhe cilëson si në anën e duhur të historisë vlonjatët. Megjithëse ishin studentë vlonjatë ata që i thanë se na je bërë si gogol në shtëpi, kemi frikë të hapim televizorin. Janë ca fraza që nuk e di se si i anashkalojnë shqiptarët. Por kryekëput me tendenca të forta dasimesh, një lloj strategjie përça e sundo.
Ju tentuat dhe rrëzuat ca struktura metalike, tentuat të thyenit xhamet e dyerve. Pika atyre që vërshuan për prova, jeni para syve të të gjithëve, para kamerave dhe droneve. Kurrë këta qirinj të tredhur nuk pyetën se sa është dëmi financiar i modelimeve të Edi Ramës dhe galerisë private me absurde, duke nëpërkëmbur traditën shtetarë me të gjitha ato mëkatet, dertet dhe pak arritjet. Në fund të fundit është e juaja, jo pronë e Edit. Kurrë nuk pyetën…, dje vërshuan së mizat të mblidhnin ciflat e xhamave, të suvasë. Ja servirën gestapos dhe natën vërshuan, me zhurmë, me forcë. Akoma e gjykojnë shtetin si një panik policor. Nuk kanë se çfarë t’ju bëjnë. Aq sa çu bënë kuksianëve a studentëve. Madje këta të dytët i cilëson si bashkëprotestues, një absurd vetëm i sojit të tij. Një edukatë sllave mbi celebrimin e betejave të humbura si fitore. Protesta e djeshme qe një mrekulli sociale. Nëse ishin vërtetë vetëm demokratët a militantët, siç edhe thotë makineria e propogandës së rilindjes, akoma më bukur. Me gjithë firot dhe sfidën e munguar nga liderët, shpirti blu qenka i madh dhe di të bëhet frymë. Qytetarë i denjë i vendit të tij është ai që nuk gjen rehat, jo ai që për inat të së vjehërrës shkon me mullixhiun. Nuk ka pakte me njëshat, paktet popullore janë dëmi më i madh kombëtar. Ndaj e sotshmja nuk duhej të ishte një heshtje me dekor prokurorësh, hedhurinash, shiratash zone nën hetim, a erëra bulevardi. Jo nuk duhej. Nuk duhej të ishte me kronika nga thyerja e dyerve tuaja, por e asaj të qeveriut. Shkundje të forta këmbësh, protestë. Zoti ju bekoftë!