Balil Gjini: O britmë e arnuar me sqepa pëllumbash
1
Gjarpri i larmë në katin e tetë.
Kulloti, kulloti, të gjorat bletë!
Lugje ligjesh dhe magje magjish
Mpiksu e bukur me gjakun e dhisë!
Mënde qengjin në gji të pasthirrmave
Bëji gjilmitër fijet e shirave
O britmë e arnuar me sqepa pëllumbash
Fjalë e dyllosur me gjithfarë vulash
Djep ishte o-ja dhe u-ja greminë
Nga poret tona kur mbinë filizë
Gjarpri i larmë në katin e tetë.
Kulloti, kulloti, të gjorat bletë!
2 shtator 2018
2
Ububu, o buf, ububu!…
Pështymën përroi, nëma në dru!
O buf i verbër me pendla të bardha
Ç’panë sytë që t’u bënë gërmadha?
Le të nisë vallja, magjia e bardhë,
shtërpia shterpë nga shtëpia të dalë.
O buf i verbër me zërin gjithë arna
Gjej rrënjë salepi si foshnja të vrara
Të bëjmë tym shqope me flakë stërralli
shqipja e zezë nga shqota të dali
Të lindë ylberi dhe retë lehona
T’i shohim tek bëjnë si vajza kokona.
Harrimi haram. Kakërdhokët e bardhë
Janë mitra, a motra perdesh ndër dramë?
Me vezë të zeza dhe pështymë dallëndysheje
T’i ujdisim me radhë dyert e klithmave.
Vjen zëri që thotë: verbëri do të vejë
Gjer skeptrin e shëmtisë mola ta brejë!…
8 shtator 2018
3
Lumenjtë e frikës
Derdhen në turbinat e zemrës
Dhe prodhojnë dritë të zezë.
I shoh hipur mbi këto skela shprese.
Nga humusi i imagjinatës
Zgjatin qafat lulet e verbra.
E kotë:
Gjithë dekoratat i takojnë të parës: baltës!..
9 mars 2018
4
Shkretia e vetmisë me rërë të zezë
Ky struc ankthi drejt ç’gëmushe po vete?
Klithma lypte puplat e një zogu pushverdhë
të futej gabimisht në turbinë të urrejtjes.
Frika e virgjër që të buronte poreve
Vinte erë kulloshtër dhe leshra të palara.
Në rrugën nga fëmija tek prindi prore
Veç mjegullat e Makbethit janë shtatzana.
5
Vërtitet gjëja e dyshimit gjithë plisa
Lugat i bardhë, shtëllungë pa ligj.
Është maj. Këta thekë janë thika
Që duan të bëjnë pestil një pistil.
Sekse lulesh nga degët gjithë ujë
Penise e vagina të bëra krejt xurxull.
Vështrimi im ringjallet shushunjë
Në gjolin e syve me ujra të turbull.
Këto lule kanatash: kunatat e tua
më çojnë larg, tek e ëmla Lilitë…
Në avlëmëndin e hamendjeve gjënë e dyshuar
E futke shtëllungë e nxjerrke qilim…
6 Qorrsokaku
Cohën e zezë të frikës e bëra rripa-rripa
fenerit të mërzisë ia vura fitila.
Po kali i instiktit prapë hingëllika
në këtë qorrsosak me saksi e karafila.
Pa shihi, pa shihi kokrrat e shegëve:
Bengje rropullishqyer me puplat gjithë gjak.
S’është shënja e paqes ai ylber mes degëve
por kordelja që kërkon fyti për lak.
Në këtë qorrsokak me saksi e karafila
si qerpikë të trishtë pikojnë strehët e shtëpive;
Ai s’është miniera e dëshpërimit me florinj gjithë lila
Por zorra e përbindshit që na gëlltiti të dyve.
2 mars – 16 shtator 2017
7
-Një krimb i bardhë po hante mollën nga brenda: krrëp,
krrëp, krrëp! …Historia do të tirrej në furkën e dhëmbëve
të tij. Më vonë, kur u rrit, e graduan dhe e bënë hoxhë
fshati.
-Po Zoti, Zoti, ç’bënte në këtë kohë?
-Kishte blerë syze me numër shtatë dhe gërsheti i Evës
iu duk si gjarpër që i fliste tek veshi
28 dhjetor 2018
8
Kurora sarkastike e ovales së gojës,
Zmalt thikash tek klithmat pa tanga
Dy mijë vjet Krishti mbi kryqin lodër,
Miliona vjet merimanga.
Ky inat i verbër që më del poreve –
gjallesë që lyp me turinj kushedi ç’thimtha.
Sa herë në altare e vërteta prore
është flijuar për këllëfët e bukur të thikave
E qeshura jote mbi bedena sigurie
Veshur domethënie që jetojnë veç në shumës.
Po fjalët në trotuarin midis vdiqën urie
e tash janë figura vizatuar me shkumës.
peshk i habisë në ujra bisedash
me kreshtën huazuar… nga cila epikë?
Këto shkumë bregut të jenë dantella
apo vetë deti është epileptik?…
12 shtator 2017
9
Kafshatë më kafshatë kafsha në kashtë
Po hante shurrjesën nga kishte dalë vetë.
Ky trup pa mish, kjo bërthamë e thatë,
Në ç’plasë shkëmbi do kërkojë jetë?
Diejt e moshës i thanë lëngjet e trupit
Dhe lanë aty koriçkat e thara të dheut.
Kërkon lulen e kuqe pa mua, o raca e turpit?
më sokëllin kjo masë amorfe prej plehu
Dhe enët e gjakut si të jenë litarë
i ndjej tek më presin në mishra e tule.
Zot, kur më bëre… s’të vajti mëndja: më parë
ta shoshitje dheun nga farërat e luleve?
Ky kazan mishi ku distilohen mërzitë
më ka përcaktuar këtë mut fati:
të kërkoj gotën ku gjerbi verën Krishti
dhe jo atë ku piu helmin Sokrati.
Si skllav ta mbart gjer në fund këtë baltë
a të hidhem në Etnën e Hiçit gjithë llavë të zezë?
Kafshatë më kafshatë kafsha në kashtë
po ha shurriesën nga ka dalë vetë.
21 shkurt 2017
10
Kjo dëborë, ky pambuk dhëmshurie
Mbi botë si mbi plagë bie e heshtur
Mbi plinta psherëtimash mbështetur kjo jetë
Tundet e troshitet nga erërat e gënjeshtrës
Ti s’i sheh dot këto imazhe spitali
në oborrin e kujtesës si çarçafë të bardhë
Le të shpurritet në hira pasionesh harabeli i mallit
S’ka shiringë a lutje që mund ta ringjallë.
Shkretia e indiferencës me bohçe të pambuku
Po aq mizore sa bota gjithë puthje e pështyma.
Fshikëza e vjetër e heshtjes është skuta
Ku lëmojmë hiçin me smeralde e lima
Ta shërojë njeriun dhe botën gjithë plagë
Ky pambuk bore s ‘mjafton kurrësesi.
Zoti e shndërron botën në vezë të bardhë
Mos nxjerrë prej andej një tjetër njeri.
3 mars 2017
11
Ndaleni!
Ku shkon kjo anije lamtumire
Me zogj të ngordhur në vela?!…
Ah !!!…
Shkopinjtë e pikëçuditëseve
Çajnë gollovezhgart e vezëve
Në çerdhet e ndrojtura të habisë
(Por të vedhën e kanë thithur me shiringë
Kushedi ç’lejlekë trishtimi…)
12
Uloke qenë fjalët në kohën që të desha
(rënkimet ecnin mbi paterica, a majën e thonjve.)
Ylberëve prej tmerrit të shenjtë iu dridhej mjekra
dhe shkrumbrat e tyre binin mbi bishtrat e pallonjve.
Në kohën kur kafshërisht të kafshoja gjërat e hirshme
(dhe mishin e bardhë ta ndrysja si brumët në magje),
mështekna djersinte dhe donte të hingëllinte
Por s’arrinte dot të bëhej zebër afrikane…
4 prill 2017
shqiptarja.com