Dy fjalë mbi qytetarin (jo) të dhunshëm shqiptar
Jordan Jorgji – Lektor në Universitetin “Fan Noli”, Korçë
Protesta e opozitës në Tiranë të shtunën që lamë pas, pruri midis të tjerash, një polemikë ndërpartiake mediatike, me ngjyra të forta moraliste dhe kripto-hipokrizie. Fjala është për recetën e pretenduar deontologjike se ‘si dhe cilët janë shqiptarët e vërtetë’.
Hapin e parë e bëri Kryeministri, i cili nuk nguroi të etiketojë vandalizuesit e kërpudhës – që ç’është e vërteta u bë e ‘famshme’ vetëm kur ajo filloi të shkatërrohet – si pseudoqytetarë, si jo-shqiptarë të vërtetë, për shkak se ata tentuan të dhunojnë pronën e përbashkët. Të njëjtin gabim përsëritën edhe përkrahës të opozitës nëpër rrjetet sociale, duke lënë në hije ‘qytetarin-spartan me heshtë në dorë’ dhe duke krahasuar protestën ‘paqësore’ të së shtunës me protestën e ‘dhunshme’ të opozitës së dikurshme më 21 Janar 2011. Edhe tek fotomontazhi krahasues me ngjyra moraliste dhe kript-ohipokrizie protestuesit e dikurshëm e të dhunshëm u etiketuan si jo-shqiptarë të vërtetë.
Mendoj se gabimi i të dy anëve të ngjashme të së njëjtjës monedhë-retorikë është injorimi, i qëllimshëm ose jo, i faktit se Shqiptari i thjeshtë, ashtu si dhe qytetari i thjeshtë Grek, Serb, Turk, Amerikan apo Francez (aktualë janë ‘Jelekët e verdhë’ në Francë), është në vetvete irracional dhe subjekt i realitetit të egër që e rrethon atë. Nënvizoj se këtu nuk është fjala për reagimin qytetar kur përballë kanë sisteme jo-demokratike, por për irracionalizmin që karakterizon qytetarin e thjeshtë, ose për fat të keq nënshtetasin nëse duam të tregohemi më objektivë, edhe pse pak cinikë. Irracionalizmi bëhet akoma më i mprehtë nëse shoqëritë e caktuara përballen me probleme strukturore të mirëqenies ekonomike-sociale dhe identitetit politik-kombëtar. Kështu, për shembull, në vendet me demokraci të brishtë politike, ekonomike e sociale, siç është vendi ynë, Serbia, Turqia etj., hendeqet e ashpëra që ekzistojnë midis elitave politiko-ekonomike dhe qytetarit të thjeshtë, e bëjnë racionalizmin e kërkuar të duket i çuditshëm e i panjohur, tamam si një ‘objekt i paidentifikuar – UFO’. Tentoj të vë në dukje se është pikërisht ky irracionalizëm i theksuar dhe strukturor i qytetarit shqiptar një nga shkaqet kryesore që akoma edhe sot politika në vendin tonë të vuajë prej militantizmit të ashpër, partiak e sektar.
Madje edhe në vendet me demokraci të konsoliduar, referendumet për tematika delikate politike nuk janë gjerësisht të këshillueshme. Arsyeja është se çështjet e politikës së jashtme, ato të paqes, apo të respektimit ose jo të të drejtave të njeriut, nuk mund t’i lihen në dorë qytetarëve-nënshtetas, të cilëve u mungon edukimi i nevojshëm politik që ata të gjykojnë me paanshmëri dhe në të mirë të interesit afatgjatë e të përgjithshëm. Ky është një fenomen mbarë-global dhe nuk lidhet posaçërisht me veçantësinë e politikës shqiptare.
Pyetja që ngrihet pas kësaj kritike modeste është se çfarë mund të ndryshojë për mirë në Shqipëri? Natyrisht shumë gjëra. Nuk mund të jemi semplicistë dhe sipërfaqësorë duke thënë se duhet vetëm kjo gjë apo ajo tjera. Por guxojmë të themi se tri shtyllat kryesore që duhet të ndjekë me racionalizëm çdo qeveri shqiptare janë: i) forcimi i shtetit të së drejtës, ii) rritja e mirëqenies ekonomike-sociale dhe iii) përmirësimi i sistemit arsimor.
Duke kaluar më tej në domosdosshmërinë e kultivimit të racionalizmit në kulturën politike, qoftë në kontekstin e elitave, ashtu dhe në atë të masës, është e nevojshme të investohet në një arsim cilësor dhe të aksesueshëm nga cilido përmes politikave kombëtare gjithëpërfshirëse (të cilat nuk zhvillojnë vetëm universitetet private dhe ato publike të kryeqytetit, por investohet paralelisht edhe tek universitetet rajonale). Gjithashtu, duhet që ‘një sahat e më parë’ të demokratizohen vetë partitë politike. Anëtarësimi në parti i mentaliteteve të reja (jo vetëm moshave të reja), si dhe kërkesat nevojshmërisht të vazhdueshme për demokratizimin e partive politike dhe respektimin e vërtetë të bazës, do ta tejçojnë demokratizimin e funksionimit të partisë drejt demokratizimit të hapësirës së përbashkët politike të vendit. Ndjekja e këtyre vijave strategjike nga të gjithë qeveritë e radhës nëpërmjet mirëkuptimit ndërpartiak kombëtar do të sillte, në planin afatmesëm ose afatgjatë, përmirësimin e defiçitit demokratik që ekziston sot dukshëm në Shqipëri dhe si rezultat rritjen e përgjegjshmërisë politike. Por nga ana tjetër, nëse çdo gjë vazhdon të rrjedhë njësoj, akuzat e ndërsjellëta që kryen shpesh në formë klisheje propagandistike vetëm sa do të përsërisin të kaluarën!