Albspirit

Media/News/Publishing

Ç’kuptim ka VKM 777 e Ramës për plagjiaturat kur asnjë nga politikanët e majtë, ministra dhe deputetë, nuk kanë shpjeguar vjedhjet e tyre

Qeveria shqiptare ka nxjerrë një vendim për kontrollin e doktoraturave me numrin 777. Natyrisht se kjo është kompetencë e universiteteve publike dhe private (më drejtpërdrejt Këshillat e Etikës pranë universiteteve), por kur këto nuk e bëjnë, shteti është i detyruar që të gjejë mekanizmat dhe që ta bëjë këtë gjë. Ndërkaq janë publikuar disa doktoratura politikanësh që janë plagjiatura nga maxhoranca dhe për këtë nuk ka qëndrim as nga kreu i qeverisë dhe as nga personat e përfolur. Pyetja e thjeshtë bëhet: çkuptim ka VKM kur nuk ka asnjë qëndrim politik nga qeveria dhe Partia Socialiste për pjestarë të maxhorancës që janë kapur me plagjiaturë. Zëdhënësi Endri Fuga i qeverisë (dhe jo akademik Artan Fuga që është kundër saj) apo Elisa Spiropali duhet të bënte një sqarim: kanë vjedhur apo jo deputetët dhe ministrat e denoncuar. Nëse kjo është shpifje, personat përgjegjës të shkojnë para drejtësisë. Gjithashtu politikanët e akuzuar kanë detyrimin publik për ta sqaruar këtë situatë, përndryshe do të konsideroheshin si persona pa intergritet, një lloj vemje pa ngjyrë dhe zvarranikë të pandreqshëm.

 

Plagjiaturat e politikës

Mimi Kodheli

Ish-Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, sipas studiuesit Kola ka kopjuar pjesë të tëra për tezën e saj Doktorale. Sipas Kolës,  në tezën me titull “Regjimi i shënjestrimit të inflacionit: një propozim për Shqipërinë”, e vitit 2015 gjenden paragrafë të tërë të kopjuar nga disa artikuj të huaj. “Zonja Mimi Kodheli kopjimin më të madh e ka bërë prej artikullit “Nga targetimi monetar në targetimin e inflacionit, mësime nga vende të industrializuara” me autor Frederic S. Mishkin, i vitit 2000, prej të cilit ka kopjuar dy faqe e gjysmë te Tezës së saj (faqet 21, 22, 23 dhe 24), të cilat korrespondojnë me faqet 11,12 dhe 13 të artikullit në anglisht. Paragrafë të tjerë ka kopjuar nga artikulli ‘A duhet targetimi i inflacionit të braktiset në këmbim të targetimit të të ardhurave nominale?’, nga autorët Stan du Plessis dhe Malan Rietveld, i vitit 2013, denoncon Vladimir Kola.

Monika Kryemadhi

Një tjetër emër nga politika, denoncuar nga Kola për plagjiaturë është edhe kryetarja e LSI –së Monika Kryemadhi.  Në tezën me titull “Analiza e sistemit të sigurimeve shoqërore në këndvështrimin ekonomik dhe Juridik”, pranë faktultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, me udhëheqës shkencor prof. dr. Dhori Kule, e mbrojtur në vitin 2015. “Plagjiatura e tezes së zonjës Monika Kyremadhi është bërë duke kopuar pothuajse tërësisht dy kapituj nga libri “European Welfare States: Comparative Perspectives” me autor Mel Cousins, shtepia botuese SAGE Publications, viti i publikimit 2005”, thuhet në analizën e Kolës.

Vangjel Tavo

Një tjetër politikan i kapur me kapje është edhe Vangjel Tavo. Analiza dhe zbulimi i plagjiaturës së Tezës së Doktoraturës me titull “Prevalenca e Mycoplasma Hominis dhe Ureaplasma Urealyticum në Gratë e  Moshës Riprodhuese”, e mbrojtur nga Vangjel Tavo në vitin 2013, pranë Universitetit të Tiranës, me udhëheqës Prof. Dr. Nikita Manoku. Në tekstin e Tezës, sipas Kolës janë kopjuar, pak a shumë, 18 faqe domethënë rreth 1/3 të tekstit total (në faqe 18/50), duke kopjuar pjesë të gjata (pra jo thjesht një paragraf), pa bërë referenca specifike dhe pa listuar te literatura e konsultuar,  burimin origjinal.

 

Plagjiatura e Dr. Taulant Balla

Me doktoraturë të kopjuar rezulton të jetë kreu i grupit parlamentar socialist, zoti Taulant Balla. Kjo plagjiaturë e bën më të rëndë skandalin për faktin se zoti Balla është edhe Kryetar i Grupit Negociator të Kuvendit në Parlamentin Europian. Ky është një pozicion kyç, pasi Shqipëria prezantohet në Bashkimin Europian pikërisht me zotin Balla. “Zoti Balla shkruan në CV e tij që ka marrë doktoraturë Cumlaude që do të thotë me vlerësimin maksimal, ndërkohë që doktoratura e tij është plagjiaturë. Si mund të na përfaqësojnë ne persona të tillë në BE, kur e gjithë lufta në Bashkimin Eurpian është për pronësinë intelektuale”, tha Taulant Muka. Top Story disponon ekskluzivisht doktoraturën e zotit Balla, e mbrojtur në vitin 2015. Nëse i hedhim një sy kësaj doktorature, i gjithë kapitulli 5 është plagjiaturë. Ai e ka vjedhur atë informacion nga një punim shkencor i “Qendrës Për Kërkime Politike Europiane” në Bruksel. Material i botuar në vitin 2009 dhe e mbrojtur me të drejtat e autorit. Kapitulli 5 i doktoraturës së Zotit Balla fillon me këto fjalë: “Kapitulli i 5-të përmban propozime për të reformuar sistemin e vendimmarrjes në bashkimin Europian. Sugjerimet e mia në këtë reformë janë…”. Pra, Taulant Balla thotë se këto janë sugjerimet e tij personale për të reformuar institucionet e BE-së. Por, nëse lexojmë sugjerimet që vijnë më poshtë, ato janë fjalë për fjalë sugjerimet që bën edhe artikulli që ka kopjuar, i vitit 2009: “Institucione më eficente të BE-së. Procesi i brendshëm i vendimmarrjes mund të përmirësohet në të gjitha institucionet e BE-së. Kërkon një përdorim më eficent në të gjithë ciklin politik, koordinim më të mirë ndërmjet strukturave të brendshme…Institucione europiane më të përgjegjshme. Instrumente rregullatorë më të mirë gjithmonë kanë ndihmuar për të forcuar përgjegjësinë e Komisionit, në lidhje me grupet e interesit”. Duket qartë se teksti nuk është i zotit Balla. Ai gënjen kur thotë që këto janë propozimet e mia. Top Story vazhdoi të investigonte edhe më tej për informacione të tjera në rastin e plagjiaturës së deputetit nga Librazhdi. Në bazë të CV-së së tij, Balla ka mbaruar studimet e larta në Universitetin “Alexander Ioan Cuza University”. Gjatë studimeve, Taulant Balla ka pasur miqësi me një student rumun me emrin Viktor Ponta, i cili më pas u bë edhe kryeministër i Rumanisë. Njësoj si Balla, edhe Ponta, ka mbrojtur doktoraturën. Por në vitin 2014, u zbulua se punimi i diplomës së tij ishte plagjaturë. Lajmi u raportua në të gjitha mediat europiane dhe ish-kryeministri rumun e dorëzoi punimin e diplomës. Të dy shokë shkolle, të dy njerëz me pushtet politik dhe të dy, me doktoraturë plagjiaturë. Të jetë rastësi vallë? Mbetet për t’u parë nëse deputeti socialist Taulant Balla do të veprojë njësoj si miku i tij rumun, duke dorëzuar diplomën plagjiaturë. “Nëse kërkon në Google me emrin e Taulant Ballës dhe doktoraturën e tij, titulli i doktoraturës së tij, të del motori i kërkimit të një prej faqeve ku ti mund të bësh punime, pra të blesh teza. Dhe unë nuk mund ta them me siguri, por mund të jetë një shenjë që ndoshta edhe e ka blerë atë doktoraturë që ai e ka marrë në Rumani. Në varësi të faqeve bën pagesën për atë punim. Dhe të përgatitet materiali dhe ti mund ta dorëzosh si punimin tënd. Patjetër që nuk është e ligjshme. Se atëherë nuk do ekzistonin universitetet”, tha Taulant Muka.

Plagjiatura e Ogerta Manastirliut

Një tjetër plagjiaturë e shëmtuar, e tipit copy- paste është zbuluar këtë të hënë dhe kësaj here është e një Ministre të qeverisë Rama. Fjala është për Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila nuk është mjaftuar me vjedhjen e doktoraturës, por e ka marrë atë “copy paste” nga një doktorante e vitit 2008, në Afrikën e Jugut. Fotot e plagjiaturës janë bërë publike nga Lëvizja për Universitetin dhe tregojnë fare mirë sesi punimi i doktoraturës së Ogerta Manastirliut është vjedhur dhe modifikuar në vetëm detaje të vogla. Ministrja madje as fotot e punimit nuk i ka ndërruar, por është mjaftuar t’i shqiptojë.

 

Kjo është VKM për kontrollin e doktoraturave

 

VENDIM Nr. 777, datë 26.12.2018 PËR KONTROLLIN ANTIPLAGJIATURË TË DISERTACIONEVE PËR FITIMIN E GRADAVE SHKENCORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “e”, të nenit 7, të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

  1. Krijimin e  arkivit  digjital  të  disertacioneve  të  përdorura  për  fitimin  e  gradave  shkencore  në  institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik, në Republikën e Shqipërisë, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin apo institucioneve të ngarkuara prej saj.
  2. Arkivi digjital të jetë pjesë e regjistrit të gradave shkencore, në kuptim të ligjit për arsimin e lartë.
  3. Institucionet e arsimit të lartë si dhe çdo institucion tjetër shtetëror që disponon kopje origjinale të disertacioneve kanë detyrimin  që,  brenda  60  (gjashtëdhjetë)  ditëve  nga  hyrja  në  fuqi  e  këtij  vendimi,  të  depozitojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin kopje të njësuar me origjinalin të disertacionit, si dhe materialin në formë elektronike.
  4. Ministria përgjegjëse për arsimin kryen kontrollin digjital antiplagjiaturë të disertacioneve të përdorura për marrjen e gradës shkencore, në institucionet e arsimit të lartë, publik dhe jopublik.
  5. Për kryerjen e kontrollit digjital antiplagjiaturë, ministria siguron software për kontroll automatik si dhe programe apo pajisje të tjera që i shërbejnë kontrollit për plagjiaturë të disertacioneve të paraqitura për fitimin e gradës shkencore.
  6. Ministria përgjegjëse për arsimin i përcjell institucioneve të arsimit të lartë rezultatet e gjetjeve nga kontrolli antiplagjiaturë, mbi bazën e të cilave do të bëhet rivlerësimi përfundimtar mbi gradën shkencore të dyshuar si plagjiaturë.
  7. Institucioni i  arsimit  të lartë, brenda 90 (nëntëdhjetë)  ditëve  nga  vënia  në  dispozicion  e  gjetjeve  të  kontrollit antiplagjiaturë, i njofton ministrisë përgjegjëse për arsimin vendimin e rivlerësimit përfundimtar për çdo gradë shkencore të shqyrtuar.
  8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucionet e arsimit të lartë, publik dhe jopublik, dhe institucionet e tjera shtetërore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. KRYEMINISTRI: Edi Rama.

 

 

Please follow and like us: