Albspirit

Media/News/Publishing

DJEGIA E MANDATEVE, NJË VENDIM POLITIK I TEJSKAJSHËM, POR I DOMOSDOSHËM

ASLLAN BUSHATI

Në sytë e publikut shqiptar konfiguracioni i Parlamentit të  pas 2013-ës, dukshëm është shfaqur  më shumë si një autokraci  e Edi Ramës, se sa një demokraci e vërtetë parlamentare. Sepse ai pothuaj të gjitha vendimet i ka marrë  vetë (shpesh në këmbë) pa pyetur askënd, pa u konsultuar, pa krijuar asnjë hapësirë për të tjerët e për një mendim më të gjërë e përgjithësues. Interesat e klanit tij, e deri në një farë mase të të ashtuquajturës elita e rilindjes socialiste, u janë imponuar interesave të të gjithë shoqërisë shqiptare. Fodull, mburravec, i pacipë, arrogant, përçmues, imponues, i dhunshëm, tallës, hipokrit, gënjeshtar etj (veti e virtyte këto të dobta për nje kryeministër), ai i ka manifestuar si asnjë paraardhës  tjetër në në këtë detyrë. Partia Socialiste si forcë lëvizëse e së majtës shqiptare, është marrë peng nga ky klan, dhe askush nuk guxon të shfaqë mendim ndryshe, pale më të kundërshtojë idetë e praktikat e Edi Ramës.

Opozita megjithë  përpjekjet e shumta  për t’i kanalizuar e zgjidhur  problemet e mëdha shqetësuese të shoqërisë në rrugë parlamentare, mbeti si një fasadë sepse nuk pati hapësirën e duhur e të nevojshme për të vepruar. Motoja e Edi Ramës: “S’keni parë gjë akoma” u kthye në një metodë pune jo bashkëpunuese me opozitën duke i mbyllur asaj çdo shteg e duke hedhur poshtë me kartona  të gjitha propozimet e saj.

Kujtojmë këtu luftën që ajo bëri nga foltorja për vjedhjen e votave elektorale të cilat ndryshuan konfiguracionin e Parlamentit. Por askush nuk ia vuri veshin dhe sot Prokuroria ka fakte të pa kundërshtueshme se opozita ka patur të drejtë. Në parlament ajo bëri një betejë të vërtetë kundër  kanabizimit dhe drogave të tjera, sa sot është e njohur edhe botërisht se kjo ka qenë e vërtetë. Ju përvesh luftës kundër kriminalitetit i cili kishte mbërritur deri  në Parlament e në hallkat drejtuese të qeverisjes si asnjë herë më parë në Shqipëri. U impenjua fort për reformën në drejtësi duke bërë amandamente të qënësishme që ajo të kishte pavarsi e të mos kapej nga askush, por ditën pas miratimit konsensual filloi manovra për kapjen e saj me çdo kusht nga klani i Edi Ramës. Sot Shqipëria  është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të lartë, me një Prokurore të Përgjithëshme të Përkohëshme dhe e zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Kjo erdhi sepse Edi Rama pati frikë  nga drejtësia e vërtetë, duke menduar se ajo mund ta mbyllte atë (dhe klanin e tij të inkriminuar që drejton) prapa hekurave  të burgut. Qëllimisht ai e shkatërroi reformën në drejtësi sepse e filloi  nga lart poshtë dhe jo nga e kundërta. Po ashtu qëllimisht investoi shumë tek përfaqësuesit ndërkombëtar duke i mashtruar e duke i future ata në qorrsokak. Shumica  e njerëzve sot mendojnë se reforma në drejtësi (megjithë investimin e madh ndërkombëtar) ka dështuar. Veç këtyre Edi Rama i friksuar nga sa më sipër, minoi edhe vetingun në politikë, duke i bërë një dëm të madh  gjithë shoqërisë shqiptare.

Parë e vlerësuar nga këndshikimi politik gjithë tabllonë e zymtë të mësipërme, shto këtu edhe  korrupsionin galopant, papunësinë, emigrimin, varfërinë e tejskajshme, demostratat e studentëve dhe të qytetarëve etj, opozita vendosi të verë vehten në provë (në test)  me demostratën e 16 shkurtit në  Tiranës. Testi tregoi se ajo ishte demostrata më e madhe e historisë së pluralizmit dhe se qytetarët ishin pranë e me opozitën. Ky lexim i demostratës i hapi rrugën vendimit politik të tejskajshëm të opozitës për djegien e mandateve parlamentare. Ky veprim ishte i beftë në lëvizje dhe i padëgjuar më parë në historinë parlamentare të Shqipërisë. Kështu ajo shokoi klanin e Edi Ramës, por edhe ndërkombëtarët në Tiranë disa prej të cilëve kanë qenë jo pak mëkatarë me këtë opozitë prej një kohe të gjatë.

Djegia në bllok e mandateve të  opozitës, gjykoj se është bërë e mirmenduar dhe e parë si mundësia e fundit (madje dhe e vetme) për disa qëllime politike ku më kryesoret janë:

Për ta larguar Edi Ramën dhe shpurën e tij të korruptuar e të inkriminuar nga qeverisja. Krijimin e një qeverie tranzitore  e cila do të mundësonte krijimin e mjedisit e të  kushteve të  përshtatëshme e të domosdoshme për zgjedhje të lira. Çuarja e vendit në zgjedhje  të parakohshme. Krijimi i imazhit të demokracisë funksionale që do të çonte Shqipërinë drejt hapjes negociatave me BE-në, duke theksuar se  në  themel e në brendi të kauzës së opozitës është: “zgjedhje të lira e të ndershme me çdo çmim”.

Por djegia e mandateve, si një opsoin i ri dhe i pa provuar më parë, gjykoj se mbart edhe disa rreziqe të cilat mund ta ndryshojnë kahun e drejtimit të lëvizjes politike edhe për keq. Kështu, duke patur vakum kushtetues për një fenomen të pa njohur, ekziston një mundësi që formalisht parlamenti të mbushet me  njerëz të tjerë të klanit të Edi Ramës (maxhorancës) dhe  të shkohet si i thonë fjalës “nga shiu në breshër”. Opsion tjetër është që Edi Rama të mos merakoset fare për lëvizjet politike të opozitës dhe të vazhdojë të drejtojë vendin me qeverinë dhe grupin e tij parlamentar pa opozitë (si në monizëm). Kjo do të ishte gjëja më qesharake për Shqipërinë e 2019-tës, antare e NATO-s dhe kandidate për në BE.

Në kushtet e këtyre opsioneve, opozita  me siguri do të përshkallëzonte hapat drejt radikalizmit  për arritjen e qëllimeve të përcaktuara në platformën e saj. Ndoshta radikalizimi do të çonte në konfrontime me qeverinë dhe situata mund të precipitonte  deri në një luftë civile. Atëherë dëmi do të ishte kolosal për gjithë popullin në Republikën e Shqipërisë dhe afrimi me BE-në do të ishte dekada larg  (kështu në vend që të venim vetullat nxorrëm sytë).

Nga ana tjetër, nëse opozita tërhiqet nga kauza e deklaruar, atëhere ajo ka kryer vetvrasje politike dhe me vetëdije ka thirrur funeralin e saj. Kështu që përfundimisht jemi para disa situatave të  panjohura dhe të komplikuara.

Pyetja më e rëndomtë në këtë rast do të ishte: a ka ndonjë zgjidhje më të pranueshme dhe me sa më pak dhimbje e sakrifica? Mendoj se po. Më e thjeshta do të ishte që Edi Rama ta kuptonte situatën në të cilën e ka katandisur Shqipërinë dhe të pranonte opsionin e opozitës. Në të njejtën kohë Partia Socialiste (sa nuk është vonë), duhet të braktis avanturierët, oligarkët e të inkriminuarit dhe të riformësojë të majtën shqiptare si mbrojtëse e shtresave të vobekta e të vlerave të së majtës europiane. Një tjetër do të ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve, por në këtë rast duke qenë palë me opozitën së cilës i kanë borxhe veçanërisht me veprimet e qëndrimet e Lu-ve, Vlahutin-ëve, Mogerin-ëve etj./gazeta dielli/

Please follow and like us: