HANKO, MOS QAJ NËPËR VARRE!
Baladë
Prej gati pesë shekujsh vazhdon keqkuptimi i madh se balada rrëqethëse “Hanko mos shko nëpër varre” është një romancë dashurie. Është krejt e kundërta dhe do të mjaftonte veç vargu i parë i këngës origjinale (i harruar a i humbur) për ta përmbysur kokë e këmbë keqkuptimin fatal për një nga kryeveprat e folklorit shqiptar.
“Ç’deshe ti në Kamenicë*”
Zonjëz e rëndë e Zhulatit?*
Kamenica është kapicë
plot me korba… derdhur fshatit.
Ç’deshe në derë të babait,
Kamenicë tani nuk ka,
Këndon qyqja portë më portë
Sorra hidhet tra më tra.
Kamenicën e shoi turku
Kusht me vdekje; ndërro besë,
“Java shtatë e juve tetë
Ju pret shpata mes për mes”.
Shkulni kryqet gjer tek varret
nga qafë e grave – fildish,
ndryshe do t’u gdhendim hënën
me këllëç – damkë në mish.
Shkulni stemat me zhgabonja
Nga portikët me mermer,
Shembni kishat dhe bujtinat
ku burojnë përrenj me verë.
Ti Kristian do jesh Mahmud,
Ti Dorinë do jesh Qefsere,
Fjala Zonjë do bëhet Hanko,
Vend i tyre është pas dere.
2.
Ç’kërkon ti në Kamenicë,
e martuara në Zhulat,
“Kërkoj babë e kërkoj nënë
i kam gjallë për fat.
Kërkoj gjyshen në varreza
varri qenka bosh,
Po luaj mendsh, ah, unë e zeza
lotët i heq osh…”.
Kot kërkon, o Zonjë, o Hanko,
Kamenicë nuk ka,
Kamenicën e piu deti
në një natë hata.
Një nga një në kishë, mbi kokë
Gratë derdhin hi,
“Hi u bëfsha fis e farë
Po kam tradhti”!
Gurin e betimit, burrat
E kalojnë mbi krye,
shoku, shokut, valle çmendur,
Burra apo yje?
“Gur u bëfsha, gur i varrit
Po lëshova besë!
T’ju fsheh lotin, dërgon Zoti
Një qiell e ca vesë…”.
Asnjë lajm s’do dal prej fshati
urdhër kapedani,
Çupat e martuara larg
Në të gjallë i qani…
Shkulni çfarë merret me vete
Ç’mbahet përmbi shpinë,
Nesër mbi anije, natën
Të zgjedhim lirinë.
Iku Kamenica, iku
Me kuje në kokë,
“U* të lashë e më s’të pashë”
Shembu ti moj tokë!
Është akoma duke rendur
Kalabri e tutje,
Kocka etërish krrak e krrak
U grinden mbi supe.
Portat me shqiponja shpinës,
Qajnë Arbërinë,
Ata ik e ato rrugës
Po u hanë mëlçinë…
3.
Hanko mos qaj nëpër varre
Të lutet kunata,
Se të vdekurit i ngjalle,
Mos i nxirr nga nata!
Hanko mos shko nëpër varre,
Mos i laj me lot,
Të gjallët i vdiqe fare
Ikën nga kjo botë.
Hanko t’u prish nëpër varre
Qumështi i gjirit,
Çdo t’i japësh çilimiut
Pikës së floririt.
Hanko mos qaj nëpër varre,
Syri t’u bë gjak,
T’u prish bukuri e gruas
që ndez gurin flakë.
Hanko t’u thinjën balluket
që kullojnë ar,
Të vjen vjeshta, të merr supet
s’kemi më behar.
Hanko mos qaj më me ligje,
Ngjethe gurë e drurë,
Ngrinë sorkadhet, qajnë në shtigje
Era u bë mur.
Myken valët sipër detit,
mjegullat u nxinë,
Si shami të zeza koke
Mbuluan Arbërinë…
4.
…
Hanko mjaft qave në varre
U bënë 500 vjet,
Këtë radhë lutjen e madhe
ta bën një poet…
Ta bën poezia shqipe,
shpirtin mos ia merr,
500 vjet rrotull si qyqe
ndrit e hyr në terr.
Dil nga radhë e parë e fjalës
të kalojë një tjetër,
Shtyhu pak mënjanë! Mëshirë!
Bukuri “e vjetër”
Dil nga vaji e merr pak frymë
Tek kjo kënga ime,
Nëpër varre bie veç brymë
Llohë e drithërime.
Hidhe supeve si mánto
Një baladë si kjo,
Në çdo fjalë ka tre bekime
Prehu pak mbi to!
Aman ulërimë e bardhë,
Aman moj Hanko – ooo!…
* Kamenica; fshat – qytezë sot e zhdukur në malësinë e Delvinës, me 606 shtëpi dhe 12 kisha përkundër detit që mori arratinë rreth viteve 1650 drejt Italisë për të mos iu nënshtruar pushtuesit të egër osman. Ende gërmadhat madhështore me tre dhe katër kate në këmbë dëshmojnë tragjedinë e arratisë masive të Kamenicës martire.
*Zhulati; fshat kufitar me qytezën e Kamenicës, sot në rrethin e Gjirokastrës
*U – trajta e famshme e përemrit vetor “unë” që është e gjallë sot e kësaj dite në të folurën e malësive të Labërisë dhe tek vëllezërit tanë të Kalabrisë.