Luan Rama: Louis Dupré dhe bota shqiptare
Louis Dupré (1789-1837) jetoi në një kohë kur Europa po kthente sytë nga Ballkani dhe më vonë në veçanti drejt Greqisë, në kohën kur shtetet ballkanike filluan të zgjohen me idenë se kishte ardhur koha që ata të shkëputeshin nga sundimi shumëshekullor i perandorisë osmane. Dhe padyshim që Revolucioni Francez u tregoi rrugën e përmbysjes së mbretërive dhe të perandorive. Pikërisht në fillimet e shekullit XIX, kohë kur Napoleon Bonaparti zgjeronte territoret e Francës, shumë shkrimtarë, artistë, gjeografë, arkeologë e shkencëtarë morën rrugën drejt Ballkanit nga ku itinerari i tyre vazhdonte drejt Orientit, Egjiptit gjer në Jeruzalem. Të tillë ishin francezët Alphonse de Lamartine, François-René de Chateaubriand, Gérard de Nerval, Edgar Quinet, Gustave Flaubert, Théophile Gautier etj., të cilët botuan më pas veprat me mbresat e tyre të udhëtimit.
Në ato vite kur Louis Fauvel caktohej konsull në Athinë, François de Pouqueville si konsull i Napoleonit pranë Ali Pashë Tepelenës shkonte drejt pashallëkut shqiptar të Janinës. Deri në vitin 1818, datë kur do të nisej në udhëtim dhe Louis Dupré, Ali Pasha kishte fituar një famë internacionale si një luftëtar i regjur e i sprovuar, një njeri mjaft inteligjent duke u mbështetur herë tek rusët që kërkonin të vendosnin hegjemoninë e tyre në detin Jon e Egjé, herë me anglezët konkurentë të francezëve në këto luftra, e herë me francezët e kohës së Bonapartit dhe pas largimit të tij. Përmes Bonapartit dhe oficerëve të shumtê që dërgoi ai në vitet e para tê shekullit XIX ai arriti të organizonte ushtrinë e tij, artilerinë, fortifikimet e fortesave e kështjellave për të realizuar projektin e e madh që ëndërronte prej kohësh për shkëputjen nga perandoria osmane dhe krijimin e një shteti të Epirit, duke bashkuar Shqipërinë me Greqinë.
Louis Dupré, kishte kaluar disa vite si nxënës në atelierin parisian të skulptorit dhe piktorit Jacques-Louis David, autor i mjaft veprave mbi Napoleonin dhe më pas kishte fituar një bursë nga mbreti i Westfalisë, Jérôme Bonaparte për të shkuar në Romë, për ta përsosur artin e tij dhe për tu njohur në thellësi me artin e «Rinascimento»-s italiane. Madje për një kohë ai do të ishte piktori zyrtar i këtij princi dhe do të pikturonte shumë tablo me portrete të tij, të dukëve të Burbonëve, të familjes princore d’Orléans, de Grammont etj., paraqitur me rastin e kurorëzimit të mbretit të Francës Charles X. Siç e tregon dhe vetë në librin e tij me mbresa udhëtimi që do të botonte më vonë në Paris, tre miq të tij anglezë, të rinj të pasur që kërkonin të njihnin Orientin, të cilët i njohu në Romë dhe që i propozuan të shkonte bashkë me ata drejt Greqisë dhe Konstantinopojës. Dhe meqë kur ishte adoleshent ai kishte ëndërruar shumë për këtë, tashmë që ngjarjet e Greqisë ishin bërë temë e ditës në Paris dhe në kryeqytetet e tjera kryesore të Europës, ai u bashkua menjëherë me nismën dhe entusiazmin e tyre. Padyshim një aventurë e guximshme në një kohë kur Greqia ziente gati për të shpërthyer në kryengritjen e madhe. Por antikiteti grek me artin e tij të fuqishëm e grishte atë prej kohësh dhe kjo ishte një shtysë e fuqishme për të. Kështu, pasi u takua në Napoli me tre shokët e tij, anglezët Hyett, Hay dhe Viwien dhe pasi u përgatitën për udhëtimin e gjatë drejt të panjohurës, më së fundi, më 22 shkurt të atij viti, anija ngriti velat dhe u nis. Por deri sa të shkonin në Korfuz, ata u detyruan të ndalojnë në Bari e Brindizi, duke u penguar nga koha e keqe dhe kolera që kishte rënë në ato anë.
Duke kaluar Adriatikun ata iu afruan Detit Jon dhe ja ku brigjet Akrokeraune nga Karaburuni gjer në Sarandë iu shfaq përpara syve. «E shtyrë nga erërat e freskëta, – shkruante ai në librin e tij, – anija jonë përshkonte detin e Jonit dhe nuk vonuam të hynim në kanalin e Korfuzit. Sytë tanë, të etur për të parë vende të reja, shpejt zbuluan nga një anë lartësitë e Korfuzit të mbuluar nga ullinjtë dhe manaferrat dhe nga ana tjetër malet e Akrokerauneve me dëborën dhe ashpërsinë e tyre. Ah që s’mund të pikturoja atë çka më ofronte natyra, ato pamje dhe shkëmbenj të pashkelur, shpesh të goditur nga rrufetë, atë det me shkumë që vinte e godiste plazhin e shkretë të Lukovës, atë horizont ngazëllyes, ato re plot ngjyra dhe ato mijra të çara drite që krijoheshin nga dielli dhe hijet në qiell, mbi tokë dhe mbi ujë. Por shpejtësia e anijes nuk më lejoi të pikturoja diçka dhe unë veç vështroja tek humbisja njërën pas tjetrës pamje që na e paraqesnin aq poetikisht Greqinë…».
Në këtë kohë në Korfuz francezët ishin larguar. Me rënien e Napoleonit pas Waterloo-së, ra dhe Republika e Shtatë Ishujve të Jonit, e organizuar nga francezët. Tashmë zotër të ishullit historik me gjurmët e historisë dhe të qytetërimit venecian, ishin anglezët, me garnizonin e tyre ushtarak. «Regjimenti i shqiptarëve» që dikur numuronte rreth 3000 luftëtarë, kryesisht suljotë e çamë, ishte shpërbërë pak përpara rënies së Napoleonit. Shumë suljotë, në pamundësi që të ktheheshin në Sul, që vite më parë i kishin dërguar të luftonin në ushtrinë e mbretit të Napolit, vëllait të Napoleonit, të tjerë i ishin drejtuar drejt Peloponezit, Pargës, Prevezës e Artës, për të luftuar kundër hordhive osmane. Vetëm një pjesë e pakët e tyre prisnin në ato kasolle të Korfuzit, bashkë me familjet, të gatshëm për të rinisur luftën e tyre legjendare për liri. Ali Tepelena, i cili donte të shkëputej nga Turqia, kërkonte tashmë t’i afronte ata që dje i kishte luftuar, kryesisht suljotët, siç ishin Boçarët, Xhavellat etj. «Regjimenti i shqiptarëve», që drejtohej atëherë nga kapiteni Minot, nën komadën e përgjithshme të gjeneralit Bessière dhe ku Marko dhe Kiço Boçari kishin qenë komandantë batalionesh të këtij regjimenti, kishte lenë gjurmë në jetën e Korfuzit, siç e gjejmë dhe në kujtimet e disa ushtarëve e oficerëve francezë që ishin në atë kohë në Korfuz. Prania e suljotëve dhe çamëve ishte nga imazhet më piktoreske në rradhët e ushtrisë franceze të vendosur në Korfuz.
Kur Dupré mbërriti në Korfuz një nga mbresat më të veçanta të tij ishin suljotët me pamjen hijerëndë dhe veshjen e tyre që spikaste në atë mjedis. Ai i ndeshi rastësisht ata në rrugët e qytetit. «Po ngjitesha përgjatë bregut drejt «Fortezza nuova» («Fortesa e re»), – shkruante ai, – kur rrugës takova disa grekë, që tiparet dhe veshja e veçantë e të cilëve nuk ngjante aspak me ato të atyre që kisha parë deri tashmë: ishin suliotët, vështrimi i të cilëve shikonte me trishtim nga brigjet përballë, si të masnin distancën që i ndante nga vendi i tyre. U preka menjëherë nga pamja e këtyre njerëzve fisnikë e mërgimtarë të mjerë. Ç’ngjarje fitimtarësh e vrasjesh, heroizmi e pabesie i kishte sjellë këtu nga ato brigje të huaja. Pinjollë të paktë, të mbetur nga ato tribu luftarake, të cilët parapëlqenin më mirë mërgimin apo vdekjen, sesa skllavërimin, ata jetonin tani larg atdheut të tyre në dorë të mëshirës, me turpin që s’po luftonin dhe të paduruar që të rrëmbenin armët…».
Si të gjithë artistët, Dupré kërkoi menjëherë t’i vizatonte ato figura epike dhe dramatike dhe ata nuk kundërshtuan edhe pse qëndrimi i tyre ishte hijerëndë, pasi dukej se kishin mbetur të braktisur nga bota, njerëz pa shtëpitë dhe tokën e tyre. «Me të mbaruar vizatimin, – shtonte Dupré në librin e tij, – ia tregova atyre dy suljotëve, të cilët u dukën të habitur nga ngjashmëria e tyre me vizatimet. Por ai që më shërbeu si model, më demostrativ se kolegu tjetër, përmes gjesteve kërkoi të më dëshmojë kënaqësinë dhe habinë e tij. Papritur, duke hequr nga rripi i tij një lloj mbajtëse lapsi, ai shkroi anash portretit të tij disa fjalë greqishte që e nxita të m’i shpjegonte: ishte emri i tij dhe ai i vendlindjes së tij, Sulit, pra Foto i Sulit: «Ah, pyeta menjëherë, mos ishte ndonjë i familjes së foto Xhavellës të famshëm dhe të heroinës Mosko?…».
Në një nga këngët popullore suljote, të mbledhura nga studjuesi francez Fauriel dhe të botuara në Paris, është dhe kënga për Foton e Sulit, në të cilën këndohej:
«Bij të maleve, duhet zgjedhur
ose nderi përmes luftës, ose përballje me dorëzimin
Foto raja nuk doli kurrë të shitej,
shpata është pashai i tij dhe pushka veziri i tij.
Qytetare të mëdhenj në një konkurencë fatale!…».
Meqë në Korfuz kishte ardhur atë ditë Komisari Britanik Sir Thomas Maitland për të biseduar me Ali Pashën si dhe çështjen e dorëzimit të Pargës pashait të Janinës, Dupré përfitoi që bashkë me tre miqtë e tij anglezë të ndiqnin komisarin në takimin e tij me Ali Pashën, për të cilin kishin dëgjuar plot legjenda. Hipur në fregatën «Glascow», ata iu afruan Butrintit. Bashkë me ata, në fregate kishte hipur dhe nipi i Aliut, Ismaili, i cili siç tregon Dupré e mbante veten me të madh, si të ishte një hirësi e lartë, edhe pse një adoleshent. Aliu i priste në kalanë veneciane të Butrintit ku ishte një lloj ngrehine që nënkuptonte se ishte vendi ku rrinte pashai kur vinte në Butrint. Gjithçka në atë «rezidencë» ishte e thjeshtë. Një vend i shkretë, i ruajtur nga disa roje, aty mes rrënojave dhe mureve mijëvjeçare të qytetit antik. Kur ata hynë në dhomën e madhe, gjetën Komisarin Britanik me tri zonja angeze që bisedonin me pashain. Sir Maitland i prezantoi menjëherë të rinjtë që u afruan duke shtuar se midis tyre ishte dhe një piktor i ri francez. Madje ai e shtyu Dupré-në t’i tregonte pashait vizatimet e tij, të cilat djaloshi menjëherë nisi t’ia tregonte. Dhe ja ku sytë e pashait qëndruan mbi figurën e një prej suliotëve që sapo kishte pikturuar një ditë më parë në Korfuz: “ – Ah, këtë këtu e njoh. Eshtë një nga armiqtë e mi!” – kujtonte këtë takim të paharruar Louis Dupré. – Nuk mendoja se Aliu do ta njihte menjëherë atë luftëtar hijerëndë, i cili shfaqej në atë vizatim të thjeshtë, por ai, siç duket, i shprehu këto fjalë sapo pa emrin e Fotos, që sulioti kishte shkruar anash figurës të tij. E them këtë pasi ai hezitoi mbi portretin e tij dhe shumë njerëz e dinin se pashai nuk dinte të lexonte. Gjenerali Maitland, ndoshta më shumë për kënaqësinë e tij sesa timen, donte të përfitonte nga çasti që pashai ishte në humor të mirë dhe i kënaqur nga ajo që po ndiqte, i propozoi të më lejonte t’i bëja një portret. Por satrapi plak nuk u përgjigj veçse me një të qeshur të veçantë. Komisari britanik, i mësuar tashmë me fizionominë e tij, e kuptoi mesa duket qëndrimin e tij dhe mendoi se nuk duhej këmbëngulur…».
Atëherë Komisari Britanik, i kërkoi Aliut që francezi të paktën të pikturonte nipat e tij. Çuditërisht pashai pranoi t’i vizatonte çunakët që atë ditë ishin në një paradhomë aty pranë. Dhe kur Dupré me miqtë e tij u larguan për t’i lënë ata vetëm në bisedimet e tyre, ai përfitoi që t’i vizatonte ata dy djem, Mehmetin dhe Ismailin, më të vogël, të cilët ndryshonin shumë nga njëri-tjetri. Seancat me dy nipat e pashait ishin të shpejta por të habitshme. Nëse Mehmeti, më i madh në moshë se Ismaili qëndronte serioz, ndoshta nga frika mos i bërtiste pashai, Ismaili ishte një nazeli i madh, ndoshta pse pashai e përkëdhelte më shumë, si më i vogli që ishte. Duke pikturuar Ismailin, Dupré u gjet para një situate të çuditshme pasi një nga rojet që i rrinte gjithnjë pranë Ismailit, nisi ti fliste e tij bënte ca shenja të çuditshme, madje dhe t’i bërtiste. Kur pyeti dike aty pranë, atij i thanë se roja mesa dukej nuk donte ta pikturonte djaloshin, se kjo do të ishte mëkatë sipas fesë muslimane. Por Dupré e vazhdoi vizatimin deri në fund. Një ngjarje e tillë do t’i ndodhte dhe piktorit anglez Edward Cockerelle, kur do të vizitonte Shqipërinë dhe ku në Elbasan ishte ndalur të bënte ca portrete të njerëzve që i ishin mbledhur përreth, por papritmas erdhi dikush me çallmë dhe nisi ta shante duke e akuzuar se ishte djall dhe se me vizatimet e tij do bënte që ata njerëz të vdisnin. Kjo për ta ishte një magji…
Një nga gjërat e shënuara ato ditë ishte rikthimi i tyre në Butrint, meqë pashai i kishte ftuar për një dalje në gjueti përgjatë liqenit dhe brigjeve të tij, të populluara me lloj-lloj shpezësh të egra. Madje, siç kujton Dupré, Aliu kishte vendosur rreth brigjeve nja 500-600 ushtarë të tij që të ulërinin e të trembnin shpezët në mënyrë që ato të ngriheshin në qiell dhe anglezët e Aliu t’i qëllonin me pushkët e tyre. Një spektakël i habitshëm dhe një zallamahi më vete… «… Nga mesi i ditës, – shkruante Dupré, – skuadrilja jonë ishte vendosur në një pikë ku na sollën për të ngrënë, madje e shtruan në barkat tona… hanim në mënyrë madhështore me enë të sheshta, por që thuhej se pronari i tyre i parë kishte qenë Joachim Murat… Meqë barka jonë gati e prekte atë të pashait, unë u vendosa në mënyrë që të mund ta vështroja mirë dhe që ai të mos më shikonte. Që nga takimi ynë i parë me Aliun, unë kërkoja me etje rastin që të kapja tiparet e tij dhe ai rast mu duk tepër i favorshëm. Ai kishte refuzuar t’i bëja portretin, por megjithatë unë guxova ta bëja. Edhe pse me nxitim, arrita ta bëj më mirë sesa shpresoja…».
Të nesërmen në Korfuz, pas një vizite në zyrat e konsullit francez Chantal, me një kureshtje te veçantë Dupré u drejtua nga cepi i qytetit atje ku ishin vendosur barakat ku jetonin suljotët e pakët që kishin mbetur me familjet e tyre. «Vetëm duke dëgjuar se isha francez, – kujtonte ai, – ata i hapën portat e tyre dhe në shenjë miqësie më sollën pipën e duhanit dhe kafenë. Qoftë nga një lloj mosbesimi që mund të kishin dhe çka ishte e falshme, qoftë nga qëndrimi natyral e i moderuar në përgjithësi, ata mu dukën më të qetë në hidhërimin e tyre sesa të dergjur në dhimbje. Ngado pashë armët e tyre të heshtura, varur në muret e banesave të tyre, por të mbajtura me një kujdes që e tradhëtonte dëshirën e tyre për të rrëmbyer armët dhe të hakmerreshin një ditë…».
Po atë ditë, fregata angleze, bashkë me Komisarin Britanik Sir Maitland do të nisej drejt Pargës, pasi ushtria e Ali Pashës kishte sulmuar dhe kishte bërë kërdinë, jashtë parashikimeve të anglezit. Nga ana e tij, Dupré dhe tre shokët e tij morën rrugën e Janinës, duke zbritur sëpari në Sajadhe dhe duke vazhduar me kuaj përmes gjelbërimit të luginës Thyamis (nga vjen dhe emri «çam»). Donin patjetër të shikonin sarajet e pashait dhe të zhbironin mbi legjendat që thuheshin për atë vend. Ishte data 25 mars. Pas një vizite të qendrës së pashallëkut, pazarit, liqenit të Litharicës dhe manastireve ortodoksë rreth tij, ata u pritën në saraje nga biri i pashait. Janina e asaj kohe lulëzonte nga tregëtia. Pashallëku i Ali Pashës bëhej gjithnjë e më i fuqishëm. Hebrejtë jetonin në paqe dhe financonin pashain. Tani Ali Pasha kujdesej për hapjen e shkollave të ortodoksëve ; liceu Zosimea ishte i një niveli europian ku mësoheshin gjuhët e huaja, ku kishte laboratore fizike, kimie, etj.
Më pas, udhëtimi i tyre vazhdon drejt malit të Pindit dhe pastaj drejt Thesalisë, ku hipur në kuaj do të shkonin te pashai tjetër, Veli Pasha, djali i vetë Ali Pashës. Tashmë francezët e kishin humbur influencën e tyre dhe Veliu ashtu si i ati, ishte kthyer nga anglezët. Më 29 mars, karvani i tyre iu afrua manastireve të “Meteora”-s, që ngriheshin lart në majë të shkëmbenjve ku jetonin priftërinjtë dhe ku duhej të ngjiteshe me litarë që të mund t’i vizitoje, dhe kjo padyshim për këta udhëtarë ishte diçka e rrallë. Rrugës, ata shkuan të takojnë birin e Aliut, Veli pashën i cili zotëronte si një zot i vërtetë në gjithë Thesalinë. «Veli Pasha më pyeti për Napoleonin, – shkruante Dupré, – për gruan dhe birin e tij si dhe pse ai i kishte shpërndarë në poste të shumta pjestarët e familjes së tij, duke pyetur pastaj nëse kjo ishte diçka e drejtë apo jo?! Pastaj na nxorri një këngëtare italiane që të fillonte të këndonte për ne. «La Signora» i puthi dorën, por kur i thanë të këndonte ajo u përgjigj se piano ishte ç’akorduar dhe s’mund të këndonte kështu. Atëherë Veliu na dha karrocën e tij të na çonte në luginën e Tempes, drejt Olimpit…».
Duke vazhduar udhëtimin, Dupré ndeshi parreshtur gjurmët e një qytetërimi të kaluar dhe tempuj të shkatërruar, pasi bejlerët dhe pashallarët ua kishin marrë gurët e tyre për të ndërtuar sarajet apo për t’i bërë një gëlqere që parapëlqehej shumë në atë kohë. Më pas, karvani mori rrugën e Olimpit, Delfit, Kastrit duke vazhduar drejt Livadhjasë, Arashovës, Thivës (Teba e vjetër), me gjurmët e luftës së persëve me grekët, ku një varr të vjetër thuhet se mund të ishte varri i vetë luftëtarit të famshëm Leonidas.
Edhe pse nuk shkruan për arvanitasit, ata janë ngado në këto zona rreth Parnasit dhe në fushat poshtë, siç do të dëshmonin shkrimet e një mori udhëtarësh, ndër ta dhe Gustave Flaubert e Maxime Duc Camp apo Dora d’Istria gjatë udhëtimit të saj nëpër Greqi. Pasi kalojnë fushën e madhe të Eleusës ata vazhduan drejt Sunios dhe pastaj morën rrugën për në Athinë. Ja, Parthenoni atje tutje, lart, majë kodrës, që dukej i heshtur dhe i vetmuar. Ata qëndruan pikërisht në atë shtëpi ku dhjetë vjet më parë kishte qëndruar vetë poeti i madh Bajron, autori i Çajld Haroldit dhe përkrahësit të madh të Revolucionit Grek për pavarësi, pikërisht aty ku lordi anglez që adhuronte aq shumë shqiptarët që e shoqëronin, ra në dashuri me të bijën e e vogël të shtëpisë, Terezën, një nga tri vajzat e zonjës Makri, vejushës së ish zëvendës konsullit anglez në Athinë.
Në kryeqytetin grek, një nga takimet më interesante për të ishte takimi me konsullin francez Louis Fauvel, i cili kishte qenë një nga ata që kishte ndjekur Bonapartin në “Fushatën e Egjiptit” e që më pas, në vitin 1793 e kishin caktuar si konsull të Francës në Athinë. Në fillim pritja e konsullit ishte e ftohtë, por kur pa letra rekomandimet që i tregoi piktori dhe e kuptoi se me kë kishte të bënte, konsulli e afroi menjëherë, pasi ai ishte një mik i arteve.
Louis François Sébatien Fauvel (1753-1838) ishte në fakt dhe piktor e arkeolog, i cili në fillim i kishte shërbyer ambasadorit të Francës në Stamboll, Choiseul-Gouffier në përshkrimin e librit të tij Udhëtime piktoreske në Greqi. Prej më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh në Greqi, përveç udhëtimeve të shumta arkeologjike, Fauvel kishte mbledhur shumë antikitete të formateve të vogla, çka ishte një koleksion i rrallë e ku disa prej tyre u dërguan në Paris, në Muzeun e Luvrit. “Midis udhëtarëve francezë që kanë parë Athinën, – kujtonte Dupré në librin e tij, – nuk ka as edhe një të vetëm që të mos jetë habitur nga koleksioni i tij i rrallë, për të cilin thonin se ishte shumë i çmuar. Ajo shtëpi e thjeshtë dhe elegante, e mbuluar ngado me fragmente antike, ishte e denjë si ai që banonte në të: oborri, kopshti, pjesët ndihmëse, gjithçka shfaqte pjesë kollonash dhe copa kapitelesh, statuja të gjymtuara, gurë varresh, mermere plot mbishkrime etj. Një mik i arteve dhe i antikitetit gjendej atje si në një vend të shenjtë, në një sanktuar. Aty-këtu lexoje dekrete publike, lamtumira për ndarjen e përjetshme, keqardhje që u drejtoheshin të vdekurve, një turmë emrash njerëzish të famshëm e të panjohur…”.
Fauvel banonte atëherë në një shtëpi të lagjes “Agora”, nga ku tutje dukeshin kollonat e mrekullueshme të Parthenonit. Jetonte me një vajzë turke që e kishte rritur si vajzën e vet e që pastaj e kishte martuar me një jeniçer. Pranë shtëpisë së tij jetonin dhe disa “kapuçinë” të vendosur aty prej kohësh, në një manastir të vjetër katolik që në fillim të shekullit XVII, ku shpesh ndalonin dhe frankët për të kaluar disa ditë gjatë udhëtimeve të tyre. Ishte Fauvel ai që u kishte shërbyer pothuaj gjithë udhëtarëve të ndritur për tu treguar historitë dhe vëndet historike të Greqisë antike. Kështu ai do të shoqëronte më pas dhe Chateaubriand, Lebrun, vikontin Marcellus, Edgar Quinet, piktorë të shumtë, historianë, arkeologë, etnografë, etj. Shpejt Dupré do të bëhej një mik i mirëpritur në shtëpinë e konsullit, jo vetëm pse Dupré ishte një artist, çka Fauvel kishte dobësi për piktorët, por sepse mendimet e tyre për artin dhe antikitetin grek pothuaj ishin të njëjta: të dy adhuronin skulpturat e Fidias apo Praksitelit, adhuronin tempujt që ende mbaheshin në këmbë ndaj stuhisë së hordhisë osmane, pëlqenin pa masë frizat, kapitelet, mbishkrimet e vjetra apo epitafet e atyre që kishin shkuar për në botën tjetër duke lënë lamtumirat e fundit. Në tablonë që Dupré ka pikturuar për konsullin, ai e ka vendosur atë buzë dritares nga ku tej duket kompleksi arkitektonik i Parthenonit me tempujt përreth dhe poshtë, mbështetur në dyshemenë e dhomës duken gjetjet arkeologjike me figurat e luftëtarëve të vjetër të betejave të mëdha. Pranë konsullit ka vendosur dhe figurën e një shërbyeseje me kostumin arvanitas, që po i shërben konsullit jo vetëm për t’i dhënë një lloj dinamizmi tablosë, por edhe për të kapur një çast nga jeta e konsullit në Athinë.
Lidhur me figurën e kësaj shqiptareje shkruan dhe piktori, shkrimtari e arkeologu francez, konti Auguste de Forbin, i cili ishte drejtori i Muzeumeve në Paris. Në librin me përshtypje Voyage dans le Levant, mbi udhëtimin në Greqi në vitin 1817, duke përshkruar shtëpinë e konsullit ai kishte shkruar: “Një shërbyese shqiptare zbukuruar me kostumin e saj piktoresk, shtroi tavolinën nën një pjergull dhe ne hëngrëm harabela të Sunium, duke pirë një verë të Zea-s. Disa të qëlluara topi që nga Akropoli lajmëruan afrimin e beut. Ishim vendosur në peristilin e tempullit të Tezeut, ku pamë një pjesë të popullsisë së Athinës në një spektakël të vërtetë dhe diçka të re për ne. Ai kortezh i çuditshëm përbëhej nga shqiptarët në këmbë, nga jeniçerët dhe spahinjtë mbi kuaj… 60 shqiptarë bëjnë të dridhet gjithë Atika… Dhe banorët e Megarës janë të veshur me kostume shqiptare…”.
Nê atê pllajê para tempullit, në festat e mëdha fetare dhe pagane, grekët dhe arvanitasit mblidheshin dhe festonin sëbashku dhe padyshim, po tê kishte asistuar nê atê festê, Dupré do na kishte na lënê njê dëshmi pikturale tê jashtêzakonshme, pasi ajo ishte shumê piktoreske, siç e përshkruan dhe Alexandre Buchon në librin e tij me kujtimet e udhêtimit “La Grèce continentale et la Morée. Voyage, séjour et études en 1840 et 1841”, kur më 1 prill të vitit 1840 ndodhej në festën që zhvillohej në këmbët e tempullit.
Ndër të tjera si shkruante: «… Ditën e një prillit kjo rrafshnaltë bëhet çdo vit vendi i piktakimit të një turme të madhe njerëzore të çdo seksi, moshe e rangu shoqëror, të veshur me rroba të ndryshme. Ky takim i përvitshëm bëhet në këtë rrafshinë të kodrës së Pnyx. Ditën që isha i pranishëm, ishte një kohë e mrekullueshme. Dhe nuk ishte si rrumuja e njerëzve siç ndodh në një festë fshatare franceze. Llojet e shumta të kostumeve dhe tipave të ofrojnë një tablo të gjallë e mjaft spikatëse. Të gjitha gratë ishin ngjeshur atje nën peristil, mbi shkallët e tempullit dhe rreth murit rrethues, veshur me kostumet e Shqipërisë, të Smirnës, Athinës dhe të Hidrës.
Gratë shqiptare spikasin me shumicë, veçanërisht midis popullatës së Athinës dhe tek i shikon ashtu që poshtë rrugës, me kostumet e tyre plot ngjyra e që shndrisin, ballë kollonave të nxira nga dielli, së bashku, ato formojnë një ansambël tepër piktoresk. Kokat e tyre janë të mbuluara si ato të arabëve, ku sipër u del vetëm koka, si te një mumje egjiptiane, një lloj qefini i bardhë që rrethon kokën e supet e tyre. Disa të tjera mbajnë mbi kokat e tyre një lloj kapuçi plot monedha ari e argjendi të vendosura rradhazi, njëra sipër tjetrës dhe në fund të radhës, poshtë u varen monedha të tjera më të lehta, më të vogla në numur, të cilat tunden si zile rreth ballit të tyre. Fustani që zgjatet që lart poshtë mbulohet nga një copë lara-lara e me të gjitha ngjyrat si dhe një të artë të bukur, është i ngjashëm si me petkun e priftit. Burrave ngjan se u është rezervuar vendi i qefit.
Të mbledhur aty-këty, ata i sheh të kërcejnë dhe asnjë femër nuk përzihet në vallen e tyre. Pikasa se ishin barinj shqiptarë. Nga një anë dymbëdhjetë a pesëmbëdhjetë mes tyre, veshur me fustanella dhe një veshje të bardhë sipër, mbi të cilën tundej një lëkurë e gjatë delje me fije të shkëlqyera mëndafshi dhe kokën e mbuluar me një fez që mbahej nga një lloj shamie jo aq e bukur, si një lloj turbani. Të kapur nga duart, ata dundeshin duke kënduar. Kryetari i këtij grupi ishte veçmas dhe e udhëhiqte këtë varg me autoritetin si të ishte një nga njerëzit të veshur më bukur në një nga sallonet më të famshme pariziane. Ai kishte privilegjin që nën admirimin e madh të të tjerëve përreth, të lëshohej i lirë me lëvizjet më të vështira duke u hedhur sa në një anë në tjetrën, duke u shëmbur në tokë herë me këmbë të mpleksura e herë duke i përkulur nën vete, e duke u hedhur pastaj duke kërcyer përpjetë për të vazhduar më tej. Valltarët e tjerë e ndiqnin duke u tundur si në një valle greke, por pa imituar kërcimet e tij, rëniet e hedhjet përpjetë, të cilat përbëjnë majën e mjeshtërisë e të artit.
Më tej një grup tjetër valltarësh ku janë veçse burra që bëjnë një lloj ushtrimi. Dikush i bie tamburasë dhe një tjetër një fyelli me tri vrima. Në një pjesë tjetër të rrafshinës dikush i bie kitarrës dhe që rregullon ritmin duke i rënë kordave të zakonshme ashtu i ulur mbi një varr antik të punuar, i cili pas disa ditësh do të çohet në muzeun e antikiteteve… Ne kënduam ato ditë këngë franceze; greke, shqiptare e bullgare. Një djalosh i ri shqiptar rreth 13-14 vjeçar me një zë “koke” dhe që përpiqej ta lëshonte sa më mirë, ai nisi me forcë një këngë shqiptare, ndërkohë që bashkëpatriotët e tij, ulur në formë rrethi, Përreth tij, përsërisnin refrenin në korr…”.
Një përshkrim më vete, Dupré i bën një dasme shqiptare që zhvillohej në një nga shtëpitë e Athinës, fare pranë ndërtesës ku qëndronte ai. Një çast, kur ishte duke pikturuar, ai dëgjoi ehot e një muzike të veçantë. Ishte një dasëm shqiptare, e arvanitasve të lagjes “Plaka” të zemrës së Athinës, rrëzë tempullit të Tezeut, pranë Parthenonit. Dhe ai menjëherë u nis drejt asaj dasme të asistojë në një mjedis me shumë kolorit. Madje, duke shkruar kujtimet e asaj dite, ai i referohet dhe shkrimit të një gazetari anglez që rastësisht si dhe ai, kishte qenë i pranishëm në atë dasmë, reportazh të cilin e kishte botuar në një revistë angleze. Midis të tjerave ai shkruante: “… Ishte 18 vjeçare dhe me tipare të rregullta të një ëndërrimtareje. Kishte sy të vegjël dhe të zinj, por dukej sikur ia kishin zmadhuar për t’i dhënë më shprehi, duke i zgjatur kështu dy cepat e qepallave dhe duke ia lyer qerpikët me një ngjyrë të zezë. Ngjyra e saj natyrale ishte zhdukur nga kremi i bardhë dhe i kuqi që mbulonte fytyrën e saj. Në flokët e sajuara në tri rradhë, ngrihej një amfiteatër lulesh, letrash me ngjyrë, parash sekuini të shkuara në fill njëri pas tjetrit, etj. Kjo lloj krehje që bëhej në familjet ortodokse, ashtu siç shohim dhe gratë me kapele në Normandi, është d.m.th. prika e nuses…”
Gratë arvanitase brenda Athinës apo në periferinë e saj, e veçanërisht në Peloponez, Evia, Thiva, Korinth, Mandra etj, me veshjen e tyre karakteristike dalloheshin menjëherë nga greket dhe bënin përshtypje të veçantë tek udhëtarët e huaj, të cilët në librat u kanë kushtuar rradhë të shumta veshjes së tyre. Lidhur me kostumin e tyre piktoresk kishte shkruar dhe studjuesi anglez Richard Chandler, i cili kishte vizituar Athinën që më 1764, duke i përshkruar ato në librin e tij me kujtime “Voyage en Orient”. “Gratë shqiptare, – shkruante ai në Udhëtim në Orient, – që në rininë e tyre janë mësuar me një jetë të ashpër, me punën e rëndë dhe me përvëlimin e diellit. Të gjitha llojet e mundimeve si dhe ajri i Athinës i kanë cënuar tiparet e saj ashtu. Veshja e tyre është e thjeshtë dhe jo e bukur: një këmishë që zbret gjer poshtë në kaviljen e këmbëve; një brez i gjerë rreth mesit të trupit dhe një lloj bluzë leshi e hapur. Flokët i kanë të ndara në dy pjesë dhe në cep të lidhura fjongo nga ku në fill, lidhen monedha të cilat ato i ndryshojnë herë pas here dhe që rrallohen duke shkuar nga fundi. Jo rrallë në flokët e zbukuruara të tyre antikerët kanë gjetur monedha të çmuara. Këto gra shqiptare i sheh tek ngarkojnë ujin në disa shtamba me veshë që i ngarkojnë pastaj mbi gomerë. I sheh tek grumbullohen ashtu tek burimet ose buzë lumit Ilisus, kur ka pushuar shiu, tek kanë ardhur për të larë rrobat bashkë me skllavet muslimane dhe shërbëtoret e tjera. Ato i lajnë të linjtat dhe i rrahin pastaj me një copë druri. Më pas, rrobat e lara i hapin përtokë apo mbi shkurre që të thahen dhe në fund i mbledhin nëpër shporta dhe i ngarkojnë mbi gomerë. Shpesh ato i kanë këmbët e zbathura dhe kokën e mbulojnë me një lloj cohe që e rrotullojnë rreth qafës, cepat e të cilës u varen mbi gjoks. Vajzat e reja mbajnë një lloj kapuçi të zbukuruar me monedha që u kanë bërë nga një vrimë dhe i kanë vendosur mbi të si të ishin luspa peshku…”.
Edhe studjuesi francez Alexandre Buchon i cili do të vizitonte Athinën njëzet vjet më vonë, ndër të tjera, në librin e tij La Grèce continentale et la Morée. Voyage, séjour et études en 1840 et 1841, do të shkruante: “ «Ditën e një prillit kjo rrafshnaltë bëhet çdo vit vendi i piktakimit të një turme të madhe njerëzore të çdo seksi, moshe e rangu shoqëror, të veshur me rroba të ndryshme. Ky takim i përvitshëm bëhet në këtë rrafshinë të kodrës së Pnyx … Llojet e shumta të kostumeve dhe tipave të ofrojnë një tablo të gjallë e mjaft spikatëse. Të gjitha gratë ishin ngjeshur atje nën peristil, mbi shkallët e tempullit dhe rreth murit rrethues, veshur me kostumet e Shqipërisë, të Smirnës, Athinës dhe të Hidrës. Gratë shqiptare spikasin me shumicë, veçanërisht midis popullatës së Athinës dhe tek i shikon ashtu që poshtë rrugës, me kostumet e tyre plot ngjyra e që shndrisin, ballë kollonave të nxira nga dielli, së bashku, ato formojnë një ansambël tepër piktoresk. Kokat e tyre janë të mbuluara si ato të arabëve, ku sipër u del vetëm koka, si te një mumje egjiptiane, një lloj qefini i bardhë që rrethon kokën e supet e tyre. Disa të tjera mbajnë mbi kokat e tyre një lloj kapuçi plot monedha ari e argjendi të vendosura rradhazi, njëra sipër tjetrës dhe në fund të radhës, poshtë u varen monedha të tjera më të lehta, më të vogla në numur, të cilat tunden si zile rreth ballit të tyre. Fustani që zgjatet që lart poshtë mbulohet nga një copë lara-lara e me të gjitha ngjyrat si dhe një të artë të bukur, është i ngjashëm si me petkun e priftit…”
Në Athinë, i mrekulluar nga madhështia e Parthenonit, edhe pse e dëmtuar rëndë, Dupré do të bënte disa akuarele, njëra tërësisht në tone okër, si duket në perëndim të diellit dhe një tjetër me ngjyra më të ngrohta ku spikat e gjelbërta, duke vendosur një arvanitas me fustanellë në plan të parë, pasi rreth Parthenonit jetonin shumë arvanitas. Pikërisht aty ai do të mësonte dhe tragjedinë që kishte ndodhur me Parthenonin kur osmanët që ishin rrethuar brenda saj, në fillim nuk kishin dashur të dorëzoheshin. Kjo kishte ndodhur më 1683, kur Turqia kishte hyrë në luftë kundër Austrisë dhe kur gjenerali venecian Francesco Morosini që ishte thyer në Kretë, u caktua komandant i ushtrisë venedikase dhe nisi sulmin kundër ish fortesave veneciane të pushtuara më pare nga turqit, duke i marrë ato njëra pas tjetrës, në ishujt e Egjeut apo në Nafplio, Argos, Korint, Patra e më së fundi ai iu drejtua Athinës. Garnizoni turk ishte përqëndruar në Akropol dhe nuk deshi të dorëzohej. Atëherë Morosini dhe zëvendësi i tij, suedezi Konigsmarck, qëlluan me topa, çka shkaktoi shkatërrimin e çatisë së Parthenonit si dhe të shumë monumenteve të tjera, përfshi dhe frizën e famshme të krijuar nga Fidias. Më së fundi goditjen përfundimtare e kishin dhënë arvanitasit dhe garnizoni turk ishte dorëzuar. Ishte 4 tetor 1687, por dëmet e mëdha ishin fatale për gjithë qytetërimin botëror.
Ato ditë në Athinë, kur do të merrte anijen në Piré, Dupré pati dhe një takim mjaft interesant për të cilin do të shkruante në kujtimet e tij e madje dhe do ta pikturonte, çka përbën një nga figurat më interesante të koleksionit të këtij udhëtimi të artistit francez: “… Sapo takova një tjetër trim, – shkruante ai, – ish adjutantin e Marko Boçarit, i cili ishte dërguar në Piré dhe nga Pireu në Paris me rekomandimin e komitetit grek që të mjekonte plagët e rënda që ai mori në krah të Karaiskait si dhe plagët akoma më të rënda që e detyruan të dilte nga Misolongji para asaj dite fatale ku gjithçka që mbeti në qytet u mbulua nga shkatërrimi. Ky njeri quhej Vasil Gudha, i cili ishte tepër interesant për këdo që e shikonte dhe kur e pashë, mendova menjëherë se do ishte mirë ta gjenin atë figurë fisnike e mashkullore në koleksionin e pikturave të mia. Ai po përgatitej të kthehej në Greqi. Nuk i ka mbetur më asgjë nga kjo botë, por ai do ende të luftojë për atdheun e tij. Kishte një djalë që i kishte vdekur papritur në moshën katër vjeçare. Njëmbëdhjetë nga anëtarët e familjes së tij ia kthyen në skllevër. I kërkojnë 16 mijë piastra turke që t’ia lirojnë, por ky haraç është mbi mundësitë e tij…”.
Më vonë, Dupré do të mësonte historinë e mëtejshme të këtij personazhi të lavdishëm, i cili, siç shkruan dhe Konstantin Metaxa që atë kohë ishte në Misolongji, ishte Gudha që i kishte sjellë lajmin e vrasjes së Boçarit. Ishte ai që e kishte mbajtur në krahë trupin e Markos, siç dhe shkruante në librin e saj Dora d’Istria, Udhëtim në Rumeli dhe Greqi : “Kur trupi i tij hyri në qytet, të gjithë rendën drejt tij. I mbështjellë me një mantel të kuq të luftëtarëve krenarë të Shqipërisë, duke mbajtur anash shpatën e tij, Boçari ishte shtrirë mbi një vig që mbahej nga gjashtë palikarë të Sulit. Para tij çuan të ecnin të burgosurit e lidhur me zinxhirë, flamujt e kapur armikut si dhe mushka me pushkë, pistoleta e municione kapur armikut në betejë. Trupin e vunë në shtëpinë e kryebashkiakut të Misolongjit dhe në mbrëmje sollën vajtojcat që t’i këndonin. Sipas zakonit ato ishin të veshura me të bardha dhe flokët e gjata u ndereshin mbi supe. Ato u vunë në rreth rrotull Boçarit dhe me dhembjen që kishin në shpirt kënduan vlerat e tij më bukur se asnjëherë tjetër në vdekjet e zakonshme. Në mesnatë, gjithçka ra në qetësi. Qyteti i heshtur e i dëshpëruar përgatitej për ceremoninë e nesërme… Kur mbrojtësi i Misolongjit doli në rrugë në një arkivol druri qiparizësh, me fytyrë të zbuluar, me krahët e kryqëzuar mbi një zemër që kurrë nuk ishte dridhur, u dëgjuan tingujt e këmbanores së kishës dhe gjëmimet e artilerisë nga brigjet e detit gjer në luginat e Aracintës. Nga dritaret, gratë hidhnin lule, zambakë… Dhe kështu, kortezhi shkoi drejt kishës. Pas shërbesës së vdekjes, i mbështetur mbi spektrin e tij, prelati ortodoks tha: «Që shpirti i martirit të pushojë në paqen e Zotit!» Dhe gjithë populli ra në gjunjë duke pëshpëritur: Amin!»
Louis Dupré do të shkonte dhe një vit më pas në Janinë, por ai na befason kur shkruan për gjendjen në të cilën e gjeti Janinën: «Një vit më vonë do të gjeja ushtrinë e sulltanit që kishte rrethuar kështjellën, nën flamujt e Ismail Pasho Beut…» Kështu Dupré nxitoi kuajt që të largohej sa më parë, me shpresën e humbur se mund ta takonte sërrish pashain legjendar. Ai veç dëgjoi më pas për kokën e prerë të Ali Pashës dhe udhëtimin e asaj koke përmes maleve të Ballkanit deri në Stamboll, ku koka e tij u vendos në një kamare që populli ta shikonte e që askush të mos guxonte më të ngrihej kundër sulltanit të madhërishëm.
Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, Greqi dhe në Konstantinopojë, Dupré realizoi shumë vizatime me portrete ku më së shumti dallohet cikli i tij në sarajet e Ali Pashës, si dhe suljotët, të cilët ai i pikëtakoi në Korfuz. Kur ai i ekspozoi ato më vonë në sallonin e artit në Paris, kritika i priti në një mënyrë të shkëlqyer, pasi jo vetëm personazhet ishin vizatuar në një mënyrë të përsosur, por ato ishin të rrethuar dhe me një dritë të bardhë që dukej se mbizotëronte në peizazhet e Ballkanit, të brigjeve të Jonit. Më pas, një pjesë e litografive të tij me ngjyra u shpërndanë ndër koleksionistë të ndryshëm. Padyshim, më e njohura ishte ajo e Ali Pashës në barkë gjatë gjuetisë në liqenin e Butrintit, por ai ka pikturuar jo pak personazhe që e rrethonin Ali Pashën, siç ishin dhe mbajtësi i vulës së tij, apo portretet e familjarëve, ku krahë tyre ka vajza greke apo djelmoshë të bukur, që Ali Pasha kishte qef t’i mbante pranë apo tipa popullorë, siç është dhe tabloja e një kasapi shqiptar. Vizatimet me ngjyra të bëra në Korfuz, shprehin qartë karakterin e suljotëve të shpërngulur, që edhe pse të privuar nga trojet e tyre historike, përsëri qëndronin krenarë, burrërorë, të gatshëm për luftra të reja, siç do të tregoheshin kur pak vjet më vonë do të binin kambanat e Revolucionit Grek.
Nga fondi i vizatimeve të Dupré-së gjatë këtij udhëtimi kemi autoportretin e tij, gjatë në pushimi apo vizatime në kalem si “Dy gra në një burim”, “Burimi i Kiatana”-së, “Meteoret”, “Drejt Thermopileve”, “Një rrugë e Athinës”, “Drekë tek vojvodi i Athinës”, “Portreti i Konstantin Kanaris”, “Virgjëresha e Thyamis”, “Një grua nga Livadhja”, etj., të cilat pasurojnë imazhet e këtij libri.
Louis Dupré vdiq shpejt, në moshën 48 vjeçare. Duke rishikuar veprën e tij pikturale, tablotë e dimensioneve të mëdha në vaj, portretet e shumta, akuarelet dhe litografitë që shoqëruan botimin e librit të tij me format të madh «Udhëtim në Athinë e Konstantinopojë», e kupton se po të jetonte më gjatë, ky piktor do të krijonte vepra akoma më të shkëlqyera që do të mbeteshin në fondin e artë të pikturës orientale franceze të shekulit XIX. Me shpirtin e tij të aventurës dhe të udhëtimit drejt botrave të tjera, ky artist do të ndiqte me siguri shëmbullin e një piktori të madh si Delacroix, i cili në Francë solli imazhet e një Magrebi të jashtëzakonshëm plot ngjyra e me figura mahnitëse. Sidoqoftë për Shqipërinë dhe Greqinë, kontributi i Dupré-së është i jashtëzakonshëm, pasi ai na solli figurat heroike të suljotëve dhe tipin e shqiptarit të shekullit XIX, botën e pashallëkut të Janinës, figurat e arvanitasve apo imazhet e një dasme arvanitase që nuk e gjejmë në piktorë të tjerë.