Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Vendimi i mbretit

 

Tregim në vargje

          

1.

 

Njëri nga  mbretërit e  vendeve skandinave,

ftoi në një drekë të madhe pushtetarët e tij,

të gjithë u ndjen të lumtur për vëmendjen,

kur të fton mbreti është nder edhe krenari.

 

Për drekë u zgjodhën ushqimet më të mira,

antipasta të shijshme në pjatanca porcelani,

shoqëruar me lloj-lloj pijesh e verëra t`vjetra,

aragosta,oktapod zgare,peshq t`rrallë oqeani.

 

Binin në sy në atë drekë t`pasur mbretërore,

lule të freskëta, ku mbizotëronin  trëndafilat,

kompletet lugësh, pirunësh, thika të florinjta,

kurse salla e magjishme vezullonte nga  dritat.

 

Dhjetëra kamerierë shërbenin nëpër tryeza,

shfaqeshin regjisorë,fotografë,kameramanë,

muzika e ëmbël krijonte sfond t`magjishëm,

gjithçka ish perfektë, një drekë plot sharmë.

 

2.

Para se të fillojmë këtë drekë, – tha mbreti,

kam një pyetje për ju ministra, pushtetarë:

çfarë hanë, si ushqehen sot shtetasit e mi,

le të ma thotë ai që me sytë e tij  e ka parë.

 

Pyetjes së mbretit askush s`dinte t`i përgjigjej,

heshtën dhe ulën kokat të vënë në vështirësi,

kishin menduar vetëm se si të pasuroheshin,

s`donin t`ia dinin si rronte populli në mbretëri.

 

3.

Kur mbreti këmbënguli që dikush të përgjigjej,

kërkoi leje,doli përpara një shërbëtorë i vjetër:

Puna më çon çdo ditë mes njerëzve,o madhëri,

ndaj mund t`ju japë përgjigje  si askush tjetër:

 

Kudo kam takuar njerëz të mjerë e të uritur,

populli në varfëri që s`rrëfehet jeton e lëngon,

t`rritur e fëmijë kënaqen me një kothere bukë,

e ngjyejnë me shëllirë, atë kanë përditë racion.

 

Këtë gjendje e kam parë këto ditë dhe në fshat,

kur shkova të shihja se si rronin prindërit e mi,

bukën që kishin e ndanin kafshatë më kafshatë,

nga pakë thekër e ca kokrra patate kanë pasuri.

 

Varfëria vjen nga papunësia e taksat mbretërore,

ata japin gjithçka  e për vete u mbeten thërrime,

sillen rrotull pa punë, lypin, flenë dhe pa ngrënë,

këtë gjendje pashë në fshat dhe në familjen time.

 

Për anën tjetër përgjigjen e dini vet, o mbreti im,

pamja magjepse e përrallore mua m`i prish sytë,

luks marramendës,shumëkatëshe ngjiten n`qiell,

oborrtarët që ju rrethojnë, ju lajkatojnë  çdo ditë.

 

4.

Mbreti dëgjoi shërbëtorin me shqetësim, i tronditur,

dhe një copë herë qëndroi i heshtur dhe i menduar,

pastaj befas brofi në këmbë e tërë zemërim urdhëroi:

Hiqni menjëherë nga tryeza gjithçka keni shtruar!

 

Para secilit prej nesh në tryezë urgjentisht t`shtrohet,

racioni i ushqimit që populli ynë i varfër ha çdo ditë,

le t`provojmë, unë, ministrat, oborrtarë e  pushtetarë,

se si rrojnë dhe se si ushqehen shtetasit e mi besnikë.

 

Habi dhe pakënaqësi shkaktoi ky vendim i madhërisë,

por urdhrin e tij s`guxoi ta kundërshtonte dot askush,

nisën të ngjyenin kotheret e bukës në tasat me shëllirë,

përtypnin me zor patatet e pjekura në tym e në prush.

 

Kur dreka mbaroi ata pyesnin me habi njëri – tjetrin,

një gjë e tillë n`mbretëri s`kishte ndodhur asnjëherë,

por u tronditën edhe më shumë kur mbreti urdhëroi:

se kështu siç ha populli, do të hanin dhe ata përherë.

 

Sa kohë, tha mbreti, ne do të kemi këtë varfëri,

ky do të jetë ushqimi i përditshëm edhe për ne,

çdo ndryshim për mirë n`tryezat e popullit tonë,

do të sjellë dhe në tryezat tona një meny të re.

 

Urgjentisht të nisim e të kryejmë detyrat që kemi,

t`i futemi  punëve, që ekonomia jonë të zhvillohet,

t`vëmë në punë mendjet dhe natën ta  bëjmë ditë,

duke ndryshuar,ushqimi në sofra do t`na shtohet.

 

5.

Kështu morën zhvillim, o miq vendet skandinave,

puna e tyre solli ndryshime që dhe sot vazhdojnë,

sa herë që popull e  pushtetarë janë në vështirësi,

vendimin  e mbretit të tyre të mençur kujtojnë…

 

Please follow and like us: