Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: Balada e Petrit Rukës “Hanko mos shko më nëpër varre”

U befasova nga kjo baladë e mrekullueshme e folklorit shqiptar.
Mësova tragjedinë e Kamenicës, një fshat në Malësitë e Delvinës me 600 banorë që largohen të tmerruar nga vendlindja, për të mos rënë në duart e pushtuesve osmanllinj.
Ishte viti 1650 dhe sot në Kamenicën e poetit gjejmë vetëm historinë tragjike që la pas dhimbje, gërmadha e varre.
Atëhere shqiptarët i largoi nga atdheu i vet zjarri i pushtuesve osmanë e sot, në një kohë tjetër, 370 vjet më vonë, po i largon fukarallëku e mjerimi ekonomik.
Nuk ka edhe një vend tjetër në Europë, i cili në historinë e tij të ketë percjellur drejt emigracionit më shumë se gjysmën e popullit të vet.
Njerëzit ikin pa pushim e do të vijë një ditë që në Shqipërinë tonë të mbesin vetëm militantët e partive, ata të privilegjuarit të cilët bashkë me shefat e tyre e bënë Shqipërinë kjo që është sot, një vend i cili nuk e mban dot as popullin e vet, një vend ku nuk jetohet më.
Dhimbja e poetit për Kamenicën e braktisur është një këmbanë alarmi me ngarkesë simbolike, për të sotmen e krejt Shqipërisë.
Po braktisen qytete e fshatra pa fund e hemoragjinë kombëtare nuk po e ndalim dot.
Politika shqiptare e mbuluar nga turpi, do të shënohet në histori për shumë e shumë dëme që i solli këtij populli, tre nga të cilat nuk do të harrohen kurrë.
Falja e trojeve shqiptare në të katër anët, pa pikë dhimbje, pa pikë turpi e pa pikë përgjegjësie; afro 30 vjet të humbura në historinë dhe jetën e secilit prej nesh e mbi të gjitha hemoragjia e imponuar, shpopullimi i detyruar e tragjik i Shqipërisë nga bijtë e vet që po marrin përditë rrugët e botës për të mbijetuar.
Eshte një ikje pa kthim, me vaj e hidhërime që do të mbahet gjatë në kujtesën e shqiptarëve.
Balada e Petrit Rukës na e sjell të gjallë tragjedinë e shqiptarëve të Kamenicës, na e sjell për të mos harruar të shkuarën, për t’i thënë këtyre që ikin sot: Ndaluni vëllezër e ktheni kokën pas drejt trojeve e varreve të të parëve që ashtu si Kamenica e dikurshme mund të kthehet në një gërmadhë të madhe të mbushur me të huaj që do të vijnë në këto troje për një kafshatë buke me djathë.

C’deshe ti në Kamenicë
Zonjëz e rëndë e Zhulatit
Kamenica është kapicë
Plot me korba…derdhur fshatit.

C’deshe në derë të babait
Kamenicë tani nuk ka
Këndon qyqja portë me portë
Sorra hidhet tra me tra.

Please follow and like us: