Koço Kokëdhima: Rama, shëmbëlltyra më e errët e qeverisjes së Shqipërisë në këtë tranzicion
Koço Kokëdhima, kryetar i partisë “Zgjidhja”, dikur një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama ka bërë disa vlerësime për këtë të fundit në një intervistë për News 24. Duke folur për aspekte të karakterit të tij, Kokëdhima nënvizon atë që është konstatuar shpesh: z. Rama dëgjon vetëm kur është në opozitë. Rama është një dështim i madh, është një zhgënjim i madh. Rama, mendoj se mori gjërat më të këqija të tranzicionit, të të gjithë paraardhësve të tij dhe i çoi in-extremis. Për mua ai është shëmbëlltyra më e errët e qeverisjes së Shqipërisë në këtë tranzicion. Shpresoj se ai është edhe kapitulli i fundit, nga më të vështirët, i këtij tranzicioni…
Unë nuk jam i zemëruar, as me Ramën, as me Saliun, as me Ilirin dhe as me njeri. Nuk kam ngarkesë personale në raport me asnjërin prej tyre. Por lexoj raportin e përgjegjësisë që ata kanë para popullit shqiptar, për qeverisjen e vendit. Do të doja shumë që ky njeri, që kur nuk ka pushtet është dëgjues shumë i mirë, të mos rezultonte kaq i keq dhe i dështuar. Nuk ka shqiptar më dëgjues se sa Edi Rama kur është pa pushtet. Në pushtet ai nuk ka vesh, ai nuk ka zemër, ai nuk ka njerzillëk, nuk ka sy, nuk ka ndjeshmëri, nuk ka asgjë. Kur ai është jashtë pushtetit, kur ai është në opozitë, kur ai ka nevojë për pushtet, është djali “më i mirë” i Tiranës, është shprehur ndër të tjera Kokëdhima./respublica/