Albspirit

Media/News/Publishing

Kriza e besimit kërkon një forcë të re politike, tek e cila shqiptarët ta shohin të ardhmen me shpresë

 

 

Sapo dëgjova intervistën e diplomatit Agim Nesho.
Ambasadori për pak nuk e tha se Edi duhet të ikë e në vendin e tij dhe normalisht duhet të vijnë të tjerët që janë përfaqësuesit legjitimë të opozitës shqiptare.
Për fat të keq asgjë vizionare nuk kishte tek analiza që bëri ish-ambasadori shqiptar në OKB.
Edhe njerëzit më të thjeshtë nuk do ta mirëprisnin anshmërinë, në analizat e këtij momenti që kalon Shqipëria sot.
Për ata që nuk janë të paguar dhe që janë të sinqertë me vëllezërit e vet, minimumi do të ishte analiza në kohë e veprimtarive të partive që kanë drejtuar Shqipërine, në këto afro 30 vjet.
Që të tre forcat kryesore parlamentare, PD, PS dhe LSI kanë gjynahe të mëdha ndaj popullit.
Këto tre forca janë përgjegjëse të drejtpërdrejta për gjendjen ku ndodhet Shqipëria sot.
Në këto kushte është e paturpshme që me lehtësinë më të madhe, me një të rënë të lapsit, ta ndash shapin nga sheqeri e të thuash se meqënëse pozita nuk ka punuar si duhet t’i hapi rrugën opozitës aktuale, e cila në pragun e materializimit të reformës në drejtësi, i dogji mandatet.
Opozita aktuale nuk është një zhvillim i ri për shqiptarët, nga e cila me siguri, do të kemi ndryshime te dukshme, në qeverisjen e këtij vendi.
Liderët e saj të kahershëm, por edhe më të rinjtë, në shumë raste kanë patur probleme siç kanë edhe sot, të lidhura me moralin e me korrupsionin galopant të të gjitha niveleve.
Shumë probleme të kësaj natyre kanë edhe disa politikanë të majtë, të cilët u pompuan pa bërë asgjë për Shqipërinë dhe e çuan hundën përpjetë, pa patur asnjë ndjeshmëri për mizerjen ku e katandisën popullin vet.
Ajo që dua të theksoj është se politikanët dhe intelektualët e vërtetë nuk duhet, në asnjë mënyrë, të prononcohen lehtësisht për pozitën apo opoziten shqiptare, të cilat punuan me shumë kontestime, në sytë e popullit, për afro tri dekada.
Te dyja palët nuk janë më të pëlqyeshme për qytetarët e këtij vendi.
Për fat të keq, ato e kanë konsumuar negativisht, mandatin e popullit të vet.
Në këtë situatë shqiptarët duhet t’i hapin sytë katërsh.
Nuk mund të jetë më i suksesshëm rrotacioni tradicional nga PS tek PD me pak LSI në mes.
Njerëzit dhe veçanërisht inteligjenca duhet të shohin përtej së majtës e së djathtës aktuale, të cilat nuk i ushqejnë më shpresat e shqiptarëve dhe nuk i plotësojnë aspioratat e tyre.
Duhet një organizim i ri i shoqërisë civile, rinisë dhe inteligjencës shqiptare, e cila duhet të jetë e gatshme ta marrë në dorë situatën, nëse nuk duam të kemi një krizë akoma më të thellë. Nuk mundet që një qeveri teknike ta menaxhojë ashtu si edhe herë tjetër gjendjen e krijuar sepse ajo përsëri do të burojë nga pazaret e Bashës me Ramën, të cilët do të fusin gjithandej mëkëmbësit e vet.
Këto ditë, UNIONI SHQIPTAR I SHOQERISE CIVILE dërgoi drejt Delegacionit Europian, një projekt-propozim, i cili nëse vlerësohet drejt, mund të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e situatës politike në vend.
E rëndësishme është të kuptohet nga ndërkombëtarët që pjesë e zgjidhjes në Shqipëri duhet të bëhet patjetër shoqëria civile, e cila i zgjedh vetë përfaqësuesit e vet.
Ndërkombëtarët dhe sidomos SHBA dhe BE duhet të ndikojnë që, në tavolinat e zgjidhjes së krizës politike në vend, të jenë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët duhet të kondiderohen faktorë dhe jo fasadë, në raport me përfaqësuesit e partive politike parlamentare.

Please follow and like us: