Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Starova: “Saga Ballkanike dhe fati tragjik i shqiptarëve …”

Bardhyl Berberi

Autori i Sagës Ballkanike, një serial i pasur romanesh i botuar në më shumë se 40 gjuhë të botës, më në fund tërë epusin e Starovës i kemi të gjitha të botura në gjuhën shqipe, rimerr në këtë intervistë asociacionet e kujtimeve të babait të tij të cilat e shtynë të shkruante romanin ‘Librat e babait’ dhe nga ana tjetër shpjegon pse ndihet i panginjur të shkruajë për metaforat historike të shqiptarëve përgjatë shekullit që lamë pas. Proza e tij, që shtrihet në kufijtë e sarkazmës për fatin tragjik të shqiptarëve në Ballkan, është njëherësh një vepër universale sadoqë jo e shkruar në gjuhën shqipe nga nje shkrimtar bashkëkohor shqiptar, njëkohësisht i botuar në mjaft gjuhë të botës dhe para pak kohësh në SHBA.
Zoti Starova, ju jeni kurorëzuar si shkrimtari më i mirë në Maqedoni duke marrë çmimin kombëtar dhe prestigjoz “Shën Klementi i Ohrit” kini nxjerrë romanin “Dashuaria e gjeneralit”, një subjekt i marrë nga vendlindja juaj Pogradeci dhe romani jo vetëm ka patur sukses, por po botohet në disa gjuhë të botës njëherazi.

Ky libër është një metaforë integrale që kërkon të evidentojë luftërat në Ballkan dhe në përgjithësi në rajonin tonë të trazuar. Kjo metaforë ballkanike shkon deri në flijime. Ne shqiptarët kemi situatë më komplekse e më dramatike dhe indentiteti i shqiptarëve në histori ka patur kundërthënie në krahasim me popujt e tjerë të Ballkanit. Shpesh popullit shqiptar i është dashur të mbijetojë në këto faza kur jo rrallë herë ka flijuar një pjesë të indentitetit të tij.

Deshëm të dimë diçka specifike për botimet tuaja rreth ‘Sagës Ballkanike’.

E them sinqerisht që inspirimi im për të shkruar ‘Sagën Ballkanike’ ka nisur pikërisht këtu, në shtëpinë time në Strugë kur vi pushoj çdo verë. Duke parë matanë liqenit vendlindjen time, Pogradecin, duke shfletuar librat e babait të cilat i trashëgova në gjuhën shqipe, latine dhe në faqe të ndryshme gjatë leximit gjeta hirin e cigares që kishte mbetur nëpër faqe gjatë leximeve të tij dhe ky hi u bë shkak që unë të shkruaj ‘Librat e babait’, si një asociacion i përfytyrimeve të mia për tim atë. Ky është libri i parë i ‘Sagës Ballkanike’, më pas vjen ‘Koha e dhive’, ‘Rruga e ngjalave’, ‘Muzeu i ateizmit’ dhe ‘Bregu i ekzilit’, të botuara fillimisht në frëngjisht nga ‘Fayard’ dhe më pas në shqip nga shtëpia botuese ‘Toena’. Mendoj se të gjitha këto janë si metafora për shqiptarët gjatë një shekulli në kushtet e Ballkanit. Por së shpejti po nga kjo shtëpi botuese do të botojë edhe ‘Koha e Jeniçerëve’, të cilat plotësojnë ‘Sagën Ballkanike’. Unë tashmë jam shumë i lumtur që veprat e mia po dalin në shqip, sadoqë janë të botuara në me shume se ne 40 gjuhë të huaja të botës.

Deri tani ju keni folur për historinë e shqiptarëve si metaforë të cilat në fakt përfaqësojnë çfarë?

Po historia jonë mund të shpjegohet nëpërmjet metaforave ikje dhe kthim. Pavarësisht rrethanave dhe fatit, në mënyrë pothuajse instiktive, shqiptarët i kanë mbetur besnikë gjirit familjar. Këtu kemi gjetur forcën që ka munguar në institucionet e kohës së civilizimit europian. Koha konsumon jetën, por jo shpresën. Desha të theksoj pak nga vepra ‘Bregu i egzilit’, që në fakt është një breg i kthimit prej egzilit. Është vetë autori i këtij libri i cili për 60 vjet e shikonte me dylbi vendlindjen nga bregu tjetër i Shën Naumit. Këtu ka qënë muri ballkanik më i fortë se muri i Berlinit. Unë kam qenë themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Strugë dhe sa herë vija për festivalin çdo verë nga Shkupi apo Parisi, vija si në një vend peligrinazhi pranë kufirit me shkrimtarët e miqtë e mi si Edgar Morin-in, Andre Freno-në, Andrei Voznesenskii-n dhe Janis Ricos-in apo Rafael Albertin, më thoshin se një ditë do të hapet kufiri dhe liqeni nuk do të jetë i ndarë.

Jeni i pari shqiptar që keni marrë një çmim zyrtar për letërsinë nga shteti francez…

Po ky çmim vjen si mirënjohje e qeverisë franceze pas tre dekadave të punës sime. Unë këtë shpërblim nuk e shoh vetëm kaq, po edhe si mirënjohje ndaj kombit shqiptar. Para meje këtë çmim e ka marrë i ndjeri Danillo Kish. Në Francë letërsia shqipe ka filluar të njihet që me Konicën me të madhin Kadare, Fatos Kongolin dhe Besnik Mustafajin më pas.

Si themelues i këtyre mbrëmjeve ndërkombëtare të poezisë në Strugë, si e shpjegoni që në katër dekadat e këtij manifestimi të poezisë botërore, shqiptarët nuk kanë qenë dhe aq të përfaqësuar, madje edhe takimi që mbaroi para pak javësh u bojkotua nga kryetari i Bashkisë së Strugës pikërisht për këtë?

Mbrëmjet e Poezisë në Strugë janë krijuar për të thirrur poetët më të mirë nga e gjithë bota dhe nëpërmjet tyre të jepet mesazhi i paqes, bashkimit dhe të krijohen ura miqësie mes popujve. Por qëllimi i këtij misioni ka shkarë. Aty është futur politika, nacionalizmi dhe shpeshherë jo vetëm që shqiptarëve ju është dhënë kurora e artë,  vetëm një herë me Fatos Arapin ndonëse e kanë meritur me Dritëro Agollin apo Xhevahir Spahiu. Por desha të theksoj se  para 5 vjetësh  shqiptarët u provokun shumë keq nga një poet tunizian i cili kishte futur një poezi tepër fyese për Shqipërinë duke i quajtur shqiptarët “thikë në shpinë”, ndërsa nënat shqiptare që “pjellin fëmijë të pangopshëm”. E pra kjo jo vetëm nuk është normale, por edhe devijim nga misioni që duhet të ketë poezia në këto lloj takimesh.

Në mesazhet e disa romaneve tuaja ju i mëshoni çështjes së identitetit shqiptar. Nuk mund të mos ju pyesim për debatin e ethshëm që ka kapur disa intelektualë shqiptarë në vijim të koncepteve që kanë hedhur shkrimarët Ismail Kadare e Rexhep Qosja. Nëse i keni ndjekur, ç’mendoni?

Më duket se ne shkrimtarët pak a shumë na pëlqen të na përkëdhelin, të shkruajnë për ne, por vjen një kohë që fillojmë e merremi me mediat dhe kurdisim aty sipas oreksit tonë lloj-lloj opinionesh. Unë desha të theksoj prerë se polemika midis Kadaresë dhe Qoses është e tejkaluar. Indentiteti ynë dihet është një indentitet kompleks me komponentë islamë dhe të krishterë dhe të gjithë këta së bashku përbëjnë indentitetin tonë kombëtar, të asaj bashkëjetese model midis feve në Shqipëri. Edhe Kadare dhe Qose harrojnë një gjë: që indentiteti ynë kompleks është një vlerë për kombin tonë. Kjo polemikë është joproduktive dhe nuk i shërben askujt, vetëm sjell përçarje aq më tepër në situatat ku ndodhet vendi ynë. Nëse ata kanë pikëpamje të ndryshme le t’i shprehin nëpër veprat e tyre të sjellin mesazhin që ata mendojnë, por jo të merren me lojëra fjalësh dhe akuza të ndërsjellta nëpër gazeta. Askujt nuk i shërben ajo polemikë.

Please follow and like us: