Murrizi, Hajdari e Koka-deputetët që nuk i kanë djegur mandatet
Pasditen e sotme deputetët e PD firmosën dorëheqjen. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe deputetët e LSI-së. Por në radhët e opozitës së bashkuar ka edhe dezertorë. Një prej tyre është deputeti i PD, Myslim Murrizi ka akuzuar klasën qeverisëse aktuale si komuniste dhe që nuk bën gjë tjetër veçse tallet me shqiptarët. Nëpërmjet një statusi në Facebook, ai ka shprehur gjithë mllefin e tij për gjendjen aktuale, duke thënë: -“ 20 shkurti i 1991, shqiptarët rrëzuan bustin e diktatorit simbol të komunizmit. 20 shkurt 2019, bijtë e ish-udhëheqësve komunistë qeverisin Shqipërinë. Dhe bijtë e ish-komunistëve, ish-sigurimsave, ish-hetuesve të shpërndarë si copa m… në çdo cep të politikës shqiptare tallen me shqiptarët”, është kjo një pjesë e asaj që shkruhet në Facebook.
Deputetja tjetër nga radhët e PD-së, është Rudina Hajdari. Hajdari ndodhet në Belgjikë, ku është duke zhvilluar diskutime për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Lajmin të ditur e ka bërë vetë Hajdari, e cila ka publikuar dhe një foto nga Këshilli i BE. Nuk dihet çfarë do të ndodh me mandatin e deputetit të saj, tashmë pritet nëse ajo do ta djeg apo jo. Kujtojmë edhe deklaratën e saj në protestën e studentëve, ku tha se do të linte mandatin e deputetes dhe do ti bashkohej protestës.
Ndërsa nga LSI, është deputeti Lefter Koka ai që nuk ka pranuar të firmosë dokumentin e lënies së mandatit.