Albspirit

Media/News/Publishing

Përplasja e Petro Markos me rektorin e Universitetit të Athinës

Petro Marko, arsimtar, publicist, gazetar, shkrimtar shqiptar, lindi në fshatin Dhërmi, në 25 nëntor 1913, nga prindërit Marko e Zoica, por u rrit nga gjyshja Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros, por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët. Pasi kreu filloren në vendlindje më 1924, shkoi në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë.

Pasi kreu shkollën u soll në Tiranë, takoi Hilë Mosin, asokohe ministër Arsimi. U caktua mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Më 1934 ishte pjesë e Grupit Komunist të Tiranës, duke marrë pjesë në takimet e të cilit pa ditur se kush ishte kryetari. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petro i jepte nxënësve literaturë komuniste. U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye Dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për në Athinë, ku kishte të vëllanë Dhimitrin, që ishte larguar që fëmijë nga fshati. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, ku i takoi të kishte fërkime me rektorin, i cili ia njihte për turp që Petroja si himarjot të ishte mësues i shqipes. Gjë për të cilën Petroja ia ktheu: “Turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!…”, replikë që i shkaktoi përjashtimin…

Please follow and like us: