Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Idrizllari: Zgjohuni shqiptarë. Kjo Republikë e tragjizmit duhet të marrë fund!

 

 

#Reagim – Ndoqa kronikën që kishte përgatitur Tg2 (media italiane) për skandalin e blerjes së pushtetit në Shqipëri me paratë e drogës. Në këtë kronikë të trasmetuar nga #Rai2 tregohet sesi i infiltruari i tyre kontakton me një trafikant droge dhe armësh në Shqipëri. Madje në këtë investigim përmenden edhe përgjimet nga ana e “Zërit të Amerikës”.

Ndjeva rebelim brenda vetes ndërsa ndiqja transmetimin 😡

Pse? Pse? Pse na bëni të na vijë turp të themi që jemi shqiptarë?! Pse na e keni ulur kokën duke na e transformuar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës?! Pse na keni poshtëruar deri në këtë nivel, sa të huajt të na konsiderojnë si një popull që ushqen krimin?!

Dikur bota na kishte injoruar si një Republikë e vetëizoluar dhe e mbyllur brenda një diktature çnjerëzore, ku populli mashtrohej mbi sloganin “Armiqtë na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi ata në grykë të topit”, apo “Votat tona plumb për armikun!”

Fatkeqësisht, edhe pse kemi arritur plurarizmin politikisht, nuk kemi mundur të ndahemi nga mentaliteti i mashtrimit dhe i krimit që mbolli diktatura e dikurshme.

Akoma vazhdojmë në sytë e botës të shfaqemi si një Republikë ekstreme. Si një vend i kriminalizuar, ku droga dhe trafikimi i votës është kryefjala e ditës.

Pse? Pse? Pse o banditë me kostume firmato zyrtare na keni përdhosur deri në arenën ndërkombëtare, aq sa të huajt na konsiderojnë një popull trafikantësh?!

Pse? Pse? Pse o mendje kriminale politike, jeni kaq pasivë për punë të mira dhe të dobishme për një zhvillim normal dhe të arsyeshëm të Demokracisë në Shqipëri?!

Pse? Pse? Pse injoroni faktet që mediat ndërkombëtare prestigjioze po jua përplasin përpara syve skandalet tuaja kriminale?!

Ju nuk keni turp. Nuk keni as moral, as ndërgjegjie, as sinqeritet. Ju nuk keni dashuri për vendin tuaj. Kjo është fare e qartë. Ju keni vetëm pangopësi. Babëzi për para. E thotë edhe proverbi “Oreksi vjen duke ngrënë” – Dhe juve ju është hapur oreksi i madh. Ai lloj oreksi që ta zgjeron aq shumë stomakun sa kërkon vetëm ta mbushësh. Dhe sigurisht pas gjithë kësaj stërmbushje nuk e keni problem me aq para të akumuluara, të fituara pandershmërisht dhe pa lodhje, me një pashaportë dhe charter t’ja mbathni diku larg kësaj Republike që e kriminalizuat. Duke lënë pas një vend në kaos, një popull në mjerim, ku si minjtë, shqiptarët hanë njeri-tjetrin për mbijetesë.

Zgjohuni shqiptarë. Kjo Republikë e tragjizmit duhet të marrë fund. Atdheu ynë është në buzë të një humnere. Mos u mashtroni nga banditët politikë me kollare firmato. Duhet të shpëtojmë Shqipërinë nga mafia politike.

Please follow and like us: