Rama: Nuk dorëhiqem, djegia e mandateve nuk është një problem
Kryeministri Edi Rama gjatë një intervistë për Rai News shfaq edhe një herë vendosmërinë për të mos dhënë dorëheqjen dhe për të mos e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Në një intervistë nga Gjirokastra, për gazetaren italiane Laura Tangherlini kreu i qeverisë shqiptare thotë se ligji i zgjedhjeve është i tillë, që kush fiton qeveris dhe kush humb, kalon në opozitë.
Thotë se është i gatshëm të dëgjojë opozitën dhe të dialogojë me ta, ama siç ai thekson, nuk mund të ndalë së qeverisuri vendin për shkak të krizave politike që krijon opozita.
Rama është shprehur i vendosur se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, ndërsa thekson se djegia e mandateve nuk është një problem, pasi ka mazhorancën për të qeverisur dhe për t’ju përgjigjur besimit të qytetarëve shqiptarë që e votuan.
“Jemi gati të dialogojmë, por sigurisht që duhet edhe të qeverisim. Kemi mazhorancën jemi më përpara në një mënyrë ekzemplare në të gjitha sondazhet, nuk mund të arrihet në një vend të thuhet: “Unë do bëj kamikazin nëse nuk më jepni atë që duam”, thotë Rama.
A e ndikojnë protestat imazhin e Shqipërisë dhe rrugën e saj integruese. Kryeministrit thotë se po. “Ishin 3 orë protestë, që prishën imazhin e vendit, i cili siç kreu i qeverisë thekson, është në një periudhë të rritjes ekonomike.
Një krahasim mes protestave studentore dhe protestave të opozitës?!
Rama thotë se protesta e studentëve për një arsim më cilësor ishte një protestë e popullit, zëri i të cilëve u dëgjua nga qeveria. Ndërsa protestat e thirrura nga opozita e bashkuar, sipas tij, janë protesta të një establishmenti politik, që janë të dëshpëruar se nuk mund të fitojnë.