Ramush Haradinaj: Taksa do të qëndrojë!
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është i vendosur të mos e heqë tarifën për mallrat serbe, ndërkohë që Beogradi akuzoi Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe se po mbështesin Kosovën të mbajë në fuqi tarifën për mallrat serbe. Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, tha se shqiptarët nuk bëjnë asgjë pa dijeninë e ndërkombëtarëve dhe u shpreh pesimist për arritjen e një marrëveshjeje. Pesimist është edhe presidenti Vuçiç, por i gatshëm për t’u ulur në bisedime me Prishtinën, sapo të shfuqizohet tarifa.
Edhe pas tre muajsh, kryeministri Ramush Haradinaj duket i vendosur për të mos e shfuqizuar tarifën për mallrat serbe. Duke folur për mediat, kreu i qeverisë tha se pavarësisht debateve brenda koalicionit, vendimi do të respektohet.
“Nuk kemi presion, kemi mendime të ndryshme. Ky është një shembull shumë i vërtetë nuk po e imagjinojmë, prodhimi është rrit qind për qind këtu, pra 100 për qind kemi rritje të prodhimit, pse a jo a ka më mirë se kjo”, ka thënë ai.
Me herët, Serbia akuzoi Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe se po mbështesin kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për të mos shfuqizuar tarifën për mallrat serbe. Duke folur për mediat të enjten vonë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se shqiptarët nuk bëjnë asgjë pa dijeninë e ndërkombëtarëve dhe akuzoi Uashingtonin se hedh gurin e fesh dorën.
Daçiç foli edhe për “delimitimin” kufirit me Kosovën që sipas tij nuk është një ide e re por e propozuar nga Beogradi që në vitin 2005.
Nga ana tjetër, presidenti Aleksandër Vuçiç, duke folur për televizionin Prva, tha se ai e ka gati propozimin për një marrëveshje me Kosovën dhe pret nga pala shqiptare që të hedhë hapin e parë.