Strategjia e opozitës për protestat pas dorëzimit të mandateve
Pas dorëzimit të manadateve parlamentare, mësohet strategjia e opozitës në vijim.
Mësohet Opozita do të protestojë çdo të enjte përballë parlamentit, duke mos lënë të qetë në marrjen e vendimeve shumicën e dalë sipas saj nga zgjedhjet e blera me krimin.
Vendimi është marrë gjatë ditës së sotme në mbledhjen e kryetarëve të Partisë Demokratike në rrethe.
Seanca e ardhshme pritet të jetë në 28 shkurt, kështu që në të njëjtën ditë është parashikuar edhe protesta te parlamenti.
Protesta e fundit e opozitës u zhvillua 3 ditë më parë, përballë parlamentit, ndërsa seanca ishte anulluar nga kryetari Gramoz Ruçi.
Gjatë kësaj proteste nuk u shënua asnjë incident, ndërsa po atë ditë u dorëzuan mandatet e deputetëve të opozitës.
Nëpërmjet këtij vendimi opozita beson se do të detyrojë kryeministrin Edi Rama të tërhiqet nga pushteti dhe t’i hapë rrugë një qeverie tranzitore, që do të siguroje sipas opozitës zgjedhje të lira e të ndershme.