Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Llapaj: Socialistët të çojnë Edi Ramën në shtëpi!

Dje KM Rama nga qyteti më paqësor, Përmeti, tha se po shfaqen hijet e ‘97-ës. Natyrisht që ai e di mirë, por nuk tha se cili është roli i tij në këtë eveniment ogurzi që po përgatitet. Po të kthehemi pas dhe analizojmë ’97 shkak nuk ishin paratë e humbura, por deformimi që ju bë zgjedhjeve të ‘96-ës dhe kokëfortësia e Berishës për t’i quajtur ato të “drejta”dhe të “ndershme”, “vullnet i sovranit” etj sllogane që ju politikanët e Atdheut tim i përdorni si peceta për të fshirë buzët pasi keni mbaruar punë me kërmën. Revolta e ‘97-ës ishte kundër Berishës se ju vodhi paratë shqiptarëve, revolta e 2019-ës është se Rama ju ka vjedhur shpresën shqiptarëve. Në kulmin e krizës Berisha i provokoi shqiptarët me rizgjedhjen e tij President në mars ’97, Rama po provokon tani me zëvendësimin me shpejtësi të deputetëve të opozitës. Çfarë ngjajshmërie’ 97-ta me 2019-ën?!?
Mor po a ka ai vend burra të mençur, patriotë dhe guximtarë që t’i thonë NDAL çmendurisë së këtij njeriu që për pushtetin e tij personal, jo të PS, do të çojë shqiptarët në vëllavrasje? Çdo krizë ka gjithmonë një zgjidhje edhe paqësore edhe institucionale dhe unë me modesti do të propozoja:
1. PS-ja dhe PD-ja të nxjerrin nga skena politike Edi Ramën dhe Sali Berishës, t’i çojnë në shtëpitë e tyre, pa të drejtë të pjesëmarrjes në politikë për një periudhë 10 vjeçare, si persona me rrezikshmëri shoqërore për nxitjen e dhunës dhe përçarjes. Kjo do t’ju japi atyre mundësinë njeri të bëjë piktura dhe tjetri të shkruajë kujtime dhe natyrisht politika dhe shoqëria shqiptare do të çlirohen nga dy politikanët më agresivë të postkomunizmit që e kanë nisur rivalitetin e tyre që në fund të vitit 1990 për kapjen e PD-së. Natyrisht që historia do t’ua njohë meritat dhe veprat, por e tashmja ka në sy mëkatet dhe veset e tyre.
2. PS-ja të zgjedhë një tjetër kryeministër që nuk është i përfolur për afera korruptive apo për lidhje me mafien e çdo lloji dhe që siguron besueshmëri për respektimin e opozitës si pjesë përbërëse e sistemit demokratik.
3. Opozita të marri mbrapsh mandatet dhe të hyjë në parlament.
4. Qeveria e re e PS të organizojë zgjedhjet lokale të qershorit.
5. Parlamenti të fillojë ndryshimet e Ligjit Zgjedhor të miratuar nga Berisha dhe Rama në vitin 2008 dhe zgjedhjet parlamentare në 2021 të bëhen me lista të hapura, t’ju hiqet mundësia kryetarëve të partive të hartojnë lista mercenarësh.
Këto janë mendimet e mia të pavarura nga asnjë simpati, inat apo interes personal. Thjesht nuk dua që vëllezërit e mi shqiptarë të mbeten peng dhe viktima të politikanëve që e shikojnë pushtetin si fushë beteje midis Gjergjit dhe Bajlozit.
Boll më 30 vjet! Ai popull meriton shumë më shumë!

Please follow and like us: