Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Po vijnë kohë të mëdha Edo!

 

Vetëm Edi Rama nuk e ka kuptuar akoma se, më shumë se Luli, është qytetaria a shoqëria e tëra ajo që e ka mundur. Madje duhet cilësuar se për Lulin ka qenë një nga vendimarrjet më të sikletshme kjo puna e mandateve. Ka qenë e tillë, pasi e kuptoi se kishte mbërritur çasti ku nuk mund t’i shmangej më presionit qytetar. Ndryshe do kishte ngritur një çadër tjetër, e cila do të përfundonte po me një marrëveshje po tjetër midis tij dhe Edi Ramës.

Kjo është arsyeja që prej dy ditësh, skenarët e zëvendësimit të karrikeve të opozitës në kuvend, po mbushin edicionet e lajmeve. Çfarë nuk po shkruhet për shembull për Myslim Murrizin, deri tek skenarët e vrasjeve parlamantare, shtresimet fraksionale që çuan Pollon dikur në krijimin e një partie tjetër. Sa për Myslimin, hiqeni nga mendja se do e fusni në vathë. Për të tjerët që po presin me lugë në brez, nuk bëhet fjalë. Mund të ulen aty sa për ndonjë lekë a curricul, sende që na magjepsin kollaj ne shqiptarëve. Por sido që të jenë, sido që të shpallen, kurrë nuk kanë për të përfaqësuar atë që quhet frymë opozitare e shoqërisë dhe e shumicës.
Eshtë një batalion i tërë që po diskutojnë djegien e mandateve si një katastrofë ekologjike. Nuk e dija kurrë që Edi Rama dhe analistët e tij ta donin kaq shumë opozitarizmin. T’u dhimbsej kaq shumë funskionimi normal i instucionit të saj.
Vetëm këtij i është mbushur mendja se ia hodhi, sapo dëgjoi që një Bojaxhi do ta pranonte me qejf një mandat nga lista.
Megjithëse edhe pse shkon të promovojë plagjiaturën e tij për bashkinë që duam, u mban leksion anëtarëve të Rilindjes, jo për pusetat po për ”zjarrin” që opozita po kërkon t’i vëri vendit. Dhe po sipas tij, sido që të jetë kjo opozitë ai e ka shtrirë dorën. Janë veç dëngla të një të mbaruari, i cili paguan për një artikull. Por ka marrë tatëpjetën ajo punë. Tashmë VOA-s po i shtohen ”kazanë” të tjerë. Rasti më i freskët, ‘Tg2’ me kronikat e investigmit të drogës në Shijak. Mirëpo asgjë nuk përbën provë për drejtësinë shqiptare, reformën që qeverisë së tij i duhet tre dekada ta përmbylli, me ato që do ai, dikund dhe kur do ai.

Paradokset më të mëdha tek ne qëndrojnë pikërisht tek antifushatat, a antimitigjet, megjithëse dhe ajo gruaja e Beratit dikur, nga koha e katarsisit socialist, nuk e shpëtoi dot PS nga grindjet mes Nanos, Metës. Ky qoftexhiu bën po të njëjtën gjë, nxjerr një militante të fantaksur që i kërkon të shpëtojë shtetin. Një nga ato që jeton akoma me rubrikat e heronjëve të stisur të Punës Socialiste në ‘Zërin e Popullit’. Kjo është bajate, edhe për faktin se në Shqipëri në vend të punojë populli, punon politika. Për politikën kurrë nuk ka fundjavë. Kurse për popullin a shoqërinë, se shumë abuzojmë me këtë fjalën popull, fundjavë është e gjithë java.
Nuk është Luli, Edo…jo, po dil e bashkohu siç bëre me studentët. Dhe do dalësh shumë shpejt se po vijnë ata, jo ata të teto Ollgës me saze, por ata të evropit. Eshtë një nga lëvizjet më efikase opozitare, konform një mllefi të brendshëm që herë shfaqet me protesta kundër prishjes së institucioneve nga shoqëria artdashëse, herë me protesta nga ata që pas një informaliteti a kosi 28 vjeçar ngrihesh ti e i thua ‘do t’iu prish shtëpinë se na duhen ca para’. Madje shkon deri aty sa krijon kompani bizarre nga Shtetet e Bashkuara, vetëm e vetëm t’u hedhësh hi syve njerëzve, me teoritë e investitorëve amerikanë etj. Nga ato lëvizje që herë më herë shfaqet me studentë, nga ato që të bën meit gjithë dimrin.

Dhe tani së fundi fryma opozitare. Nuk është Luli, as Saliu. Por një shpresë e vobekte si rreze në fund të tunelit që diçka do ndodhi ndryshe kur gurët lëvizin. Fryma opozitare ishte fikur pikërisht për shkak të emrave. Dhe është kjo arsyeja që ti i do aty, por që aq ishte. Ka çdo gjë një fund…nuk mbahet më pushteti me intrigat e kohëve, çfarë tha ky, si ia bëri ai atij, me dashurit platonike mes teje dhe enveristave etj. Janë kohë të mëdha Edo, kohë shkundjesh, kohë përmbysjesh.

Please follow and like us: