Albspirit

Media/News/Publishing

BE duhet të tregohet më e ashpër me Regjimin Iranian

Shahriar Kia

Marrëdhëniet mes Iranit dhe SHBA-së ndryshuan në mënyrë dramatike në vijim të kryengritjes mbarëkombëtare anti-regjim që nisi në dhjetor të 2017-ës, ku protestuesit iranianë kërkuan me forcë ndryshimin e regjimit dhe SHBA e mbështeti publikisht të drejtën e popullit për të protestuar dhe ndërmori një politikë për ndryshimin e sjelljes së Regjimit përmes një fushate të “presionit maksimal”.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e përdori fjalimin e tij të parë nga marrja e detyrës në 2018-ën për të deklaruar se Irani duhej t’i tërhiqte forcat e tij nga Siria, t’i jepte fund mbështetjes ndaj proksive rajonalë (d.m.th. Hamas, Hezbollah dhe Houthi), ta ndalte prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, të ndalte pasurimin e uraniumit, dhe të pranonte hetime më të thella mbi objektet e tij bërthamore.

Dhe ky qëndrim nuk është zbutur aspak. Gjatë 2018-ës, SHBA i ka rritur sanksionet dhe presionin diplomatik kundër Iranit, duke i nxitur aleatët të bëjnë të njëjtën gjë.

Më herët këtë muaj, Victoria Coates, Zëvendës Asistente e Donald Trump dhe Drejtore e Lartë për Lindjen e Mesme, shpjegoi se Strategjia e Trump për Iranin është e fokusuar në arritjen e “ndryshimt sistematik” duke kufizuar aftësinë e Iranit për të destabilizuar botën përmes terrorizmit, raketave, apo ndërhyrjes në punët politike të kombeve të tjera.

Ajo tha se Irani ka marrë në shënjestër Europën dhe Lindjen e Mesme përmes fushatave të keqinformimit, sulmeve kibernetike, dhe terrorizmit, kështu që këto qeveri duhet të përpiqen të vënë sanksione kundër Iranit në mënyrë që t’i detyrojnë mullahët t’i rikthehen tryezës së negociatave për një marrëveshje të re që do të trajtojë të gjithë sjelljen malinje të Iranit.

Tani, BE është përpjekur t’i anashkalojë sanksionet amerikane përmes një mekanizmi të veçantë financiar, i cili në momentin e këtij shkrimi nuk është bërë ende aktiv, por shumë biznese europiane i konsiderojnë lidhjet e tyre me SHBA-në si shumë më të rëndësishme sesa lidhjet me Iranin, kështu që nuk është e qartë se sa do të funksionojë ky mekanizëm.

Gjithsesi, pyetja më e rëndësishme është pse do ta bënte Europa një gjë të tillë? E kemi dëgjuar tashmë nga SHBA se Irani ka në shënjestër Europën, por kjo mbështetet nga qeveritë europiane dhe agjensitë e tyre të inteligjencës.

Në Asamblenë Kombëtare të Francës më 14 shkurt, Komiteti Parlamentar për një Iran Demokratik bëri thirrje për një politikë më të ashpër të të gjithë BE-së ndaj Regjimit Iranian për kërcënimet e tij terroriste dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Deputeti Hervé Saulignace na solli në kujtesë se disa agjensi inteligjence dhe qeveri europiane, vetëm vitin e shkuar, kanë thënë se Irani ka qenë i përfshirë në vrasje apo komplote terroriste në tokën europiane.

Me këtë gjë ra dakord edhe Maryam Rajavi, Presidentja e koalicionit të opozitës iraniane Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), e cila i bëri thirrje qeverisë franceze që të shpallte një politikë të guximshme në mbështetje të përpjekjes së popullit iranian për liri.

Ajo tha: “Mullahët kanë dëshpërimisht nevojë për marrëdhënie politike dhe tregtare me Europën. Megjithatë, ata nuk mund t’i ndalin operacionet terroriste në zemër të Europës pasi janë shumë më të dobët se ç’mendohet; ata nuk dinë mënyrë tjetër veçse të shtypin e të krijojnë kriza”.

Please follow and like us: