Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-presidenti kroat: Serbia të njohë Kosovën – pastaj të bisedohet për korrigjim të kufirit

 

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, ka ftuar Serbinë që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe më pas të ulet në tryezën e bisedimeve për temën e ndryshimit të kufijve. “Unë nisem nga ajo se arkitektura e vendeve europiane, këtu përfshij edhe Kosovën, ka përfunduar. Pra, kur një ditë Beogradi dhe Prishtina të vendosin marrëdhënie normale, atëherë mund të flitet për ndonjë çështje alogjike në ndonjë pjese të kufirit. E dini, asnjë kufi nuk është deri në fund ‘letër e shenjtë’ që të mos ndryshojë diçka, por së pari duhet njohur shtetin me të cilin bisedohet”, ka thënë Mesiq, shkruan Kosova Press. Politikani që shërbeu si president i Kroacisë për 10 vjet tha se Beogradi nuk duhet të bëjë sikur nuk i kupton faktet historike dhe se Prishtina e Beogradi duhet të vendosin marrëdhënie të ngushta. “Beogradi bën sikur nuk i kupton faktet historike, Kosova përfundimisht është shtet dhe duhet vendosur sa më parë marrëdhënie sa më të ngushta”. “Në fakt Beogradi, nuk është e thënë ta njohë menjëherë Prishtinën, por duhet patjetër të lejojë që kufijtë të hapen, që njerëzit të komunikojnë që kapitali të gëzojë të drejtën e qarkullimit dhe shërbimet të gëzojnë të drejtën e kalimit”.

Please follow and like us: