Albspirit

Media/News/Publishing

Aurel Plasari: ‘NË EMËR TË POPULLIT’

 

Për hir të “popullit” duhet lënë qoftë edhe “poezia” e Rilke-s dhe i duhet kthyer përgjigje dikujt që diskuton për “popullin”. Z. Voltaire nuk e kishte gabim kur mësonte: “në do që të diskutojmë, përcakto termat”. Meqë termi “demokraci” në prejardhjen e vet pati kuptimin “pushtet i popullit”, e vetëkuptueshme edhe nevoja e sqarimit se ç’është “populli” për të mos e falsifikuar kuptimin e tij. Në fazën e komunës primitive populli ishte një identitet i padiferencuar në klasa, përkatësisht as dhe në shtresa. Fill me shpërbërjen e shoqërisë primitive të padiferencuar dhe deri në ditët tona populli nuk paraqitet më si unitet monolit. Askund. Paraqitet si tërësi klasash, shtresash ose kategorish sociale, për ata që u druhen “termave klasorë”. Në shoqërinë me klasa ose me kategori të ndryshme sociale nocioni popull, pra, nuk ka më kuptimin e një uniteti të pastër, por të një pluraliteti social. Prandaj bëhet kujdes për të dalluar rastet kur fjala “popull” shpërdoret për të maskuar realitetin plural të një shoqërie duke krijuar iluzionin e një solidariteti total, të bazuar në një identitet absolut interesash që buruakan nga “uniteti” i popullit kinse pa interesa divergjente, të përkundërta, pra njëfarë “populli” i mistifikuar kështu në emër të të cilit dikush mund të pretendojë të flasë.

SMITHI DHE PLAKU

Edhe pse kalimtare në dukje, si skena më tronditëse e 1984-s orwelliane më ka qenë ngulitur në mend ajo e Smithit me plakun në një pub periferie. Winston Smithi, personazh kryesor i romanit “Tetëdhjetë e katra” të Orwell-it, ishte një nga ata nëpunës të përhimë të “Ministrisë së të Vërtetës”, në fakt kryeinstitucioni i manipulimit të kujtesës publike. Një ditë ka dalë të endet nëpër periferi, aty ku banojnë “prolet”: prolet përbëjnë 85% të popullsisë, ata duhet vetëm të punojnë e të prodhojnë, duke gjalluar në njëfarë gjysmëmjerimi, ndryshe nga dy klasat e larta, që janë “Partia e brendshme” dhe “Partia e jashtme”. Meqë prolet janë më pak të kontrolluar nga pushteti i Vëllait të Madh, më pak të nënshtruar ndaj përdhunimit të kujtesës, Smithi ka shpresë të rikuperojë në mjediset e tyre diçka nga kujtesa e shuar prej Partisë. Ulet pranë plakut në pub dhe e pyet se si ka qenë në kohën “para Partisë”. Ka qenë më mirë? Ka qenë më keq? Fundja, si ka qenë…? Plaku vret mendjen dhe, më në fund, ngre supet, nuk i kujtohet gjë. U rroftë privilegji që ua njeh Partia me sloganin “Prolet dhe kafshët janë të lirë”.

Please follow and like us: