Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Dështimi i merituar i Knut Fleckensteinit

 

1.

Dy janë dështimet e mëdha kësaj të enjte. I pari i përket Donald Trumpit me një ushtarak komunist nga lindja e largët, si Kim Yong Un, aq sa dhe shtypi amerikan po e ironizon me batutën se presidentit iu desh të fluturoj njëzet orë për asgjë.
Madje në një postim në twitter Trump jo rastësisht thotë se shikoni Vietnamin sot se çfarë ndryshimesh kolosale, edhe koreanët janë vitalë e punëtorë, kësisoj Koreja e Veriut mund të jetë një tjetër ekonomi e fortë e Lindjes së Largët.
Vietnami është një plagë e pa mbyllur akoma pasi rreth 58 mijë ushtarë a qytetarë amerikanë humbën jetën aty. Më katastrofë është shifra mes vitnamezëve vetë, atyre të Veriut dhe Jugut, afro 2 milionë njerëz. Kësisoj përpjekja amerikane nga Hanoi i sotshëm nuk është rastësi. Po në fund të fundit çfarë mund të presësh nga një komunist i dhjamosur? Asgjë!
Dhe dështimi i dytë, por që duhet theksuar me forcë një dështim i merituar është ky i burokratëve të Parlamentit Europian me opozitarizmin në Shqipëri. Një përpjekje sa formale aq edhe errët për shumë arsye.
Tashmë dihet që në raste të tilla ata nuk rekomandojnë dhe nuk mbështesin djegien e mandateve. Por nga ana tjetër dënojnë të ashtuquajturën dhunë në protesta, megjithëse kur pak ditë më parë miratuan në Këshillin Europian një kufizim masash në ndërhyrjet policore. Jo rastësisht kësaj here u takuan edhe me ministrin a shefin në detyrë të policisë shqiptare. Pra një një kontradiksion burokrat i cili ka vend për demokraci të kalibrit si Danimarka a Suedia, jo për këtë të shqiptarëve të telikosur nga informaliteti dhe propaganda.
2.

Por çfarë është në fakt konflikti i europarlamentarëve me opozitarizmin aktual? Një lloj konjukture ku sigurisht ata nuk mund të bëhen palë me bojkotin. Madje po t’i referohemi shtypit të kohës, viteve 2011, 2012, kur bojkotonte Edi Rama, po njësoj shpreheshin edhe atëherë. Megjithatë kur Edi Rama dhe Ilir Meta, fituan zgjedhjet ishin të parët që nxituan të shuanin gjithçka, duke i dhënë udhë një aleance që në të vërtetë nuk i kish shteruar konfliktet e vjetra, përfshi këtu 21 janarin e 2011-ës, por vetëm sa i kish vënë në gjumë për të kaluar radhën.

Por jemi tek europianët, parlamentarët. Nëse nuk e dinë shqiptarët, sot këto figura më shumë emër kanë në Shqipëri se sa në vendet e tyre. Përshembull Mogherinin a këtë socialistin gjerman Knut Fleckenstein, më shumë i njohin shqiptarët se sa vendet nga ata vijnë. Për më tepër që për ne kjo puna e anëtarësimit, me detyra shtëpie pa fund, me afrimin e lugës sa tek qeveria e mëparshme, sa tek kjo e sotmja, është bërë një lojë dërrmuese duke u dhënë shkak partive në fushatat elektorale. Megjithëse një fshatar nga buza e Semanit do të donte më shumë një rrugë të shtruar aty se sa anëtarësimin në Europë. Kjo edhe ka një shpjegim, me haraçin më të madh, këto tridhjetë vjetë shqiptarët e kanë pushtuar me kohë Europën, madje po u imponohen. Dhe pas disa dekadave do jenë frymë reale në drejtimin dhe destinacionet e pritshme të komunitetit dhe vendeve të tjera përreth. Kësisoj do vijë shumë shpejt dita që dosjet me detyra do plotësohen nga ata vetë dhe jo nga sekretarët e dikastereve shqiptare. Shkurt është një konflikt i kot, pa vlerë, rutinë, burokraci.

3.

Që kjo është lëvizja e duhur opozitare, nuk e luan as topi. Madje është sfida më e bukur politike e këtyre tri dekadave demokraci. Shqiptarët kishin nevojë për një provë të fortë besimi. Duhet ta kishin bërë më herët. Ata që mendojnë mbi listat, mbi emrat, megjithëse mund të ketë ndonjë që do ofrohet, ose mezi po pret të betohet, prapë kjo nuk e zbeh forcën opozitare. Midis nesh ka plot nga ata që vdesin të shkojnë kundër rrymës. Mirëpo fakti që mblidhen për dy orë me sms aq protestues karshi një kuvendi tashmë monopol, është frut i asaj prove besimi. Kështu që një kuvend i stisur nuk ka asnjë fund tjetër veç telendisjes dhe dëmit të zakonshëm të tipit me urra dhe grushtbashkuar rreth partisë.

Le të habitet sa të dojë Knut Fleckenstein me përgjigjet e prera të Monikës. Janë kohë të tilla ku edhe politikanët mund të përmirësohen. Janë kohë që kanë me vete edhe rrisqet paralele për sfida të tjera, pasi duhet të kuptohet një herë e mirë se motet fluturojnë si treni elektrik, shancet po ashtu dhe se mandatet janë ca letra pa vlerë. Knut Fleckenstein është njësoj si të nxjerrësh përmes burokracisë europiane, Taulant Ballën nëpër vendet e rajonit e tu flasi për çfarë nuk njeh, çfarë është e drejtë apo jo drejtë për ta. Një gagarel që u mburret publikisht shqiptarëve se ka mik iks kapo bandë. Çfarë mund t’u thojë ky përshembull boshnjakëve, a bullgarëve etj. Ndaj më vjen mirë kur dëgjoj ato fjalët e Monikës kur i thotë një burokrati europian se e kujt është Shqipëria. Ka vetëm një rrugë, një dhe vetëm një, përmbysja e Edi Ramës.

Please follow and like us: