Taulant Muka: Një mesazh për qëndrimin sot të Delegacionit Parlamentar Evropian!
Është shumë e thjeshtë të flisni për Shqipërinë sepse nuk është vendi juaj. Ju nuk ja doni të mirën Shqipërisë sepse për ju një vend i dobët si Shqipëria është një mundësi më shumë për të marrë para nga ky vend dhe për t’i çuar ato në vendet që përfaqësoni. Është njerëzore, ne të gjithë vendosim interesin tonë në vënd të parë (Euripidi). Po po, sa më pak ekspertizë ka Shqipëria, aq më shumë kanë mundësi kompanitë dhe institucionet e shteteve që ju përfaqësoni të merrni fonde nga buxheti i shtetit shqiptar dhe më shumë mundësi kanë bizneset tuaja të shesin produkte (edhe skadenca) të vendeve të BE pa patur konkurencë.
Ju komisionerë keni heshtur për krimin e politikës shqiptare në arsim dhe vazhdoni të heshtni, sepse ju e dini që një arsim i zhvilluar në Shqipëri do të thotë më shumë prodhim shqiptar, më shumë kapacitete dhe më pak nevojë për “ndihmën” tuaj. Unë nuk jam me këtë opozitë, por i bashkohem qëndrimit të tyre ndaj jush: Boll ju kemi dëgjuar teksa talleni me ne, nuk kemi nevojë për tutor! Në fakt faji nuk është i juaji, faji është i joni që ende shpresen e shohim tek ju dhe jo te vetja.