Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Z. ZHOLI: LULJA E DO UJIN PA U VYSHKUR

Tregim
E shihja gjithmonë që kalonte para shtëpisë sime kur shkonte për në shkollë…E shihja e më shumë më pëlqente… Ecja e saj e lehtë e mos përfillëse …Krehja disi e vecantë e flokëve dhe veshja me shije e bënin të gjithën të bukur e me fusë magnetike, që të tërhiqte e të ndizte ëndrrat…
Ajo ishte gjimnaziste, ndërsa unë në vitin e fundit të institutit…Ishte mars kur i mësova emrin.
E quanin Irena.
Sa kish hyrë pranvera. Por unë mendoja se emri i saj e celi pranverën…E dashuroja fshehur. Brenda vetes. Dhe kjo më kënaqte. Thoshja emrin e saj, që gjithmonë merrte bukuri pranvere dhe ndjehesha i lumtur…Pastaj se si m’u dha e i dola përpara?!… Asgjë nuk i thashë, vetëm “mirmëngjes”. Edhe atë “mirmëngjes” mezi e nxorra nga goja…
Ajo mbante gjithnjë një qëndrim indiferent, por jo fyes. Një indiferencë luleje…
E mbaj mend mirë atë ditë. Ishte e shtunë kur e ndalova. Mëngjes maji ishte. E pashë që larg duke ardhur drejt meje…E sillte rruga drejt meje…Më dukej si e veshur me rreze dielli dhe herë-herë më verbonte pamja e saj…Se si rrija në atë cep udhe, nuk mund ta tregoj dot…Por isha i hutuar e i mpirë.
-Mirmëngjes Irena,-i fola me gjysmë zëri.
Ajo i ktheu kokën nga unë, e me qetësinë e saj të zakonshme si qetësi mermeri, më buzëqeshi…
Buzëqeshje me të bukur nuk kisha parë në jetën time…
Nuk qeshnin vetëm buzët, por gjithë fytyra, faqet, sytë, vetullat, qepallat… edhe poret e fytyrës i qeshnin…
-Mirmëngjesi…dëshironi gjë?!,- më foli mes asaj qeshjes magjike.
– Dua të njihem me ju…Unë, unë…- doja të thosha ndonjë fjalë më të rëndësishme, por nuk munda…
Balli m’u mbush me bulëza djerse si në provimin më të vështirë, që nuk e kisha dhënë akoma…
-Tani jam shumë vonë Agron,- dhe iku duke më buzëqeshur, sic dinte ajo…Buzëqeshjen mundohesha ta thithja, sic thithet era e lules, për të dalë nga ajo gjendje hutimi…
Ajo u largua e unë mbeta duke pare floket e saj te vecante dhe duke përtypur fjalët e saj: Tani jam shumë vonë Agron…”. I zbërtheja gërmë më gërmë, e pastaj i ngjisja prapë në atë fjali që mbaronte me emrin tim Agron…U jepja zërin e saj atyre, e më dukeshin magjike, si të pa folura nga asnjë zë vajze në botë…Mbas asaj dite, unë e prisja po tek ai vend, pastaj e përcillja deri afër shkollës…Irena e pëlqente praninë time dhe cdo ditë dic priste, që unë nuk mund ta përktheja në sytë e saj e në gjithë qeshjen e asaj fytyre…
***
Vala e ikjes më rrëmbeu edhe mua e më përplasi në porta e hallit…Larg Irenës…Kur e mblodha veten e u stabilizova disi, e para gjë që bëra ishte letër Irenës…E gdhiva atë mbrëmje, s’e ndjeva natën deri në, mëngjes…Shkruaja e shkruaja fjalë që nuk i kisha folur asnjëherë…E mbusha një letër të madhe me nuk e di sa faqe e ia dërgova… Që të nesërmen e dërgesës prisja përgjigje…Prisja sikur Irena të ishte aty mbas derës e të lexonte letrën time të më kthente përgjigje pa marrë frymë…
Por përgjigja nuk erdhi. Unë prita e prita e u mësova me pritjen time…Kaloi një vit. Irena më dilte gjithmonë në ëndërr… Ënddrra më tërbonte e më lumturonte me brengën tek fyti…
U dashurova me ëndrrat e mia…
Një ditë tek stacioni i autobuzit Athinë –Kakavijë, (shkova mos takoja ndonjë të njohur për të dërguar një pako familjes dhe letrën e dytë Irenës mbas një viti e gjysëm) u ndesha me një vajzë…
O perëndi ishte Irena…
-Irena…
Ajo qëndroi e më pa, por jo me sytë e saj… Nuk qeshnin më ata sy… As qepallat, as vetullat, asgjë nuk qeshte , ose më saktë nuk ishte fytyra e saj…
Vetëm zëri dicka kishte ai zë:
-Ju Agroni jeni?
-Po unë jam.
-Nuk të njoha fare- foli ajo përsëri me një indiferencë fyese…
-Më fal Irena por unë të kam shkruar… unë jam ai. Gjithmonë të kam parë në ëndërr…(thashë e disa fjalë të tjera, me më pak vlerë se këto).
-Por më ke shkruar vetëm një letër…Një letër në një vit…Je lodhur shumë me mua…Sa mundi të të ngrohë një letër? Ti ike kur nuk duhej…( zëri i saj u bë më i vërtetë)… Kur unë të doja ti u largove e u harrove…
–Largësia e ka shtuar dashurinë time- u hodha unë menjëherë…
-Ti nuk e vlerësove dashurinë time…as dashurinë tënde nuk e vlerësove…Nuk jetohet me kujtime Agron…as me ëndrra…
-Unë të dua Irena… të dua!…
-Lulja e do ujin pa u vyshkur…foli ajo dhe u largua…
Please follow and like us: