PD dorëzon në KQZ listën e refuzuesve, pa otllakistin Maqili, Karamelon, Picirin dhe Jeniçerin
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ka shkuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve të cilët refuzojnë të marrin mandatin e deputetit, pas vendimit të opozitës për djegien e tyre. Kaso tha për mediat se dorëzoi në KQZ, dorëheqjen individuale të parevokueshme të gjithë kandidatët që kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike. “Të gjithë kandidatët që janë pjesë e PD, shprehën vullnetin e parevokueshëm për të mos marrë mandatin e deputetit, duke respektuar vendimin unanim të partisë për djegien e mandatit të deputetit. Përjashtim nga ky refuzim, bën ndonjë kandidat i partive aleate të para zgjedhjeve të vitit 2017”, u shpreh Kaso. Ndërkohë mësohet se nga Lëvizja Socialiste për Integrim, janë tre kandidatë të cilët kanë nisur procedurat për marrjen e mandatit. Bëhet me dije se Enver Roshi kandidat në qarkun Elbasan, Aurora Mara kandidate në qarkun e Dibrës dhe Ylli Shehu kandidat në qarkun e Tiranës, kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e vetëdeklarimit. Në këtë mënyrë ata pranojnë marrjen e mandatit të deputetit, çka pritet të vendoset dhe nga KQZ. Kujtojmë se Ylli Shehu ka qenë deputet në radhët e Partisë Republikane, por u largua nga ajo parti për t’iu bashkuar LSI. Sakaq mësohet se në radhët e demokratëve janë katër kandidatë të cilët nuk kanë pranuar të refuzojnë mandatin. Bëhet me dije se ata janë Lefter Maliqi, Ligoraq Karamelo, Erion Piciri dhe Selami Jenisheri.