Edlira Dedja: Lamtumirë Sadije Agolli, lamtumirë grua fisnike!
Pianistja Edlira Dedja, e bija e Akademikut dhe shkrimtarit humanist për fëmijë Bedri Dedja ka ndarë në rrjetet sociale keqardhjen për largimin nga jeta të Sadije Agollit, të cilën e ka njohur familjarisht nga afër. Një ngjarje të cilën ajo e lidh me humbjen e prindërve të saj, të lidhur ashtu si çifti Agolli nga një dashuri e madhe, përtej jetës fizike
Edlira Dedja
Lamtumirë Sadije Agolli, lamtumirë grua fisnike, lamtumirë mike e rrallë e familjes time! Me largimin tënd pa kthim përjetova edhe një herë humbjen e prindërve të mij si dhe të një copëze të artë të kujtimeve më të vyera të fëminisë e rinisë. Ti s’munde të qëndrosh gjatë larg Driteroit, ashtu si edhe nëna ime e shtrenjtë që i mbylli derën jetës menjëherë pas largimit të tim Eti…
NGJYRA LAMTUMIRE….
Ditë e zymtë!
Sa e bardhë dhe magjepëse në pamje, aq e errët, e ftohtë, e frikshme e mizore në dhimbjen që mbjell papritur…dhimbje që duket sikur i jep një peshe te papërballueshme lajmit të pamëshirshëm, i cili përhapet me shpejtësi: në hapësirë, kohë e zemra miqsh..
Tashmë imazhi i Njeriut të dashur kthehet në hije të së kaluares, thërmohet përpara syve e bëhet transparent; gjallëria e rrugës së dikurshme, ku hapej nje porte miqësore e ku shtrohej një tryezë me aromë vendlindjeje, e humbet papritmas kuptimin e parë; s’ka më adresë, as emër, as identitet. Anashkalohet rruga pa dëshiren për të kthyer kokën mbrapa edhe një herë të fundit, duke lënë pas saj shijen e vetmisë, brengës, harresës që pergjon prapa çdo kthese…
Së bashku me njerëzit e dashur që s’kthehet më, varroset edhe një copë e rinisë e fëminisë tënde; varrosen kujtimet e asaj bote ndërtuar së bashku, me vrrullin e ëndrrave dhe fantazisë së shfrenuar fëminore; botes pa hipokrizi, pa mëri e inate, ku janë ngritur e rrëzuar «kalatë prej rëre», me gëzim e të qeshurat të pafajshme…
Në këto momente, emocionet nuk përshkruhen me fjalë; as nata e bardhë që e kalon si pa kuptuar me ecejaket në dhomën e ndriçuar nga drita e zbehte e një qiriri…ndihet peshë lotësh që rëndojnë sytë, që zbehin shikimin, që dobësojnë mendimet…duar që dridhen…fjalë të pafuqishme e tepër të rënda për të gjetur një nuancë ngushëllimi…
Kërkon të gjesh prehje nën tingujt e «Requiem»-it të Mozartit, duke kërkuar të rigjesh edhe një herë imazhin e miqve të humbur; ndoshta magjia e muzikës së gjeniut të ndihmon të harrohesh, duke të zhytur thellë e më thellë në botën ku nuk ekzistojnë më kufijtë midis reales dhe ireales…
Lamtumirë Njerëz të dashur, Mik, Mike, Rini, Ëndrra, e Kaluar e papërsëritshme!