Albspirit

Media/News/Publishing

Elona Agolli: Më datën 19 shkurt, e bukura nëna ime thirri vdekjen

 

 

Më daten 19 shkurt, e bukura nëna ime thirri vdekjen. U rrëzua e vendosur për të bërë paktin me të, që shpirti i saj të puqej menjëherë me atë të atit tim. Ajo, mizorja vdekje donte të mendohej për pak kohë dhe e mbajti në pragun e saj përgjatë 7 ditëve, duke dashur të përmbushte dëshirën e të bukurës nënës sime. Më datën 26 në mesditë, e lehtë dhe e bukur si pulëbardhë, nëna ime u end lart, në kërkim e përbashkim me atin tim. Ata tanimë janë bashkë, pasi shpirtrat e tyre, njeri në amëshim e tjetra në jetë, përgjatë dy viteve, përcillnin kumte mes tyre, ditë natë e natë ditë. E bukura nëna ime flinte pak, përpëlitej e sfilitej në mëdyshje, jetonte e nuk jetonte, bëzante e nuk bëzante. Ajo lotonte, por nuk qante, ajo buzëqeshte, por nuk qeshte. Pas ikjes së shpirtit më të bukur për të cilin ajo ishte marrosur në të gjitha moshat e saj, edhe vetë shpirti i saj ndjehej tërë kohës në vrap, në ndjekje, në përgjim të shpirtit të humbur. Jeta e saj u bë makth, jerm, magji, fluturim. Tanimë vrapi pushoi, ndjekja u sos.

Ajo është e qetë, e bekuara nëna ime tanimë po çmallet. Shpirtrat po çmallen…

Please follow and like us: